| E marte, 03.12.2024, 07:12 PM |
Shtrirja e sovranitetit në Veri, një mashtrim i madh!
Shkruan: Florim Zeqa
Situata e
krijuar në Veriun e Kosovës, është një problem i krijuar me qëllim të caktuar.
Një "Kalë Troje" në Ballkan për interesa ndërkombëtare. Pra, këtë
realitet ndarës nuk e ka krijuar populli i Kosovës, andaj si i tillë çfarë
është nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri.
Veriu,
bombë e kurdisur
Pavarësisht
faktit se qeveria aktuale e Albin Kurtit po mundohet t'ia atribuoj vetes
"suksesin" e përkohshëm në veri, është vetëm një mashtrim i madh për
qytetarët e Kosovës, i ndërtuar me dakordim me Vuçiçin në Bruksel për qëllime
elektorale!
Për të kuptuar më lehtë dhe më qartë të
ashtuquajturin "sukses" të qeverisë së Kosovës në Veri, mjafton ta
shikojmë realitetin. Strukturat paralele serbe nuk është që janë larguar nga
veriu, ato janë aty duke e pritur momentin e duhur për të vepruar sipas
urdhërave të qeverisë serbe në Beograd.
Loja e dyfisht e bashkësisë ndërkombëtare
për qëllim e ka stabilitetin e jo zgjidhjen e problemit në Veri. Në njërën anë
i mbështesin në heshtje veprimet e Albin Kurtit në Veri, ndërsa në tjetrën i
vëjnë sanksione Kosovës për të njëjtat veprime! Në njërën anë e mbështesin
lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në atë pjesë, ndërsa në tjetrën nuk
e lejojnë hapjen e Urës kryesore mbi lumin Ibër!
Ky standard i dyfisht i bashkësisë
ndërkombëtare përkthehet si mbështetje për serbët e veriut për të vazhduar me
idenë e krijimit të Asociacionit, duke e mbajtur në dorë fitilin e "bombës
së kurdisur për t'a aktivizuar në momentin që atyre ju konvenon për ndarjen e
sferave të interesit në Ballkan!
Tërheqja
taktike e strukturave paralele në Veri
Tërheqja
e strukturave paralele nga institucionet e Kosovës dhe bojkototimi i zgjedhjeve
lokale, është një hap i llogaritur mirë nga serbët e jo produkt i 'Qeverisë së
Kosovës' siq pretenton kryeministri aktualë Albin Kurti.
Tendenca e Qeverisë së Kosovës për të
paraqitur këtë zhvillim si sukses të politikës së saj, më tepër po e ndihmon
krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) në Veri sesa po e pengon atë.
Kjo është një politikë perfide nga e cila krijohet përshtypja tek qytetarët e
Kosovës sikur strukturat paralele nuk janë më aktive në Veri.
Në fakt, ky është një mashtrim i madh
përmes të cilit 'Qeveria e Kosovës' e ka krijuar iluzionin e fitores ndaj
strukturave paralele serbe në Veri, e që në fakt është përgatitje e terrenit
politik për nënshkkrimin formal të Asociacionit të dakorduar me Vuçiçin në
Bruksel dhe në Ohër, për t'a arsyetuar me presionet ndërkombëtare!
Anipse ngjarjet e fundit duken si hapa
drejt konsolidimit të sovranitetit në veri, faktet e thonë të kundërtën!
Kurdo që të mbahen zgjedhjet e reja
lokale, të rregullta apo të jashtëzakonshme, serbët e veriut përsëri do t'i
marrin institucionet lokale dhe gjithçka do të kthehet në pikën zero, me ç'rast
strukturat paralele do ta kontrollojnë sërish veriun dhe do ta pamundësojnë
funksionimin normal të institucioneve të shtetit të Kosovës në Veri!
"Fasadimi" i shtrirjes së
sovranitetit në veri i ngjanë fasadimit të Urës mbi lumin Ibër e cila vazhdon
të mbetet "mollë e ndaluar" për lëvizjen e lirë të automjeteve të
shqiptarëve të pjesës jugore të qytetit të Mitrovicës!
Veriu do të vazhdoj të mbetet "Kalë
Troje" mes serbëve dhe shqiptarëve dhe peng i interesave strategjike të
fuqive të mëdha.
Thënë ndryshe, shtrirja e plotë e
sovranitetit në Veri do të mbetet një iluzion për të gjitha qeveritë, përfshirë
edhe këtë në ikje, derisa do të realizohen objektivat ndërkombëtare në
Ballkanin Perëndimor.
Deri
atëherë, të gjithë akterët, në veçanti ne shqiptarët do të jemi vetëm
spektatorë të kësaj loje të planifikuar gjysëmshekulli më parë, ku 'gurët e
kufirit' do të levizen sipas orekseve të fuqive të mëdha në dëm të shqiptarëve
të ndarë, tani e 112 vjet më parë!
Florim Zeqa
25.11.2024