| E hene, 16.12.2024, 07:50 PM |
Si t'iu besojmë premtimeve për "ndryshim" nga partitë e vjetra?!
Shkruan:
Florim Zeqa
Çdo ditë e më afër po shkojmë drejt zgjedhjeve
të 9 shkurtit 2025. Sa më afër zgjedhjet, aq më shumë po shtohet kurreshtja e
qytetarëve, se cili subjekt do të jetë fituesi i garës së re zgjedhore me akter
të vjetër të politikës!
Zgjedhje për riciklim të
pushtetit
Vetëm
naivët politik mund të shpresojnë se këto zgjedhje do të sjellin ndryshim!
Ishin normale pritjet e qytetarëve para zgjedhjeve të fundit parlamentare të
vitit 2021 kur erdhi në pushtet LVV-ja, e cila e rrëmbeu votën e elektoratit,
porqë erdhi në fund të mandatit politik pa e plotësuar asnjë kërkesë të
qytetarëve!
Tashmë
kur janë provuar të gjithë në pushtet, u provuan politikan të profileve të
ndryshme dhe politikan të kalibrave të ndryshëm, por i vetmi koalicion që nuk
është provuar është ai mes LVV-së me krahët e luftës, përkatësisht me PDK-në
dhe AAK-në e përforcuar me NISMA dhe figura tjera të ricikluara politike!
Mbase
kjo do të ishte risia e vetme e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të tjerat paraqesin
vetëm përseritje të pushtetit dhe vazhdimësi të qeverisjeve paraprake.
Edhe
pse në dukje të parë mendohet se kemi një vetëdijësim më të madh të
elektoratit, asnjëherë nuk kanë qenë hamendjet më të mëdha të elektoratit kë
për ta votuar më 9 shkurt!
Premtime boshe dhe pa
mbulesë
Kësaj
radhe duhet duhet marrë me rezerva premtimet elektorale, madje duhet pasur një
kujdes të shtuar ndaj atyre që kan gojën plot ndryshime, porqë në listat e tyre
elektorale i kanë të njëjtët njerëz që i mashtruan qytetarët për një
gjysëmshekulli rresht.
Si
t'iu besohet politikanëve që nuk i përmbushën zotimet dhe premtimet elektorale
nga njëri pushtet tek tjetri, si t'iu besohet politikanëve që më shpesh i
ndërruan partitë sesa brekët në trupin e tyre!
E
kur jemi tek 'brekët', disa prej politikanëve që pa brekë i zuri nata, mëngjesi
i zbardhi milionerë!
E
si t'iu besohet këtyre kusarëve, të cilët me patriotizmin politikë mashtruan
qytetarët dhe mërgimtarët duke ua rrëmbyer votën në emër të ndryshimit!
Në
fakt, patriotizmi folklorik është bërë një instrument fitimprurës për shumicën
e elitave partiake dhe vartësve të tyre, varësisht prej shkathtësisë mashtruese
dhe nivelit të ngritjes intelektuale të elektoratit.
Si
çdo herë në zgjedhjet e kaluara, edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit radhe mundësia
më e madhë e mashtrimit është ndaj shtresave të varfëra përmes ofrimit të
lëmoshës në kohë fushate.
Bojkot ose vazhdimësi
politike
Në
mungesë të një alternative të re dhe serioze politike, elektorati i ka vetëm dy
mundësi: t'i votojë të njëjtat parti ose t'i bojkotoj me mosdalje në zgjedhje,
gjë e cila do t'i bënte të ndërgjegjësohen politikanët dhe të reformohen deri
në themel partitë aktuale të skenës politike.
Ngase
që 24 vite rresht i kemi të njëjtat parti në garë me njëra-tjetrën, dhe po të
njëjtat në bashkëqeverisje me njëra-tjetrën!
Si
rezultat i kësaj, legjislaturat e Kuvendit nuk dallojnë njëra nga tjetra,
ndodhë vetëm ndërrim i kolltuqeve, herë në anën e djathtë, në mes apo në anën e
majtë të sallës luksoze të Kuvendit të ndërtuar me paratë e Behgjet Pacollit!
Kjo
është pasqyra reale e Koloseumit (Kuvendit) në të cilën përballën të njëjtët
gladiatorë (politikan) me gojën plot patriotizëm folklorik për Kosovën dhe
interesin e qytetarëve, sa për të ngjallur emocione patetetike të momentit për
realizimin e kauzave partiake.
Qytetarët
tashmë janë ngopur më të njëjtat refrene mashtruese të politikanëve në
Parlament, që shiten si heronj të këtij vendi duke u thirrur në emër të
qytetarëve për të përfituar poste dhe pasurim të paligjshëm nga buxheti i
shtetit!
Dihet
kush janë heronjët vertëtë të lirisë së atdheut. Janë ata që kanë luftuar dhe
kanë sakrifikuar veten për lirinë e atdheut dhe interesin e përgjithshëm të
qytetarëve. Porqë, ky heroizëm duhet të dëshmohet edhe në paqe duke e
sakrifikuar interesin personal për të mirën e qytetarëve duke iu kundërvënë çdo
lloj abuzimi të pushtetit, filluar nga ulëset e Parlamentit, Qeveri, Presidencë
dhe abuzimet që bëhen në bashkrendim me pushtetin lokal.
Patriotizmi
i kandidatëve për deputet në Legjislaturën e Re pas 9 shkurtit 2025 duhet të
jetë në parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga popullata e saj, me krijimin e
kushteve të barabarta për jetë dinjitoze për të gjithë qytetarët pa dallime
partiake.
Gjaku
i dëshmorëve na e solli lirinë, kurse politika është duke e dërguar shtetin
drejt greminës dhe ua humbi shpresat popullatës për jetë në shtetin e lirë dhe
të pavarur! Sa e dhimbshme, po aq trishtuese është kur takon çlirimtar dhe djem
të dëshmorëve në shtetet evro-perëndimore duke e shkrirë trupin e tyre në Dhe
të huaj për një jetë më të mirë!
Florim Zeqa
15.12.2024