Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vëllezërit Karkanjozi, dy "meteorë" që s’shuhen kurrë

| E enjte, 26.04.2007, 06:18 PM |


Ylli, kapiteni mbrojtës i pandëshkuar asnjëherë me karton  

Dy vëllezërit, futbollistë e trajnerë, Ylli e Fatos Karkanjozi, bëjnë pjesë në plejadën më të ndritur në historinë e futbollit beratas dhe mbahen mend si futbollistët më korrektë të skuadrës së "Tomorit".

Megjithëse sot ata nuk jetojnë më, për sportdashësit e Beratit ngelen ende "meteorë" që s'do të shuhen asnjëherë...

Ylli Karkanjozi, mbrojtësi energjik

Ylli Karkanjozi i përket formacionit të "Tomorit" të viteve '70 dhe ishte mbrojtësi më energjik që skuadra beratase ka pasur ndonjëherë në historinë e saj. Një mbrojtës me tipare të theksuara sulmuese dhe për shumë vite me shiritin e kapitenit, ai i dha më shumë autoritet vetes dhe skuadrës, duke pasur meritën e padiskutueshme të krijimit të një kolektivi kompakt, të pagëzuar edhe nga trajneri i mirënjohur, Guxim Mukli.

Ylli u aktivizua me Tomorin mbi 12 vjet dhe 2 vjet (1974–1976) ai ishte pjesë e formacionit të "Skënderbeut" të Korçës.

Sa ishte gjallë, ai kujtonte me nostalgji vitet kur luante me "Skënderbeun" e Korçës, teksa kryente shërbimin ushtarak, ndërsa skuadra e tij e zemrës, Tomori, vazhdonte të ishte në kategorinë e dytë.

"Mezi prisja të kthehesha në qytetin tim e të luaja së bashku me Kovaçin, Matrapazin, Spahiun, Polovinën etj., e që ta nxirrnim Tomorin në kategorinë e parë", kujtonte ai vitet e vështira të skuadrës beratase.

Deri në ditët e fundit të jetës, ai ruajti linjat e konstruktin e një sportisti, për faktin që ushtrohej vetë me sport.

Një nga hobet e tij ishte edhe pingpongu, por asnjëherë nuk u shkëput nga futbolli, duke kryer me përkushtim edhe në fund të jetës detyrën e trajnerit me një ekip fëmijësh.

Ylli Karkanjozi, cilësia e tij, modestia

E vërteta është që në vitin 1977, Tomori hyri në kategorinë e parë dhe qëndroi plot një dekadë. Një rast i rrallë për këtë skuadër dhe merita u takon futbollistëve me emër si Ylli Karkanjozi me shokë dhe talenteve që erdhën në skuadër më vonë, si vëllezërit Kokalari e Arbëri, Kristaq Mile etj., që padyshim përbëjnë brezin më të suksesshëm të Tomorit në vite.

Modestia ka qenë një nga cilësitë më të vlerësuara te Ylli, i cili ishte dhe një nga iniciatorët e parë të ngritjes së ekipeve private, duke zbuluar e përgatitur futbollistë për Tomorin, të cilin ai e donte me zemër... dhe s’pushonte së punuari për të deri atë ditë, kur vdekja e rrëmbeu në kulmin e moshës së tij 50-vjeçare.

Pak ditë më parë ai bëri plot një vit që është ndarë nga jeta, por ai vazhdon të jetojë në zemrat e futbolldashësve të qytetit të Beratit, të cilët kanë mall që të shohin një lojtar si Ylli Karkanjozi.

Ylli, kapiteni që s'mori asnjë karton

Ylli përmendte shpesh dyshen e talentuar të drejtimit të skuadrës Mukli–Xheblati, apo paraardhësit tyre Jançe, Ndini, Dauti etj. Përveç cilësive e karakterit si sportist, Ylli ka hyrë në histori edhe për një meritë, që rrallë e ka një futbollist tjetër në Shqipëri. Të luash më shumë se 12 vjet në rolin e mbrojtësit e të mos ndëshkohesh asnjëherë me karton, të kuq jo e jo, por as të verdhë, kjo është më shumë se një meritë. Ylli Karkanjozi do të hyjë në enciklopedinë sportive shqiptare si futbollisti që nuk e provoi asnjëherë shijen e hidhur të ndëshkimit me karton.

"Nëse kjo nuk ndodhi, thoshte Ylli, kjo sepse unë edhe në rast të ndonjë ndërhyrje të rëndë, i jepja dorën kundërshtarit dhe ndaj arbitrit mbaja qëndrim autokritik. Gjyqtari në raste të tilla, jo vetëm mua, por askënd nuk e ndëshkonte".

Si mbrojtës i krahut të majtë, ai tregonte edhe për episode e ngjarje që ka përjetuar me sulmues që luanin në krahun e tij. Ai vlerësonte shumë sulmues që kërkonin shumë kujdes e djersë për t’i mbuluar, por nuk harron të thotë se problem për të ka qenë vetëm sulmuesi gjirokastrit, i shpejti e tekniku Sefedin Braho.

"Kush deklaron se ka mbuluar dhe ka bërë zap Sefedin Brahon, dijeni se po gabon, ose i bën qejfin vetes. Ai ka qenë sulmuesi që valëzonte me topin, shkathtësia e tij të çorodiste, të detyronte t’i kundërviheshe me lojë të fortë, ndryshe... Unë për vete e kam pasur problem Brahon!", thoshte Ylli.

I pari që e ngriti futbollin në baza shkencore

Fatosi, modeli i kompletuar i futbollistit e trajnerit

Ata që kanë ndjekur ecurinë e futbollit në Berat dhe që i njohin brezat e sportistëve, nuk mund të harrojnë kurrsesi një sekuencë të përditshme, tashmë e memorizuar në kujtesë. Sapo ekipi i Tomorit përfundonte stërvitjen në fushën e stadiumit të vjetër, një fëmijë rreth të 14 vjetëve vraponte për të marrë çantën e kapitenit të skuadrës, Ylli Karkanjozit. Ky ishte vëllai i tij i vogël, Fatosi, i cili më vonë do të bëhej një nga futbollistët më të mirë të Tomorit.

Këtë episod e përmendte gjithmonë Ylli sa herë që binte fjala për kontributin e të vëllait për zhvillimin e futbollit në Berat. Fatosi u aktivizua me ekipin e Tomorit në vitet 1983–1990 në rolin e mbrojtësit të djathtë.

Ai është shquar si model i figurës së sportistit dhe ka qenë një mbrojtës i kujdesshëm, i cili dinte të mbulonte kundërshtarin me zgjuarsi dhe me qartësi dilte nga veprimet mbrojtëse në ato sulmuese. Kjo kishte të bënte edhe me formimin e tij profesional, pasi ai kishte përfunduar Institutin e Kulturës Fizike e Sporteve dhe më parë kishte luajtur për ngjyrat e ekipit të Shkollës së Mjeshtërisë Sportive.

Fatos Karkanjozi bën pjesë në atë plejadë futbollistësh që e vunë futbollin mbi baza shkencore, duke krijuar mendësi të reja. Këtë përvojë ai ka ditur ta vërë në shërbim të futbollit të qytetit të tij, në periudhën 2-vjeçare si trajner te Tomori dhe prej 10 vjetësh si trajner me ekipet e moshave të reja, duke nxjerrë mjaft talente që sot aktivizohen tek ekipi beratas.

Fatos Karkanjozi ishte edhe një nga mësuesit e shkollës sportive të futbollit, të hapur në Berat në vitin 1972, mësues i parë i së cilës ka qenë specialisti i futbollit, Thanas Jançe, e më pas Mikela Dhaskali, Guxim Mukli, Polizoi Konomi, Mandi Xhamo, Njazi Shehu, Dhimitraq Pushi, Alfred Bode, Nasho Kule etj.

Edhe pse me probleme shëndetësore, Fatosi nuk u shkëput asnjë ditë nga futbolli, duke përgatitur një ekip të rinjsh, së bashku me vëllanë e tij, Yllin. Por jeta e tij ishte mjaft e shkurtër.

Ai u nda në moshën 44-vjeçare, duke lënë pas një arshivë të pasur futbollistike si lojtar dhe trajner.

Vlerësime

Irena, bashkëshortja e Yllit

"Ende nuk e besoj që s'jeton më"

"Me Yllin, më parë se të ishim bashkëshortë, kemi qenë sportistë të një qyteti. Ylli luante futboll, ndërsa unë isha qitëse në ekipin 'Tomori' dhe atë kombëtar. Përveç ndjenjave të sinqerta, na lidhi edhe dashuria që kishim për sportin. Me Yllin pata një jetë të lumtur, por fatkeqësisht të shkurtër. Ende nuk besoj se ai nuk jeton më. E ndjej frymëmarrjen e tij kudo, në shtëpi, në stadium, në qytet dhe them, 'jo, Ylli nuk ka vdekur. Ai është duke zhvilluar stërvitje me fëmijët dhe nga momenti në moment do të trokasë në derë. Jeta u tregua e padrejtë për të dy vëllezërit. I mori në kulmin e punëve të tyre".

Vlash Pambuku, gazetar sportiv

"Jetuan pak, por dhanë shumë"

"Vëllezërit Ylli dhe Fatos Karkanjozi jetuan pak, por dhanë shumë për futbollin në qytetin e Beratit. Kam pasur rastin t’i ndjek në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe mbresat për ta janë nga më të shkëlqyerat. Model në figurën morale dhe model si futbollist. Kanë qenë një investim që zor se mund të përsëriten më. Askush si ata nuk i ka dhënë futbollit në Berat".

Sabri Dyli ish–futbollist, “Mjeshtër Sporti”

"E ndjejmë shumë mungesën e tyre"

"Për vëllezërit Karkanjozi, përveç fjalëve të mira nuk mund të thuhet asgjë tjetër. Ylli ishte i kompletuar si sportist dhe si njeri, pra, kishte një edukatë të admirueshme. Në rolin e tij ka qenë absolut dhe i ka dhënë shumë Tomorit. Cilësia dalluese e tij ishte që vetë sakrifikonte gjithçka dhe i jepte zemër skuadrës. Sa për Fatosin, mund të them se ka qenë një profesionist i vërtetë, pasi ai kishte arsimin e lartë për futbollin dhe kishte një bagazh të admirueshëm teorik dhe praktik. Kam punuar me të si ndihmës trajner për një periudhë tremujore dhe e kam vlerësuar për punën që bënte me grupin. Fatosi ishte i dhënë pas cilësisë dhe punonte për të ardhmen. Ne kolegët e tyre ndihemi keq që të dy këta sportistë cilësorë dhe njerëz të mirë na mungojnë. Sinqerisht që e ndjejmë shumë mungesën e tyre".

Të dhëna

Ylli Karkanjozi

Futbollist i "Tomorit" në vitet 1969–1985. Mbrojtës energjik me tipare sulmuese. Kapiten i ekipit "Tomori". Në vitet 1974–1976 pjesëtar i ekipit "Skënderbeu" për t’u rikthyer përsëri te "Tomori", ku luajti më shumë se 12 vjet.

Fatos Karkanjozi

Futbollist i aktivizuar me ekipin e "Tomorit" në rolin e mbrojtësit të djathtë në vitet 1983–1990 si dhe me ekipin "Shkëndija". U diplomua në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve. Për dy vjet drejtoi ekipin e "Tomorit".

Familja Alabaku vazhdon të mbetet në gen, ende e lidhur me sportin më popullor

Robert Alabaku, mbi 40 vjet "i kapur" nga futbolli

Mbiemri Alabaku i ka dhënë jo pak futbollit në Berat. Mjeshtri i Sportit, Robert Alabaku, mbahet mend në Berat, sepse për më se 40 vjet iu përkushtua sportit, nga të cilat 12 vjet si futbollist dhe 31 vjet si trajner. Vëllai i tij, Kristaqi, futbollist me të rinjtë e Tomorit dhe të “Spartakut”. Ndërsa Eugerti, djali i tij, ishte mesfushor me të rinjtë e Tomorit në vitet 2000–2004.

Robert Alabaku,

karriera si lojtar

Tashmë është 62 vjeç dhe ende ngjason me një burrë në formë të mirë sportive.

Mjeshtri i Sportit, Robert Alabaku, ka më se 4 dekada që është në shërbim të futbollit, prej të cilave 31 vjet i takojnë kohës si trajner.

Ka qenë 15 vjeç kur trajneri Mandi Xhamo zbuloi talentin që do të bëhej një nga futbollistët më të rëndësishëm për "Tomorin" e viteve 1956–1968. Xhamo vetëm sa e zbuloi, pasi ai kaloi nëpër "sitën" e trajnerit të mirënjohur Ibrahim Hoxha, i cili njihej për durimin dhe cilësinë me të vegjlit.

Siç thotë vetë Berti, "ishte Bimi ai që më bëri futbollist!". Fillimisht u aktivizua si sulmues me ekipin e të rinjve që u shpall nënkampion, Roberti u shfaq si golashënues i zoti.

Fati i keq i tij është se me ekipin e parë të "Tomorit" u aktivizua në vitin 1957, atëherë kur ekipi ishte në kategorinë e dytë. Prezantimin e bëri si mesfushor, rol ku luajti gjithë karrierën e tij sportive.

Fillimi ishte i mbarë për të riun Alabaku, pasi në dy finalet me Erzenin la mbresa mjaft të mira, madje në takimin e kthimit në Berat, ai ishte autor i dy golave, nga 3 që shënoi skuadra. Ishte fitorja në Durrës 2:0 që e ngjiti Tomorin në kategorinë e parë, ku natyrisht një pjesë të suksesit e kishte edhe Robert Alabaku. Ai i takon atij brezi futbollistësh që konsiderohen si më të talentuarit e "Tomorit", ndër të cilët janë edhe F.Buzi, V.Karaj, A.Qojle, H.Mestani, Y.Eskiu, N.Mile, Dh.Lapardhaja, A.Zinxhiria, P.Goxhomani, N.Hodo, F.Shelegu etj., që drejtoheshin me kompetencë nga mjeshtrit Thanas Jançe e Sabri Behri.

Gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, beratasi aktivizohet 1 vit me ekipin e "Partizanit".

Robert Alabaku,

karriera si trajner

Edhe pas mbylljes së karrierës sportive, Berti nuk u shkëput asnjëherë nga futbolli. Fakti që për 31 vjet ka stërvitur ekipe e ka nxjerrë futbollistë, është argumenti më i mirë për atë ç’ka thamë.

Ai ka meritë në zbulimin dhe inkurajimin e talenteve që kanë bërë emër në futbollin beratas, si vëllezërit Kokalari, vëllezërit Arbëri, lojtarët E.Prifti, R.Halili, B.Kadëna, Mile, Karkanjozët, Pajo, Veliaj, Kurti etj.

Ende sot, Robert Alabaku vazhdon të punojë me një ekip të moshës 13–14-vjeçare.

E veçanta në karrierën futbollistike 12-vjeçare për këtë mjeshtër sporti, qëndron në faktin që ai ishte një mesfushor i përhershëm me një lojë konstante e me rendiment të lartë. Ai ishte edhe një kapiten korrekt dhe lojtari e trajneri me stazhin më të gjatë në Berat.

Berti mbahet mend për trupin muskuloz dhe si futbollisti që përballonte çdo ngarkesë fizike. Ishte i përgatitur teknikisht, harmonizohej mirë në lojën kolektive dhe ka shënuar shumë gola të bukur. Ai mbahet si simboli i futbollistit që jepte gjithçka në fushën e lojës.

Robert Alabaku është fitues i anketës sportive "Futbollist i shekullit".

Kot nuk thuhet që "dardha bie nën dardhë"

Kristaqi dhe Eugerti, pak nga “hija” e Bertit

Kristaqi, vëllai i Robertit, pati një karrierë të shkurtër, por gjithsesi mbahet mend si njëri nga futbollistët kryesorë të ekipit të rinjve të vitit 1956, ku "Tomori" u shpall nënkampion kombëtar. Më pas ai u aktivizua me ekipin "Spartaku" dhe u shqua si mbrojtës i fortë, i rreptë, në mbulimin e kundërshtarit dhe lojtar me sedër të lartë sportive.

Por nuk do të mbetej deri këtu sëra sportive e familjes Alabaku. Kot nuk thuhet që "dardha bie nën dardhë".

Djali i Bertit, Eugerti, u aktivizua që në skuadrat e moshës dhe me të rinjtë e "Tomorit". Ai luajti si mesfushor, ku demonstroi disa cilësi të trashëguara nga i ati, si teknikën e lartë, shpejtësinë, intuitën, pasionin. Tashmë i angazhuar me problemet e shkollimit, Eugerti është larguar nga futbolli, duke lënë te shikuesit e futbollit pak hije nga imazhi i babait të tij. Familja Alabaku vazhdon të mbetet në gen sportiv dhe askush si ata nuk është kaq sensibil për ecurinë e futbollit në Berat.

Të dhëna

Robert Alabaku

Futbollist i Tomorit në vitet 1956–1968. Mesfushor i përhershëm, futbollist me qartësi taktike dhe rendiment të lartë. Futbollisti dhe trajneri me stazhin më të gjatë.

Kristaq Alabaku

Futbollist me ekipin nënkampion për të rinj dhe pjesëtar i ekipit "Spartaku". Ka qenë një mbrojtës i fortë dhe është shquar për mbulimin e rreptë të sulmuesve dhe sedrën në lojë.

Eugert Alabaku

Futbollist që u aktivizua që me skuadrat e moshës dhe me të rinjtë e Tomorit. Ai luajti si mesfushor, ku demonstroi disa cilësi, si teknikën e lartë, shpejtësinë, intuitën, pasionin. 

Metropol