Kulturë
Hamza Halabaku: Ta kam lakmi që nuk i sheh këta horra
E enjte, 05.12.2024, 06:53 PM
TA KAM LAKMI QË NUK I SHEH KËTA HORRA
(Letër
imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili)
Nga
Hamza Halabaku
I dashuri Zejnullah,
Shpesh po të vizitoj atje, në Gurinën
tënde, në Kokaj të Karadakut, ku trupi yt prehet i qetë, sipas amanetit tënd, që t’i kthehesh vendlindjes
për të pushuar përmotshëm në amshim. Por, një dorë e ligë, një dorë horri e
shkuar horrit, që dora iu thaftë atij xhahili, tentoi t’ia prishte
madhështinë varrit tënd, duke e thyer gurin
e varrit, atë pllakë ku ishte i skalitur emri yt dhe ditëlindja e
ditëvdekja.
Po Ti nuk i bëre dot gjë të keqe askujt
në këtë botë, o miku im i urtë. Ti ishe i
mirë, i sjellshëm, i ndershëm, gojëmbël, i dashur, i ngrohtë! Kur na e
jepje dorën, ishe aq miqësor e i ngrohtë, sa zor të të gjendet çifti! Nuk e ke
merituar atë vandalizëm, siç nuk i meritojmë as ne të gjallët shumë e shumë
vandalë, të cilët po na sulen për çdo ditë.
Herën e fundit te varri yt, për ta vënë
një buqetë me lule, qeshë bashkë me mikun
tim, Sinanin, dhe me mikun tonë të
përbashkët, Ganiun. Duke e soditur
atë pllakë të gurit të varrit tënd, ashtu të copëtuar tash e sa kohë, nuk ke si të mos përfundosh se ajo
paraqet realitetin tonë të hidhur, që po e jetojmë nga veprimet e horrave tanë. Por, kjo skenë e shëmtuar ka të bëjë me ne
të gjallët, sepse shpirti yt jeton në mrekulli. E them ketë, jo vetëm
duke u bazuar në librat e shenjtë, por edhe
në mirësinë Tënde dhe besimin e patundur
që e kishe për të ardhmen e ndritur të Kosovës dhe popullit të saj.
U larguam nga vendi ku ti prehesh i
qetë me lutjen: “Zot, bekoje këtë shpirt njeriu! Zot, fali dritë Zejnës tonë të mirë!”
Unë e di se mbi tokë ecin shumë njerëz,
por shumë pak prej tyre lënë gjurmë të ndritshme, siç ka lënë shkrimtari
Zejnullah Halili (1945 - 2004).
*
Zejnullah i
dashur, ne që mbetëm ende në pritje për të ardhur te Ti në botën e amshueshme,
po shohim se në mesin tonë ka shumë horra e xhahilë.
O Zot, sa shumë kanë dalë tani në sipërfaqe. Auuuuuu, ka shumë dhe, vërtet,
duket sikur të dilnin nga nëntoka. Jo rrallë ta kam lakmi që nuk po i sheh e
nuk po i dëgjon këta horra që kanë shpirt egoisti e vandali. Jam i bindur se
xhahilët do të dënohen nga i madhi Zot!
Kur unë do të vijë në botën e
amshueshme, do të të tregoj shumëçka për kohën sa Ti fizikisht nuk ishe në
mesin tonë. Jam i bindur që nuk do të më
dëgjosh me ëndje, sepse më shumë do të të tregoj gjëra të këqija, jo pse
dua, por realiteti po e imponon kështu. Mua nuk po më pritet për të të treguar
disa gjëra, ndaj po të shkruaj Ty, miku im i
mirë, këtë letër, sepse Ti kurrë nuk qe vetëm shikues dhe vëzhgues, por
gjithnjë qe krijues dhe pjesëmarrës i qenies njeri, që ofron, nderon e lumturon.
Po të shkruaj dhe po të njoftoj për ato që po ndodhin në Kosovën tonë. Mos
ma shih për të madhe që renditjen e kam bërë ashtu siç po më vijnë në mendje
bëmat dhe të pabërat tona.
*
Një ditë në qytet hyja nëpër dyqane,
kërkoja diçka që më duhej dhe, kur hyja, përshëndetja, si zakonisht, me “mirë dita”! Natyrisht, sikur jemi përshëndetur përherë! Askush nuk ma kthente përshëndetjen.
Ata pritnin që unë t’i përshëndesja në një gjuhë të huaj. Jo, nuk i përshëndes
në gjuhë të huaj, se Naimi ynë i madh për gjuhën shqipe ka thënë se është “Gjuh’ që flisnin Perënditë”...
*
Të kujtohet kur u takuam njëherë, aty
ku takoheshim, në Kodrën e Diellit, pas
luftës së fundit dhe binim teposhtë për në qytet e bisedonim për punët e
Kosovës tonë.
Të dy e donim
presidentin Ibrahim Rugova, se vërtet e kishte me
zemër punën e lirisë e të pavarësisë sonë. Po jo vetëm ne, e donin pjesa dërrmuese
e shqiptarëve, hiq ata që ia kishin shitur
shpirtin djallit. Bile, kur votoi populli, më shumë se nëntëdhjetë për
qind e votuan për të parin e vendit. Atë e kishim më të mirin! Se, pa asnjë
interes, doli i pari që të mbronte popullin
shqiptar dhe Kosovën tonë. Të tjerëve nuk ua mbante! Tani ka të atillë
që hedhin gurë e dru mbi emrin e tij.
Ruana Zot nga të paditurit!
Bile, bile, kur të pata treguar se e
kisha dëgjuar një plak të urtë duke thënë se ai, Ibrahim Rugova pra, akademik Mark Krasniqi dhe profesor Fehmi
Agani, e kishin me zemër punën e pavarësisë dhe të lirisë së Kosovës, edhe Ti e pohove se vërtet presidenti
Rugova ishte i pahile.
Të tjerët, pati thënë plaku, e kanë me
hile...!
Tani, atje, në botën e amshuar, Ti
ndoshta je takuar me presidentin Rugova, akademikun Mark Krasniqi e profesor
Aganin. Vetëm këta, si duket, vërtet e kishin pasur pa hile...
Mos u thuaj gjë për këto punët tona të
liga për të cilat po të tregoj, se, pale, u
vjen keq, sa shumë janë përpjekur për ne e, si po të tregoj, puna është
jo edhe aq mirë...
Uroj që atyre të mos u shkojë puna huq.
Ama, puna nuk është edhe aq mirë!
Tani hiletë kanë dalë për fushe...
*
Kur arritëm afër Sallës “Një Tetori”,
për të njëjtën ditë të takimit tonë e kam fjalën kur lëshoheshim teposhtë për të rënë në qytet, të pata
treguar se isha takuar me një të sapoliruar nga burgu. Është nga ana
jonë ai. Të pata thënë se “më ka lënë pa mend” në një takim në Shoqatën e
Pavarur të Juristëve të Kosovës. Kur më pate pyetur - pse të paska lënë pa
mend, të pata thënë se ishte shumë i informuar, ishte shumë i ditur, i priste
gjuha, ishte i arsyeshëm e të tjera e të tjera... Të pata folur shumë për
aftësitë e tij. Ti, i dashuri mik, më pate thënë
se ai nuk ka asnjë rreth të diturisë më shumë se ne të tjerët! Atëherë
thoshim se dituria është rrathë-rrathë, dikush e ka rrethin më të vogël ose më
të ngushtë, e dikush më të gjerë ose më të madh! Si ne të tjerët, më pate
thënë!
U habita me Ty! Dyshova, mos e kishe
nga xhelozia.
Të kërkoj falje, miku im. Ti nuk kishe
qenë fare xheloz. Kishe pasur shumë të drejtë!
Më pas e kam kuptuar se Ti nuk kishe
qenë fare xheloz, por kishe qenë më i ditur se unë! Unë tani po e kuptoj se ai
nuk kishte qenë as më i ditur se Ti e se shokët e tjerë të brezit tonë! Të
kërkoj falje për sa të pata thënë atëherë, për të sapoliruarin nga burgu.
*
Miku im i dashur, shumë njerëz e kishin
pasur me hile. Këtu, kohët e fundit, po ndodhin gjëra të tmerrshme.
Po ia nis nga fillimi.
Nga klasa e parë e shkollës fillore
është tmerr! Në kushtet tona ballkanike, Ministria e Arsimit propagandon një
sistem arsimimi si për fëmijët e Parisit a
të Vjenës. Në anën tjetër, politika është futur me të dy këmbët në
shkollat tona. Edhe nxënësit e klasave të treta ose të katërta janë mësuar që
të protestojnë. Për çfarëdo qoftë, dalin në rrugë e protestojnë. Vetëm ua bën
dikush me sy, e ata dalin nga dhomat e mësimit dhe thonë se janë në protestë!
Arsimi ka degraduar shumë, që nga klasa
e parë e deri tek ai universitar. Ata që janë në pushtet mund të marrin diploma
çfarë të duan. Bëhen magjistra e doktorë shkencash, në daç në Universitetin e Prishtinës, në daç në atë të
Tiranës, se për universitetet private as të mos flasim. Uh, uh, kemi
bërë universitete e universitete. Në çdo 30 kilometra e kemi nga një, qoftë
publik, qoftë privat. Për sa u përket diplomave, kurrë nuk kemi pasur më shumë
njerëz me diploma, ndërsa për sa i përket dijes - është pikëpyetje e madhe.
Njerëz me diploma kemi mjaft, edhe për eksport, ama këto shtetet e Evropës nuk
na i pranojnë bash lehtë diplomat. Bëhen mësues, drejtorë shkollash, profesorë
të të mesmeve dhe të fakulteteve ditën e
s`ditën. Pra, për të ditur e të paditur e kam fjalën. Po pate të holla,
ose po dite dallavere, mund të bëhesh
asamblistë në kuvendin komunal, po edhe kryetar komune, pastaj edhe
deputet. Mund të bëhesh ministër a zëvendësministër. Po pate përkrahjen e
partisë, mund të bëhesh çka të duash! Nuk ka rëndësi fare dija...
O Zejna im i mirë, janë kacafytur edhe
profesorët e fakultetit para studentëve! Po, po, janë rrahur me grushte! Janë
grushtuar, pra!... Dhe ti mos mendo se mospajtimi ishte për ndonjë çështje
parimore, jo, jo, ishte për interesa të tyre individuale.
Tani edhe presidenti i Republikës sonë,
në mëngjes thotë diçka, që askujt nuk ia merr mendja se e ka mirë, e pasdite e
ndryshon qëndrimin. Me gjasë i thotë dikush
se e ke bërë bërllok! E pastaj ose thotë se nuk e kanë kuptuar gazetarët
fjalimin e tij ose nuk ka thënë ashtu si e kanë kuptuar ata!
Pastaj, ka gjëra që të lënë edhe më
shumë pa mend. Deputetët, të cilët rrahin
gjoks se erdhën aty me votën e popullit, në mbledhjet e tyre përmendin edhe fjalë të ndyta. Para kolegëve deputetë e
deputete, para kamerave televizive, që përcjellin sinjalin te populli,
nuk kursehen fare nga fjalët banale. Unë nga Gjermania e kam parë dhe e kam
dëgjuar kur njëri nga deputetët ka thënë: “Nëse ne e kemi kthyer kryet nga
Beogradi, ju ia keni kthyer b...”. Pra, ai deputet fjalën e kishte për opozitën
dhe për prapanicën e tyre. Po mua më vjen turp ta them si e ka thënë ai, madje
më vjen turp edhe t’ia përmend emrin atij deputeti, sepse nuk e vlen as t’i
përmendet emri.
Eh, more miku im,
nganjëherë bëhet rrëmujë para foltores, sepse nuk mjafton që
deputetët dinë të shahen, por edhe gjuhen me
ujë, gjuhen me shishe të
plastikës, po përdorin edhe gaz lotsjellës, qe besa. Sikur ta dije Ti kush
është bërë deputet a deputete, habitesh...
Të kujtohet, në fillim të vitit 1990,
ata muajt e parë të atij viti, kur delegatët serbë të Kuvendit të Kosovës e
bllokonin foltoren e Kuvendit e nuk i linin delegatët shqiptarë të flisnin!?
Ata e kishin edhe policinë edhe ushtrinë e
Serbisë, e cila u dilte zot. Jo vetëm që e bllokonin foltoren, po nganjëherë
i fiknin edhe dritat, ulërinin në sallë e çfarë nuk bënin.
Tani kjo po ndodh në Kuvendin e Republikës
së Kosovës, deputetët shqiptarë zihen mes vete. Aty ka edhe deputetë serbë,
shumica janë me vendet e garantuara që i kanë, e jo me votën e popullit. Tani
deputetët serbë bëjnë sehir duke i shikuar deputetët shqiptarë si zihen mes
vete.
Edhe në atë të Republikës së
Shqipërisë, njësoj si këta në Prishtinë!
E çuditshme, apo jo!
Më vjen keq që ndoshta po të dëshpëroj,
po vërtet kështu është puna.
Një ditë, dy deputetë, derisa ishin
duke debatuar me njëri-tjetrin në njërin nga televizionet tona (uuuuu, sa
shumë televizione kemi tani, është për t’u habitur), nisën ta shanin
njëri-tjetrin. U shanë shumë keq. I pashë në reprizë! Kur qe drejtpërsëdrejti,
qeshë i shtrirë në spital, por më tregoi bija ime. Kur e pyeta se si janë
sharë, cili e ka sharë i pari, e pyetje të tjera, ajo më tha: Jo, babi, unë nuk
mund të të tregoj, si janë sharë ata, se më vjen turp. Mund t’i shohësh në “You
Tube”, më tha ajo. E pyeta pastaj bashkëshorten time, se edhe ajo i kishte parë
“live”. U habita, edhe ajo më tha se i vinte turp të tregonte se si e kishin
sharë njëri-tjetrin. Shikoje në “You Tube”,
si të tha Vatra. Më tha edhe bashkëshortja ime! Kur i pashë në këtë “You
Tube”, para kamerave televizive, vërtet ishin sharë e përsharë, tani edhe mua
më vjen turp të tregoj në origjinal dhe në fund shkëmbyen grushte!
Kjo më kujtoi
kohën e artë të boksit kosovar, kur në sallën “Një Tetori” Mehmet Bogujevci e grushtonte Ace Rusevskin, nga klubi i boksit të “Kumanovës”.
Të kujtohet çfarë ekipi kishte Klubi i
boksit “Prishtina”? I patën mundur të gjitha
klubet e boksit në tërë
Jugosllavinë. Më shumë se pesë vjet qenë të parët në tërë Jugosllavinë! Lah
Nimani i përgatiste me zemër boksierët e Prishtinës!
Na marruan krejt këta udhëheqësit tanë.
Nga baza e deri në nivelin më të lartë! Këto gjëra po i shohin edhe fëmijët,
vajza e djem, gra e burra, pleq e plaka.
*
Nuk do të më besosh, nëse të tregoj se
tani nxënësi nuk e do mësuesin, studenti nuk e respekton profesorin, ministrit nuk ia ndien për kryeministrin,
deputeti i parlamentit nuk e dëgjon kryetarin e parlamentit. Presidenti thotë
diçka, e kryeministri diçka tjetër! Mos pyet, mos pyet!...
Për këto do të të shkruaj njëherë
tjetër.
Paç dritë, miku im! Kërkoj ndjesë se e
stërzgjata këtë herë!
(Nuremberg, 13 korrik 2019)