| E hene, 02.12.2024, 07:42 PM |
VENDLINDJA, FATET NJERËZORE DHE POEZIA
Nga
Mihal Gjergji
20
qershori është ditëlindja ime. Është bërë traditë festimi i përvjetorëve,
thuajse nga të gjithë. Edhe nga unë. Kjo ndodh për të prishur monotoninë e
ditëve. Më së shumti, ato janë të zbrazura dhe të zbehta, si fotokopje të njëra
tjetrës. Më ka ndodhur, që ndonjë ditë të tillë, ta kaloj në mënyrë të trishtë,
me shumë miq të munguar. Qirinjtë e tortës pikojnë dhimbje, vajtojnë vitet e
ikura. Edhe miqësitë e prera në mes. Por ti shikon fëmijët e tu dhe mbushe plot
shpresë. Ata ngjajnë me lastarët në rritje. Ëndrrat e tua të parealizura i
kërkon në sytë e tyre. Ata janë premtues. Brenda familjes ndjehesh si në
kopshtin magjepsës të Adamit dhe Evës. Në këtë përvjetor më uruan shumë miq dhe
dashamirës; përmes rrjeteve kompjuterike dhe telefonisë. U ndjeva mirë dhe
mendova të përgatit një urim të veçantë, enkas për ta. Po cili është urimi? Një
bisedë vërtet interesantë, të cilën po jua rrëfej më poshtë: Met Gjergji, poeti
i gjakut tim, kërkoi të takoheshim. Bëhet fjalë për një Krisht të braktisur nga
njerëzit pa gjak dhe pa Zot. Një dhimbje që ulërin. Me kë të flasë ai? Të
gjithë nxitojnë për të mbritur askundin. Më ftoi të pinim një kafe, të më
uronte për ditëlindjen dhe të bisedonim. Folëm gjatë, jo për artin, ndonëse ai
ka botuar më shumë se 10 libra, por për Gusmarin tonë, edhe pse aty qëndrojnë
bashkë; mjalti dhe vreri. Fisnikëria mbetet e pagojë. Ashtu flet më shumë, e
gdhëndur si mermeri, nën peshën e viteve e të halleve. Megjithatë, poeti
vazhdon te çliroje energjinë e një djali të ri, me sytë e bukur dhe plot dritë.
Paçka se ka vizituar më shumë se 160 vende, rikthehet me shumë mall te shkrepat
e vendlindjes. Unë dua t’i harroj shumë gjëra, ai kërkon t’i kujtojë. Kërkon të
kujtojë edhe ato retë e zeza të ngarkuara me breshër, që e përcollën kur iku
nga fshati. Ishte i vogël, kur nëna e tij Kajmeja, e ngarkoi në shpinë brenda
një djepi me dru lisi. U desh që të iknin larg, shumë larg, sepse hija e
biografisë i ndiqte prapa. Babai i tij u pushkatua në vitin 1945 në Delvinë,
duarlidhur mes dy shehlerëve. Edhe kur të vret, vendlindja të dhimbset. Ç’është
kjo forcë, që urdhëron në mënyrë të heshtur brenda shpirtit njerëzor dhe të
thotë: ktheu, merre bekimin e dheut tënd! E shikoj me dhëmbshuri këtë bohem,
ashtu, të strehuar brenda pikëllimit të tij, teksa endet vetmitar rrugëve të
qytetit të Durrësit. Të gjithë jemi pergjegjes për dramat që i shkaktojmë njeri
tjetrit, me heshtjen apo indiferencën tonë që merr formën e shtresës ndarëse
prej akulli. Ai ka tre fëmijë, si yje. Por ata ikën shumë të vegjël në Itali, me
eksodin masiv të vitit 1991, ju larguan traditës shqiptare, sepse duhej të
largoheshin prej dhimbjes dhe mjerimit ekstrem. Vajza është pedagoge e së
drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Lisbonës, në Portugali. Dy djemtë,
janë diplomuar në shkencat inxhinjerike dhe punojnë në dy kompani prestigjoze
perëndimore. Mirëpo ata ndjehen më shumë kozmopolitë sesa shqiptarë. Dhe kjo e
trishton pa masë poetin, e bën të vuaj, e mban nën torturë. E ç’është ai prind që s’i do fëmijët e tij?
Mirëpo, më shumë sesa dashuria e fëmijëve, burrin e kthen në familje mënçuria e
gruas. Gruaja…! Mos më thoni dhe ju si bashkëbiseduesi im, se delja e zezë do
zbardhet me kalimin e viteve. Si mund t’a besoj një lajthitje të tillë.
Krijimet e Zotit duken që në krye. Ai s’mund t’ia besojë njeriut ndryshimin apo
përsosjen e veprës së tij. Burrat e shkretë detyrohen të paguajnë gabimet e
mosnjohjes. Në moshën e rinisë, gjykimi i kthjellët dhe i ftohtë është i
prangosur nën pushtetin emocional të zemrës. Pikërisht në këtë moshë, sytë e humbasin
aftësinë e tejpamjes. Poshtë petaleve aromatike të trëndafilit, vështirë të
dallosh gjëmbat helmues…Ish studentja e tij u bë edhe bashkëshorte, me një
diferencë të konsiderueshme moshe. Boshllëku në kohë s’mund të mbushet. Jo
rrallë largësia e vendbanimeve, ndjesitë dhe perceptimet tërësisht të ndryshme
për jetën dhe njerëzit, bëjnë që besimi të lëkundet, pastaj të bjerë. Të
shembet sikur s’ka ekzistuar kurrë. Në shpirtin e poetit mbetet vetëm kulti i
ëmbël i dashurisë. Ç’është ai artist që s’do dëshironte të kishte në krahun e
tij një Desdemonë? Por ja që jeta të afron më shumë ëndrra, sesa mundësi dhe
fate. E gjykoj si të portretizuar enkas për mjedisin tonë, atë që Noli ka
shkruar për Tolstoin. “Gruaja nuk e deshi kurrë. Kjo qe një gjë e natyrshme
meqë dhe ajo ishte e vrazhdë sa vajzat kozake të Kaukazit. Dhe as që e kuptoi
ndonjëherë…Në qofshin të tilla bashkëshortet dhe fëmijët, atëherë është më mirë
të jesh pa ato. Dhe në qoftë kjo vetëvrasje e njerëzimit, atëherë le të
shfaroset dhe njerëzimi; universi do jetë më i bukur pa murtajën njerëzore në
këtë planet të mbrapshtë, ku jetojmë”. Kjo dhimbje më duket melhemi më i mirë
për dhimbjen e njeriut tim. Ja, këto biseduam me njëri tjetrin në takimin që
zgjati një orë. Prushin e asaj bisede, shpirtin e tij të trazuar por të mbushur
me mirësi, dashurinë e tij për vendlindjen, po ua sjell në pak vargje, të
kursyera, por shumë domethënëse:
Si
mund të lindja nën Ejfel
Kur
mund të lindja në Gusmar;
Ku
zogjtë çmenden në zabel
E
ujrat derdhen pa karar
Ku
borë e vjetër pret të renë
Dhe
stina stinën përshëndet
E
lulet që mbulojnë dhenë
As
njera-tjetrës nuk i ngjet
Dhe
diellit, që tej Azisë
I
shkelin syrin sapo del...
S’do
mënd që në Gusmar do lindja
Si
mund të lindja nën Ejfel?
Durrës, Qershor 2015