| E hene, 16.12.2024, 07:55 PM |
Femra
perfekte
Nga
Edison Ypi
Femra
perfekte nuk duhet të jetë "kuq si molla". Përkundrazi, duhet të jetë
e verdhë, e fikur, e cfilitur, e vdekur. Kësisoj, lëkura e femrës perfekte
duhet të jetë aq e lëmuar sa askush të mund të dyshojë se nën të, pra nën
lëkurë, femra perfekte ka ndopak mish për prekje dhe ngrehje, por vetëm mermer
për kënaqësi estetike, kqyrje, mahnitje.
Femra
perfekte duhet të ketë sedere sferike si dy gjysmat e një bostani që gjatë
ecjes njëra gjysëm ngrihet, tjetra gjysëm ulet si tik-taku i sahatit në pritje
të ethëshme të ditës së Kijametit.
Leshtë
e kokës dhe të gjithë leshrat e tjera ku i ka e ku s'i ka femra perfekte, duhet
tu ngjajnë ujvarave spektakolare që rrjedhin mbi faqe malesh teposhtë drejt
lumit.
Goja
e femrës perfekte duhet gdhendur sipas teknikave më të fundit të kirurgjisë
plastike në përputhje me laryshinë e formës dhe relievit të brimave të fundshpinës dhe fundbarkut.
Nëse
pas trashjes së buzëve të gojës me mishin e bythës, dikujt i ikën dëshira për
të puthur femër, kjo nuk ndodh për asnjë arsye tjetër veçse nga tmerri i
fatkeqit të cilit i ra për hise të mos puthi buzën, por bythën e femrës
perfekte.
Femra
perfekte po s'pati gju si gjuri i kalit, nuk është femër perfekte, është
katunare.
Femra
perfekte mban thonjtë të zgjatur, të stilizuar. Për shkak të thonjve si
kthetra, femra perfekte me plot të drejtë, thotë: Hej, mos më thoni të zë me
dorë ndonjë send a ndonjë punë, ndonjë gatim për shembull, se me gjithë këta
thonj, nuk mundem.
Sytë
e femrës perfekte janë si dy vorbuj uji, ku po re' brenda, rrjedha të merr të
gjallë në Prespë, të nxjerr të vdekur në Volorekë.
Sa
i përket hundës, femra perfekte nuk mund të dalë në mixhliz me një hundë si, ta
zemë, hunda me samar e Skënderbeut, por e gdhend me daltë, e bën si të
katalogut.
Femra
perfekte ndoshta pretendon më tepër, por teknikat e sotme me çvendosje mishrash
nuk mundësojnë gjoks femre më të bukur se dy topa brumi byreku me nga një
kumbanare secila në majë që dëgjohet në fund të botës kur litarin e të cilave e
tërheq Kuazimodo, gungaçi që po puth gjoksin e Esmeraldës.
Nëse
lartësia e shtatit të femrës perfekte lë për të dëshiruar, kompensohet me taka,
lartësia e të cilave është e tillë që nëse prej atyre takave femra perfekte
rrëzohet, dhimbja e coptimit të brinjëve që provon, është e krahasueshme me lemerinë
e dhimbjes kockave që thyen kur bie nga një grataciel.
Ku
ndodhet Skrapari, çfarë ka interesante në Shkodër, ku bie Bashtova dhe kalaja
omonime, çfarë prodhojnë Myzeqeja, Zadrima, Dibra, Devolli, pse janë të famshme
Mokra dhe Tropoja, pse s'duhen lënë pa u parë Thethi, Vermoshi, Vjosa, Këlcyra,
Goliku, Mallakastra, duke qënë çështje që rrezikojnë ekuilibrin psiqik të saj,
femra perfekte nuk është mirë t'i dijë.
Nuk
është mirë gjithashtu që femra perfekte gjatë udhëtimeve të hajë bukë me djathë
shoqëruar me dhallë. Ajo zjarrin e urisë sl brendëshme duhet ta shuaj si i ka
hije. Nëpër restoranta, ku mes vringëllima thikash, krisma pjatash, vizëllime
gotash, përplasje lugësh dhe pironjsh, pret të vijë kamarieri të sjelli nice
fish.
Kur
femra perfekte s'di asgjë, por i duhet të thotë diçka, e kapërxen këtë situatë
duke qeshur si e marrë, duke hedhur flokët sa nga njëra anë e kokës në tjetrën,
duke ndërruar këmbën mbi këmbë. Për aq kohë sa ata që e rrethojnë të japin
shenja të sigurta që nëse ky teatër absurd vazhdon edhe pak, do futen në
kuzhinë të therin veten me ç'të gjejnë: Heqësen e tapave të birrës, thikën e
bukës, hapsen e kavanozave, qëruesen e patateve.
Veshit
të femrës perfekte i mjafton të mos ketë brenda dyll, dhe të mos jetë llapush.
Në mos, drejt e te klinika, kirurgu, bisturia.
Femra
që ka lexuar qoftë edhe 1 roman në jetën e vet, s'është femër perfekte, është
femër halabake.
Pas
pak të gjitha femrat do bëhen femra perfekte, të gjitha femrat do jenë 1 femër.
Rroftë
e qoftë femra perfekte që duke qënë 1, pra duke munguar tjetra dhe të tjerat,
do zhduki përgjithmonë, bashkë me dallimet jashtëme, edhe papërsosmëritë e
brendëshm, zilinë, xhelozinë, pabesinë, intrigën, cilësi këto që karakterizonin
femrën jo perfekte, e cila do vdesi përgjithmonë, dhe bota do bëhet më e bukur,
më simetrike, më në përputhje me Serinë e Fibonaccit, po do e mbulojë zia, se
do jetë e pashijshme.