Mendime
Florim Zeqa: Politikanët karrierist antipod i demokracisë!
E enjte, 05.12.2024, 06:24 PM
Politikanët karrierist antipod i demokracisë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Politikanët
karrierist dhe të papërgjegjshëm duke e trajtuar politikën si art i së
mundshmes për pasurim nga pushteti e jo si proces demokratik në ndërtimin e
shtetit, e kanë kthyer pluralizmin politik në antipod të demokracisë!
Politikat
shtetërore nuk bëhen në çajtore dhe lokale të natës
Politikanët
e papërgjegjshëm më shumë bëjnë politikë në rrjetet sociale sesa në zyrat
partiake, përkatësisht në institucionet e shtetit. Askund tjetër në botë
përveqse në hapësirat ballkanike, e veçanarisht tek shqiptarët, politikat
shtetërore zhvillohen nëpër kafene dhe lokale të natës!
Politikanët që nuk arritën të krijojnë
mirëqenje qytetare për 25 vjet nga çlirimi i vendit, i kanë politizuar këta të
fundit dhe jo vetëm. Politikanët në pushtet dhe opozitë i kanë ndarë dhe
përçarë qytetarët siq është më së keqi.
Politikanët që nuk arritën të krijojnë
kushte për jetë normale të qytetarëve, nuk arritën ta zhvillojnë as
demokracinë. Në vend të demokracisë e instaluan anarkinë ligjore dhe pabarazinë
qytetare.
Antipodi i demokracisë është autokracia
dhe anarkia totale në të gjitha institucionet e vendit. Pushteti aktualë më
shumë i nganë regjimeve autokratike sesa atyre demokratike. Këtë e dëshmon
shkëputja e liderëve shtetërorë nga interesat e qytetarëve!
Për këto 25 vite të pushteteve
antipopullore ndodhën abuzime të panumërta me pushtetin, gjegjësisht zhvatje
serike të buxhetit të shtetit dhe për habi askush nga pushtetarët nuk ranë në
grepin e drejtësisë!
Ndërrimet
kozmetike në parti nuk sjellin ndryshim në qeverisjen e vendit
Edhe
përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, mentaliteti qeverisës mbeti i
njëjtë dhe i pandryshueshëm. Nga njëra qeveri tek tjetra u barten të gjitha
dukuritë negative, filluar nga korrupsioni i lartë qeveritarë, krimi i organizuar,
nepotizmi, tenderomania dhe haraqi i legalizuar qeveritar në këmbim të
realizimit të një drejte të garantuar me ligj për qytetarët (mërgimtarët).
Edhe përkundër ndërrimit të pushteteve,
skena politike dhe Parlamenti mbetën me njerëz të njejtë dhe të tejëkonsumuar.
Në skenën politike më shumë ka politikan të korruptuar sesa të ndershëm. Në
sistemin e drejtëisë, përfshirë të gjitha hallkat e tij, më lehtë avancohen të
korruptuarit sesa të merituarit.
Në administratën publike nuk mund të
punësohen kuadrot e diplomuara me 10-she në universitet, por vetëm ngelcanat e
shkollave të mesme dhe servilët e pushtetarëve, punësohen vetëm familjarët e
politikanëve dhe militantët partiak!
Ky është sistemi "demokratik" i
antivlerave dhe maskarallëkut njerëzorë që i ka shtrirë rrënjët në të gjitha
partitë dhe segmentet e sistemit qeverisës të vendit tonë!
Në të gjitha proceset elektorale të pas
luftës vota e qytetarëve u shfrytëzua vetëm për qëllime përsonale të
politikanëve dhe familjarëve të tyre e jo për interesin e përgjithshëm të
zhvillimit të vendit dhe ndërtimit të barazisë qytetare!
Si pasojë e pabarazisë qytetare dhe
denigrimit social, kemi rritje të varfërisë së skajshme e cila ka rezultuar me
largime masive të popullatës nga Kosova.
Dëshprimi
i të rinjëve në institucionet e shtetit është i madh dhe i pariparueshëm shkaku
i mos respektimit të kritereve vlerësuese të meritave të tyre nga politikanët
hilqarë të cilët i emërojnë në poste publike dhe shtetërore të afërmit e tyre
pa konkurse dhe pa përmbushjen e asnjë kriteri bazik për mbulimin e një vendi
të punës në ministri apo administratë publike në të dyja nivelet e qeverisjes!
Florim Zeqa
01.12.2024