Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Largësi të afërta në një letër
E enjte, 05.12.2024, 06:57 PM
LARGËSI TË AFËRTA NË NJË LETËR
Nga
Timo Mërkuri
Në
poezinë e saj "Letër" Albina
Idrizi, duke marrë shkas nga një situatë familjare krijon një vepër poetike me karakteristika universale dhe vlera
artistike të spikatura, ku ndërthuren mjeshtërisht ndjeshmëria personale dhe
reflektimi mbi realitetin kolektiv. E shkruar në formën e një letre drejtuar
vëllait në në mërgim, në momente të vështira familjare të sëmundjes së nënës
dhe kërkesave të saj të shspeshta dhe
insistuese për praninë e të birit, kjo poezi tingëllon si një klithmë, si një
kërkesë, si një lutje shpirti që të ndryshojë e të përmirësohet diçka në jetën
e familjes dhe të Kosovës. Në thelb, kjo poezi nuk është një rrëfim personal,
por një krijim i ngritur mbi bazën e universalitetit. Figura e nënës dhe
thirrjet e saj për ribashkim familjar përfaqësojnë përvojën kolektive të shumë
familjeve shqiptare në periudhën pas luftës në Kosovë, ku izolimi politik i
shtetit të ri dhe pamundësia e qytetarëve të saj për të udhëtuar lirshëm ishin
plagë të dhimbëshme. Vargjet mbushur me simbolikë dhe ndjenja të holla,
krijojnë një atmosferë që fton lexuesin të reflektojë mbi lidhjet njerëzore, rolin e sakrificës dhe forcën e dashurisë që
sfidon distancën dhe kohën. Poezia nis
me ngrohtësi e dhimshuri motre për vëllanë të cilit i përcjell merakun për
nënën plakë të sëmurë:
Nëna nuk është mirë,
vëlla
shpeshherë ngre dorën
dhe të fshin ballin
thua se nuk je kaq detra
larg.
E ndien edhe ti?
Fjalët
janë të thjeshta, dhe imazhi duket si i vizatuar me laps të zi, por gjithsesi
ato përcjellin një drithërimi dhe ngashërim të fshehur mes vargjeve që, si në një
sekuencë filmike shfaqin lëvizjen e dorës së nënës në jerm nga termperatura e
lartë, për të fshirë ballin e të birit, që e sheh si me djersë, a ndoshta
thjeshtë për ta përkëdhelur, që i biri më në fund i erdhi nga larg në këto ditë
të vështira. I kishte premtuar që do ti vinte sa herë që të kishte nevojë për
atë, dhe ja ku i erdhi…i miri i nënës.
I-Poetja ve në gojën e heroinës një pyetje të thjeshtë drejtuar vëllait të saj te vargu
i pestë: E ndjen dhe ti? (dorën e nënës
mbi ballë). Kjo pyetje është sa ngashëruese
aq dhe shumëkuptimëshe që të habit me dendësinë dhe shumëdimensionalitetin e
saj dhe të bind se ajo nuk është vendosur rastësisht apo vetëm estetikisht. Ka
një shpirtërim ky varg ku çdo gërmë e fjalë reagon si pjesë shpirti a zemre kur
preket.
1.Kjo
pyetje krijon lidhje të drejtpërdrejtë dhe emocionale midis heroinës dhe vëllait,
por mund të shihet edhe si një lidhje e drejtpërdrejtë me lexuesin apo një
entitet tjetër simbolik, si Kosova. Pyetja është e tillë që kërkon konfirmim e
përbashkët të ndjenjave , (jo thjeshtë një pohim) duke i dhënë poezisë dimension
universal dhe thirrje për solidaritet emocional. Pyetja shërben si mjet introspektiv,
ku heroina përpiqet të gjejë një përgjigje që i jep kuptim përjetimeve të tyre
dhe si e tillë ajo reflekton një ndjesi
pasigurie dhe dëshirë për të ndarë dhimbjen e mallëngjimin me një tjetër,(vëllain)
duke forcuar lidhjen mes figurës dhe botës poetike.
2.Kjo
pyetje është në harmoni të plotë me temat e poezisë, si dashuria për nënën dhe vendin
dhe fton edhe lexuesit të përfshihen emocionalisht dhe të ndajnë dhimbjen që
buron nga mungesa e vëllait, nga sëmundja e nënës dhe nga vuajtjet e Kosovës. Në këtë mënyrë, pyetja
bëhet pikënisje e një reflektimi mbi
lidhjen mes njeriut dhe atdheut.
3.
Në aspektin stilistik, pyetja përmban
një efekt të fuqishëm poetik, duke mos kërkuar domosdoshmërisht përgjigje konkrete,
por duke nxitur lexuesin të meditojë mbi përjetimet e shprehura në vargje. Pyetja
krijon një ndjenjë përbashkësie dhe forcon tonalitetin emocional të poezisë. Në
kontekstin e faktit që vëllai është larg, në emigracion, pyetja "E ndjen dhe ti?" shndrohet në
thirrje të heshtur për të ndjerë sëbashku peshën e largësisë dhe pasigurisë. E parë
në këtë kontekst, ajo nuk i drejtohet vetëm vëllait të heroinës, por shtrihet
tek të gjithë ata që përjetojnë të njëjtën dhimbje dhe mall për së largu për familjet
e tyre.
4.
Në kontekstin historik të Kosovës, pyetja është një kërkesë për ndërgjegjësim
kolektiv dhe njohjen në tërësinë e tyre të dhimbjeve të përbashkëta që burojnë nga
humbjet dhe sakrificat e një populli të tërë.
5.Dhe
së fundi, përmes kësaj pyetjeje, poezia krijon një urë mes ndjenjave
individuale dhe përjetimeve universale, pse ajo fton jo vetëm për reagim
emocional, por dhe për një reflektim mbi ndarjen e dhimbjes dhe ruajtjen e
lidhjeve shpirtërore në mes të distancave dhe sfidave.
Ajo
që mund të shtojmë pas kësaj është fakti i mahnitjes që na shkakton densiteti i
ndjenjave dhe finesa artistike e shprehur nga Idrizi, e cila na sugjeron indirekt
që ta lexojmë më me vemëndje vijimin e kësaj poezie.
II-Poetja
e vazhdon bashkbisedimin me të vëllain nëpërmjet vargjeve "sepse krahë më të gjatë se të nënës / e sy
më të thellë se të sajtë / unë kurrë nuk kam pa," ku shfaqet një pamje
poetik jo aq i fizikut të nënës (krahë, sy) se sa i dashurisë së saj si forcë
universale gjithëpërfshirëse. Sigurisht që krahët dhe sytë janë metafora, përmes
së cilave, dashuria e nënës merr përmasa të pakufishme dhe hyjnore, duke u
paraqitur si një fuqi që arrin përtej çdo distance fizike apo kufizimi njerëzor,
ku:
"Krahë më të gjatë
se të nënës"simbolizon
përqafimin e saj fizik e shpirtëror dhe gjatësia
e tyre nuk përcaktohet me parametra fizik, por reflekton aftësinë e saj shpirtërore
për të mbërritur deri te fëmija, pavarësisht distancës ku ndodhet ai, pse
realisht dashuria e nënës tejkalon hapësirën e kohën, dhe bëhet burim
ngrohtësie e mbrojtjeje, edhe kur distanca duket e pakapërcyeshme.
E
parë në këtë aspect edhe vargu: "Sy më të thellë se të sajtë"
përfaqëson mençurinë, ndjeshmërinë dhe aftësinë e nënës për të parë më shumë
sesa është e dukshme në natyrë, sepse sytë e nënës shohin përtej pamjes së
jashtme, ata depërtojnë në shpirtin e fëmijës , duke “parë” plagët dhe dhimbjet
e tij, edhe kur ai vetë nuk i shpreh. Ato janë sy të mbushur me dashuri dhe
dhembshuri që vetëm nënat e zotërojë. Pra, në poezi dashuria e nënës nuk
shfaqet thjesht si ndjenjë, por ashtu siç është në realaitet , një fuqi e
jashtëzakonshme që mbizotëron mbi çdo pengesë dhe tejkalon çdo përvojë
njerëzore.
III-Te
vargjet: "Të kujtohet si na rrëfente
baba / për zemrën e nënës në dorën e djalit / që klith nga dhimbja kur ai
rrëzohet?" duhet të ecim ngadalë, pse ato ndërthurin një narrativë të
dhimbshme që përqendrohet në sakrificat ekstreme të nënës. Elementi tregimor i këtyre vargjeve (është ai djali i
përrallës ruse, që vrau nënën e tij dhe ecte duke mbajur zemrën e saj në dorë,
që tja shpinte urdhëruesit të vrasjes, si dëshmi besnikërie), shton një dimension të errët dhe
universal për mënyrën se si lidhjet njerëzore shpesh testohen në kushtet më
ekstreme. Vargjet marrin një kuptim
dyfish të dhimbshëm, nga njëra anë, zemra e nënës që rrihte në dorën e
djalit dhe “që klith nga dhimbja kur ai
rrëzohet” (dhe e pyet: “mos u vrave bir”?) simbolizon dashurinë e
pakushtëzuar të nënës, që vijon edhe pas vdekjes. Nëna klithi se mos u vra
sadopak djali (vrasës) i saj, sepse biri është bir pavarësisht se çfarë bën e
ku ndodhet. Fakti që kjo zemër i është marrë me dhunë nënës nga vetë djali i
saj dëshmon tragjedinë, ku besnikëria ndaj urdhëruesit ofiqar apo detyrimi i
imponuar shkatërron lidhjen më të shenjtë njerëzore. Ky akt përçon një thirrje
morale dhe një pasqyrë të errët të marrëdhënieve të pushtetit dhe tradhtisë.
Përsëritja
"Nëna jonë paska qenë." ka
një peshë të veçantë në këtë kontekst, shto faktin që melodikisht tingëllon si
refreni i poezisë. Nëna jo vetëm mishëron dashurinë dhe sakrificën, por
gjithashtu përfaqëson pafajësinë dhe dhembshurinë. Poetja e ngre figurën e saj
si një simbol i shpirtit njerëzor që
duron dhimbjen e shkaktuar nga atadhe për ata që do më shumë.
Nuk
e di pse vargjet "Po ajo që mban
digën e skamjes / dhe nuk e ndal këngën / të mos e trembë vërshimi / lumturinë
e fëmijëve?" më kujtojnë një baladë të Vendeve të Ulta, por dëshmia “Nëna jonë paska qenë” e poetjes më
rikthen në Kosovë. Në këtë kontekst, këto vargje reflektojnë jo vetëm qëndresën
e nënës ndaj vështirësive, por dhe sakrificën e saj: ajo përpiqet të mbrojë jetën
e lumturinë e të gjithë fëmijëve. Kënga e saj, që nuk ndalet pavarësisht
sfidave, tingëllon si simbol i dashurisë mëmësore që triumfon ndaj rezikut që
kanos fëmijët e saj. Historia e jonë është plot më raste sakrificash të nënave
për të shpëtuar jetën e fëmijëve të tyre.
Vargu:
"Gjithë nënat që dimë
gjithandej/nëna jonë paskan qenë" universalizon dhimbjen dhe sakrificat
e nënës, pse të gjitha nënat, qëndrojnë si figura simbolike të dashurisë dhe
sakrificës për fëmijët e tyre, dhe në
këtë kuptim, poezia shpreh një thirrje për të reflektuar mbi aktet që
shkatërrojnë lidhjet më të shenjta njerëzore.
IV-
Një anë tjetër të figurës së nënës shfaqin vargjet: “Kërkon vazhdimisht të mbajmë derën hapur/ (ti e di nuk i ka dashur
kurrë dyert e mbyllura)”pse shpalosin një ndërthurje të pasur kuptimesh e
simbolesh që kapërcejnë kufijtë e përvojës individuale apo traditës shqiptare
të mikpritjes. Në qendër përsëri është figura e nënës, por ajo shndërrohet në
simbol universal të hapjes shpirtërore, pritjes dhe lirisë, duke u lidhur me
ide të thella filozofike dhe ekzistenciale.
Në
nivel të parë, imazhi i derës së hapur përçon pritjen plot merak të nënës për
të birin, që mund të vijë në çdo moment, por në kontekst më të gjerë, dera e
hapur simbolizon qasje universale ndaj jetës dhe të tjerëve. Dyert e hapura
janë shprehje e pranimit, besimit, dashurisë. Ato refuzojnë “mbylljet”,kufizimet
e izolimin, duke përfaqësuar një shpirt të lirë dhe të përgatitur për të
përballuar botën. Në këtë aspekt, nëna mishëron një urtësi të thellë, si përvojë
jete, që refuzon çdo lloj pengese apo kufi që mund të ndërtohet ndërmjet
njerëzve.
Nuk
të befasojnë vargjet: “Dhe se kujt i
hakërrehet-/ lërini të vijnë, lërini të vijnë, të vijnë, / lërini të shkojnë,
të shkojnë, të shkojnë, pastaj sërish nga fillimi”pse këtu, hakërrimi si thirrje e brendshme, tejkalon aktin e thjeshtë
të pritjes për një mik apo bir apo të një mbylljeje porte. Thirrja "të vijnë" dhe "të shkojnë" pasqyron një cikël të jetës: ardhjen dhe
largimin, dhënien dhe marrjen, bashkimin e ndarjen. Në këtë kuptim, nëna
përfaqëson pranimin e këtij cikli si realitet i pashmangshëm dhe universal. Ajo
nuk kërkon të ndalë ardhjet apo
largimet, por thërret për një rrjedhë të lirë të lëvizjes, ideve dhe
emocioneve. Në kontekstin universal,këto vargje mund të lexohen si reflektim
mbi rëndësinë e hapjes , tolerances, pranimin e tjetrit dhe ndërlidhjes globale
dhe refuzimi i dyerve të mbyllura shpreh kundërshtimin ndaj izolimit, kufijve
fizikë apo shpirtërorë që pengojnë rrjedhën e lirë të njerëzve dhe mendimeve.
Kërkesa për të "lënë të vijnë dhe të
shkojnë" përçon idenë e lirisë universale, dhe pasqyrojnë një filozofi
që pranon ndryshimin si thelbësore për përvojën njerëzore. Dhe të mos harrojmë,
ishte koha kur kërkohej nga Kosova që tu lejohej qytetarëve të saj qarkullimi i
lirë.
Pra,
këto vargje janë përtej kuptimit të tyre personal dhe traditës shqiptare të
pritjes së mikut, ato janë një meditim mbi nevojën për hapje dhe shkëmbime në
marrëdhëniet njerëzore e ndërshtetërore, dhe në këtë kontekst ato mishërojnë
një qasje universale ndaj jetës, ku lidhjet ndërtohen jo mbi kufizime, por mbi
liri dhe pranimi. Në këtë mënyrë, dera e hapur shndrohet në një simbol i
mundësive dhe takimeve që nuk duhet të ndalen kurrë, duke fituar një botë ku pritja
dhe largimi ndodhin në harmoni të plotë. Sigurisht nëna e Albina Idrizit nuk ka
mbaruar fakultetin e filozofisë, por ka përvehtësuar filozofinë e jetës dhe me
fjalë të thjeshta ua përcjell fëmijëve të saj.
V-
Ndërsa jemi në tension shpirtëror për të vijuar leximin, vargjet: "Po tani që erdha në fund, nuk di / të
shkruajta për nënën apo për Kosovën." na befasojnë me kulmin emocional
e refleksiv që mbartin, sepse sintetizojnë ndjenjat e poetes me ato kolektive,
duke i shndërruar ato në simbole universal, duke pasqyruar dualitetin e ndjesive të poetes, ku
figura e nënës dhe ajo e Kosovës shkrijnë kufijtë mes vetes dhe përfaqësojnë
një dashuri të pakushtëzuar dhe ndjenjë të thellë Në këtë varg, dilema mes nënës dhe Kosovës
është më shumë një pyetje retorike sesa një dyshim i vërtetë. Nëna dhe Kosova ,
në mënyrë të ndërthurur, simbolizojnë dy shtylla të qenies së autores:
dashurinë për individin më të shtrenjtë në jetën e saj dhe dashurinë për
atdheun, i cili përfaqëson rrënjët, kulturën, traditën, identitetin. Në këtë kontekst,
figura e nënës bëhet një metaforë e Kosovës, dhe Kosova merr cilësitë e një
nëne të dhembshur dhe sakrifikuese. Nuk gabojmë ne shqiptarët që atdheun e
quajnë “nënë”, pse ky emër përçon idenë se përkushtimi ndaj nënës dhe ndaj
atdheut janë dy forma të së njëjtës dashuri, të cilat nuk mund të ndahen.
Në
aspektin poetik, dilema nënvizon marrëdhënien (gjithmon të ndërlikuar) mes
individit dhe kolektivitetit. Duke shkruar për nënën, autorja shpreh dhimbjen
personale dhe të thellë për një figurë të dashur. Por në të njëjtën kohë, ajo
flet edhe për Kosovën, një atdhe që ndodhet në dhembje e mungesë lirie,
pikërisht si dhe nëna. Në këtë mënyrë, dhimbja për nënën bëhet zëdhënëse e
dhimbjes së një populli të tërë, duke i dhënë poezisë një dimension universal.
Të
ve në mendime vargu: "Bëj ç'të bësh,
dil nga legjenda" dhe pyet veten: për çfarë legjende e ka fjalëmn
poetja, pasi në asnjë varg nuk na ka dhënë ndonjë element të saj. Ah, po na ka dhënë
pritjen e motrës dhe ankthin e nënës, një Doruntinë që pret vëllain, (jo për ta
çuar te nëna, por), për të parë nënën. Shkuan shumë vite dhe ai spo vjen. Por
me siguri që do vijë: e ku ka vëlla që nuk vrapon te motra kur ajo e kërkon, ku
ka bir që nuk rend te nëna kur ajo ka nevojë për atë. Kostandini, vëllai i
Doruntinës për shkak të nënës dhe motrës rendi nëpër legjendë me kalin e bërë
nga dheu i varrit, por vëllai i Albinës do vijë me linjën ajrore, sepse tani
dhe qytetarëve kosovarë ju lejua lëvizja e lirë. Lere hapur portën Albina se do
vijë befas e do hyjë me vrull e, së pari do përgjunjet në prehërin e nënës dhe
ty do të të marrë në gjoksin e tij. Do tju përzihen lotët faqeve, por ani: lotë
gëzimi do jenë.
Kjo
frazë mbi daljen nga legjenda mund të shihet dhe në një aspekt tjetër, si një
thirrje për veprim, për dalje nga kufijtë e mitizimit dhe përballje me
realitetin. Nëna si simbol i Kosovës, dhe Kosova si simbol i nënës, janë
thirrje për mos qëndruar në pasivitet apo në idealizim të pajetë, por të ndërmirren
hapa konkretë që përqafojnë realitetin dhe ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
Në këtë formë, poezia tejkalon nostalgjinë e sentimentin, dhe shndrrohet në një manifest për veprim dhe
reflektim. Dhe shikoni thjeshtësinë e të shprehurit: “Bën ç'të bësh dil nga
legjenda”, sikur ti thotë: “bën ç'të bësh, kalo nga shitorja e blej ca llokume
se do presim miq”, por në fakt duke menduar dimensionin e saj të duket se është
Doruntina që së largu e fton vëllain të
vijë ta marrë e ta shpjerrë te nëna, sipas fjalës së dhënë.
V-Poezia
e Albina Idrizit "Letër", është thellësisht simbolike, duke përdorur
figurën e nënës dhe atdheut një narrativë që shkon përtejë ndjenjave personale,
drejt një universi më të gjerë e kompleks të përvojave. Simbolizmi pasqyron lidhjen e pazgjidhëshme mes dashurisë
familjare dhe asaj për vendin, duke i ngritur këto ndjenja në nivelin më të
lartë shpirtëror e filozofik.
1.Në
këtë poezi, nënës i atribuohen cilësi të shenjta dhe të patjetërsueshme, duke u
shndërruar në simbol të atdheut dhe të një historie të dhimbshme. Figura më e
bukur dhe më e fuqishme simbolike është ajo e nënës, në rolin e një mbrojtëseje
të dashur, të qëndrueshme dhe të përkushtuar, e cila përpiqet t’i ruajë fëmijët
nga vështirësitë dhe padrejtësitë e botës. Ky simbol është i lidhur ngushtë me
përvojën e Kosovës, ku populli ka kaluar përmes periudhave të mundimshme dhe të
vështira.
Në
këtë kontekst, nënës, si figurë e dashurisë dhe e sakrificës, i atribuohet
fuqia për të mbajtur “digën e skamjes”
dhe për të ruajtur “lumturinë e fëmijëve”,
e cila mund të shihet si një paralelizëm me popullin që përpiqet të mbijetojë
dhe të ruajë dinjitetin e tij në kushte të vështira.
“Zemra
e nënës” është simboli i sakrificës, por edhe i vazhdimësisë e mbijetesës. Vargu me zemrën e nënës
përfaqëson sakrificën e tipit legjendë që bën nëna, duke mos kundërshtuar, mallëkuar
apo penguar birin e saj të kryejë aktin më të pashëmbullt criminal (vrasjen e nënës)
vetëm që ai të jetontë.
3.Një
tjetër simbol në poezi është ai i derës. Deri tani, simbolizmi i derës ka pasur
dy kuptime: një lidhur me mikpritjen tradicionale shqiptare dhe një më të
thellë dhe më universalisht human. Vargjet "Kërkon vazhdimisht të mbajmë derën hapur" dhe "lërini të vijnë, të vijnë, të vijnë, /
lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë" tregojnë për një kërkesë të
pafund për hapjen dhe mirëseardhjen e të gjithëve, si simbol i shpresës dhe solidaritetit
të njerëzve, pa dallime. Ky simbol thotë që dashuria dhe mikpritja duhet të
jenë të pranishme në çdo familje, si mundësi për shërimin e plagëve apo dhe hapësirë për unitet dhe pajtim.
4.Në
një nivel më të gjerë dhe më universal, simbolizmi i kësaj poezia mund të
kuptohet si thirrje për reflektim të thellë mbi identitetin, sakrificat, dhe
luftën për liri, të cilat janë pjesë e çdo kombi dhe çdo individi që ka
përjetuar padrejtësinë dhe mungesën e lirisë. Nënës dhe Kosovës u janë dhënë dimensione
të tilla saqë ato shndrohen të përjetshme dhe të pashlyeshme. Ky simbolizëm i
bën këto figura të tingëllojnë si tema universale, të cilat mund të përjetohen
nga kushdo që ka përjetuar dhembje dhe mundim në një nivel të ngjashëm. Pra,
poezia e Albina Idrizit është e mbushur me simbole, të cilat shtrihen nga
aspektet personale të poetes deri në ato universale të dashurisë, sakrificës e
shpëtimit.
VI-
Poezia "Letër" e Albina Idrizit ka disa elemente që shfaqen si tipare
postmodernizmi, duke nisur nga shkrimi i saj, që thyen ndarjen mes traditës dhe
inovacionit, dhe gjer te përdorimi i formës dhe strukturës në mënyrë të
papritur dhe të hapur për interpretime. Ja disa nga aspektet postmoderniste që
mund të evidentohen në këtë poezi:
1.
Postmodernizmi e trajton individin si të lidhur ngushtë me grupin dhe historinë
e tij, por pa arritur një kuptim të plotë dhe të njëtrajtshëm. Poezia e Idrizit
ka këtë tipar në mënyrën se si ndërthur lidhjen personale me Kosovën dhe
historinë e saj. Vargjet që shprehin pasionin për nënën dhe atdhenë, si dhe
përpjekjet për të artikuluar një dashuri sa personale aq dhe kolektive, janë
një reflektim i postmodernizmit, që refuzon çdo ide të një kuptimi të plotë dhe
të njëtrajtshëm të historisë dhe identitetit.
2.
Postmodernizmi shpesh luan me historinë dhe përdorimin e saj, duke e
transformuar atë në një tekst të vazhdueshëm, gjithmonë në ndryshim dhe i
pasigurt. Vargu "Po e mbaroj këtu
vëllaçkoja im, / po tani që erdha në fund, / nuk di / të shkruajta për nënën /
apo për Kosovën" është një pasqyrë e këtij disavantazhi historik:
poetja nuk e shpjegon qartë nëse flet për një temë ose një tjetër, sepse ato
janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe nuk mund të shfaqen të ndara. Kjo poezi
ka elemente të postmodernizmit, pasi ai krijon një ndjesi pasiguri dhe
interpretimi të kuptimeve pa fund, tipar ky i njohur i postmodernizmit.
3.
Në shumë poezi postmoderne, është e zakonshme që forma të shkruhet në mënyrë të
lirë dhe pa ndjekur rregulla tradicionale të ritmit dhe vargjeve. "Letër"
është një poezi që nuk u përmbahet rregullave klasike të vargut, por ka një
rrjedhë të lirë, dhe të pasigurt, që shpesh është karakteristike e
postmodernizmit. Forma e poezisë shfaqet si një bisedë e natyrshme me veten, me
vëllain, dhe me lexuesin, formë që sfidon idenë e një strukture të përcaktuar
dhe të qartë.
4.
Postmodernizmi është i njohur për shumëkuptimësinë dhe fragmentimin e kuptimit,
që janë pasqyra të realitetit të pasigurt e të shumëanshëm. Vargjet e poezisë
"Po e mbaroj këtu vëllaçkoja im, /
po tani që erdha në fund, / nuk di / të shkruajta për nënën / apo për Kosovën"
janë një shembull i kësaj: autorja e vë veten në një pozicion ku nuk mund të
ndahet ajo që është personale (dashuria për nënën) nga ajo që është kolektive
(Kosova si atdhe dhe simbol). Ky fragmentim dhe mospërputhje e kuptimit është
një element tipik postmodernist, ku nuk ka një kuptim të qartë dhe të
njëanshëm.
Si
përfundim mund të themi se poezia “Letër”e Albina Idrizit dallon për
ndjeshmërinë dhe thellësinë e saj, duke arritur të krijojë një ekuilibër të
rrallë mes ndjenjës personale dhe universalitetit. Me një gjuhë të thjeshtë por
të ngarkuar me simbolikë, ajo depërton në shtresat më të thella të përvojave njerëzore,
duke përfaqësuar dhimbjen, dashurinë dhe shpresën me një forcë artistike që
mbetet në kujtesë, madje forma e saj si një letër dërguar vëllait për të ardhur
të shohë nënën I bëhet tepër familjare lexuesit. Poetja krijon një botë poetike të pasur, ku imazhet
dhe emocionet flasin njëkohësisht për intimitetin familjar dhe identitetin
kolektiv të një populli. Aftësia për të ndërthurur dimensionet personale dhe
historike, duke ruajtur një ton delikat dhe reflektiv, e vendos këtë poezi ndër
krijimet më të arrira të poezisë bashkëkohore shqiptare. Kjo është një poezi që
jo vetëm prek, por edhe frymëzon, duke ftuar lexuesin të reflektojë në nivele
të ndryshme të përjetimit njerëzor.
Sarandë, më nëntor 2024
________
Albina Idrizi
Letër
Nëna
nuk është mirë, vëlla
shpeshherë
ngre dorën
dhe
të fshin ballin
thua
se nuk je kaq detra larg.
E
ndien edhe ti?
Sepse,
krahë më të gjatë se të nënës
e
sy më të thellë se të sajtë
unë
kurrë nuk kam pa.
Të
kujtohet si na rrëfente baba
për
zemrën e nënës në dorën e djalit
që
klith nga dhimbja
kur
ai rrëzohet?,
nëna
e jonë paska qenë.
Po
ajo që mban digën e skamjes
dhe
nuk e ndal këngën
të
mos e trembë vërshimi
lumturinë
e fëmijëve?,
nëna
e jonë paska qenë.
Gjithë
nënat që dijmë, gjithandej
nëna
e jonë paskan qenë.
Nganjëherë
i vë gishtin gulçeve,
të
mos na dëgjojnë lulet, thotë
dhe
çuditem nga i ka mësuar
metaforat
e poezisë sime.
Kërkon
vazhdimisht të mbajmë
derën
hapur,
(ti
e di, nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura),
dhe
se kujt i hakërrehet -
lërini
të vijnë, të vijnë, të vijnë....
lërini
të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë...
pastaj
sërish nga fillimi.
Po
e mbaroj këtu, vëllaçkoja im,
por
tani që erdha në fund,
nuk
di
të
shkruajta për nënën
apo
për Kosovën.
P.s.
Bëj
ç'të bësh, dil nga legjenda