| E diele, 08.12.2024, 07:58 PM |
O popuj! Ruani njerëzit e mëdhenj, sepse vetëm nëpërmjet tyre do t’u njohë bota. Ciceroni
VILHELME
VRANA HAXHIRAJ NË 80-VJETORIN E SAJ
Përjetime,
nderime dhe urime pa fund
Nga
Kadri Tarelli
Shkrimtarja
dhe studiuesja e shumënjohur vlonjate, znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj feston 80-vjetorin,
pikërisht më, 08, të dhjetorit, 2024, në “Ditën e Rinisë”. Rastësia e solli që
ajo të festojë me rininë, për të mbetur përherë e re dhe energjike në shpirt e
frymëzim. Nuk e teproj të përmend dy fjalë të Vivrës, të thëna duke qeshur mes
miqsh: “Unë isha e panjohur atëherë, nuk ish asgjë: Po studentët për mua e
ngallën këtë ditë, aq sa e bënë ditë të shënuar.......”.
"Princesha e letrave shqipe, në Vlorë”, e quan
Albert Habazaj, Vilhelmen, në një poezi thurur enkas për të. Ndërkohë unë e quaj “Princesha e
Kaninës”. Një emërtim jo thjesht për rrënjët e saj fisnike të hershme, por për
krijimtarinë e saj të bollshme letrare, për të rritur e fëmijë, ku përfshihen të
gjitha zhanret e shkrimtarisë: romane, novela, poezi, publicistikë dhe studime
historike e filozofike, ku ngërthehen gërshet bukuria e fjalës, forca e
mendimit, mirënjohja për miqtë, të njohur e kolegë, dhe mbi të gjitha dashuria
për komb e atdhe.
Të
shkruash për Vilhelmen, të cilën shkurt e thërrasim “Vivra”, është sa e lehtë
aq edhe e vështirë. Të pyesësh e të njohësh biografinë e saj, ndeshesh me dy
botë:
E
para, përjetohet me shumë dhimbje e brenga njerëzore, sepse është shumë e
trazuar, ndërsa e dyta ndriçohet nga drita e qëndresës, suksesit, krenarisë,
mirësisë e lavdisë.
Është
jeta në 45 vjet e goditur, e harruar dhe
e përhumbur, e ndaluar dhe sfilitur nga diktatura, si “Armike”, në emër të
luftës së klasës, ku ju mohua diplomimi, ndërsa për punësimin, mund të shkruhet
një roman i madh vuajtjesh. Për shkrime e botime as që bëhet fjalë, sepse duhej
ndëshkuar me të vetmin faj, se i përkiste një familjeje të pasur. Të gjithë ata
që e njohën, jetuan dhe provuan diktaturën nuk habiten, madje edhe vetë Vivra,
jo vetëm nuk çuditet, por nuk ka dëshirë ta kujtojë atë kohë pa kohë, sepse u
përball e nuk u thye, nuk u rrëzua, as u gjunjëzua. Vuante në heshtje, si magma
e ngjeshur nën malin shkëmbor, duke pritur ditën të shpërthejë. Besoj se i
shkojnë përshtat këto dy vargje:
-
Vivra je vullkan, pse shpërthyet vonë?
-
Duar lidhur, gjuhë prerë, 50-vjet sëra jonë...! K.T. “Koha në vargje”.
Poezia “Vivra je vullkan”.
Pjesa e dytë, do ta quaja, është jeta dhe
suksesi në krijimtari.
Pas viteve 90-të, kohë e ndryshimit të madh,
rrëzimi i diktaturës, atëherë kur ajo mbushi 50 vjet, botoi librin e saj të
parë, për të cilin, Vivra thotë: “E mora librin me duar që më dridheshin dhe
nuk besoja se në ato faqe ishte derdhur fëmijëria, rinia dhe shpirti im i
copëzuar”. Sot Vivra, si askush tjetër në sojin e shkrimtarëve dhe
studiuesve, ka shkruar rreth 70 libra, të botuar brenda 30 vjetësh. Duket e
pabesueshme....., por ja që ndodh! Është një bibliotekë e tërë që flet me
gjuhën e shkronjave. Në këtë
mënyrë ajo realizoi ëndrrat e shuara, shpresat e vrara, gjithashtu gjeti
vetveten e humbur në rrjedhat e kohës së vrazhdët. Këtu gjendet edhe Vlerësimi
e nderimi për krijimtarinë letrare e studimore.
Në këtë udhë mendimi, nëse do të më duhet të
përmend titujt e nderit, të marra këtu në mëmëdhe, e nëpër botë, më duhet të
mbush disa faqe letre. Më lejoni të kujtoj vetëm disa prej tyre:
- Tiranë. Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”.(2012), dhe “Medalje
Ari”.
- “Emblema diplomatike e Durrësit”, nga Bashkia Durrës. 24 tetor,
2019.
- Fituese e çmimit, “Premio internazionale di Poezia”,
-Firence-Italia -2010-2012. Është e vetmja autore shqiptare në këtë antologji,
mes 205 autorëve nga e gjithë bota.
- Është anëtare
e Akademisë Shqiptaro Amerikane të Shkencave dhe Arteve në New York-2018;
- Çmimi: “World
Icon of Literature Auard”, (Ikonë e letërsisë Botërore), e përzgjedhur nga
Akademia e Shkencës, letërsisë dhe Arteve të Indisë, – 25 maj 2020;
- Çmimi “Pena e Kristaltë” në Suedi-14 Mars, 2014.
- Titull “Nder i Kombit”, nga Unioni shqiptar në
Bukuresht. - 08 mars, 2023.
Nëse do të citoja të gjitha ata personalitete,
që kanë shkruar për Vivran tonë, do më duhet të mbush shumë faqe, mbase edhe
një libër të tërë. Besoj se këtu më lehtësohet puna ime shkrimore, pasi vetë
“Heroina” jonë po çon për botim volumin e tretë të librit “Mirënjohja. Virtut i
kujtesës”, kushtuar të gjithë atyre që kanë shkruar me dhjetëra shkrime, për të
dhe për librat e saj. Po kursehem të përmend vetëm pak autorë:
- Dr. Mujë Buçpapaj: - “Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e
veçantë e letërsisë shqipe. Ajo ka hedhur themelet e një profili të qartë
autentik si prozatore moderne, duke shëruar shpirtrat e humbur njerëzor dhe
kombin e saj nëpërmjet personazheve, të cilët mbajnë mbi vete fatet e shoqërisë
sonë, dje dhe sot. Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi
komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa
Vilhelme Vrana Haxhiraj”.
Akademiku Eshref Ymeri, vlerëson: - “Tipare të ngulitura në personalitetin e kësaj
shkrimtareje, të kristalizuara në krejt krijimtarinë e saj, janë dashuria,
dashamirësia, fisnikëria, ngrohtësia e shpirtit, ndërgjegjja e kulluar dhe
qëndrimi i prerë kundër padrejtësisë. Ai është në një mendje me Loren Terner,
kur shprehet: - Me këtë rast, dashamirësia për të tjerët shfaqet pikërisht
si një rezultat përfundimtar dhe jo si mjet për arritjen e ndonjë tjetër
synimi”.
Ndërsa Prof. dr. Fatmir
Tereziu “ Mjeshtër i Madh”-Londër, mes të tjerave thotë: “Vilhelme Vrana Haxhiraj
është një shkrimtare erudite, studiuese e publiciste me një kulturë që
shtrihet në kohë dhe hapësirë të pamatë, që renditet mes emrave më të shquar të
letërsisë kombëtare dhe më gjerë. Me këtë rast, ai i kushton Vivras, librin, "Liria në
Optikën e Letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj". Besoj nuk është pak.
Këtë libër, për mua, besoj s’jam i vetëm, më
pëlqen ta përmend e ta theksoj edhe më shumë, jo vetëm për
përmbajtjen dhe analizën akademike të krijimtarisë letrare, si vlerë e shtuar
në letrat shqipe, por më së shumti, se është i pari autor që hapi udhën e
studimit të gjithë veprës së autores së nderuar. Këtu më duhet t’i bëj vërejtje
vetes, mbase në këtë mendim janë edhe të tjerë krijues, se ka ardhur koha që
vepra e saj të studiohet në tërësi. Është një minierë krijimtarie, ku me
lehtësi mund të zgjidhen tema, brenda këtij korpusi letrar, studimor,
pedagogjik, shkencor, pse jo edhe politik e shoqëror.
Një meritë e shkrimtares
Vranari, është se i ka kushtuar një sërë librash dhe shkrimesh, të rinjve dhe
nxënësve shkollor.
Është dashuria për arsimin, si mësuese e përkushtuar, që e shtyn drejt një
krijimtarie me vlera të mëdha edukative. Po mjaftohem të sjell vetëm pak fjalë,
për të thënë krejt mendimin e saj filozofik: “Nëse fëmijët i rrisim dhe i
edukojmë me dashuri për atdheun e kombin, atëherë ata duhet ta njohin atë qysh
nga zanafilla e jetës mbi këto troje”. Mendoj se i duhet shtuar: Është një
porosi që vjen që nga rilindësi i ditur Sami Frashëri, dhe që duhet ta mbajmë
në qafë si hajmali: “Dituria sjell në jetë dhe ushqen atdhedashurinë,
dhe të dyja së bashku e shtyjnë njeriun përpara, e mësojnë atë të punojë për të
mirën e tij e të shoqërisë”.
Duke folur e shkruar
për shkrimtaren Vilhelme Vranari, nuk duhet të ndajmë apo të lemë mënjanë
bashkëshortin e saj, Fitim Haxhiraj, artistin koreograf, mjeshtrin e fjalës dhe
skenës dhe, për më shumë, shoqërimin e bërjen publike të të gjithë krijimtarisë
së saj, si brenda vendit ashtu edhe nëpër botë. Ai është kurdoherë i
kudogjendur, shoqërues nëpër takime, konkurse e kuvende letrare, ku nderohet
dhe flitet për krijimtarinë e saj. Është i paarritshëm. Model frymëzimi.
Shumëkush mund të pyesë: - Ku e gjen forcën Vivra,
që edhe në këtë moshë, nuk resht së shkruari.....?
Ndërsa unë shtoj pyetjet:
- Ku e gjen kohën që përballon gjithë këtë volum
pune?
- Vallë ka shembull më të mirë për të rinjtë, për
të treguar, se çfarë mund të bëjë njeriu, për të qëndruar e përballur me
vështirësitë dhe, për t’u ngritur drejt majave? – Përgjigjen do ta gjeni nëpër vepra: - Jam
e vonuar. Nuk e di a do mundem të them atë çfarë kam në mendje dhe në zemër, si
detyrim ndaj vetes, familjes, atdheut dhe kombit....!?
Në mbyllje po shtoj pak vargje, si frymëzim
çasti:
.................
Nuk
u lodhe duke shkruar,
Ç’pati
zemra, që s’tha jo!?
Plagët
mbylle pa shëruar,
I
the kohës.... tani vrapo!
...
Poezia, “Vivra në 80-vjetor”. Autori
Me
rastin e 75 -vjetorit të saj, në Vlorë, unë premtova: - “Besoj se kur të
festosh 100-vjetorin, do të mblidhemi përsëri kështu siç jemi sot, e të
kuvendojmë për librin e 100-të”.
Sot
po them: Jam i bindur se do ta mbajmë fjalën!. Dëshira është e madhe. Koha do
ta tregojë!
Urime
znj Vivra! Shëndet të mirë dhe punë të mbarë krijuese, për vepra të tjera, me
shumë vlera.
Miqësisht!
Kadri
Tarelli
Durrës,
më: 06. 12. 2024.