E premte, 13.12.2024, 09:44 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Njerëzit e mirë largohen, për t’u kujtuar gjithmonë!

E enjte, 28.11.2024, 07:00 PM


NJERËZIT E MIRË LARGOHEN, PËR T’U KUJTUAR GJITHMOMË!

Një vit pa Petrit Bashën

NGA PËLLUMB GORICA

Prej një viti, Petrit Basha, iku në udhën pa kthim të botës së amëshuar me shpirtin e pastër e plot dritë. Një vit, që ashtu si ishte i nderuar në tokë, po ashtu ka zënë vënd në ballin e nderit nën vëllazërimin e ëngjëjve, duke bërë dritë fëmijëve të tij, ne miqve në udhën e mirësisë, diturisë, dashurisë për njëri-tjetrin. Dhimbja për largimin e tij është e thellë, është plagë, nuk është një gervishtje e lehtë që shpejt do të zerë kore e do të mbyllet e harrohet…

Është një pakicë njerëzish të iluminuar që i mbajmë në kujtesën kolektive, për të mos u harruar kurrë, të barazvlershme me qindra fjalime patrotike, apo me mijëra libra atdhetare. Sigurisht nuk i harrojmë ata me të cilët kemi ndarë një pjesë të kësaj jete tokësore, kujtimi për ta është një vepër e kënaqshme e Zotit.

E ndërmend jo thjesh si emër Petrit Bashën, takimet, bisedat meritat, por shkoj më tej e më thellë te jeta e tij, kontributi, studimet, te personaliteti, pasioni qëmtues në etnosin e trevës, ditët e ngarkuara me emocione, librat, profesionin e shemjtë të mësuesit, problemet shendetsore, miqësinë tone...

Portreti i Petrit Bashës është në sytë dhe mendjen e gjithkujt që e njohu apo dëgjoi për të, një aristrokat me paraqitjen e vet, inteligjent dhe pasionant për dijen, edukator e fisnik në shpirt, me parime si qytetar i ndjeshmërisë së lartë njerëzore. Një njeri i thjeshtë deri në madhështi, tek i cili më shumë se kudo gjen konkretizimin e saj shprehja: kalliri që është plot e mban kokën ulur; njeri me një bagazh ideor e letrar të jashtëzakonshëm, vlerat e veprës së të cilit vetëm do të lartësohen me kalimin e koh?s, ashtu siç ndodh me lartësimin e majave t? maleve, kur largohesh prej tyre.

Po shkruaj pak, se druhem mos e zgjoj' nga paqja e përjetshme. Prita se mos ndofta ndonjë gazetë mund ti kishte kushtuar ndonjë kolonëz shkrimi, krahas asaj lemeri lajmesh që shkruajnë për ditë. Por jo! Jetojmë një kohë angështie prej ambicies. Pakkush gjen vullnet brenda vetes të kujtohet, qoftë edhe për figura emblematike, të cilat përbëjnë rrezet shndritëse të shoqërisë.

Të shkruash për figura të artit, të cilët shquhen për vlerat dhe kontributet në trashëgiminë tonë, vetëkuptohet që është e vështirë, e cila i ngjan realizimit të një arkitekture të kujtesës njerëzore.

Në mesin e këtyre njerëzve, të afërt e të largët, në mesin tonë, përkrah nesh, në kompleksitetin e jetës, Petrit Basha, qytetari, mësuesi, studiuesi, babai, miku i të gjithëve ishte jo vetem ikonë e dijes dhe kulturës në trevën e Gramshit e më gjërë. Ai jetoi duke krijuar modelin, një shembull vullneti e dinjiteti, duke u bërë pjesë e shkencës, e dijes. Në atdhelindjen e tij mblodhi Pasurinë e Folklorit, Mençurinë e burrave, Traditën shekullore të trevës.

Ndërsa udhës së kujtimeve shkoj, kalin e mendimeve me yzengji shpoj. E njoha vonë Petrit Bashën. Megjithëse nga një krahinë, përveç leximit të librave të tij, emrin e tij e dëgjoja shpesh nga miku im, poeti elbasanas Milianov Kallupi.

E njoha ashtu si ishte: i thjeshtë, fisnik, i qeshur, dinjitoz, komunikues me të gjithë. E kam njohur me atë buzëqeshjen karakteristike, që qëndronte gjithnjë si pjesë e fytyrës së tij.

Miqësia jonë erdhi duke u forcuar si një brumë i mirë në magjen e artit. Me duket sikur e kam fare pranë. Bisedat me të ishin të shtruara si rrugët. Më dukej sikur lexoja një enciklopedi të arkeologjisë, historisë, etnografisë... Ndihesha i mrekulluar sa herë dëgjoja legjendat, ritet, historitë gojore, urimet, fjalë e frazeologji, këngët e mbledhura aq bukur prej tij. Mendimet kishin një rrjedhshmëri për t’ia patur zili, me një gjuhë të kultivuar dhe deklamim artistik, ndonjëherë me pauza të gjata, por të sakta e të përkora. Në të ishin shkrirë shpirti fisnik, karakteri, euridicioni kulturor e formues... Modest, por i bindur në ato që shprehte, të dukej një copë Tomorri që lartësohej në sytë e gjithë Sulovës.

Petrit Basha lindi 80 vjet më parë në Tunjë të Sulovës, në vendin e burrave të mençur, të pasur në shpirt, me dinjitet të përmendur tërë krenari se, si ata, ishte edhe ai. Lindi në ato ditë lufte të 1944. Fëmijëria e tij, si e gjithë të tjerëve, me kujtime të hidhura të varfërisë së tejskajshme që po kalonte Shqipëria.

Arsimimi ndikoi në formimin e tij, e pajisi me njohuri dhe kulturë. Ai ka studjuar në një nga shkollat e njohura në historinë e arsimit shqiptar, në Pedagogjiken e Elbasanit, pararëndëse e së cilës ishte Normalja. Këtu, nisi “regjistrin” e rëndë të jetës, pasioneve, shoqërisë dhe letërsisë.

Në rini i duhet të punojë dhjetra kilometra larg vendbanimit të tij. Pikërisht në këtë moshë ai, duke pasur parasysh se profesioni i mësuesit është një punë e përgjegjshme, e cila gjithmonë ka kërkuar përpjekje dhe dhunti të madhe për të përcjellë njohuritë dhe edukatën tek brezat e rinj, iu përkushtua i paepur pasionit të tij, të shkrimit të të vërtetave historike, të cilat ai i bazoi në dokumenta arshivore; të gërmonte në senduqet e folkut të trevës, të mblidhte mençurinë popullore, pastaj u ndërkall në narracionin mjeshtëror, e shterues të dhënies se kuptimeve në gojën e Zotave; ritualet e lashta të ruajtura deri sot, që nga krijimi i ndërgjjegjes njerëzore. Mblodhi këngë popullore (i botoi në tre vëllime voluminoze) duke respektuar kriteret shkencore, nga të cilat udhëhiqet një mbledhës folklori, i regjistroi ashtu siç i dëgjoi nga bartësit.

Në Tunjën e Sulovës së Sipërme, dheun e të pareve të tij, krijoi një familje të mrekulleshme. Fëmijët e tij, krejt perëndimorë dhe sikur krijonin një ansambël kulturor - si koncept, si ide, si realizim. Kudo e shoqëroi zëri, sytë e ndritur,shqetësimet, buzëqeshja dhe kënaqësia e tyre.

Për shumë breza nxënësish ai ishte një mësues model, nga niveli i njohurive që zotëronte, nga takti pedagogjik, por sidomos nga qytetaria e cila rrezatonte në çdo sjellje e veprim të tij. Për punën me përkushtim e kompetencë, lëvdohet vazhdimisht nga instancat profesionale. Është vlerësuar me titullin “Mësues i Merituar”.

Dalta e kohës e ka gdhendur personalitetin e tij me të gjithë madhështinë e njeriut të ecjeve vertikale dhe të pathyeshm?ris?, me durimin e një milingone dhe skurpulozitetin e një studiuesi, me botë të pasur si kristali.

Të shkruash për hulumtimet dhe librat e tij është të hysh në një labirint dhe të mos dalësh, sepse të duket që ke parë universin e thesareve të kulturës sonë të lashtë. Treva e Gramshit e shtrirë rrëzë malit mitik të Tomorrit njihet si vendi i përrallave dhe legjendave të pa shoqe që nga thellësia e antikitetit, ku e kanë zanafillën copëza të kulturës sonë kombëtare; tregime që rrokin një botë të tërë njerëzore, e pajisi me mjeshtërinë e të rrëfyerit.

Petriti ishte dëshmia e gjallë, nga muret e një shtëpie deri në hapësirat më të gjëra shoqërore. Nuk rreshti se enduri në magjinë e natyrës, duke shpërfillur vështirësitë për të udhëtuar në vendbanimet e ato lakoret gjarpëruse të ujërave të Devollit, Tomorricës dhe Holtës, në dimrin e ftohtë, në verën e dielltë, të qëmtonte vlera, siç mbledh bleta nektarin e luleve dhe krijon mjaltë në hoje, ashtu siç thuhet: “Kali e ka me të ngarë dhe burri me të parë”, hërë “piu një gotë raki”, ose “për të dredhur nga një duhan”, që janë motiv për të biseduar; të gjitha emërtimet e krojeve, arave, kodrave, pyjeve, prrenjtë, gurë e mure të kaluarës së trevës.

Në botimin “Legjenda nga Gramshi” spikatin rrëfimet kuptimplote, paraqitja e rrethanave historike, politike e shoqërore e deri te ato familjare të kohës, që kanë kushtëzuar edhe jetën e kombit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë, apo lidhen me ngjarje, vendbanime të harruara, toponime të lashta, historinë, traditat dhe kohën e largët. Janë krijimtari, burim i folkut tonë, traditave, zakoneve, historisë tonë, tokës tonë, toponimeve tona... Nëse i harrojmë, thoshte kemi harruar veten. Ja pse nuk duhet ti lëmë të harrohen, sepse janë pjesë e ekzistencës sonë.

Qëmtoi frazeologjinë, elegancën e qasjeve, thellësinë e mendimit dhe gjuhën që derdhet si mëndafsh. Të bënte përshtypje, jo vetëm saktësia, transparenca e studiuesit, por edhe plotësia e realitetit të hulumtuar. Dija dhe kultura i kishin dhënë një përmasë të veçantë saqë gjithkush kishte dëshirë ta kishte pranë për të biseduar, për të pirë një kafe, apo për të ndenjur.

Mblodhi rite pagane: Uji në besimet popullore, besimet rreth zjarrit; toka e guri në besimet popullore; bimësia në besimet popullore; besime popullore rreth botës shtazore; kremtimi i Shëngjergjit; kulti i bimësisë; kulti i zjarrit; ritualet me karakter flijues, etj.

Puna e tij si qëmtues skrupuloz do të shfaqej në kumtesat nëpër koferenca shkencore. Bashkëpunimi në fushën e publiçistikës përfshiu, veç gazetave, edhe botimet shkencore në kryeqytet, gjithmonë në funksion të nxjerrjes në dritë të historisë, gjuhës sonë të bukur, kulturës së vendlindjes...

Ishte një pus i thellë i historive të trevës. I pasqyroi në librat duke hedhur dritë mbi jetën e njerëzve të zakonshëm dhe ndikimin që ata patën në formësimin e historisë, si një urtan stoik që nuk i dëgjohej “fryma”. Ndërkohë që mund të kishte shijuar më shumë bisedat me miqtë, në kafene, shëtitjet me familjen dhe jetën pa vrarje mendimi. Me siguri, dikush ka qënë nxitës për këtë, ndoshta ndonjë nga gjyshërit, ose prindërit, ndoshta dhe ajo kërkesë e kohës ndaj mësuesve për të mbledhur visaret e popullit.

Mbaronte një studim fillonte një tjetër, të botuara në një kolanë librash që të hapnin mijëra dritare e të mbushin shpirtin me krenari për trashëgiminë kulturore e historike dhe gjuhën tonë të bukur. Petrit Basha mblodhi gjuhën e përditshme, magjine e saj të pasur, me vlera, që do t’i shënonte në blloqet prej letre për ti mbjellë në libër, duke sjell origjinalitetin pa shformime të folurës së trevës, të frazeologjisë së saj dhe koloritit, si një veçori. Veçanërisht është një vlerë në pasurimin e gjuhës shqipe, sidomos, Leksikologjisë si shkencë.

Librat e tij studimor janë krijesa të një lloji të veçantë që s’vdesin dhe kanë vlera, si toka, që mban në gjirin e saj thesare minerare. Diku në sipërfaqe, diku në thellësi, diku me pakicë, diku me shumicë, por gjithkund ato nuk mungojnë.

Për 45 vjet rresht do t’i kushtohej studimit: “Fjalor me fjalë të rralla, shprehje frazeologjike e fjalë të urta, përralla, legjenda, histori gojore…)” nga treva veriore e Toskërisë, Gramshi, me disiplinë gjuhësore deri në atë pikë sa mori një vëmendje nga studiues e akademikë.

Gjithë ky material i larmishëm, i mbledhur me përkushtim dhe i sjellë në libër në mënyrë autentike, është strukturuar bukur. Një pasuri që mund të barazohet me atë të gjuhëtarit Kostandin Kristoforidhi. Konçiz, sqimatar ne zgjedhjen e fjalës dialektore, në veçanti dhe atij të Jugut në përgjithësi. Ai e punoi i vetëm dhe e botoi me ndihmën financiare të fëmijëve. Për vepra të tilla në historinë e Gjuhës Shqipe që kërkojnë përkushtim, kohë, mund, dije dhe njohje të thellë të gjuhës amtare, zakonisht angazhohet e gjithë Akademia e Shkencave (ata që kanë “pushtuar” katedrat e dijes, pseudohistorianët e pseudoakademikët) por që lenë shumë për të dëshiruar. Gjergj Fishta do të thoshte “hanë kastraveca”, të strukur në zyra dhe kafene, pa dalë nga kulla e fildishtë.

Në pamje të parë, të krijohet përshtypja se ky studim është për një kategori të “ngushtë” lexuesish, por në fakt pasi ta shfletosh kupton se libri me kriteret e lëndës së mbledhur në këtë areal trashëgimie kulturore, të leksikut, duke prekur limite gjuhësore: fjalë të rralla që shpjegohen dhe depërtojnë në thelbin e dukurive shoqërore; shprehje frazeologjike dialektore, të cilat nxjerrin në pah urtësinë, mençurinë e të mbërthejnë me mënyrën llogjike të të menduarit e vepruarit në jetë. Kështu parakalojnë një galeri e pasur karakteresh, protagonistësh e bashkëbiseduesish, emra të shquara për nga urtia e mençuria, po edhe njerëz me kënd vështrime të ndryshme, sepse ndryshe e rrëfen një artist e ndryshe një bari; fjalët e të urta, si këshilla të vlefshme për ata që kanë veshë për t’i dëgjuar. Nuk gjen trevë tjetër që të mund të dhurojë kënaqësi urimi dhe betimi, të mbushura me pjalm ëmbëlsie. Ato dhe të mallkimit janë shteruese në dhënien e kuptimeve, të ruajtura aq bukur prej përvojës. Dikur, burrat e mençur (që ishin dhe fjalë-pakët) thoshin fjali të veçuara, si “formula të prera”, ku manifestohej, me argumenta të ndërtuara, të lidhura fort një logjikë e pakundërshtueshme.

Petriti të gjitha këto i ka sjell të rrëfyera me gjuhë të thjeshtë e të pasur. Ato kanë aromë fisnikërie e më pranë kohërave dhe njerëzve, që i thurën me shpirt; nga kujtesa e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, në rrugëtimin e kohës.

Jeta është një luftë reale, me vështirësitë objektive dhe subjektive. Ndërkohë që ndjehej komod në punën e tij studimore, në shtëpinë e tij të vogël, mes librave të tij të shumtë, mes shokëve dhe miqve, mes ideve të tij të qarta dhe shkencore, me mirënjohje nga ata që e vlersonin, por u përballë me injorancë, mospërfillje dhe mosmirënjohje provenciale.

Ndërsa koha fluturon, vijnë, jetojnë e ikin njerëz, ashtu sikundër deviza e tërë gjallesave, në këtë kozmos përherë në ndryshim. Vdekja është kosa më e pabesë. Ajo korrë shpirtërat e njerëzve, midis tyre edhe krijuesit, të cilët gdhendin emrat e tyre, për të mos vdekur. Petrit Basha la një emër të pashlyer, me të gjithë ata që kishin lidhje miqësore, interesa arti, krushqie dhe pune, që i ruajti si gjënë më të vyer gjatë jetës së vet.

Ishte dhe mbeti njeri i veçantë në të gjitha aspektet: vullnetmirë, fjalpak e mendjendritur, që me dashamirësi njerëzore përcillte vlera, dije, kulturën, saqë rrallëkund i gjen.  

Ndjen dhimbje e mërzi që iku para kohe, kur kishte ende për të dhënë. Petrit Bashën, personazhin më tipik të pa ngjashëm me ndokënd në turmën e qytetit të tij, me dekoracion të arkitekturës së vet shpirtërore, por edhe të punës pasionante, si njohës i krijimtarisë folklorike të popullit të vet ishte fat që e kishim.

Besoj që Gramshi do e vlerësoj; do gjendet një rrugë, shkollë, muze, institucion, apo shesh ku emri i Tij do të gdhendet bukur.

Mes qiellit mbi kala të Tunjës brezat do të vazhdojnë të kërkojnë urtësinë e tij.

Me ikjen e tij, Tomorri mitik do të jetë më i heshtur, nuk do të ketë më atë kërshërinë e shkëlqimin.

Petrit Basha dritëroftë në udhëtimin drejt bojëqiellësisë së përjetshme!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora