E diele, 26.01.2025, 08:55 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Brezi i fundit i heroinave të heshtura po pakësohet

E diele, 17.11.2024, 06:57 PM


Prof. Blerim Latifi:

Në fillim të pranverës i bën 87 vjet. Është dobësuar shumë fizikisht nga vitet e pleqërisë. Ecën me shumë vështirësi, por duart ende i punojnë dhe ja fryti i fundit i artit të qendisjes, të cilin ia kishte mësuar nana e saj, këtu e 70 vjet më parë.

Shikoni motivet artistike në këto çorape të punuara me aq kujdes!

Janë motive që vijnë nga thellësitë e shekujve dhe domethënien simbolike të të cilave sot ne mund ta mësojmë vetëm nga tekstet e antropologjisë kulturore.

Deri në gjysmën e dytë të shekullit 20, gratë e këtij vendi, krahas njëmijë punëve të shtëpisë, duhej të kryenin edhe atë të sigurimit të veshmbathjes për anëtarët e familjes. Njësoj si në kohët e moçme.

Brezi i fundit i këtyre heroinave të heshtura përditë po pakësohet. Ato po ikin në heshtje, ashtu siç edhe jetuan në heshtje. Në heshtjen e diktuar nga ligjet mizogjene të shoqërisë patriarkale. Nana ime i takon brezi grash. Këtij brezi pa historinë sociale të të cilit njohuritë tona mbi të kaluarën do të mbesin shumë të mangta. Për të mos thënë njohuri të pavërteta.

_________

Ky është Manastiri i Sokolicës. Ndodhet në zemër të Shalës së Bajgorës. Vetëm pak hapa larg nga Kulla e Isa Boletinit. Me shekuj bajgorasit i kanë shërby këtij manastiri serb. Me roje dhe me punë bujqësore. Vetë Isa Boletini mbante titullin e vojvodës për faktin se ishte kujdestari kryesor i këtij manastiri. Në fillim të shekullit 20 aty ishte vendosur një nga qendrat kryesore të agjenturës serbe, e cila po bënte përgaditjet për pushtimin e Kosovës, që do ndodhte vetëm pak vite më vonë. Në konakun e Sokolicës banonte Arif Hikmeti, agjenti i Serbisë, i cili propagandonte abetaret shqip me alfabet arab dhe i cili, më vonë, po me udhëzimet agjenturore serbe, do të përfshihej në rrebelimin e Haxhi Qamilit në Shqipëri. Në shumë raste, kuptohet për llogari të Serbisë, ai do t'ia dilte t'i bënte për vete Isa Boletinin dhe shaljanët e tij përmes peshqesheve e dhënies së armëve falas. Ndërsa sot, pasardhësve të këtyre shërbëtorëve të Sokolicës u pengon ngritja e një kishe katolike shqiptare në Bajgorë. Kaq mjafton për ta kuptuar se cili është patriotizmi i tyre.

_________

Artin Ahmeti, pronari dhe drejtuesi i librarisë “Artini” në Prishtinë, është një ndër botuesit më të mirë në krejt hapësirën e botimeve shqiptare. Miqësia jonë ka nisur nga një bisedë spontane rreth librave, këtu e shumë vite më parë. Aq shumë libra i kam dhuratë prej tij, saqë ato sot përbëjnë një bibliotekë më vete. Në fotografinë e mëposhtme gjenden katër botimet e fundit, që do t’i shtohen kësaj biblioteke. Dy prej tyre, Gjergj Kastrioti, Mbreti i Shqipërisë, i autorit amerikan Clement C.Moore, dhe Leka i Madh, i historianit britanik William Woodthorpre Tarn, janë kthyer në shqip me një virtuozitet shembullor nga njëri prej historianëve më të mirë dhe më enciklopedik në krejt historiografinë shqiptare, Col Mehmeti.

Vërtet, sot interneti është kthyer në burim të pashmangshëm të informacionit, por libri fizik vazhdon t’i ruaj vlerat e tij të domosdoshme për ata që duan të mendojnë dhe të hulumtojnë e krijojnë në botën e kulturës e të diturisë.

Libri, siç thotë Umberto Eco, është si shpikja i rrotës: është shpikur njëherë dhe nuk mund të zëvendësohet më me asgjë.

_________

Është e qartë se çështja e imigrantëve ishte njëra ndër përparësitë që i siguroi fitoren Trumpit në zgjedhje. Po ashtu kjo çështje është duke e fuqizu të djathtën gjithandej Perëndimit.

Arsyeja për këtë qëndron tek argumenti themelor i të djathtës, i cili është se të huajt mund të vijnë dhe të qëndrojnë në Perëndim, por me një kusht: ata duhet ta pranojnë mënyrën perëndimore të jetës, sistemin e vlerave të saj. Nuk mundesh që pasi ke ikur prej Afganistanit apo Sirisë, shkaku i urisë apo persekutimit, në vendin që të ka gjetur strehë e punë ta sjellësh edhe Afganistanin apo Sirinë. Nëse nuk je në gjendje t'i lësh prapa Afganistanin dhe Sirinë, ti duhet të kthehesh atje.

E majta po shkërmoqet gjithandej, sepse argumentet e saj rreth imigrimit vuajnë nga falsitetet e multikulturalizmit banal.

Ndërkaq, liberalët e kanë trenin e fundit që të korigjojnë naivitetet e tyre dhe të bëjnë më të mirën e tyre, e cila konsiston në shmangien e çarjes së madhe me të djathtën, çarje që përbën rrezikun e rrëshqitjes të kësaj të fundit në gabimet e rënda të së shkuarës.

_________

Mesi i shekullit 14. Europa gjendet nën kthetrat e murtajës, Black Death, siç njihet në histori. Gjithandej qytetet dhe katundet nxijnë nga kufomat e njerëzve që s'ka kush t'i fus në dhe. Të pafuqishme për ta luftuar pandeminë shfarosëse me mjete sanitare e medicinale, autoritetet fetare e politike bëjnë me gisht nga hebrenjtë, duke i fajësuar si shkaktarë të saj. Turmat rrëmbejnë hanxharët dhe thikat e sulen mbi ta. Pogromet gjakosin rrugët dhe shtëpitë. Hebrenjtë vriten masivisht. Shtëpitë u digjen. Pasuritë u merren. Sinagogat u përdhosen. Një histori të tillë e lexova në Sinagogën e Erfurtit, njëra ndër më të moçmet në Europë. Sot bakteri i murtajës nuk përbën kurrfarë rreziku medicinal, por murtaja e antisemitizmit vazhdon të jetë shumë e përhapur. Bashkë me mekanizmin e moçëm të pushteteve për të shpikur armiq për dështimet e tyre dhe fajësuar të tjerët për problemet që nuk mund t'i zgjidhin.

_________

Mbase e kemi harru, por një përjetimi i këtillë religjioz, në shkallë globale, i rezultatit të zgjedhjeve në Amerikë nuk ka bërë vaki ndonjëherë.

Ata që ishin kundër Trumpit rikthimi i tij po u duket si diçka apokaliptike, fundi i demokracisë, i Amerikës, i NATO's, i dominimit të Perëndimit, me pak fjalë: fundi biblik i kohëve.

Ata që ishin pro Trumpit, rikthimin e tij po e përjetojnë si një lloj ringjallje, jo vetëm amerikane, por edhe globale. Si ardhje e një epoke të re ungjillore.

Ky përjetim religjioz i ndryshimeve në politikën amerikane, na tregon, më shumë se çdo gjë tjetër, se Amerika vazhdon të perceptohet si kombi pa të cilin bota e ka të vështirë ta mendojë të ardhmen.

_________

E përmenda një natë në Pressing dhe po e shkruaj edhe këtu: Le të organizohen tri debate publike mes kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit. Një për dialogun, një për ekonominë dhe një për sektorët vitalë të shtetit, arsimin dhe shëndetësinë. Përmes këtyre debateve qytetarët mund të kuptojnë se a kanë këta kandidatë realisht ide konkrete për zgjidhjen e problemeve të këtij vendi apo e tëra që ofrojnë është vetëm retorikë boshe për veshët e militantëve të partive të tyre.

Ky është kuptimi dhe vlera e vërtetë e demokracisë dhe e zgjedhjeve.

Retorika politike e shoqëruar me ide konkrete e racionale mund të gëlltitet disi, por kur asaj i mungojnë këto ide, atëherë ajo merr tiparet e një ofendimi të hapur që i bëhet intelektit njerëzor.

_________

Në kohët e moçme njerëzit ngjiteshin në male për të folur me zotat, por ata, siç poeziton Holderlin, një ditë na braktisën dhe tash ngjitja në male ka veç frymën e një proteste kundër zhurmës mbytëse të qyteteve, kundër llafazanërisë demokratike të tyre, kundër faktit se kush zhurmon më fort, dëgjohet dhe nderohet më shumë.

Në fillim të kohëve moderne Dekarti vendosi parimin: Mendoj, pra jam! Ndërkaq, sot, në llafazanërinë demokratike, të metastazuar nga rrjetet sociale, ekzistencën nuk e përcakton ky parim, pra mendimi, por zhurmimi. Zhurmoj, pra jam!

_________

Marco Rubio, njeriu që Trump e ka zgjedhur për Sekretar të Shtetit, ish me prejardhje kubaneze. Pasardhës i familjeve që u larguan nga Kuba për në SHBA gjatë kohës që pushtetin në Kubë po e merrnin komunistët e Fidel Castros dhe Ernesto Che Guevarës. I ndikuar shumë nga trashëgimia familjare ( sidomos nga gjyshi), Marco Rubio kish fort averzion për chegevaristat. Qysh thonë në gegnisht: S’po mujke me i bajtë hiq.

_________

N’past’ mbetë që talibanët me kollare dhe promovuesit e endogamisë,  martesës brenda lidhjes së gjakut, të na e mbrojnë familjen, na paska marrë lumi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora