| E merkure, 04.12.2024, 07:50 PM |
Demokristianët e Vjenës kërkojnë sqarime nga kryesia dhe kryetari i partisë Zef Morina
Nga Anton Marku
Në një
shkresë të datës 23 nëntor 2024 drejtuar kryesisë së Partisë Shqiptare
Demokristiane të Kosovës (PSHDK) përmes kryetarit, Zef Morina, duke shprehur
shqetësimet mbi zhvillimet e fundit me të cilat u karakterizua Kuvendi Zgjedhor
i PSHDK-së, mbajtur me 3 nëntor 2024 në Gjakovë, dhe në veçanti lidhur me
sfidat me të cilat po ballafaqohen bashkësitë e degëve dhe degët e këtij
subjekti politik në mërgatë, me theks të veçantë në Austri, demokristianët e
Vjenës njoftojnë opinionin publik lidhur me sa vijon:
PSHDK është
themeluar me 4 nëntor 1990. Që nga atëherë ajo ka shtrirë aktivitetin e saj
edhe në mërgatë, kryesisht në Zvicër, Gjermani dhe Austri, ku, që nga fillimi i
viteve të 90-ta të shekullit të kaluar ajo ka qenë aktive, kryesisht në qytetin
e Graz-it. Me 10 maj 2009 u themelua dega e PSHDK-së në Vjenë, ndërsa pak kohë
më pas edhe në Wiener Neustadt, si dhe një degë provizore në Amstetten. Së paku
që nga viti 2014 asnjë nga degët e PSHDK nuk ka qenë aktive, ndërsa së paku në
8 vitet e kaluar nuk është mbajtur, në mënyrë statutare dhe legjitime, asnjë Kuvend
i Bashkësisë së Degëve (BD) të PSHDK në Austri. Kjo nënkupton se në nivel të BD
të PSHDK nuk ka struktura aktive (kryetar dhe kryesi) me vetë faktin e
pasivizimit të saj.
Me 6 tetor
2024 anëtarësia e PSHDK-së në Vjenë, me vetiniciativë dhe në praninë e 46
delegatëve si dhe të Arbër Prenaj, të deleguarit nga kryesia qendrore e partisë
me seli në Prishtinë, ri-themeloi degën e PSHDK-së duke zgjedhur kryetarin, dy
nënkryetarët, sekretarin, arkëtarin dhe anëtaret tjerë të kryesisë.
Andaj,
demokristianët e Vjenës, për hir të informimit transparent dhe përmbajtjesor të
anëtarësisë lidhur me zhvillimet e deritanishme në përfaqësimin politik të
demokristianëve në Austri, kërkojnë nga Kryesia e PSHDK-së dhe kryetari i saj,
Zef Morina, që të ofrojë, me shkrim. sqarimet lidhur me pikat në vazhdim:
· Sa degë të PSHDK-së ka momentalisht dhe Austri, cilat
janë ato dhe cilat prej tyre kanë mbajtur kuvende zgjedhore dhe dërguar delegatë
në Kuvendin Zgjedhor të PSHDK-së mbajtur me 3 nëntor 2024?
· Cilat janë strukturat udhëheqëse të degëve të PSHDK-së në
Austri (emrat e kryetarëve, nënkryetareve, sekretareve dhe arkëtarëve)?
· Kur, ku dhe nga kush janë organizuar kuvendet e degëve te
PSHDK-së në Austri në së paku dhjetë vitet e kaluara (procesverbalet, listat e
pjesëmarrësve, etj.)
· Kur, ku dhe nga kush janë organizuar kuvendet e Bashkësive
të Degëve (BD) të PSHDK-së në Austri në së paku tetë vitet e kaluara
(procesverbalet, listat e pjesëmarrësve, etj.)
· Kush është përfaqësues i demokristianëve të Austrisë në Këshillin
e Përgjithshëm të PSHDK-së, nga kush është
propozuar dhe cili është legjitimiteti i tij?
Në mungesë të përgjigjes nga strukturat
partiake dhe kryetari i partisë, Zef Morina, kjo shkresë bëhet publike dhe
do të ju dërgohet te gjitha palëve të interesuara, përfshirë edhe Këshillin Qendror
të Zgjedhjeve (KQZ)
Shkresa
është e nënshkruar nga Anton Marku, kryetar i degës së PSHDK-së në Vjenë.
https://www.facebook.com/profile.php?id=61566789342802
Vjenë, 1 dhjetor 2024