Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Rugova ishte kundër ndarjes së Kosovës

| E merkure, 11.12.2024, 07:59 PM |


Rugova ishte kundër ndarjes së Kosovës

Nga Gani Mehmetaj

Situatë tjetër e mprehtë, që diskutohej nëpër qarqet politike, ishte ndarja e Kosovës. Me ndarje-copëtim kërcënonin nga Beogradi - shantazh që të mos shkëputeshim. Propozimin për ndarje e paraqiti Dobrica Qosiq, akademik serb, a baba i kombit të tyre, sikurse e quanin. Më vonë, ai u bë President i Jugosllavisë.

Idenë e Qosiqit e trumbetonin mediet serbe.

Rugova doli kundër ndarjes së Kosovës (“Me ndarje, një milion shqiptarë do të mbeteshin jashtë Kosovës”, e tha në një prononcim publik), ishte edhe kundër këmbimit të territoreve, sepse u spekulua sikur serbët nuk do ta lëshonin pa luftë Trepçën.

Presheva e Bujanovci, që ishin shkëputur nga Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, janë më shumicë shqiptare, prandaj duhet të futeshin në kuadër të Kosovës. Partitë shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc ishin pjesë e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, kryetar i së cilës ishte Rugova.

- Anglezët e kishin dikur Trepçën, ndërsa serbët mund t’ua ofrojnë prapë, - i tha dikush në konferencë shtypi.

-Trepçën e kemi ne, Trepça është brenda Kosovës, popullata është shqiptare, s’ka si t’ua japë Beogradi anglezëve. Pse të mos ua japim ne britanikëve, kur i kemi aleatë?! - u përgjigj ai.

Flitej se disa xehe strategjike të Trepçës, Jugosllavia i dërgonte në Bashkimin Sovjetik, qysh pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Xehet i nxirrnin dhe i përpunonin shqiptarët.