Kulturë
Agron Duro: 'Fjalori i termave bazë teknikë'
E diele, 17.11.2024, 06:49 PM
“FJALORI I TERMAVE BAZË TEKNIKË”
Shqip-gjermanisht
dhe gjermanisht-shqip (me numërtim), hartuar nga Dr. Gani S. Pllana
Nga
Prof. Dr. Agron Duro, Tiranë
Fjalori
në fjalë, hartuar nga Dr. Gani S. Pllana, është një kontribut me vlera të
veçanta terminologjike, fryt i një përvoje shumëvjeçare e autorit në fushën e
terminologjisë. Fjalori është përftuar si vepër nga studimet e veçanta të
kryera nga autori në fushën e terminologjisë.
Duhet
nënvizuar qysh në fillim, se në Fjalor është pasqyruar në mënyrë të veçantë
gjithë puna e kryer për fjalorët e serisë terminologjike të fushave teknike,
si: fusha e ndërtimit, e elektricitetit,
e mekanikës etj., prej të cilave janë nxjerrë pothuajse të gjithë termat e
shqipëruar dhe termat shqip në përgjithësi me barasvlerësit e huaj, të cilët
janë vlerësuar, rivlerësuar dhe vështruar nga ana teknike, por gjithsesi, pa i
ndryshuar ata. Kështu, ata janë paraqitur në Fjalor në bllok sinonimik, ku si
terma parësorë janë dhënë termat shqip, si: hallkë e ngarë (hallkë e udhëzuar) Abtriebsglied, hallkë e udhëzuar
(hallkë e ngarë) Abtriebsglied, hallkë ngarëse (hallkë udhëzuese)
Antriebsglied etj.
Vlera
më parësore e Fjalorit, mendoj, se është pikërisht paraqitja në të e termave
bazë teknikë, jo vetëm, e atyre që
qarkullojnë në përdorim (kryesisht në tekste, në fjalorë), por edhe i atyre që,
ndonëse janë shqipëruar, nuk kanë gjetur realisht përdorim, për fat të keq, nga
mosnjohja e tyre nga specialistët, nga hartuesit e teksteve etj., dhe që këtu
janë përzgjedhur me kujdes të veçantë nga autori; si të tillë ata duhen futur
në përdorim si terma “potencialë”.
Kështu, ata do t’i bëjnë një shërbim të madh terminologjisë teknike me futjen
në qarkullim të tyre, për t’i forcuar asaj fizionominë shqipe dhe kryesisht për
t’i rritur motivueshmërinë, qartësinë e koncepteve, si: kapëz (për borno), përthithës
(për absorbues-e), mjedis (për
ambient), pështjellje (për
avolxhim), gazqitës-i (për
skapamento), miush (për mi,
maus), kujtesë (për memorie) etj.
Fjalori,
si fjalor bazë, do të shërbejë si model për hartimin e fjalorëve të veçantë
terminolologjikë teknikë, në të cilët, sidomos termat e shqipëruar, të
papërdorur, të panjohur, do të përfshihen në ta në të ardhmen. Nga ana tjetër,
paraqitja e tyre në vargje sinonimike do të shërbejë si bazë e studimesh për
hulumtimin e evidentimit të gjendjes së terminologjisë teknike, të vlerësimit
të mëtejshëm të saj. Prandaj, për këtë arsye ai mund të quhet edhe Fjalor
terminologjik me orientim studimor, por që ka vlera të mëdha praktike, për
përzgjedhjen e termave të përshtatshëm në çiftet sinonimike, si: përmasë
(për dimension), trysni (për presion), fjalëkalim (për pasuerd) etj.
Vështruar
nga pikëpamja e mësipërme, Fjalori mëton të hedhë dritë edhe për zgjidhjen e
disa problemeve teorike-praktike dhe të zbatimeve të parimeve e të kritereve në
fushën e terminografisë. Ideja e zgjidhjes së disa problemeve themelore të
terminologjisë është vënë në bazë të konceptimit të Fjalorit si vepër, çka del
edhe nga mikrostruktura dhe makrostruktura e tij.
Kështu,
në Fjalor përfshihen gjithë çiftet e vargjet sinonimike, të cilat në
terminologji njihen si sinonime absolute ose dysorë (dublete), meqë shënojnë
gjithnjë një koncept si kolodok/bosht
motorik/bosht bërrylor, dhe, që në të termi i pranueshëm (që plotëson
kushtet për t’u përdorur si standard, si p.sh.: bosht bërrylor ose bërrylor jepet
si parësor. Gjithë kjo probematikë lidhet me pranimin e sinonimeve në
terminologji si dukuri e dëmshme, por gjithsesi e pranishme, prandaj parimi i
përzgjedhjes së tyre merr rëndësi parësore në praktikën terminologjike, sidomos
për hartimin e fjalorëve terminologjikë, në mënyrë të veçantë të atyre teknikë.
Përveç
kësaj, Fjalori në fjalë mëton të zgjidhë edhe probleme të polisemi-homonimisë,
sidomos kur një termi në shqip i përgjigjen dy barasvlerësve në gjermanishte.
Vështruar nga kjo pikëpamje, duhet vërejtur se ballafaqimi i shqipes me
gjermanishten në fushën e terminologjisë teknike lehtëson punën edhe për
trajtimin të çdo problemi teorik të terminologjisë, meqë terminologjia e gjuhës
shqipe krahasohet me një gjuhë që shërben si model standardizimi ndërkomëtar
për terminologjinë teknike (krahas anglishtes si e parë, frëngjishtes e
rusishtes). Prandaj, krahasimi me gjermanishten ndihmon edhe për të vështruar
teorikisht, por edhe për të dhënë zgjidhje praktike për probleme të sinonimisë
absolute dhe të homonimisë si çështje të zgjidhura në terminologjinë teknike
gjermane. Kështu, duke u mbështetur në Fjalor, mund të jepen zgjidhje me të drejta
në standardizimin e terminologjisë teknike shqipe për përcaktimin më drejtë të
termit standard shqip, duke u bazuar në mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi
në gjermanishte.
Duke
u nisur nga sa parashtruam më sipër, mendojmë, se Fjalori i mësipërm, siç e
kemi theksuar më lart, duhet konsideruar si një vepër terminologjike e veçantë,
me orientim studimor, me vlera praktike zbatimore, prandaj vepra mund të
pranohet edhe si prurje origjinale e autorit. Paraqitja e termave në Fjalor
(rreth 3000 terma), ndonëse e kufizuar, përplotësohet me vlerat cilësore të
tij. Me paraqitjen modelore të tij, ai do të jetë si bazë për hartimin e
fjalorëve të tjerë. Po kështu, ai do të shërbejë si model i përzgjedhjes së
termit standard, duke u mbështetur në një gjuhë standarde në fushën e
terminologjisë, siç është gjermanishtja, çka ka vlerë të veçantë të nënvizohet,
sepse kjo gjuhë, është pasqyruar në mënyrë shumë të mangët, për të mos thënë
aspak, në Fjalorët terminolologjikë të shqipes, qoftë teknikë, qoftë edhe në
ata joteknikë. Këtë fakt e nënvizojmë, sepse ballafaqimi me gjermanishten dhe
kryerja e kësaj pune me profesionalizëm në këtë vepër terminografike nga autori
(si njohës shumë i mirë i terminologjisë teknike, si të anës gjuhësore, ashtu
edhe të asaj konceptore), përbën një kontribut të veçantë. Kjo ia rrit vlerën
Fjalorit dhe e bën shumë të domosdoshëm botimin e tij. Ai do t’u shërbejë
studiuesve të terminologjisë, studentëve pasuniversitarë në studim për
terminologji specifike, hartuesve të teksteve mësimore teknike e të fjalorëve,
jo vetëm terminologjikë, por edhe joterminologjikë, ku, në këta të fundit,
termat zënë vendin e tyre dytësor.
Si
përfundim, e ritheksojmë, që Fjalori është i vlefshëm për botim.
Recensuesi
Prof. dr. Agron Duro
Tiranë, më 10.10. 2017