| E hene, 02.12.2024, 08:14 PM |
Bisedë me aktorin Gani Veseli nga Presheva
Arti
dhe teatri janë forca të mëdha në ruajtjen dhe promovimin e identitetit
kombëtar
Nga
Sevdail Hyseni
Një nga momentet më sfiduese ishte kur u
përballëm me ndalimin e filmave tanë. Ishte një moment që më mësoi sa e
rëndësishme është të jesh i guximshëm dhe të mos dorëzohesh kurrë. Gjithashtu,
mësova se arti mund të jetë një armë e fuqishme kundër padrejtësisë. Forcën e
artit përmes ekranit e kemi në fimin “I pabesi”, në të cilin paraqiten ngjarjet
para 60 vjet, që shqiptarët kaluan nëpër shumë ditë të zeza dhe mendoj se çdo
familje shqiptare është ballafaquar me këto situata, që i kemi paraqitur në
film. Jetojmë në një shekull, ku ne shqiptarët duhet të jemi të bashkuar dhe të
japim mesazhe të mira qoftë përmes filmit, shfaqjes, politikës etj. sepse kemi
aq shumë histori, sa pak jemi duke punuar për ta shprehur përmes ekranit, ashtu
siç bëjnë shumë shtete të tjera, në fushën e financimit në filma dhe art në
përgjithësi. Thotë, midis tjerash, aktori Gani Veseli.
Çmimi “Aktori më i mirë”
për rolin tuaj në shfaqjen “Paraja” është një vlerësim i madh. Si e përjetuat
këtë sukses dhe çfarë domethënie ka për ju ky çmim?
Gani
Veseli:
Ky çmim është një nga momentet më të veçanta në karrierën time. Është një
vlerësim jo vetëm për punën time, por edhe për ekipin që më mbështeti dhe
publikun që na dha energjinë e duhur. Për mua, ky çmim është një motiv për të
punuar edhe më shumë dhe për të dhënë më të mirën në çdo shfaqje.
Në festivalin Teatri
shiptar në Dibër, me shfaqjen“Grafitet”, keni përfaqësuar Luginën e Preshevës,
ku rrëmbyet një çmim, që është një tjetër pikë kulmore për ju dhe teatrin e
qytetit të Preshevës. Çfarë mendoni se e bëri këtë shfaqje kaq të veçantë dhe
triumfuese?
Gani
Veseli:
Shfaqja “Paraja” kishte një mesazh universal, që lidhet me njerëzimin dhe
raportet e tij me moralin dhe lakminë. Bashkëpunimi me regjisorin Naser
Shatrolli ishte vendimtar; ai solli një vizion që preku zemrat e publikut. Për
më tepër, përkushtimi i gjithë ekipit ishte ajo që na dërgoi drejt suksesit.
Filmat tuaj, si “I
pabesi” dhe “Heshtja vret”, janë përballur me ndalime dhe akuza nga Gjykata e
Lartë në Vranjë. Si ndikon kjo situatë në krijimtarinë tuaj dhe çfarë mesazhi
dëshironi të përcillni me këto projekte?
Gani
Veseli:
Këto ndalime janë dëshmi e fuqisë që arti ka për të ngritur zërin ndaj
padrejtësive. Për mua, këto pengesa nuk janë arsye për të ndaluar, por një
shtysë për të vazhduar të flas për të vërtetën dhe për të mbrojtur të drejtat
tona. Këto filma nuk nxisin urrejtje, përkundrazi, ato synojnë të tregojnë
historinë dhe realitetin që shpesh injorohet.
Si e gjeti filmi i
ndaluar rrugëtimin e tij deri te
artdashësit?
Gani
Veseli:
Filmi "I pabesi", në regji të Musa Isufit dhe nga unë producent Gani
Veseli edhe pse i ndaluar nga organet shtetërore të Serbisë, e gjeti rrugën
drejt festivalit, tri netë film festival, në Zvicërë, ku ka marrë përfaqësimin
e Luginës, jashtë kufijve, ku para rastin para artdashësve të rrëfej për rrugën
dhe sakrificën e filmit. Drejtuesit e festivalit zvicran, na premtuan për
bashkëpunim dhe mbështetje në të ardhmen.
Duke qenë pjesë e skenës
artistike në një rajon me sfida të shumta, si e shihni rolin e artit dhe
teatrit në avancimin e kulturës dhe në mbrojtjen e identitetit kombëtar?
Gani
Veseli: Arti dhe teatri janë forca të mëdha
për ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kombëtar. Në Preshevë, ku sfidat
janë të shumta, arti është si një dritë që mban të gjallë shpirtin dhe kulturën
tonë. Përmes tij, ne tregojmë historinë tonë dhe i përcjellim brezave të rinj
vlerat që na mbajnë bashkë.
Cilat janë disa nga
projektet ose rolet që ju kanë lënë më shumë mbresa gjatë karrierës suaj? A ka
ndonjë rol që ende ëndërroni të luani?
Gani
Veseli:
Roli në “Paraja” është padyshim një nga rolet që më ka lënë më shumë mbresa.
Por edhe në filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” kam ndjerë një lidhje të fortë
emocionale. Sa për ëndrrat, do të më pëlqente të luaja një rol historik që do
të tregonte jetën dhe sfidat e një figure të rëndësishme shqiptare.
A mund të ndani me ne
ndonjë moment sfidues ose të veçantë nga karriera juaj që ju ka mësuar diçka të
rëndësishme si artist dhe si person?
Gani
Veseli: Një nga momentet më sfiduese ishte kur
u përballëm me ndalimin e filmave tanë. Ishte një moment që më mësoi sa e
rëndësishme është të jesh i guximshëm dhe të mos dorëzohesh kurrë. Gjithashtu,
mësova se arti mund të jetë një armë e fuqishme kundër padrejtësisë. Forcën e
artit përmes ekranit e kemi në fimin “I pabesi”, në të cilin paraqiten ngjarjet
para 60 vjet, që shqiptarët kaluan nëpër shumë ditë të zeza dhe mendoj se çdo
familje shqiptare është ballafaquar me këto situata, që i kemi paraqitur në
film. Jetojmë në një shekull, ku ne shqiptarët duhet të jemi të bashkuar dhe të
japim mesazhe të mira qoftë përmes filmit, shfaqjes, politikës etj. sepse kemi
aq shumë histori, sa pak jemi duke punuar për ta shprehur përmes ekranit, ashtu
siç bëjnë shumë shtete të tjera, në fushën e financimit në filma dhe art në
përgjithësi.
Cilat janë planet tuaja
për të ardhmen? A po punoni në ndonjë projekt të ri artistik që do të donit të
ndanit me publikun?
Gani Veseli: Aktualisht jam duke punuar në një shfaqje të re teatrale, e cila trajton tema që lidhen me jetën e përditshme dhe sfidat sociale. Gjithashtu, kam disa projekte filmike në plan, të cilat shpresoj t’i ndaj së shpejti me publikun. Synimi im është të vazhdoj të sjell art që frymëzon dhe bën ndryshim.