| E merkure, 18.12.2024, 07:54 PM |
Kritikë letrare:
SHPIRTI
THYHET NË SYTHIN E PAFAJSHËM
Ajne
Ibërhysaj - “GRAVURË ME NGJYRAT E KOHËS“, poezi, botoi “ONUFRI“, Tiranë 2024,
faqe 146. ISBN 978-9928-824-22-6
“Të gjallët duhet të
mësohen të buzëqeshin,
Edhe kur dhëmbët u
kërcasin nga trishtimi”.
Poezia,
"ME FRYMËN E DIELLIT", faqe 23.
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
NJOHJA:
Emrin e poeteshës Ajne Ibërhysaj, nuk e
kisha fiksuar asnjëherë më parë, as nuk më kujtohej se çfarë kisha lexuar nga
ajo! Për të parën herë u takuam në Panairin e 27 të Librit, Tirana 2024. Ku
tjetër pos në Shtandin e Shtëpisë Botuese “ONUFRI”, aty ku ishte botuar, dhe po
atë ditë të diele aty do të promovohej.
Modestia e saj nuk peshohet me fjalë, e
thjeshtë sa vet poezia, prandaj s’kish se si të mos tërhiqte edhe vëmendjen
time. Një zë fonetik në mes të folmës së Elbasant, (ku i kishte studiuar), dhe
të efolmës së Deçanit, një përzierje artistike që jepnin një tingëllim të ëmbël
dhe pëlqyese. Me atë modesti mi bëri dy-tre fotografi, pasi siç tha ajo po të
mos jem unë “poetët s’ka kush i fotografon?!”. Pastaj u prezantua duke mos
fshehur entuziazmin për ngjarjen që do të ndodhte pak ma vonë ku do të
promovohej libri i saj, të cilin e mbante si letërnjoftim ndër duar. Edhe pse i
premtova, se do të jem në atë promovim, më ndodhën ca gjëra të tjera kulturore,
se mbase me lumjan e ca mirditor dreka dhe rakia kulturore e kishin veçantinë e
vet. Për fat të mirë librin e Ajnes e kisha futur në valigje, për ta marrë me
vete. Leximi i poezisë ma sforcoi edhe më shumë mendimin pozitiv për këtë
poeteshë nga Deçani, të cilës “Shpirti (i) thyhet në sythin e
pavajshëm”, (faqe 3).
DHEMBJET E KOHËS:
Lrika e Ajne Ibërhysajt, në vëllimin “GRAVURË
ME NGJYRAT E KOHËS”, shënon një vlerë të rrallë dhe cilësore, estetikë
artistike që vjen e sigurt në poezinë e sotme shqipe. Mbase ajo është grua dhe
mposhtet me mirësjellje, vargu i saj ka kuptim edhe më të thellë se kaq?! “Unë
jam grua!/ Mposhtem me dashuri”, prandaj i bënë thirrje njerëzorës “Me
tradhti mos m’i ngroh buzët,/ me njomështi ma puthëro qilimin e shpirtit”,
dhe e sigurt në vetvete ajo shton se “Për ty, unë jam engjëlli mbrojtës”,
dhe guximshëm e publikisht deklaron se “...jam kurmi i përflaktë,/ që ta
shoh në sy”, (nga poezia “UNË JAM GRUA”, faqe 3). Jo vetëm kaq, këtë
stilistikë të rrallë dhe të veçantë e bëjnë metaforat mjaftë eliptike, tejet
përjetuese, kurse simboli dhe simbolika plotësojnë vlerën e figurës letrare dhe
atyre stilistike në mënyrën e mundshme ma të përsosur, pasi siç shprehet
poetesha “Rrugët e jetës/ janë baladë dhembjesh që ndryhen në shpirt”,
dhe nga sprovat që mund të ketë përjetuar, pa aty shprehet: “E tillë është
kjo jetë/ ka ditë të hirta e të bardha/ që s’kanë lidhje me vjeshtën/ e as me
mua...!”, (poezia “VALËT E JETËS”, faqe 4).
Libri është një prurje e re në poezinë e
sotme shqipe. Dhe si vajzë Kosove, edhe Ajne Ibërhysajt, “Mbi gaca prushi/ (i)
fluturojnë flutrat e bardha”. Sigurisht ajo ka kaluar sfida, vështirësi,
trauma dhe ndoshta edhe tragjedi familjare, qoftë gjatë Luftës në Kosovë ose
vdekje të dhembshme si pasoj e asaj lufte, duke mos i përjashtuar as sëmundjet
e natyrshme, siç mund të përjetohen nunca të tilla te poezia “NËPËR PLASA TË
FRENGJIVE”, e ndonjë tjetër, aty ku puqet dhembja dhe trishtimi me
domosdoshmërinë për të jetuar e vazhduar. Kjo sintagmë krijon lidhshmëri
shpirtërore me personin e caktuar, që buron nga shkaqe objektive, qoftë si
ndjenjë e brendshme, ku pashmangshmëria për tu përballur bëhet kod jetik i ulur
“këmbëkryq në kullë,/ me aromën e pranverës”, (faqe 7). E diku tjetër
ajo shkruan: “Pjesa tjetër,/ e trishtë si vetë fati” andaj ajo “çapitet
e flet me trishtimin dhe veten” e saj, duke e mbyllur poezinë me një mesazh
që të shqetëson, “Motër,/ qiellin do ta bëjmë mozaik gjethesh”, me ato
gjethe që kuvendonte pak më parë, (poezia “SYRI PRET NJË RREZE SHPRESE”, faqe
11-13). Prandaj edhe poezia e Ajne Ibërhysajt, shpreh atë dhembje që ka
poetesha, kurse vargu kaq i shqetësuar manifestohet si përjetim i
paimagjinueshëm, sëkëndejmi ka edhe përjetime të dashurisë, sepse siç shprehet
ajo “Edhe qielli e ka mërzi errësirën”, andaj ajo ka “nevojë për
fjalën”, (po aty, faqe 11), pse jo edhe për një përqafim. Përgjithësisht
poezitë janë me tematikë dashurie, të cilit as Ajne Ibërhysaj nuk iu paska
shëputur, përkundrazi kjo poeteshë vetëm sa e zgjeron kuptimin metaforik, si
vetidentifikim me procesin, mbase letërnjoftimi më i mirë kulturor e artistik,
kurse “në sytë e saj,..., çdo gjë është art”, (faqe 15), edhe pse fundi
i kësaj poezie ka një metaforë të pakalueshme, “Të gjithë në qiell të
zhveshur jemi/ Ti mbete fëmijë në udhëkryqet e jetës”, (faqe 16).
Po ashtu libri përbëhet nga një larmi
tematike, ndërsa motivet e shumta janë pasuri artistike e këtaj vëllimi me
poezi, nga jeta urbane, me nuanca të aspektit social, por secili motiv më vetë
përmban elementin lirik brenda çdo vargu. Një gjë që duhet pranuar shihet se
ajo qëndron mjaftë e stabilizuar në krijimin poezisë. Madje edhe kur citon
shkrimtarë botëror, siç ka vepruar me vargun e J.L.Borges, “Ka diçka më
fisnike në/ humbjen e trojanëve,/ se sa në fitoren e grekërve”, (faqe 17).
Por unë jam i prirur të besoj se në poezinë e Ajnes ka diçka edhe më fisnike se
të gjitha motivet e dhembjes brenda këtij libri!...
DETERMINIMET ARTISTIKE:
Natyrisht, kjo poeteshë është “Vajza
syshqiponjë,/ në qerpik të syrit qëndisë...”, vargun si kërkim fiktiv të
faktit që ndërthuret me “Fatin e thurur me rrezen e parë të mëngjesit!”,
(faqe 18), ku do ta determinojë procesin e krijimit artistik, me një estetikë
të realizuar dhe me mesazhe të çarta, andaj nga poezia në poezi, lexuesi dhe
kritika do të mahnitet me një profil karakteristik të poeteshës, e cila përmes
poezive dhe vargut të saj artistik zbret si katarakt i kreshpëruar, e sigurt në
arkipelagun e poezisë, andaj e them pa hezitim, se Ajne Ibërhysaj, shkruan me
vetëdije poezinë e mirë!
MALL
Është fryma e shpirtit
që i jep zë vargut.
Është britma e parë e lindjes
së dritës së diellit.
Është belbëzimi i fjalëve të heshtura,
që ta gërryen shpirtin.
Malli është etje
që mban gjallë frymën time!
Faqe 19.
“Njeri,/ vazhdo tik-takun e jetës!”
sepse “Syri (do) të kap një rreze shprese”. Pra poezitë janë
krijime që shprehin refleksionin krijues, madje ky angazhim, këto metafora
tematike janë në funksion të shoqërisë e cila është në proces ndryshimi, ndërsa
sygjerimet për emancipim janë një diskurs tjetër metaforik, në mes përjetimeve
të brendshme dhe reflektimit të rrethit dhe shoqërisë, ku shpesh përjetohen si
dy të kundërta e të të njetit trup. “I këndon dhimbjes,/ i buzëqesh
trishtimit”, (faqe 21), ky varg kaq metaforik, e fut brenda vetës lexuesin
i cili patjetër do t’i shpalos ndjenjat e saj emocionale. “Buzëqesh,/ edhe
atëherë kur ulesh në bankën e zisë./ Mblidhe veten, qëndro me kryelartë!/
Rilind bashkë me frymën e diellit”, dhe “Të ftohtit e dimrit ngrohe me
yje”, dhe kur s’ke çfarë të bëshë, pse jo “vallëzo me gjethet e vjeshtës”,
andaj mesazhi i saj për Njeriun është të dimëroj, dhe të frymojë me frymën e
diellit, (poezia “ME FRYMËN E DIELLIT”, faqe 23).
METAFORA SI NËNVETËDIJE FILOZOFIKE:
Se “Mendja dhe fjala ndrydhen mes
dhëmbëve”, (faqe 27), kjo s’ka dyshim, por poezia ka prodhuar një
kundërvënie të këtyre dy raporteve, por metafora e vargut përqon jo vetëm
mesazhin filozofik të perfeksionuar, shprehur si nënvetëdije artistike, e cila
prodhon mesazhin në të cilin “melodia vazhdon dhe teatri mendor rrëfehet”
si një “pikturë akulli në mur”, (po aty, faqe 27). Shpeshherë ndeshim
vargje me një lloj lustre, e cila është mënyrë estetike e të shprehurit për
qëllime artistike, duke prodhuar vlera të pakontestueshme që shpreht te poezia
“ZANI YT ASHT FRYMA IME”, (faqe 34-35), si dhe te poezia “QYTET I HESHTUR”, (faqe
38). Pa asnjë dyshim, poezia me sukses komunikon me lexuesin e saj, qoftë poezi
për poezi, ose si tërësi tematike më e kompletuar. Pa dyshim poezia e Ajne
Ibërhysajt, do të lë gjurmë në pentaonin e lirikës së sotme shqipe, sepse ajo “Në
çdo gotë të ndien dhe të tërheq pas vetes”, (e përpunuar, faqe 41).
Pastaj poezia e Ajne Ibërhysajt, shquhet
edhe për mënyrën e artikulimit gjuhësor dhe poetik, gjithnjë lirika e dashurisë
rrjedh lirishëm, si psh.: “Kurrë nuk u ndala,/ duke gjurmuar shtegun e
dritës së fjalës”, (faqe 45), ndërsa motivet dhe përjetimet shtresëzohen
edhe si simbol por dhe si figurë estetike, duke përbërë vlerë artistike, dhe e
gjitha bëhet si artikulim poetik në funkson të artit dhe për shijen e lexuesit
dhe të letërsisë, këto vargje janë lirika të pranueshme.
Realiteti dhe aktualiteti ngërthehet
përmes mënyrës së shqiptimit fonetik, ndërsa timbri i zërit artistik drithëron
dhe njëkohësisht edhe kumbon, herë - herë i atakon dhe qorton dukuritë dhe
fatet njerëzore. Si ilustrim po marr copëza nga poezia “GRAVURË ME NGJYRAT E
KOHËS”, nga ku pagëzohet edhe titulli i librit:
Me ngjyrat e arta të hënës,
shpirti do të lë gravurë në gur.
Sytë e qeshur
do t’i pikturoj në qiellin e pafund.
Mbështesë kokën te jastëku,
kujtimet vallëzojnë si djajtë me kohën.
Le të mbetet trishtimi, peligrinazh
me ftohtësinë e krahëve të harrimit.
(Fragment, faqe 50-51)
Të rëndësishme janë motivet, metaforat,
kultura e shkrimit poetik dhe e gjithë poezia e saj e cila si tërësi është përpjekje
për vetëdijësim dhe emancipim të rrethit dhe shoqërisë, në të gjitha nivelet
dhe kategoritë e saj, siç shprehet po në këtë poezi dy strova më poshtë: “Trupi
drithërohet,/ shpirti puth bardhësinë./ Brenda nesh gjëmon deti zemërak,/
përkdhel leht germat e zeza”, kurse “Buzët kafshohen me ritmin e vargut”.
Sipas vargut, poetesha është “...brenda
syrit të diellit,/ që frymën ia mban gjallë,/ për një buzëqeshje pa maskë”,
(faqe 63). Përjetime të tilla janë edhe poezitë me motiv të aktualitetit ose
ato të përjetimit të cilat ashtu siç janë, janë mënyrë shprehëse për zhvillimet
ditore shpeshherë në drejtim të kundërt me atë që ka deshiruar ose ëndrruar vet
poetesha.
Liria njerëzore, por edhe liria politike
ka nevojë për emancipimin e saj, edhe komuniteti kulturor, poetik dhe letrar ka
stadet e zhvllimit dhe të evoulimit, natyrisht ka edhe tendenca devijante, ka
sasi të shumta dhe madje në rritje, kjo shumësi vlerash me më pak vlerë,
shpeshherë artin e mirë, vlerën letrare i ka mbuluar me hijet e më pak vlerave,
andaj “Nganjëherë mendja më bëhet lëmsh,/ ndaj s’është çudi pse i kam
ngatërruar ditët,// Me trishtimin dhe dhimbjen.../ bashkë i mundëm ditët e
dimrit”, (faqe 67). Si duket kjo tendencë e ka bërë Ajne Ibërhysajn të
marrë rolin e pedagogës së heshtur dhe ashtu në heshtje ajo ka ndërtuar një art
të bukur lirik, dhe përmes librit kaq të realizuar ajo sikur flet, sikur
sugjeron se si duhet vepruar secili poet a poetesh kur vendosin për të botuar
libër me poezi, gjë që duhet ta kenë parasysh se “...nuk është fundi i
botës,/ pse ngatërron ditët./ Ato ecin me radhë, njëra pas tjetrës”, (po
aty, faqe 67).
“Për ta ndier shpirtin në majën e
gishtrinjëve,/ për ta ndier dhimbjen tek digjesh me trupin”, duhet “për
t’u bërë ballë tallazeve të jetës nën tymin e zi!”, (faqe 74). Pvarësisht
kësaj ajo “Nuk dua (dëshiron) të vijë nata!/ Dua (dëshiron) që
dita të mos i ikë kurrë”, (faqe 75), ndërsa poetesha vazhdon misionin e vet
në kërkim të metaforave “Gjithë jetën mbeta fëmijë i trazuar,/ Ëndërr që
ngjan me klithma zogjësh”, (faqe 76), vërtetë metaforat e saj shpeshherë
janë klithma të veçanta dhe po aq të trishtëta, por ajo ngarend edhe pas
metaforave të tjera e të shumta, dhe në këtë mënyrë për t’i shërbyer me kaq
pasion misionit të saj, duke krijuar këto perla kaq artistike, të bukura dhe me
frymëzimin e duhur, tamam siç shkruan për vete: “Unë dhe shiu akordojmë/
pentagramin e shpresës së etur”, (faqe 79). Natyrisht nëpër vargje të
poeteshës ndeshim një ballafaqim me dukuri të shumta, andaj një kundërvënie dhe
përpjekje e saj për tu përballur me ato fenomene del mjaftë në pah, sidomos
vargjet ku shihen disa përjetime mjaftë tronditëse. Tejkalimi i atyre
përjetimeve, nëse jo në realitet i gjejm të realizuara nëpër vargje, të cilat
kryesisht shprehin mirësjellje kundrejt njeriut a shoqërisë.
Në qiellin e heshtur,
drita e syve të mi,
herë me trup e herë me shpirt,
e përthekon gjithë botën,
deri në thelbin që ndritë.
Nga poezia “DUKE PRITUR DIELLIN”, faqe 79-80.
Ky komunikim me lexuesin e saj,
metaforikisht është “përkëdhelje gjethesh, është sikur me gjethe flet
përmallshëm, kur ato nga dega fluturojnë për të fundit herë”, (nga poezia
“ETJA NGRE DALLGË”, faqe 91), prandaj poezia është përgjegjësi e
individualitetit i cili kërkon vlerën nga të tjerat, në përputhje me standardet
të cilat i aplikon për veten e saj. Një sjellje njerëzore, principe e parime aq
sa e karakterizojnë jetën dhe angazhimin profesional, po aq janë të dukshme
edhe nëpër poezi. Jo si dy të kundërta, por të kundërtat e përputhshme janë
bashkëdyzuar në raport krijimi artistik dhe karakteri njerëzor, tamam siç
shprehet nëpër vargje: I. “Fillova t’i dua dridhmat,/ kur fillova të mësohem
me shikimin e dhembjes”, II. “Fillova t’i harroj rrahjet e zemrës,/ kur
fillova të kuptoj mërzinë./ Atëherë kurrë nuk e kuptova ndjenjën”. III. “Falë
frymës së fluturave,/ jetës fillova t’i këndoj...”, (faqe 93-94), dhe
vertetë uroj që ky libër dhe këto poezi të jenë fillimi i një jete të re,
artistike dhe të bukur.
AROMË ELBASANI:
Fryma epike e kësaj poezie është vlera e
saj, ndërsa si motiv po e theksoj poezinë “KOSOVË”, (faqe 31) dhe atë “AROMË
ELBASANI”, (faqe 39), ndoshta edhe ndonjë tjetër. Ndërsa heronjtë epik të Ajne
Ibërhysaj, janë prindërit, motra e vëllai, që ishin dhe shpirti i tyre (nëse
nuk janë më?!), si udhërrëfyes a bashkudhëtar të saj. Lartësimi i këtyre
figurave nuk kanë përmasa epike, por lexohen si këshillë epike dhe mundësi
reale për ta tejkaluar shembjen nga humbja, pasi e tashmja duhet marrë me më
shumë optimizëm dhe dashuri, së këndejmi edhe lirikat e saj janë vlerë dhe art.
SHPIRT
Për ku vrapon me aq vrull?
Kush po të ndjek ndër deje, o shpirt?
Eja të bredhim luginave të blerta,
mbushma kupën e qiellit me lotin tënd!
Buzë lumit, në agim, të takova,
më buzëqeshe, edhe kur duhet të qaje.
Faqe 102.
Në poezinë e Ajne Ibërhysajt, “Asgjë
nuk vret më shumë se gjurma e mbetur në buzë,/ asgjë nuk të bën më të fortë,
kur ec mbi fijen e perit”, (faqe 107), dhe nëse ka lodhje përshkakt të
elementit të ndijimit dhe përjetimit, duhet të kuptojmë se “Jeta është vetëm
frymë,/ që përbiron nëpër trupin tënd (e secilit)”, (faqe 108), dhe në
shumë sish ka shplodhje, sado që të torturojnë format eliptike të rrëfimit, “tamam
si ai diell dimërak,/ që fort shndritë e pak të ngrohë”, (faqe 112), dhe
nuk ka se si të mos marrësh thellësisht frymë në përmbyllje të vargut
metaforik. Këto lirika, madje edhe ato për dhembjet e mundshme dhe të pafundme,
përsëri gjejmë shëndritje që duket si qershizë mbi torte, sa për të ëmbëlsuar
mendimin lirik i shpirtëzuar, kurse në anën tjetër do të përçojnë vlerë humane,
njerëzore dhe të shpresës.
PËRMBYLLJA:
Poezia e Ajne Ibërhysajt thërret të “bëhemi
ofshamë shkundullimash/ në shatërvanin e puthjeve,/ deri në agun tjetër”, (faqe
123). E ky mision i poeteshës ka verb edukativ, që lidhet ngushtë me sprovat e
jetës (uroj t’i ketë pasur veç çaste të bukura), ka mundësi të kenë
ndikuar edhe përvojat e punës, sidomos kontakti me njerëz, që duket se të
gjithë i paska pikturuar me shije. Libri “GRAVURË ME NGJYRAT E KOHËS”, e bënë
poeteshën Ajne Ibërhysaj, artiste të profilizuar, duke e radhitur poezinë e saj
në listën e vlerave në poezinë e sotme shqipe në shkallë kombëtare!
St.
Gallen, 26.11.2024.