| E shtune, 07.12.2024, 07:58 PM |
ADMINISTRATA E TRAMPIT DHE LUFTA NË UKRAINË
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Ndalja e një lufte duhet të merret si
akt human. Është thënë se presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Tramp (Donald Trump, 1946- ) luftën e Ukrainës mund ta ndalë
për një ditë.
Kemi të bëjmë me një luftë komplekse.
Kjo luftë karakterizohet prej dy gjërave:
- e para, pala ukrainase mbështetet
prej Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s;
- e dyta, njëra prej palëve
ndërluftuese është fuqi e madhe.
Kush e ka shkaktuar këtë luftë? Sipas
Fuqive perëndimore dhe NATO-s, luftën e ka shkaktuar agresioni rus, i
paprovokuar nga Kievi. Sipas Moskës, kjo luftë është pasojë e tendencës së
Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s për ta përfshirë Ukrainën në Aleancën
Veri-atlantike.
Rëndom luftërat ndalen kur njëra prej
palëve ndërluftuese e humb luftën dhe nënshkruan kapitullimin. Në rastin
konkret, asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk thotë se e ka humbur luftën.
Secila prej tyre thotë se do ta vazhdojë luftën deri në thyerjen përfundimtare
të palës armike.
Presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald
Tramp sakaq mund ta ndalë luftën duke ia ndërprerë Kievit ndihmat ushtarake dhe
financiare. Po të ndodhë një gjë e tillë, atëherë fituese e luftës do të dilte
Rusia. Që nga fillimi i kësaj lufte, Fuqitë perëndimore Rusinë e kanë cilësuar
si agresore dhe si pushtuese e territorit të huaj. Sipas perëndimorëve, Moska i
ka shkelur konventat ndërkombëtare me të cilat garantohet pacenueshmëria e
kufijve, e sovranitetit të shteteve apo e tërësisë tokësore e tyre.
Ç’qëndrim do të kishte Trampi lidhur me
cilësimin e Rusisë si agresore dhe si shkelëse e parimeve ndërkombëtare mbi
pacenueshmërinë e kufijve, mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit
territorial të shteteve?
Kjo luftë ka një çmim tejet të lartë.
Palët ndërluftuese kanë humbje të mëdha në njerëz, numër të madh ushtarësh të
vrarë, numër të madh ushtarësh të plagosur, tanimë të paaftë për luftë. Pala
ukrainase ka edhe një numër të caktuar civilësh të vrarë. Shumë fëmijë ukrainas
kanë mbetur pa njërin prind, e një numër i caktuar edhe pa të dy prindërit. Një
numër i madh i ukrainasve janë shpërngulur nga vendi për t’u strehuar në vende
të ndryshme të Evropës. Ka prej tyre që kanë shkuar edhe në vendet përtej
detit. Askush s’e di në do të kthehen ata në vendin e tyre të lindjes, në
atdheun e tyre. Në Ukrainë kemi edhe lëvizje të brendshme të popullsisë. Shumë
ukrainas u janë shmangur zonave të luftës dhe janë vendosur në rajonet që kanë
qenë sa më larg fushëbetejave. Ukraina ka pësuar dëme të mëdha materiale,
ndërtesa të rrënuara, rrugë, ura, objekte energjetike, centrale elektrike,
fabrika, uzina dhe reparte prodhimi të shkatërruara. Shumë rajone të Ukrainës
janë shndërruar në fusha të minuara. Është çrregulluar sistemi social, arsimor,
shëndetësor, prodhues, riprodhues.
Dëmet që i ka pësuar Ukraina mund të
maten në miliarda euro ose dollarë. Dëme dhe humbje ka pësuar edhe pala tjetër
ndërluftuese – Rusia. Askush s’e di numrin e saktë të ushtarëve të vrarë, të
asnjërës palë ndërluftuese. Kievi dhe Moska këtë e ruajnë si sekret.
Duke qenë se kemi të bëjmë me një luftë
që ka kushtuar tejet shtrenjtë, atëherë rezulton se asnjëra prej palëve
ndërluftuese nuk do të ishte e gatshme të dalë duarthatë nga një marrëveshje
eventuale që do t’ua ofronte Trampi.
Tani për tani Rusia kontrollon 27 për
qind të territorit të Ukrainës. Pak më shumë se çerekun. Po qe se Uashingtoni
ia ndërpret Kievit ndihmat ushtarake dhe financiare, në mos edhe politike,
atëherë fituese e luftës do të dilte Rusia. A do të ishte kjo në dobi të
Perëndimit, në dobi të NATO-s?! Sigurisht që jo. Rusia si fuqi e madhe nuk ka
hyrë në luftë për ta humbur atë. Rusia nuk paguan çmim të madh për të dalë nga
lufta duarbosh. A mund administrata e re amerikane të gjejë një formulë që do
t’i kënaqte të dyja palët ndërluftuese, si ajo: “Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”. Sipas Moskës,
Rusia i ka marrë ato pjesë të Ukrainës që janë të banuara kryesisht me popullsi
ruse.
Ka që thonë se me prolongimin e luftës,
Perëndimi, përkatësisht NATO-ja synojnë ta dobësojnë Rusinë ushtarakisht dhe
ekonomikisht.
Fuqitë perëndimore dhe NATO-ja deri
tani e kanë mbështetur Ukrainën me armatime, me mjete financiare, me prodhime
dhe artikuj ushqimorë, me barna, me ekspertë lëmenjsh të ndryshëm etj. E kanë
përkrahur edhe politikisht. Por, në fushëbeteja Ukraina e ka derdhur gjakun e
djemve dhe të vashave ukrainase. Me fjalë të tjera, çmimin më të lartë e ka
paguar populli ukrainas.
Çmim për luftën në Ukrainë paguajnë
edhe vendet e Perëndimit. Çmimi i luftës shkon në kurriz të taksapaguesve të
ShBA-së dhe të shteteve evropiane. Qytetarit të rëndomtë në Perëndim, më tepër
i intereson standardi i jetesës se çështjet gjeopolitike dhe interesat
strategjikë të shteteve. Nuk është e rastit që në kontinentin e vjetër kanë
marrë hov e djathta e skajshme apo e majta e skajshme.
* * *
Po qe se lufta ndalet dhe Rusia merr
27% të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Shtrohet pyetja: Cili
është interesi strategjik i ShBA-së, i NATO-s apo i BE-së?! A është interes i
Fuqive perëndimore dhe i NATO-s që Rusia të dalë fituese e kësaj lufte?! Po qe
se Trampi e ndal luftën duke ia njohur Rusisë 27% të territorit të Ukrainës,
atëherë dalin humbëse: ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja. Përse dalin humbëse? Kështu
sepse ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja e kanë mbështetur Ukrainën që nga dita e parë
e sulmit rus. Pikërisht për këtë arsye administrata e re amerikane nuk do ta
ketë lehtë ta gjejë formulën përkatëse të ndaljes së luftës. Formulë që do t’i
kënaqte të gjitha palët – Ukrainën, Rusinë, ShBA-në, NATO-n dhe BE-në.
Po qe se Rusisë i njihet pushtimi i 27
për qind të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Kësisoj, në vend
që ta dobësonin, ajo do të dilte më e fortë!
* * *
Është vështirë të arrihet armëpushim
dhe zgjidhje për ndaljen e luftës edhe për shumë arsye të tjera:
- Kush është viktimë e luftës dhe cila
palë është agresore, kush zhvillon luftë të drejtë çlirimtare dhe cila palë bën
luftë pushtuese;
- Duke qenë se lufta zhvillohet në
territorin e Ukrainës, a do t’ia paguajë Moska Kievit dëmet e luftës apo
reparacion lufte;
Sipas të dhënave të caktuara, Ukraina
ka marrë prej vendeve të Perëndimit diku rreth 270 miliardë dollarë. Atëbotë,
shtrohet pyetja: A do të mund t’i kthejë dhe si do të mund t’i kthejë Perëndimi
këto mjete që ia ka dhënë Kievit në formë armatimesh, mjetesh monetare etj. Një
pjesë e armatimeve dhe e mjeteve monetare janë dhënë në formë ndihmash, por një
pjesë tjetër mbase i janë dhënë Ukrainës në formë huaje.
Ç’do të ndodhë me asetet apo me mjetet
financiare të Rusisë që ndodhen të bllokuara nëpër bankat e Evropës dhe të
ShBA-së?! A do të zhbllokohen ato dhe t’i kthehen Moskës apo do të vazhdojnë të
mbeten të bllokuara?!
A do të përgjigjet ndokush për krime
lufte dhe për krime kundër njerëzimit?
Cili do të jetë fati i Vladimir
Putinit, të shpallur përgjegjës për krime lufte apo për krime kundër
njerëzimit? A do t’ia dorëzojë Moska Hagës që ai të përballet me drejtësinë
ndërkombëtare? A është normale që liderët perëndimorë të komunikojnë me të apo
edhe të takohen me të?! Të takohen me njeriun të cilin e kanë fajësuar për
krime lufte!
Po qe se askush nuk përgjigjet për
krime lufte apo për krime kundër njerëzimit, atëherë del se Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë vlejtka vetëm për popujt e vegjël apo për popujt e
pambrojtur. A do të përgjigjet ndokush për ndarjen e fëmijëve prej prindërve të
tyre?! A mban përgjegjësi ndokush për vrasjen e popullsisë civile?! A
përgjigjet dikush për ekzekutimin e robërve?! A përgjigjet dikush për
torturimin e robërve të luftës? Në këto përmasa, kjo s’ka ndodhur as në
mesjetë.
Po sanksionet ndaj Rusisë, do të hiqen
apo do të vazhdojnë të jenë në fuqi?! Po tregtia midis vendeve të Perëndimit
dhe Rusisë do të rivendoset apo do të vazhdojë të mbetet e ngrirë?! Ç’do të
ndodhë me naftën dhe gazin natyror rus?! Naftësjellësit dhe gazsjellësit do të
çojnë naftë dhe gaz drejt Evropës apo embargoja do të vazhdojë edhe për një
kohë?!
Kush do t’i çminojë fushat e minuara të
Ukrainës, kur dhe me çfarë çmimi? Kush do ta rindërtojë Ukrainën e shndërruar
në gërmadhë? Sa vjet do t’i duhen Ukrainës për ta rimarrë veten? Kush do ta
ndihmojë Ukrainën në periudhën pas luftës?! A kanë llogari Fuqitë perëndimore
t’i hyjnë kësaj pune pa pasur një interes strategjik?
Çdo marrëveshje që e nxjerr
ngadhënjyese Rusinë, me automatizëm e nxjerr humbëse ShBA-në, NATO-n dhe BE-në.
Fitorja ruse do t’i trimëronte edhe aleatët e saj në Azi. Do të ngazëlleheshin
edhe vendet e BRIKS-it, bashkë me kryetarin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Mosndëshkimi i Rusisë ia çel rrugën
ariut të veriut për inkursione të tjera drejt Evropës. Rusia e pandëshkuar do
të vazhdonte politikën e saj destruktive dhe luftënxitëse në Ballkanin
Perëndimor. Do ta trimëronte satelitin e saj – Serbinë, për të intensifikuar
aktet terroriste në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit.
Mandati i një presidenti zgjat katër
vjet apo tetë vjet, kurse interesi strategjik i
një fuqie globale zgjat me dekada, në mos dhe më tepër. Ndalja e luftës
në Ukrainë nuk është çështje e lehtë. In
ultima linea, kryetari Zelenski mund të thotë: “Me këto kushte, unë nuk e nënshkruaj marrëveshjen e paqes”. Pa
nënshkrimin e palëve ndërluftuese, zotërimet ruse në Ukrainë do të
konsideroheshin pushtim.
Çfarë statusi do të ketë Ukraina? Do të
jetë shtet asnjanës, apo do të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së?!
Pikëpamja: “Le të marrë Rusia 27% të territorit të Ukrainës, kurse si kompensim,
Ukraina të pranohet në NATO”, nuk është e drejtë. Nuk arsyetohen gjithë ato
viktima për një epilog të tillë. Këtë e dinë më së miri prindërit e djemve të
vrarë, e dinë fëmijët e mbetur jetimë, e dinë gratë e reja të mbetur pa
bashkëshortët e tyre. Shteti dhe kombi ukrainas ekzistojnë pavarësisht nga
ç’thotë Putini. Nuk ka nevojë të vriten dhe të plagosen qindra mijë ukrainas që
Putini më në fund ta njoh të drejtën e Ukrainës për shtetësi.