Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Libri në Manastir

| E diele, 01.12.2024, 07:44 PM |


Kadri Tarelli shkruan:

Libri në Manastir

Poezi

Shqip, ç’po këndojnë librat në Manastir!

Ku Profetët mbollën alfabetin tonë të artë.

Fjala kërkon shkronja, nëna lind një bir,

Pena dhe pushka, të flasin qartë, në kartë.

Shtrenjt u gatua kjo gjuhë e bekuar,

Martirët, pa kursim derdhën mund e gjak.

Shekujt dhe hasmi e donin të harruar,

Shenjtorët e ndezën në çdo vatër e konak.

O gjuhë e lashtë...., o gjuhë Perëndie!

Sot në Manastir, libri u ngjall përsëri.

Mbi këtë truall të lashtë, ardhur shenjtërie,

Shkronjat sollën dritë. S’durojnë robëri!

Eh .....! O vend i Shenjtë, qytet Manastiri....!

Në përjetësi do mbetesh qytet i shkronjave.

Mbledhur shqiptarisht si qumësht gjiri,

Shtrydhur madhërisht në sqep të shqiponjave.

S’durojnë errësirë shkronjëzat tona të zjarrta,

Nga lart përshëndet shqiponja mbi flamur.

Fluturon mbi dete, fusha, kodra dhe malet e larta,

S’shuhet lehtë gjuha shqipe! Shkruhet dhe në gur.

Kadri Tarelli

Vjeshta e tretë, 2024.