Kulturë
Adil Fetahu: Tahir Bezhani i bën grafi jetës së vet
E diele, 17.11.2024, 06:50 PM
TAHIR BEZHANI I BËNË GRAFI JETËS SË VET
(Tahir
Bezhani: ‘’Shtegtime të ndrydhura jete’’, jetëshkrim; Blini BK, Gjakovë 2023)
Nga
Adil FETAHU
Zakonisht,
autobiografitë nisin me të dhënat për datëlindjet, vendlindjet, prindërit dhe
familjen, për të identifikuar kryepersonazhin e autobiografisë, dhe pastaj vazhdohet në mënyrë kronologjike
me etapat e tjera të jetës, punës, ngjarjeve: shkollimi, punësimi, martesa, angazhimi
dhe ngjarje tjera.
Në
këtë kuptim, nuk bënë përjashtim as autobiografia e poetit e shkrimtarit Tahir
Bezhani, nga Gjakova. Bile, autori
konsideron se këtë jetëshkrim e ka vonuar, gjë që unë nuk pajtohem me këtë
konstatim, sepse konsideroj se akoma ka kohë, energji dhe potencial për jetë
dhe për punë në krijimtari, edhepse autobiografinë e shkroi në moshën 76-vjeçare,
që thotë se u lind në kohën e urisë së shekullit (viti 1947), në fshatin
Smolicë, komuna e Gjakovës. Ishte djalë hasreti i Abdullah Bezhanit, ndonëse
nga nëna (Raza) kishte edhe dy vëllezër e një motër, nga burri i parë (Zeqiri)
i cili ka qenë
axha i autorit. Pas vrasjes së Zeqirit
nga italianët në vitin 1941, Abdullahu e
kishte marrë Razen për grua, e për t’i rritë tre fëmijët (Zadja, Idrizi e
Muharremi) nga martesa e parë. Me
fotografitë e tyre, autori i bashkon dy prindët e vet, Abdullah Bezhanin e Razë
Hajdarmataj-Bezhani, pas aq shumë kohe që ishin ndarë nga kjo botë dhe nga
njeni-tjetri. Dhe gjatë tërë kohës shprehë dhembje, dashuri e respekt të pakufi
ndaj tyre.
E
ëma e Tahirit ishte e familjes Hajdarmataj, nga Zogaj. Në kry të vitit pasi
ishte lindur Tahiri, nëna e tij me foshnjën në lulak, prirë nga vjehrri, Sylë
Bezhani, kishin shkuar në gjini, në Zogaj (1948). Natën e fundit të qëndrimit
në Zogaj, ishte mbyllur kufiri midis Shqipërisë e Jugosllavisë, dhe kështu u
ndërprenë lidhjet familjare e miqësore midis shqiptarëve në dy anët e kufirit, ashtu
që nëna e Bezhanit nuk i pa më kurrë familjarët e gjinisë së saj. Tahiri thotë
se një ditë, kur ky ishte në moshën 8-vjeçare, e kishte parë nënën e tij në
dritare të kullës, duke shikuar kah Shqipëria e duke qarë e vajtuar: ‘’Kurrë
më, kurrë, as në dasmë, as në vdekje, as në gëzim as hidhërim në truallin tim,
në gjininë time, e mjera unë e mjera...’’. Autori thotë se edhe sot
kur e mendon atë skenë, nuk mund t’i ndalë lotët. Dhe vërtetë, ajo kurrë më nuk
u pa me familjarët e gjinisë së vet. Me atë mallë e dhembje vdiq në vitin 1959.
Si
për ta ngushëlluar, kujtuar e respektuar
nënën e tij, Bezhani pas më se 40 vjetëve, kishte shkuar në gjininë e nënës së
tij, te dajtë në Zogaj dhe kishte vizituar edhe tezet e martuara në Padesh e në Dojan, njerëz krejtësisht të
panjohur, por të afërt e të dashur, të cilët e pritën me shumë emocione, me përzemërsi e dashuri.
Në
rininë e tij, pas mbarimit me vështirësi të shumta skamnore, të shkollës së
mesme profesionale të nxënësve në ekonomi, në Gjakovë, u punësua në Fabrikën e
Tekstilit ‘’Emin Duraku’’, për të cilën kishte marrë kualifikimin
shkollor, ku edhe e kishte kryer praktikën
gjatë shkollimit. Në vitin 1967 shkon në shërbim ushtarak (fillimisht në
Sombor, e pastaj në Shkup), ku përjetoi sprova e peripeti, përcjellje nga
sigurimi, po edhe për shkak se nuk e dinte gjuhën serbe.
Qysh atëherë kishte nisur të botojë ndonjë poezi në revistën ‘’Zëri i Rinisë’’
dhe dëshira për të shkruar iu ngjit për tërë jetën.
Pas
kthimit nga ushtria, pasi nuk u pranua në fabrikën ku kishte punuar më parë, u
punësua, pothuajse krejt rastësisht, në shërbimin policor, gjë që ndikoi në
përmirësimin e gjendjes materiale të familjes. Në polici punoi më se 18 vjet,
para dhe pas luftës, natyrisht me ndërprerje dhjetëvjeçare (1991-2000).
Kur
pushteti i Serbisë e rrënoi autonominë e Kosovës dhe e okupoi këtë tërësisht me
të gjitha organet dhe shërbimet, policia e Kosovës nuk pranoi të mbetet në
shërbim të okupatorit, prandaj e braktisi atë shërbim dhe formoi Sindikatën e
pavarur të policisë së Kosovës. Kështu, edhe policët shqiptarë të Gjakovës e
braktisën atë shërbim. Pushteti okupues i ndiqte këmba-këmbës aktivistët e asaj
sindikate, i arrestonte, maltretonte fizikisht e psiqikisht, i gjykonte me
shumë vjet burgim. Kësi trajtimi pati edhe Tahir Bezhani, i gjykuar me dy vjet
burgim, në gjykimin e grupit prej 72 aktivistëve e anëtarëve të Sindikatës së
Pavarur të Policisë së Kosovës (1995).
Është
interesant edhe segmenti që bënë fjalë për kohën sa ishte refugjat në Shqipëri
(prill – qershor 1999), në kohën e luftës në Kosovë, përpjekjet për të dalë në
Itali dhe mashtrimi nga skafistët.
Pas
çlirimit të Kosovës (1999), Bezhani u aktivizua në policinë e Kosovës, të
formuar nga UNMIK-u, dhe shërbeu në atë dikaster deri sa u pensionua, në vitin
2012.
Kështu,
vit pas viti e ngjarje pas ngjarje të jetës së ndrydhur e shtrydhur, pas
pensionimit iu kushtua krijimtarisë letrare dhe deri më tash ka botuar 26 vepra
letrare: poezi, prozë, monografi. Dhe jo
vetëm se ka shkrua e botua vet, por është ‘’kumbara’’ i komunikimit dhe
bashkëpunimit letrar të krijuesve të Malësisë së Gjakovës, në të dy anët e
Drinave.
***
Jeta
shkruan romane, thonë. Librin e jetëshkrimit
të Tahir Bezhanit, në daçi quajeni roman, në daçi autobiografi, në të
pasqyrohet jeta e autorit, si në një roman artistik, me personazhe e ngjarje të
vërteta. Aty Bezhani e ka depozituar jetën e tij të deritashme. Duke
përshkruar, në formë rrëfimesh në veten e parë,
të kaluarën e tij, nga
pozicioni i tashëm; aty shihet identiteti i tij i vërtetë, cili ishte
dhe cili është sot.
Në
përshkrimin e ngjarjeve dhe situatave, shpërfaqë mbamendje të admirueshme të
ngjarjeve, personazheve, vendeve, datave. Në rrëfimet e tij përputhen rrëfimi
dhe besueshmëria, në mënyrë të ndershme,
pa ‘’konflikt interesi’’, ndonëse është vështirë të ruhet baraspesha
subjektive kur njeriu flet e shkruan për
veten e tij. Përmes rrëfimeve me fjalë lapidare
tregon edukatën, dashurinë dhe respektin që ka pasur ndaj prindërve dhe që ka sot ndaj bashkëshortes,
fëmijëve dhe nipërve e mbesave.
Autobiografitë
e njerëzve të njohur gjithnjë janë interesante të lexohen. Unë edhepse e kam
mik Tahir Bezhanin, nuk i kam ditur më shumë se një për qind të jetës së tij. Me
këtë libër autori i ka plotësuar kuadrat e panjohura të jetës së tij nga
lexuesit. E Tahiri si poet e shkrimtar
që është, me potencialin krijues, me fuqinë shprehëse, me fjalorin e tij të
pasur dhe me gjuhën e poetit, me plot figura e metafora, ka ditur t’i bëjë
rrëfimet edhe më interesante.
Dhe
për fund të këtij vështrimi, Tahirit i uroj shëndet e jetë të lumtur familjare
dhe vepra të reja letrare, tash që është ‘’pjekë’’ në këtë fushë.