| E shtune, 30.11.2024, 07:53 PM |
POEZIA “KËRKON NJË RRUGË ARRATIE…?” SI REFUZIM DHE PËRBALLJE
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
e Odise Kotes, "Kërkon një rrugë arratie…?", hapet me një titull që
provokon mendimin dhe nxit reflektimin, pse e formuluar si pyetje, në pamje të
parë, duket si një adresim i hapur që kërkon një përgjigje nga heroi lirik apo
edhe nga vetë lexuesi. Pyetja bart në vetvete një dyzim: një dyshim mbi nevojën
për të ikur dhe një thirrje për introspeksion mbi arsyet që e shtyjnë këtë
arratisje. Me këtë hapje të dykuptimtë, poeti krijon një tension filozofik,
duke i dhënë gjithë poezisë një karakter meditimtar, thellësi reflektuese mbi
raportin e individit me botën që e rrethon, me sfidat e ekzistencës dhe me
dëshirën për liri e transcendence, diçka që shkon përtej kufijve të mendjes
njerëzore ose botës materiale. Titulli shërben si hyrje e fuqishme në një
rrëfim poetik ku arratisja realisht nuk është ikje, por është një refuzim total
i mediokritetit dhe përpjekje për t’i tejkaluar, kapërcyer kufijtë që shoqëria,
koha apo vetë njeriu i kanë vendosur jetës së individit. Vlen të theksojmë se
dhe forma pyetësore e titullit është krijuar për efekte artistike, pse poezia
në këtë mënyrë hap një hapësirë mendimi dhe ngre dilema, krijon një dialog me
lexuesin ose mes heroit lirik dhe ndërgjegjes së tij e të lexuesit. Në vetvete
pyetja nënkupton pasiguri ose kërkim për një përgjigje që nuk është e qartë,
ngre dilema ekzistenciale dhe mqse arratisja është refuzim, titulli shpreh një
moment kritik të vendimit: a do përballet apo do largohet heroi, dhe se përmes
pyetjes, titulli le të hapur pyetjen se kush është subjekti, mund të jetë heroi
lirik, por mund të jetë çdo individ që synon të kapërcejë kufijtë e
mediokritetit që e rrethon. Kjo gjithashtu e bën poezinë universale dhe
vargjet:
"Të shohin se je
gati të hipësh mbi kalë,
A mundesh shurdhimet,
pandehmat ti lësh pas,
a ti ndalësh?"
janë
tepër domethënëse.
I-Kote
e cilëson ikjen në titull si një arratisje, por në thelb ajo përfaqëson një
refuzim të qartë ndaj mediokritetit të jetës, gjë që lexohet në gjithë vargjet
e poezisë. Madje mund të konsiderohet dhe si rikthim për ti parë situatat
ndryshe. Heroi lirik nuk kërkon thjesht të ikë për t’i shpëtuar ndonjë rreziku,
ai synon të distancohet nga një realitet që e shtyp, e zvetënon dhe e shurdhon
shpirtërisht. E parë në këtë aspekt, kjo nuk është ikje e zakonshme, as një
refuzim formal, ky në thelb është një akt rebelimi, që shpreh revoltën e
individit kundër monotonisë, pasivitetit dhe shpërfilljes shoqërore që e
rrethon, kjo reflekton një ikje të vetëdijshme dhe të guximshme nga
mediokriteti, banaliteti dhe ngurtësimi i jetës së përditshme, madje përmban
edhe tiparet e një ftese për një rebelim civil, thirrje për ndërgjegjet e
përgjumura apo të tulatura. Në këtë kontekst te vargjet: "Arratia ka
ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur" lexojmë qartë se “arratisja”jo
vetëm që nuk është fizike, por
përkundrazi është një lëvizje heroike, e ndërgjegjshme drejt një qëllimi më të
lartë, ku ndërgjegje "e çmendur" simbolizon dëshirën për mos ju
nënshtruar normave kufizuese të shoqërisë. Po në këtë kontekst te vargu:
"A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas, a ti ndalësh?" heroikja
e individit shfaqet në aftësinë për të refuzuar gjithë zhurmat e kota dhe
thashethemet që pengojnë zhvillimin. Poetikisht ky refuzim shndrohet në një
simbol të shpëtimit shpirtëror.
Revolta
kundër mediokritetit është më e dukëshme në vargjet:"Dikush poshtë barkut
pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,"pse shfaq veprimet
mediokre të të tjerëve që synojnë ta ndalojnë heroin nga përpjekja e tij për
t'u ngritur mbi medriokitetin e shoqërisë. Është ky akt që simbolizon presionet
shoqërore për ta penguar individin në ngjitjen e tij (në jetë, profesion, art
etj) dhe për ta mbajtur atë në nulitetin shoqëror të përditshëm. Ndërkohë në
vargun “Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së
pjellës,"refuzimi shfaqet si formë ekzistence, si një proces i ngadaltë
shuarjeje për ata që nuk guxojnë të refuzojnë këtë mediokritet dhe të ecin
përpara në rrugën e tyre. Refuzimi i kësaj lloj ekzistence është thelbi i
heroizmit në arratisjen e individit.
Pra,
në thelb arratisja e shprehur nga Kote nuk është një arratisje në kuptimin
literal të fjalës, nuk është një largim nga jeta, por një akt refuzimi (të
mediokritetit) dhe përpjekje për të arritur një ekzistencë më të pasur
shpirtërore dhe sidomos më vetiake, më individuale. Poeti shpreh idenë se për
të gjetur kuptimin e jetës, njeriu duhet të ketë guximin të refuzojë
konformizmin dhe të përballet me pasigurinë e rrugës së tij të zgjedhur. Vlen
të themi se këto poezi, për nga mënyra dhe arti i trajtimit të temës dhe idesë
janë nga ato poezi që revolucionarizojnë letërsinë drejt universalitetit dhe
Odise Kote ka një kohë të gjatë që fton lexuesin në udhëtimin universal.
II-Heroi
lirik i Kotes nuk do thjesht të mbijetojë, ai do të jetojë si njeri. E parë në
këtë aspekt Kote nuk krijoi një poezi për temat dhe termat filozofike, ai
krijoi një poezi për realitetin shqiptar dhe në këtë kontekst është normale
pyetja se: cilat dukuri refuzon poeti? Heroi lirik i poezisë së Odise Kote që
"Kërkon një rrugë arratie…?", refuzon jo thjesht vuajtjen dhe mediokritetin
vulgar, por së pari refuzon një sistem vlerash të degraduara dhe një realitet
shqiptar të ngulfatur nga padrejtësitë, shtypja dhe mungesa e shpresës. Duke
dëshiruar jo vetëm të mbijetojë, por të jetojë me dinjitet njerëzor, ai refuzon
ato dukuri që përfaqësojnë kufizimet e shoqërisë shqiptare.
1.
Heroi lirik kërkon t’i shpëtojë realitetit ku individi është i ndëshkuar për
guximin e të menduarit ose të vepruar ndryshe, dhe në këtë aspekt jemi
dëshmitarë të ndëshkimeve të tilla vetëm pse individi kurajoz nuk është I
pëlqyeshëm nga shteti dhe partia në pushtet. Varësia nga pushteti dhe shteti politik lexohet lirshëm te
vargjet :
"Retë enden të
zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,
Dikush poshtë barkut
pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën…”
Këto
imazhe shfaqin pengesat e qëllimshme që i vihen individit për të mos arritur
lirinë e vërtetë, duke simbolizuar një mjedis të ashpër dhe mosbesues.
2.
Në realitetin shqiptar, shpesh individi përballet me një shoqëri të mbyllur në
mendësi mediokre, ku ndryshimi e përparimi shpesh konsiderohen apo vlerësohen
si kërcënime. Kemi qenë dëshmitarë të fakteve ku mendimi novator është refuzuar
vetëm e vetëm pse ishte mendim i dikujt tjetër dhe jo i “personalitetit” të
menduar apo emëruar. Në poezi, refuzimi ndaj këtij mediokriteti pasqyrohet në
pyetjen retorike:
"A mundesh
shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,
a ti ndalësh?"
duke
dëshmuar përpjekjen për t’iu larguar një shoqërie të ngurtësuar në disa kode e
doke, që në heshtje jo vetëm që nuk pranon transformimin, por pengon dhe ata
individë që synojnë.
3.
Heroi refuzon të nënshtrohet ndaj realitetit që pengon vetërealizimin dhe
ëndrrat. Kushdo mund të sjellë shembuj që vërtetojnë këtë rast pengimi të
ëndrrave të individit të penguara nga “shoqëria” zyrtare. Kjo nënkuptohet në
vargun:"Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur," të
cilat sugjerojnë një rebelim të brendshëm kundër kushteve që e kufizojnë
shpirtin krijues e me inisiativë dhe dëshirën për të jetuar një jetë
kuptimplotë.
4.Në
disa rreshta, poeti kritikon mungesën e solidaritetit e mbështetjes, madje dhe
sabotimin e përpjekjeve të atyre që kërkojnë ndryshim, kritikë që shfaqet te
vargu: "kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…" ku ky
imazh aludon për kundërshtinë dhe egërsinë që individi përjeton nga të tjerët
në një shoqëri të ngurtë dhe mosbesuese.
5.Duhet
të kemi parasysh një gjë, është shumë e vështirë të luftosh një praktikë jete
të ngurtësuar në mediokritet, kjo kërkon një heroizëm civil të njerëzve me
kurajo e vizion, mungesën e të cilës (heroizmit) poeti refuzon ta pranojë.
Poezia përmend një figurë mitike si shprehje e dëshirës për të rigjetur
heroizmin e dikurshëm dhe e sjell te vargjet:
"Më bujari, ai që
zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës,
afrohet të shndërrohet
në lëndë miti, me armë në dorë."
Kjo
dukuri më shumë simbolizon nostalgjinë për kohën kur vlerat shqiptare
mbështete-shin te trimëria, nderi dhe përpjekja për liri, të cilat në kohën e
sotme, jo vetëm që janë zbehur, por kujtohen si diçka e prapambetur.
E
parë në këtë aspekt poezia e Kotes nuk është thjesht një shprehje filozofike;
ajo është shnedrruar në një akt denoncues ndaj dukurive frenuese të realitetit
shqiptar si: shtypja, mediokriteti, mungesa e solidaritetit dhe vlerave
heroike. Poeti përmes pasazheve të fuqishme dhe simbolike, shpreh jo vetëm
refuzimin, por edhe një dëshirë të thellë për një jetë aktive, të ndershme,
dinjitoze dhe të lirë.
III-Duke
e parë poezinë si një akt denocues, natyrshëm lind pyetja në se mund të shihet
ajo si një poezi sociale? Në përgjigje themi se kjo poezi mund të shihet si një
poezi që përfshin elemente sociale, por ajo nuk kufizohet vetëm në këtë
dimension. Ajo shpreh shqetësime të thella njerëzore dhe universale që
ndërlidhen me lirinë, ekzistencën dhe identitetin, duke kaluar përtej kornizave
të poezisë tipike sociale.
1.Aspektet
sociale shihen te fakti se poezia reflekton qartë mbi një realitet shqiptar, ku
individi përballet me mediokritetin dhe mungesën e shpresës. Vargjet që shfaqin
psh. sabotimin dhe mungesën e solidaritetit, siç i cituam më sipër: "kurse
tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun..."sugjerojnë një mjedis
shoqëror (shqiptar) ku individi pengohet të arrijë lirinë dhe të realizojë
ëndrrat e tij, duke shprehur një kritikë e fshehur ndaj strukturave të ngurta
dhe të padrejta të shoqërisë.
2.Përtej
dimensionit social, poezia nuk kufizohet vetëm me denoncimin e dukurive
shoqërore. Ajo zhvillon një reflektim të thellë mbi ekzistencën njerëzore, duke
u fokusuar te ndjesitë individuale të refuzimit dhe dëshirës për të kapërcyer
kufijtë e shpirtit dhe realitetit të përditshëm. Pyetja e hapur që mbart
titulli, "Kërkon një rrugë arratie...?", nuk është thjesht sociale,
por filozofike, duke aluduar për një nevojë universale për shpëtim dhe transcendencë.
Pra
duhet të pranojmë se poezia ka dimension social të theksuar në saje të kritikës
ndaj shoqërisë shqiptare, por ajo nuk është thjesht një poezi sociale. Ajo,
është një poezi ekzistenciale me rrënjë sociale, që ndërthur aspektet e
realitetit kolektiv me shqetësi-met e individit, duke u ngritur mbi një univers
më të gjerë artistik dhe filozofik.
IV-Më
sipër përmendëm që poezia është ekzistenciale dhe universale dhe në argume-ntim
të kësaj shpjegojmë se poezia: "Kërkon një rrugë arratie...?" e Odise
Kotes është ekzistenciale dhe universale për shkak të thellësisë së saj
filozofike dhe shqetësimeve njerëzore që adreson. Ajo përqendrohet te pyetjet
për kuptimin e jetës, lirinë individu-ale dhe sfidat për të kapërcyer kufizimet
e brendshme dhe të jashtme. Këto elemente e bëjnë poezinë jo vetëm të lidhur me
një realitet të caktuar, por të vlefshme për njerëzimin në tërësi.
1.
Në analizën e dimensonit ekzistencial të poezisë theksojmë se ekzistencializmi
fokusohet te liria, përgjegjësia individuale dhe përballja me absurdin e jetës.
Në poezi, heroi lirik refuzon ti nënshtrohet një realiteti të ngurtë dhe kërkon
të përballet me sfidat ekzistenciale:
"Kërkon një rrugë
arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),
si feksje, si brinjë, që
s’di ku humbet golles të zezë të natës."
Këtu
shfaqet dëshira për t’u çliruar nga errësira, “golles të zezë të natës” (simbol
i ngërçit shpirtëror dhe kufizimeve) dhe për të gjetur një agim të ri (në
zbardhtë), një hapësirë ku ekzistenca merr kuptim. Po ashtu vargu:
"Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur," thekson
tensionin ekzistencial mes dëshirës për t’u larguar dhe pasigurisë që shoqëron
çdo hap drejt së panjohurës. Heroi këtu përballet me absurdite-tin e realitetit
dhe dilemat e ekzistencës.
2.Poezia
merr një dimension universal, pasi shqetësimet që ajo trajton nuk janë thjesht
lokale apo kombëtare por janë universale. Dëshira për liri, ndjenja e izolimit
dhe përpjekja për të kapërcyer pengesat janë përvoja të përbashkëta për çdo
individ:
"Fytazi
a je bërë gati të ndeshesh me rrezikun,
çdo
herë i braktisur...?"
Kjo
dilemë është universale: individi është gjithmonë i vetëm përballë sfidave më
të mëdha të jetës dhe kërkimit të lirisë. Po këshu vargjet:
"Ç’farë tundimi
ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,
shenjuar të qëllojë mu
në kraharor…"
reflektojnë
mbi përkohshmërinë e jetës dhe absurditetin që mund ta karakterizojë atë. Heroi
lirik është i tunduar nga vetë akti i të jetuarit, që kërkon guxim dhe
përballje me dhimbjen dhe humbjen.
Kështu
argumentojmë se:poezia ndërsa është ekzistenciale pasi trajton temat e lirisë,
përballjes me absurdin dhe kërkimit për kuptim, ndërkohë është universale pasi
përvojat që ajo shfaq janë të përbashkëta për njerëzimin. Në vargjet e cituara
më sipër shprehen shqetësime që kapërcejnë çdo kufi kulturor apo kohor, duke e
bërë këtë poezi një reflektim filozofik për qenien njerëzore dhe duke na prurë
portretin e poetit më vizionar se sa e kemi njohur gjer më sot.
Sarandë, nëntor 2024
_________
Odise Kote
Kërkon një rrugë arratie
…?
Kërkon
një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),
si
feksje, si brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës.
Të
shohin se je gati të hipësh mbi kalë,
A
mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,
a
ti ndalësh?
Arratia
ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur,
Retë
enden të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,
Dikush
poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,
kurse
tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…
Më
bujari, ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës,
afrohet
të shndërrohet në lëndë miti, me armë në dorë.
Ç’farë
tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,
shenjuar
të qëllojë mu në kraharor …
Kërkon
një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut për të ikur,
fytazi
a je bërë gati të ndeshesh me rrezikun,
çdo
herë i braktisur …?