Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Vlora Banushaj: Ëndërrat po më mbushin mall

| E diele, 01.02.2009, 11:59 AM |


ËNDRRAT PO MË MBUSHIN MALL

Sot u rrëfye nëna e dy vajzave, nesër pa dyshim si më radhë, do ta jetë tjetra, pasnesër e treta. Kështu rrjedhë jeta e këtyre nënave, nuseve, motrave: lot e kujtime. A thua ndonjë shkëndijë shprese do t'ua shfletojë faqet e reja të jetës?! Rri përballë tyre, vështroj, dëgjoj rrëfimet dhe nuk e kam lehtë. Madje tepër rëndë.... 

Nga Vlora Banushaj

Dhoma është e mbushur përplot, të gjitha femrat janë të ulura radhazi njëra pranë tjetrës. Edhe pse është përplot e mbushur, është një heshtje, një qetësi shurdhuese. Vazhdojnë të thurin me penj ngjyrash të ndryshme. Janë këto nëna, motra, nuse të reja, të cilat kanë shumëçka të përbashkët: Me dhimbje zgjohen, me këtë ndjenjë bien dhe zgjohen. Jeta e tyre e ka emrin ankth. Ditët i shtyejnë me pritje. Një pranverë, muaji prill, ua ndërroi jetën, ua ndërroi stinët duke sjellë dimër në shpirtrat e tyre dhe tani jeta e tyre vazhdon të ecë pa ndonjë kuptim, si shprehen ato. Edhe pas shumë vitesh që kaluan nuk arritën të mësonin asgjë për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u rrëmbyen nga kriminelët serbë. Është kjo dhimbje që vazhdon të dhemb.!

 Ashtu të heshtura vazhdojnë punën e tyre, të zhytyra në mendime, " udhëtojnë" larg në një kohë të kaluar, jetojnë me të, duke mos ditur se sa mund të zgjasë  ky "udhëtim", që iu është bërë pjesë e jetës së tyre. Skenat e pashlyeshme janë ato, kur nënës ia marrin djalin nga duart, kur fëmijën që ishte në krahun e babait e larguan dhe atë e rrëmbyen, kur babai kërkoi që ta  ndërronin me djalin, kur motra mbeti pa vëlla...kur u mboll dhembja duke lëshuar rrënjë të përjetshme. Shpirti i tyre vazhdon të dërmohet në vazhdimësi dhe të lëjnë përshtypjen se sikur nuk kanë të ndalur këto vite të dhembjes. Ditët që agojnë nuk sjellin asgjë të re. Çdo ditë është e ngjajshme me tjetrën, sot si dje...e nesër?! Shpresa vazhdon të mbajë shpirtin, e shpirti jetën. Shpresojnë se ndoshta dita që vjen do të sjellë lajme të mira, do të sjellë fllad për shpirtin e tyre të përvëluar.

 Ndodhë që këto gra, tek bëjnë kombinimin e ngjyrave të penjve edhe të ndërrojnë ndonjë fjalë mes vete, të bëjnë muhabete sa për ta thyer heshtjen monotone që sundon. Sepse kur jetojnë  ashtu të heshtura menjëherë rrugëtojnë nëpër ato kohë të mallkuara. Nuk mund t'u ikin përjetimeve të kaluara vetëm pak vite më parë... Ndodhë që buzëqeshja të shfaqet në fytyrat e tyre të zymta, mirëpo shumë shpejt ajo buzëqeshje mbetet e ngrirë. Është disi buzëqeshje artificiale, anemike. Sa herë hapet dera dhe mbyllet ato thuajse nuk e vërejnë. Këtë dhomë mund ta quaj edhe dhomë lotësh, dhomë dhembjeje, rrëfimesh, ofshamash, psherëtimash....

 Vërej një grua, një nënë nga nënat e shumta që janë "banore" të kësaj dhome, që është e moshës dyzetvjeçe, tek i fshin lotët: Jo s'kam vullnet të punoj, po vetëm dua të dal, të largohem jashtë atyre mureve të shtëpisë, të paktën për disa orë, sa i kalojmë këtu në shoqatë, dua të fsheh lotin e ta mposht dhimbjen që po më kafshon në çdo kohë, dua të mos më shohin dy vajzat e mia, nuk dua të dorëzohem para tyre. Këtu, në këtë hapësirë po flas, po qaj lirshëm, po shfryhem. Fytyra e tim bir, të vetmin që e pata, ajo fytyrë e njomë më ndjek kudo dhe në çdo kohë. Ëndrrat po më mbushin plot mall, nuk ka natë që nuk i shoh, sa herë që dua ta përqafoj, im bir ikën larg e pastaj më del gjumi, e kur zgjohem dhe e kuptoj se ajo ishte vetëm një ëndërr, më kaplon një dëshirë të mos isha zgjuar fare.

 Kjo grua tani bart peshën e kryefamiljares. Dhe, pa asnjë burim të ardhurash! Këtë grua, që mund ta quajmë edhe nënë e vuajtjeve, në një anë e rëndon dhembja për humbjen e të birit e në anën tjetër mungesa e ekzistencës, e mbajtjes së dy vajzave, tek të cilat gjen dashurinë dhe mbështetjen. Sidomos kur ndjen nevojën për ta përqafuare për ta pasur pranë të birin. Flet e flet dhe lotët nuk kanë të ndalur.

 Të heshtura tek dëgjojnë rrëfimin e njërës nga ato, edhe të tjerave u mjegullohen sytë nga lotët që shpërndahen faqeve. Secila ndryn në vete nga një histori të ngjashme. Mundohen pastaj ta ngushëllojnë  atë nënë e vetveten, t'i japin kurajo për të vazhduar jetën, për të menduar për të nesërmen dhe dy vajzat e saj.

 Sot ajo ishte rrëfyer për të satën herë. Janë këto çaste shumë të prekshme, kur fjala humb fuqinë dhe pushtetin e marrin lotët.....

 Sot u rrëfye nëna e dy vajzave, nesër pa dyshim si më radhë, do ta jetë tjetra, pasnesër e treta. Kështu rrjedhë jeta e këtyre nënave, nuseve, motrave: lot e kujtime. A thua ndonjë shkëndijë shprese do t'ua shfletojë faqet e reja të jetës?! Rri përballë tyre, vështroj, dëgjoj rrëfimet dhe nuk e kam lehtë. Madje tepër rëndë....

www.sa-kra.ch