| E shtune, 07.12.2024, 07:56 PM |
DATA N’ GUR!
Nga Fritz
RADOVANI
AT GJERGJ FISHTA (1871 - 1940) ISHTE,
ASHT E DO T’JETË NDER SHEKUJ !
At Gjergj Fishta O.F.M.,asht le në fshatin
Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Ishte i biri i Ndokë Simon Ndocit e i Prendes së Lazer
Kaçit prej Kotrri me emnin Zekë.
Asht pagëzue nga
italo-arbneshi At Leonardo de Martino, famullitar në Troshan.
1861 Shkolla e Fretënve (Etënve Françeskan) ishte hapë në
Shkodër.
Në vitin 1880 në Troshan
afër vendlindjes së Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyne hapin Kolegjen ku
Zefi vijon sërish mësimet në Troshan, Eprorët vendosin që t’a dërgojnë për
studime të mandejshme në filozofi e teologji në Bosnje. Bosnja në këtë kohë
sapo kishte fitue pavarësinë nga Turqia dhe katolikët studionin tek Urdhni
françeskan. Në Bosnje françeskanët kishin një histori të mirë tradicionale të
tyne me kisha, famulli, kuvende, kolegje e seminare. Mbas 5 vitesh studime në
Troshan, Zefi u nis vetë i shtati më 1886 së bashku me At Ejëll
(Sebastjan) Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër (Simon) Gjadri, At Loro
Mitroviç (Pashko Mazreku), At Bona Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin (Anton Nënshati
me emrin e pagëzimit, Martin; Jozef Blinishti, me emrin Mhill).
Mësimet filozofike i
mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos.
Lexonte klasikët grekë e latinë si dhe Dante Alighieri (1265-1321),
Sikurse dëshmon biografi
i parë i jetës së Fishtës, njikohësisht edhe koleg i tij At Pashko Bardhi.
Fishta dallohej në provat e hartimeve në punimet filozofike, teologjike e
letrare vjetore në gjuhët latine, italiane dhe kroate.
Fishta ideoi krijimin e
një shoqnie të vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të
ruente traditat dhe vlerat ma të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e
cila mban datën 2 shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emni i
fra Gjergjit. Ruejti emnin Gjergj, emën me anë të të cilit ne sot e njohim
poetin kombëtar. Emni i fundit Gjergj, në aspektin fetar, personifikim i Shën
Gjergjit, martir, shek. V, dhe në anën kombëtare, emri i Heroit tonë Kombëtar,
Gjergj Kastrioti. Fishta shpenzonte pak kohë në përgatitjen e mësimeve,
mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh.
Në vitin 1893 kandidati
për meshtar kthehet në Shqipni, tashma i formuem edhe me kulturë gjuhësore në
disa gjuhë (latinisht, italisht, kroatisht, frangjisht e gjermanisht), me
njohuni mbi muzikën, artet figurative e letersinë).
Të dielën më 25
shkurt 1894 në moshën 23 vjeçare, tha Meshën e parë në Troshan. At Fishta caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e
Gomsiqes.
Detyra e famullitarit i
jepte mundësinë që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtnore
dhe në këtë mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë
morale e shpirtnore të banorëve të këtyre maleve, doket, gjuhën shpesh
enigmatike, bujarinë, nderen, besnikëninë, trimëninë, urtësinë, krenarinë,
drejtësinë, vorfnninë ekonomike, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dëshirën
për të kenë të lirë.
At Gjergj Fishta do të
grumbullonte visarin gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuente
ma vonë veprën e tij letrare.
Në Gomsiqe; “...At Fishta
do të njohë deri edhe skutat ma të thella, njerëzit që u bindeshin normave
juridike të Kanunit, Kodit Zakonor të Shqiptarve ku asht pasqyrue shpirti i
vërtetë i rracës.” “Në Gomsiqe, ishte koloriti i gjuhës së Zadrimës,”
Më 1899, At
Fishta shkruen me alfabetin latin të françeskanëve.
Pra më 1899, falë
miqësisë dhe admirimit që krijoi tek Abati Imz. Prengë Doçi, një nga
personalitetet intelektuale ma të kulturueme të kohës, ky i fundit e ftoi At Fishten
si bashkëthemelues të shoqërisë «Bashkimi» me Dom Ndoc Nikajn, e me At
Pashk Bardhin, At Ambroz Marlaskajn, etj.
Më 1899 themeloi Shoqëninë Letrare “Bashkimi” sëbashku me abatin
të Mirditës, Imzot Preng Doçi, At Gjergj Fishta i zotnonte të gjitha nivelet e
komunikimit në gjuhën shqipe Po at vit i vritet vëllai për gjakmarrje, që u ba
shkak që ai të shfryhet mbi këtë fenomen në poezinë Gjaksorëve. Me gjith këta,
ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bâni çmos deri sa i detyroi të vetët jo
vetëm me e falë, por edhe me u miqasue ato dy shtëpi”.
1889 shënon fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e
cila nis e publikohet së pari në revistën Albania të Faik Konicës, por gati e
gjithë me pseudonime.
Po ashtu do të botojnë
edhe në të perkohshmen Elcija (mâ vonë: Lajmtari) i Zemres së Krishtit.
Në 1902 emnohet
sekretar i Komisariatit të Misionit Françeskan si dhe drejtor i shkollës Françeskane
në Shkodër. Si i pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle,
At Fishta vendos në
programin mësimor në vend të gjuhës italiane, Gjuhën Shqipe në të
gjitha landët.
Më 1911 u festue
50-vjetori i hapjes së saj, dhe me këtë rast u ba nji aktivitet kulturor, në të
cilin nuk munguen me pjesëmarrjen e tyne autoritetet zyrtare, fetare, shërbimi
diplomatik, (I konsullatës austro-hungareze), dhe shumë antarë të bashkësive të
tjera fetare myslimane dhe ortodokse.
Me 24 mars 1912,
programi i këtij aktiviteti ishte përgatitë prej vetë At Fishtës. E thirrun
prej të gjithëve në Shkodër si shkollë kombëtare.
Në verën e vitit 1902,
gjatë pushimeve të verës At Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të
zëvendësue famullitarin e atij fshati, Át Leonard Gojanin, e aty frati do të
njihej e të lidhte miqësi me plakun Marash Uci, të cilin do ta përjetësonte ma
vonë në vargje.
“Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të
cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë si i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës iu
ngul At Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e
kapuç të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga
luftari.”
Në vitin 1904 Át
Pashk Bardhi, ndërsa nepte mësimin e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo (Zara,
Dalmaci) (Kroaci) dhe ishte kthye në Shkodër për pushime, merr prej At Fishtës
për me lexue dorëshkrimin e disa kangëve dhe mbasi dha pëlqimin për to, vendosi
m’i botue. Do t'ishte Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njikohësisht
miku i tyne, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze,
të cilët do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e Malsis -
Kangë Popullore I - Marash Utsi. Do t'ishte kjo sprova nismëtare, që do t’i
nepte edhe famën At Gjergj Fishtës. Edhe pse u botuen pa emën, At Fishta muer
urime e lavde nga shumë miq, intelektualë shqiptarë mbrenda dhe jashtë
Shqipnisë, si dhe nga albanologë të huej.
Në 1906 Luigj
Gurakuqi do t’ia kushtonte At Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e
cila asht metrika e parë në gjuhën shqipe.
Dy vjet ma vonë, 15
shkurt 1907, sëbashku me At Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën Bibliotekë
shkollore në Shqipni, Po këtë vit pranë shkollës çon nji trupë teatrale
amatore, në të cilën së pari do të vêntë në skenë pjesët e veta dramatike, si
dhe përshtatjet nga gjuhët e hueja, tue vû kështu nji tjetër gur themeltar në
kulturën kombëtare. Po këtë vit ai arriti me botue pjesën e dytë të "Lahutës"
me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai i Marash Utsit,
Oso Kuka.
Në vjeshtën e atij
dimni At Fishta hapë kurset e natës për të rritunit, për të mësue shkrim e
këndim dhe ma vonë krijon nji shoqni bamirse për fëmijët e vorfën, për
të cilët siguron ndihma të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do t'ishte
nji nga shembujt e dashnisë së krishtenë per të vorfnit e Shën Françeskut në
mision.
Po këtë vit 1907
arrinë me botue në Sarajevë përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, që At Fishta
ua kushton “mikrobeve të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitun, pa
ndërgjegje e moral mbi të cilët At Fishat lëshon pa mëshirë ironinë dhe sarkazmen
e tij.
Në nandor 1908 mblidhet
Kongresi i Manastirit. At Fishta sëbashku me Luigj Gurakuqin merr pjesë
atje si përfaqësues i Shoqnisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për
alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin.
Karrshi Dom Ndre Mjedës,
Mati Logorecit, Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit si përfaqësues nga Shkodra. Aty
“Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante
At Fishtën të dallohej ndër të tjerë, ku bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të
fitonte përvete 49 zâje porsi kryetar komisioni, të ngarkuem për studim të
alfabetit. Ishte një triumf për fratin e përvuejtë”.
Simbas Prof. Karl
Gurakuqit: “Kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar At Gjergj
Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike”. Për Prof.Tomorr
Osmanin përveç kësaj ai u zgjodh edhe për: “erudicionin e thellë, kulturën e
gjërë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë”.
Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit At Gjergj Fishta mbajti nji
fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe për nevojat e tyne.
Fjala e At Fishtës në Kongres simbas shtypit të kohës bani për vedi të gjithë
delegatët, mjafton me sjellë këtu nji letër të At Pashk Bardhit dërgue At
Shtjefën Gjeçovit, në të cilën i shkruen se fjalimi i At Fishtës “kishte ba me
kja shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë ngrykë me
lot për faqe”. At Fishta tashma ishte ba një personalitet publik i veçantë në
jetët e qytetit të Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipnisë, përmes njohjes dhe
bashkëpunimit me intelektualët ma të njohun, predikimeve, konferencave,
fjalimeve publike etj. Jeta publike kishte ba që ai të merret e të trajtojë
edhe çashtje politike.
Në të gjitha qeveritë
shqiptare prej vitit 1912 e deri sa vdiq, ai kje përfaqësuesi i vërtetë
i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të drejtave të popullit të
vet. Françeskanizmi shqiptar falë kontributit të At Fishtës do t'ishte ai që
njihet. Ai ishte ndër patriarkët e riorganizimit të Provincës. Në cilindo
pozicion pune, famullitar, drejtor shkolle, bibliotekar, botues, sekretar
province, guardian, definitor, kustod, e Ministër Provincial ai ishte shembulli
i njeriut të përkushtuem, “.
Një avokat i përbetuem i
integrimit të Shqipërisë në kulturën perëndimore të krishtenë.” Thotë Át Anton
Harapi, nji prej kulturologëve ma të shkëlqyem shqiptar, n'artikullin ”Shqiptari
i Madh”, në rastin e nji botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e At
Fishtës, më 1943: ”Kam ndollë vetë aty, kur njiditë, nji shqyptar i këthefit
të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me At Gjergjin,
donte disi me përfundue, se s’ ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzt
e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i
bindun, i thotë: Po na s’e kemi dijtë, more zotni...veç prej jush e kemi xanë
shka asht Shqypnija!”.
Po këtë vit ai nisë me
lexue e njikohësisht tuj studjue me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e
Molierit. Vitin pararendës ai kishte ngritë një teatër të vogël, i cili
vijonte ashtu si me nismën e De Martinos. Kështu ai ven në skenë: Gjokë Tarçuku
ase mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut. At Fishta pati bashkëpunim
me motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhë në Shqipni në 1879. Ato mbasi
kishin hapë në Shkodër shkollën e tyne për vajza (1876). 1925 e kthejnë me
emnin Normalja e Stigmatineve,
Gjithashtu në 1908-1909
shkruen melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e
700-vjetorit të Urdhnit Françeskan (1209-1909), e që u botue në 1912,
Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe Kryepremja e Shën Gjonit.
Po në 1909 boton
në Zara Pika voeset, Shtypshkroja Vitalini, nji përmbledhje lirikash fetare,
vepër së cilës ma vonë do t’ia ndryshojnë titullin në Vallja e Parrizit, por që
kështu në botimin e parë ia kushton Luigj Gurakuqit.
Në 1911, më 19 dhetor,
me rastin e 50 vjetorit të hapjes së shkollës françeskane nisë me shkrue dramën
Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm mbas tre vjetësh, por këtu në këtë
përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i qytetnuem, prej së cilës delte mesazhi
i Shqipnisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuemit. At
Justin Rrota kujton se “N’atë rasë, nepër dritën e llampave, prej korit së
kangtorìs pàshë, ke burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluem, kjajshin
si fëmija”.
Po këtë vit falë
autoritetit që kishte dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me
Imzot Jak Serreqin dhe Dom Luigj Bumçin (1872-1945) si ndërmjetës për arritjen
e marrëveshjes së paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe malcorëve
kryengritës të Malsisë së Madhe dhe të Mbishkodrës që u çuen kundër
xhonturqve.
Më këtë rast nji
vit ma vonë dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqe dhe humaniteti.
Më 28 janar 1912, Klubi "Gjuha Shqype" në pallatin
ipeshkvnor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës,
i cili më këtë rast mbajti edhe nji ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi
At Fishtës nji kunorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit
ai dekorohet dhe nga Mbretnia Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912),
për kontributin kulturor në Shqipni, sikurse e përmendëm nga Turqia u
dekorue me dekoratën Mearif (1912), qyteti i Beratit i dërgoi nji pupël
ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhni
françeskan Lector Jubilatus (1929), Greqia Phoenix (1931);
qeveria italiane e bani anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939.
Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik
Konica, At Pashk Bardhi, At Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj.
Nga tetori 1912
deri në fund të prillit 1913, kohë kur Shqipnia gjindej në prehën të
pavarësisë së saj, dhe kur Imzot Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në
kontakt gjithë zhvillimin e ngjarjeve, për rreth shtatë muej Shkodra u rrethue
nga ushtria malazeze ndersa At Fishta me Imzot Jak Serreqin ishin n’ Arqipeshkvinë
e Shkodrës,
Më 12 qershor At
Fishta ngriti Flamurin kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon
se edhe Shkodra u bashkue me Shqipninë mbas muejve të gjatë të rrethimit
malazez. Në tetor të 1913
në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, At Fishta themelon të përkohshmen
Hylli i Dritës, nji nga revistat ma të mira në historinë e shtypit
shqiptar. Qè si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i
së përkohshmjes sonë, s’âsht tjetër veç t’orvatunt për lulzim t’Fesë e
t’Atdheut, për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka
âsht njà për njà si me thânë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit
Shqyptar”. Këtu tek kjo revistë At Fishta do të tregojnë nji tjetër cilësi të
formimit të tij kulturor: publicistikën e tij. Do të jenë me dheta artikujt
letrarë, politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i napin nji tjetër përmasë
personalitetit të tij. Hylli i Dritës mbas numrit të saj të dhetë, At Fishta
botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në
korrik 1914, që u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i
Kontrollit) sepse At Fishta e dënoncoi hapun për pandershmëri dhe pabesi
hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që baheshin në kurriz të shqiptarëve. Për
pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i
rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënue nga koloneli anglez G. Philipps me
20 muaj burgim në Maltë. At Fishta iku mshehtas në Gomsiqe, tek Át Shtjefën
Gjeçovi, mandej në Vig, ku ishte Át Pashk Bardhi e ma në fund në Troshan, ku
shërbente Át Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund t'ishte jashtë juridiksionit të
ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën.
Për fatin e At Fishtës
shpërtheu Lufta I Botnore dhe ai doli jashtë vëmendjes. Më 28 Nandor
1913 u kremtue festa kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me
drita kandilash, minarja e xhamisë së Fushë-Çelës me kambanoren e kishës së
Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u desht ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot
Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të pezullohej.
Filloi edhe Lufta e Parë
Botnore dhe çeshtja e At Fishtës sikur u harrue, sepse ndërkombëtarëve ju desht
të merreshin me të tjera gjana ma të rëndësishme.
Janari i vitit
1916 e gjen Shkodrën sërish
të pushtueme, kësaj here nga austro-hungarezët, tashma jo për ndonji përfitim
territorial, por ma tepër për justifikim strategjik.
Ky vit do të
shënojnë tri ngjarje të randësishme për At Fishtën: Themelimin e revistës Posta
e Shqypniës (5.12.1916 - 11.1918), instalimin e shtypshkronjës françeskane, si
dhe krijimin e "Komisisë letrare" me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm
August Ritter von Kral (1859-1918). Më 3 gusht 1916 e themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Rajko
Nachtigall, Dom Ndre Mjedën, Mati
Logorecin, Gjergj Pekmezin, Át Ambroz Marlaskajn, Át Shtjefën Gjeçovin, Sotir
Pecin, etj. Komisia Letrare e Shkodrës hjedhi bazat e drejtshkrimit
bazue mbi të dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për nji terminologji të
re për administratën shqiptare. Mbas disa diskutimeve Komisia vendosi të
përdorej "dialekti i Elbasanit" si një kompromis asnjanës për
gjuhën letrare, më 1923 me nismën e Sotir Pecit. Ky vendim binte mjaft
në kundërshtim me dëshirat e At Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i
Shkodrës ishte ma i përshtatshmi. At Fishta shpresonte se koineja shqiptare
e Veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin,
ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbye si udhërrëfyese për italishten letrare.
Po këtë vit më 5
dhjetor 1916 del numri i parë i gazetës "Posta e Shqypniës" shqip
– gjermanisht e subvencionueme nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it,
me gjithë që forcat pushtuese nuk parakishin besim te At Fishta për shkak të
aspiratave të tij kombëtare. Doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23
nëntor 1918 (gjithsej 89 numra), dhe punën e drejtorit për pjesën
shqipe e kreu Át Gjergji, i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta simbas At Fishtës
ishte ”themelue për Kombin Shqyptar; veç po, artikuj kanë me u botue edhe
gjermanisht, qi edhe dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi
mundet me pasë interesë…”.
1916 At Fishta sjell në Shkodër shtypshkronjën, e cila
do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët tash e mbrapa do
të kenë shtëpinë e tyne botuese. Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u banë
në shtypshkronjën “Nikaj”. Bashkë me Át Harapin, e Gurakuqin bajnë
bashkë malcorët e Hotit e Grudës me ra në Shkodër në shenjë proteste për lanjen
e ktyne tokave Malit Zi.
Më 1917
Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr At Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar
të grupit negociator mes qeverisë dhe malësorëve. Me përfundimin e Luftës së
Parë Botnore, ushtria austro-hungareze tërhiqet nga Shqipnia dhe del në pah
çashtja e kufijve territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë
Përmeti kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill
të vitit 1919, në përbamje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj
Gurakuqi, Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe
Dr. Turtulli. Turhan Pasha emnoi Imz.Bumçin në krye të Delegatës, që të
ndryshonte pamjen e huej të Shqipnisë si "Turqi e vogël" tue kenë se
ai kishte kenë ambasador i Perandorisë Osmane në Shën Pjetërburg. Mbas
nënshkrimit të marrëveshjes më 29 korrik 1919, në mes Tittonit të
Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndamjen e Shqipnisë, simbas Konferencës
së fshehtë të Londrës së vitit 1915, delegacionet shqiptare ishin të
vendosuna të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuem nga Imz. Luigj Bumçi, i
cili zgjodhi sekretar të delegacionit At Gjergj Fishtën. Materialin, "Të
drejtat e Shqipnisë etnike", në konferencë të mbajtun në Universitetin e
Parisit të shkrueme në frengjisht nga At Fishta e lexoi Imzot Bumçi. Bie në sy
në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore, etnografike,
ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gja që mbetet ende edhe sot nji model
i ndërtimit të nji esejeje apo shembull oratorie. Në letrën e Át Fishtës, datë 13
shkurt 1920, shkrue nga Parisi, provincialit Át Vinçens Prennushit, ndër të
tjera thuhej: “Mos tjeter, prej fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i
zi i kercenohet Atdheut t`onë. Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka
parashtrue Jugosllavëve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr Shqipniën
jugore me Korçë e Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat mbi Shqypniën
e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der n`Mat”. Tue kenë
se situata ishte ndërlikue së tepërmi, në lidhje me shqiptarët dhe tue mos
gjetë mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, simbas letrës së At
Fishtës, dërgon në Romë Imzot Bumçin, së bashku Mehdi Frashërin, ditën e dytë
të Krishtlindjeve, tek Papa Benedikti XV. Papa, tue kenë nga takimi i maparshëm
i mirinformuem rreth problemit shqiptar, ndigjoi me kujdes të madh shqetësimet
e delegacionit tonë. Në fund të bisedës, tue kenë i bindun se rreth çështjes në
fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin italian, në
diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikanit kishte marrëdhënie të
mira, Papa pat deklarue se do bante çmos për ta shpëtue Shqipninë nga
moscopëtimi i mandejshëm i saj. Tok me Imz. Bumçin më 5 shkurt, 1920,
zhvilluen takimin e radhës me kardinalin në zâ të Brukselit, Disidre Mercier,
primat i Belgjikës që me ndërkombtarizue ma ndej çashtjen kombëtare, i cili
muer përsipër t’i shkruente në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të
Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, mandej, mareshalit Fosh, Dechanelit,
Milerandit etj. Mundi dhe djersa e At Fishtës dhe e të gjithë tjerëve, që u
kunorëzue me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli dhe mandej,
më 19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipnia së fundi
siguroi tanësinë e saj, në kufijtë e Konferencës së Londrës të vitit 1913.
Kështu Papa Benedikti XV, më 12 nëntor 1920, emnon Imz.Ernesto Cozzi-n Delegat
Apostolik për Shqipninë, 35 ditë përpara se Lidhja e Kombeve ta njihte
Shqipërinë si shtet sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohen
diplomatike de facto të vendit tonë. Mbasi pranon se edhe ai vetë, sa herë
ka marrë pjesë në bisedimet me delegacionet e huaja:”Të them të verteten se
m'âsht dasht t'skuqesha për inferioritetin t'em. Âsht e kotë të gënjehemi. N'se
përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji
atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e
Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë
të së tashmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të
mbrojë si duhet interesat e saj".
Më 1921 ridel mbas
7 vitesh revista Hylli i Dritës në rrugën e ndërpreme, ndërkohë që aktivitetin
e tij botues, At Fishta e zhvillon në revistën "Zani i Shna
Ndout".
Ndërkohë shkolla publike
ishte nji projekt i ri që At Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendje.
Niveli i deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj duhej nji gjimnaz
klasik.
Duheshin sigurue
ndërtesa, orenditë, paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhun,
leja prej autoriteteve kishtare e zyrtare. At Fishta së bashku me Provinçialin
e ri, At Pal Doden, shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhnit dhe priten
për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha nji shumë
prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale u nep nji hua me lehtësi
shlyemjeje, ndihma të cilat i ndihmuen për hapjen e shkollës publike me emnin
tashma të njohun "Illyricum" me nxanës të tre besimeve, katolikë,
myslimanë dhe ortodoksë.
Ndërtesa e bleme u bekue
ditën e Shën Françeskut më 4 tetor dhe mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921.
Në 64 vitet të jetës së saj fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz,
tue i hjekë periudhën 3 vjeçare 1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhanë
Kishës 4 ipeshvij, 110 meshtarë, 10 provincialë, 125 fretën.
Më 6 qershor 1921 në
zgjedhjet e para demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë
shqiptarë si deputetë Don Ndre Mjedja, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë
Mosi. At Fishta në fillim zgjidhet antar e më vonë kryetar i komisionit të
buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet
nënkryetar i Parlamentit. Kur dëtyrohet m'e lanë propozon At Ambroz Marlaskajn.
Mbasi niset në shkurt
1922 nga Liverpuli, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërgue provincialit, At
Pal Dodajt, nga Uashingtoni thekson se, mbas dymbëdhetë ditëve udhëtimi me
vaporr nga Anglia, ma në fund kishte merritë në Amerikë. Viziten e përshkruen
mjaft bukur në nji letër dërgue At Justin Rrotes, që daton 11 mars 1922.
Pa humbë shumë kohë, kishte fillue me bâ lobing rreth çashtjes së Shqipnisë. Mbas
takimit që pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të
Uashingtonit, At Godfried Shilling, At Fishta takoi dhe senatorin katolik,
Henri Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i nji
mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve.
Në letrën e naltcitueme,
At Fishta do shprehej: “... âsht mirë qi Qeveria e Tiranes, t’i drejtojë nji
shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue
zyrtarisht këtë njohje...” Në fund të letrës, shkruen At Fishta: “Ndërkaq
vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së
Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë
sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukses… Kjenë Senatorët katolikë, të
cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje
të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. At Fishta,
takimet në Uashington nuk i kishte ba në rolin e nji deputeti të Shqipnisë,
edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione, por si intelektual që
kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Faik Konica në përgjegje të nji
letre që At Fishta i kishte dërgue, i shkruen nga Bostoni këtij të fundit“Ju
falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e
këtushëm nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimet e
shkuara”.
Ndërkaq tue u kthye nga
Amerika, At Fishta i shkruen Át Pal Dodës se asht tue shkrue nji poemë
satirike. Asht fjala për poemën "Gomari i Babatasit", vepër e cila
u botue në dhetor 1923, me të cilën shënoi pjekuninë e tij të plotë artistike.
Po këtë vit del gazeta "Ora e
Maleve", që u ba shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kontribuen
oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, penda ledhatuese
dhe e ambël e Imz. Vinçenc Prennushit, studimet e holla të At Anton Harapit, Nush Topalli,
Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, At Bernardin Palaj etj.
Për këtë gazetë Ernest
Koliqi shkruen: “Dihet se Ora e Maleve, e nisun ma s’forti me qellime
kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun politik edhe u ba organi i nji
grupi qi përfshinte në gjiun e vet fuqit fetare, shoqnore dhe ekonomike të
Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj. Grupin e kryesonte
Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr stinë ma të lulzueshme me mugullime
qellimesh e vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa
dallim besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde
e me male kreshnike.., mblidheshin tok rreth Gurakuqit,- Bashkqytetarit
zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në
veprimtari ndertuese tharme jetike të traditave të shëndoshta me nevojët e
kohës moderne. Ai kalonte udhës i përcjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash
e gratë nga dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën
bekimesh.
Kalonte si profet i rrethuem nga nderimi dashnuer
i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Imzot Mjedja,
Gurakuqi, At Gjergji, prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk
Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi
ishim Dom Lazri dhe unë e deri te shtypshkruesat me Gjon Shqipnin ne krye e Tom
Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e
sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës s’onë.”
Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhetor
të vitit 1923, At Fishta së bashku me Imz Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin
përfaqëson Opozitën, por nuk kje e thanë sepse qeveria nuk zgjati as nji vit,
për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore vjen në pushtet më 24 dhetor
1924. Burgosen klerikët: Ndre Mjedja, Lazër Shantoja, Anton Harapi,
Bernardin Palaj, Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të
largohen nga Shqipnia dhe At Fishta për të njajtat arsye largohet gjithashtu në
Itali më 1925-26, ku qëndron pranë Urdhnit Françeskan, ku mbas kurimit me
kujdes t'ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë më 1925, u dekorue nga Papa Piu
XII, e jo sikurse asht shkrue në ndonji rast për shërbime klerikale. Hylli i
Dritës preu frymën përdhuni edhe nji herë tjetër mbas ndalimit të vitit 1914.
Por, penda e poetit nuk heshti. Më 1924 botohet për së dyti "Mrizi
i Zanave" dhe në vitin 1925 "Vallja e Parrizit" (botimi i
dytë), "Ifigjinia n’Aulli", "Sh. Luigj Gonzaga" (1927),
"Shqyptarja e gjytetnueme", e cila u shfaq në vitin 1929, dhe,
në revistën "Leka", "Mojs Golemi i Dibrës" e "Deli
Cena".
Në janar 1930
(këtu incidenti me Portland Cementi (142, 159, 164, 165), nis sërish mbas një
ndërprerje prej pesë vjetësh, Hylli i Dritës, drejtimin e së cilës At Fishta ua
besoi sivëllazënve të tij. Po më 1930 emnohet nga Urdhni Françeskan
"Lector Iubilatus honoris causa". Në vitet 1930 At Fishta përfaqëson
Shqipninë në Konferencat Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku
ai asht anëtar i delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në
Bukuresht.
Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i
Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë
shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës. Qeveria shqiptare, për me
mbrojtë interesat e vendit, muer pjesë në disa konferenca ballkanike në 1930-1933,
nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve.
Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan
si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende. Në 1930,
konferenca kje mbajtë n' Athinë, Shqipnia kje përfaqësue nga At Fishta dhe
Mehmet Konica.
At Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor
1930, nga Athina drejtue provincialit Át Vinçenc Prennushit, ndër të tjera,
thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me
referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte kenë shumë në naltësinë e
duhun. At Fishta, në këtë Konferencë kje përqendrue në zhvillimet kulturore në
Shqipni. Konferenca e dytë që mbajtë në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguemit
e Shqipnisë, rishtas kjenë At Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, simbas At
Fishtës, kje e organizueme shumë ma mirë se ajo e Athinës. Konferenca u hap nga
Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtë dhe Kryeministri i
Turqisë, Ismet Pasha.
At Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të
datës 20.10.1931, drejtue provincialit, At Pal Dodaj, tue ba nji
përmbledhje të Konferencës, shprehet: “Sod, me 21, kemi pasë luftë më Jugosllav
në Komisionin Politik, Mehmet Konica âsht sha keqas me Kryetarin e dergatës
Jugosllave me nji farë Topaloviç. Joviç, Kryetari e Dergates Jugoslave i paska
thânë Konitzes se âsht i shtímë prej dikúj tjetër me prishë Konferencen.
At Fishta, thekson se, për shkak të kësaj
ngatërrese, në mes këtyne dy delegacioneve, Konferenca kje rrezikue të mbyllej
para kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërheqë fyemjet e bame ndaj
delegacionit shqiptar.
Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin
kambëngulë që të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana
tjetër bullgarët kërkuen që kjo çashtje të shtyhet për nji konferencë tjetër, e
cila do mbahej në vitin e ardhshëm. Në v. 1932 u organizue Konferenca e
tretë Ndërballkanike, në Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njajtët aktorë
dhe pati të njajtën tematikë.
Át Fishta, posë rolit të delegatit, tashti
kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte etnit françeskanë të
Shqipnisë. Mbas këtyne Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjaja ma e
mirë, që ambëlsoi shpirtin e trazuem të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i
Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë kjo e themelueme në Nju Jork. Ky
bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme,
ishte mënyra ma e gjetun për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe të
mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botënore. Këto vite, ma të frytshmet
e jetës së tij, at Fishta i kaloi në qetësinë e kuvendit françeskan të
Gjuhadolit në Shkodër, por pa u shkëputë kurrë nga problemet e mëdha qytetase,
kombëtare e botnore.
Të kësaj kohe janë edhe pjesa ma e madhe e
dramave lirike, tragjedive etj.
Më 1931 del nga botimi pjesa e tretë e
Lahutës me titullin Lidhja e Prizrendit, e cila ishte botue periodikisht në
revistën Hylli i Dritës në vitin (1921-1922).
Nji vit mandej, pra më 1932 boton në
revistën Leka fragmentin në vijim mbas botimit në "Kalendarin e veprës
Pijore", të poemës Mojs Golemi, e cila u la në mes.
Antiklerikalizmi çuditnisht do të kërkonte të
përballej me françeskanët përmes dy ministrave t'arsimit, të
cilët ishin katolikë. Ivanaj kërkoj polemikën mbështetë në ligjin e datës 23
prill 1933, i cili i mbyllte tashma shkollat private, e që komunistët do ta
zbatonin besnikërisht 13 vjet ma vonë më 1946. Ka ngelë proverbiale
thanja e At Fishtës në praní të nxanësve në oborrin e gjimnazit “Rrnoftë
Shqipnia pa ne! (Këtu janë françeskanët)”. Gjimnazi u mbyll më 25 prill
1933, mbas 12 vitesh si gjimnaz dhe 72 vitesh si shkollë fillore. Po këtë
vit At Fishta do të dishmojë edhe nji tjetër anë të personalitetit të tij
kulturor, estetin. Në revistën Hylli i Dritës ai do të publikojë traktatin
estetik: “Shenime estetike, mbi natyrë t’artit”, të lavduem edhe nga profesora
t'universiteteve britanike tue pa tek At Fishta jo vetëm nismëtarin e atij
zhandrri në Shqipni por nji estet të përmasave europiane e botnore që do çonte
në nji stad të ri t'estetikës.Gjithashtu me randësi asht reçensioni që shërbeu
si parathanje, bame për librin "Kanuni i Lekë Dukagjinit",
mbledhun nga At Shtjefën Gjeçovi dhe botue mbas vdekjes së këtij të fundit, në
të cilën ai shfaqi mendimet e tij vlerësuese për krijimtarinë gojore. At Fishta
në tetor 1934 do të shkruente nji tjetër artikull magjistral si përgjegje
ndaj broshurës së Ismet Totos “Grindje me klerin” që ky i fundit kishte shkrue
si përgjegje ndaj polemikës që kishte me At Anton Harapin. Mandej At Fishta i mërzitun nga mënyra se si ishin tue
shkue gjanat, sikurse edhe në vitet 1924-25, shkon në Itali.
Në qershor 1935 zgjidhet Proviçial. Po këtë
vit rihapet gjimnazi françeskan mbas seancave gjyqsore që kishte fitue në Hagë
kundër politikave të shtetëzimit e laicizimit t'arsimit t'aplikueme nga Mosi e Ivanaj.
Viti 1937 shënon 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me ç’rast ban edhe
botimin përfundimtar të "Lahutës së Malcisë", e cila i kishte kushtue
ma shumë se 30 vjet punë.
Në prill t'atij viti shkon me mision
në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhnit.
Pushtimi italian i
Shqipnisë më 7 prill 1939 solli pështjellim në jetën politike, sociale e
kulturore të vendit. Më 3 qershor 1939 Fishta emnohet Akademik i
Italisë, çfarë do të sjellin edhe mjaft polemika dashakeqe në Shqipninë e
periudhës 1945-1990. Duhet skjarue se pranimi i këtij vlerësimi nga ana e At Fishtës
nuk asht ba prej kurrëfarë hipokrizie politike, aq ma keq kur Shqipnia sa ishte
pushtue nga Italia dhe dihen publikisht qëndrimet e At Fishtës. Akademia e
Shkencave e Italisë, ishte institucion shkencor mbipolitik, dhe si i tillë e
propozoi dhe e pranoi unanimisht anëtar efektiv të saj At Fishtën, për nji
motiv të vetëm; personaliteti kulturor, letrar dhe pse jo edhe politik që i
bante nder asaj akademie.
Aty nga fundi i vitit
1940 kërkon të shkojnë në Troshan, aty ku kishte nisë së pari jetën
rregulltare, e pse jo edhe atë letrare, aty ku kishte mbathë sandalet dhe
kishte vu rreth brezit litarin e Shën Françeskut. Sëmuret me 10 dhetor dhe
kërkoi pranë vetes mikun dhe Proviçialin At Pal Dodaj dhe sekretarin e tij Át
Viktor Volaj, komentuesin e veprës së tij poetike ”Lirikat”. Më 14 dhetor e
sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital.
Më 22 dhetor,
shikon nga dritaria borën e skllotën që kishte mbulue qytetin, At Fishta e
kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe At Fishta mori
një polmonit që e rëndoi shndetin e tij. Me 27 dhetor mjekët humbasin shpresat
dhe At Fishta bjen në kllapi. Fjalët e thanuna sivëllazënve që i ndejne afër:”Po
des kondend (i kënaqun) përse kam punue për Fe, Atdhe, e për Provincën
tonë.",- Me këto fjalë e mbylli testamentin sipas Át Marin Sirdanit.
Më 30 dhetor 1940
Át Gjergj Fishta nep Shpirt. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u
përcoll në banesën e fundit nga pothuej i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma
të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaçi Arqipeshkëvi
Metropolit i Shkodrës. Telegrame të shumta ngushëllimi muer
Provinçiali At Çiprian Nika OFM. Ndersa fratel Sala i mori masken prej
dylli.Më 31 janar 1941 Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite
në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, meshë të cilën e
udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola
Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i
njohun Akademik Don Lorenzzo Perosi. Ndërsa nji tjetër ceremoni përkujtimore u
mbajt Reale Accademia d’Italia me 9 mars 1941.
Përmbledhim këtu me vlerësimin e bamë nga
Ernest Koliqi se:”Tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij prej murgu,
oratori, edukatori e politikani, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme në
përkushtimin e lindun ndaj poezisë.”
Për At Gjergj Fishtën, gjuha shqipe është një
pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të kenit Shqiptar:
”Nper gjuhë shqype bota mbârë
ka me ju njoftë se
ç'fis ju kini,
me ju njoftë për shqyptarë,
trima n'zâ,
sikurse jini…” At Gj. Fishta.
Tituj të veprave
1*Lahuta e Malcís” -
poemë (Zarë, 1925)
2*Anzat e Parnasit”-
satirë (Sarajevë, 1907)
3*Pika voese”, ma vonë
ribotue si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
4*Shqyptari i gjytetnuem”
- melodramë (1911)
5*Shqyptarja e
gjytetnueme” – melodrama
6*Vllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t”
(1912)
7*Hylli i Dritës” - Revistë
(1913)
8*Juda Makabé” - Tragjedi
(1914)
9*Gomari i Babatasit”
(Shkodër, 1923)
10*Mrizi i Zânavet”
(Shkodër, 1924)
11*Sh. Luigji Gonzaga”
(Shkodër 1927)
12*Lahuta e Malcís” -
botimi komplet (1937)
13*Jerina ase mbretnesha
e luleve”, (Shkodër, 1941)
Aurel Plasari ka thanë:
““Duke rikthyer
Gjergj Fishtën në historinë e letërsisë shqipe, nuk i japim atij vendin që i
takon, por i kthejmë histories së letërsisë atë çka i mungon”.
At Zef Valentini:
“Fishta asht një Homer Shqiptar. Ai nuk asht vetëm një poet i madh kombëtar. Ai asht nga më të mëdhajtë në Botë.
E rëndësishme asht
që ai të njihet prej saj”.
At Gj
Fishta nga Lambertz:
Albanologu
i shquem, përkthyesi virtuoz i “Lahutës Malcisë”në gjermanisht, Dr. i
Filozofisë Klasike Maximilian Lambertz (1882-1963 ), shkruan më 1922 se“Fishta asht poeti ma gjenial që
deri më sot ka dhanë Shqipnia. Ai asht
Epiku ma i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta Malcisë asht Iljada
Shqiptare”.
At Gjergj Fishta: “Laute des Hochlandes” Leipzig 1948.
”At
Gjergj FISHTA mbas vitit 1990 në Trojet tona, asht matësi ma i sakti i ’zhvillimit
parimeve të demokracisë’ së Popullit Shqiptar!”
Melbourne, Dhetor
2024.
Fritz RADOVANI.