Kulturë
Albert Zholi: Dita e dytë e Panairit të 27-të të Librit "Tirana 2024", suksese dhe mangësi
E shtune, 16.11.2024, 06:54 PM
Dita e dytë e Panairit të 27-të të Librit "Tirana 2024", suksese dhe mangësi
-
Në këtë panair sipas botuesve fëmijët- rinia janë grupmosha, e cila ka rritur
vëmëndjen ndaj librit.
-Botuesit
ju bëjnë më shumë reklamë televizive autorëve të huaj
-Botuesit
kanë ngritur shqetësimin për rekomandimin në shkolla të autorëve të huaj dhe
shumë pak vendas.
-
Studentët duhet të marrin pjesë gjatë Panairit në diskutime mbi leximin e
organizuar dhe botimet e reja.
-
Nuk po gjehet forma, rruga që njerëzit të ofrohen tek libri.
-
Në shtëpi prindi duhet të ndikojë te fëmija
që të mos bëhen të varur tek interneti, telefoni.
Nga
Albert Z. ZHOLI
Dhe pse ditë e vërejtur Pallati
i Kongreseve ishte i mbushur plot me dashamirës të librit, por edhe vizitorë të
rastit. Ajo që u vu re në këtë ditë ishte se u organizuan disa aktivitete për
fëmijë njëkohësisht dhe promovime librash për fëmijë. Duhet thënë se tre
Panairet e fundit kanë pasur si dallim rritjen e numrit të botimeve për fëmijë.
Ndoshta në dallim nga Panairet e mëparshme këtë vit erdhi si risi aktiviteti
dedikuar fëmijëve, ku vullnetarë dhe mësues u lexonin përralla dhe tregime të
vegjëlve.
Pra edhe në këtë panair sipas botuesve fëmijët- rinia janë
grupmosha, e cila ka rritur vëmëndjen ndaj librit. Duket sikur ata kanë lënë
mënjanë për pak kohë botën e internetit dhe i janë rikthyer leximit pasi sipas
tyre Panairi i duket event shumë i rëndësishëm. Ky interesim ka përbrenda dhe
një fakt tjetër: Dashamirësit e librit gjatë këtij panairi kanë mundësi të
takojnë edhe autorët e tyre të preferuar dhe një mundësi për të marrë kështu
një autograf me emrin e tyre. Uljet e çmimeve që kanë bërë shtëpitë botuese
janë ato çfarë tërheqin më shumë edhe vëmendjen e lexuesve.
Reklama
për autorët e huaj
Në gjithë vitet e demokracisë vihet re një shqetësim jo vetëm për
autorët shqiptarë, por edhe të rinjtë, sepse Shtëpitë botuese u bëjnë më shumë
reklamë autorëve të huaj. Madje gjatë gjithë vitit nëpër televizione shikohet
një reklamë e fuqishme ndërsa autorët tanë janë lënë në hije totalisht.
Kjo ka bërë që shumica e të rinjve shqiptarë të mos njohin asnjë autor shqiptar
veç Kadaresë dhe Agollit. Por edhe vetë botuesit justifikohen se në lëndën e
letërsisë më shumë bëhen autorët e huaj se ata shqiptarë. Dhe në ditën e dytë
të Panairit në diskutimin që pata me disa botues edhe me disa të rinj, u
shprehën me shqetësim për këtë problem të dyfishtë. Me studentët ngrita
shqetësimin se ata pak lexojnë autorë shqiptarë ndërsa me botuesit ngrita
problemin se pak reklamë u bëjnë autorëve shqiptarë. Por nga ana tjetër botuesit
justifikohen se edhe ata kanë ngritur shqetësimin për rekomandimin në
shkolla të autorëve të huaj dhe shumë pak vendas. Nga ana tjetër duke u
fokusuar në zhvillimin e teknologjisë, u theksua se mbetet edhe një mënyrë e
mirë për të përzgjedhur librat e duhur. Organizatorët e panairit të librit për
mendimin tim duhet të zhvillojnë tryeza ku të diskutojnë me të rinjtë mbi
preferencat e tyre dhe si duhet të afrohen me autorët shqiptarë. Madej
studentët duhet të marrin pjesë gjatë Panairit në diskutime mbi leximin dhe
botimet e reja. Një nga problemet e konstatuara është edhe qasja në arsim drejt
letërsisë së huaj duke krijuar më pak hapësirë për autorët vendas.
Teknologjia
dhe libri...
Para disa
muajsh në një intervistë me një librashitës mora këtë përgjigje:
- "Nuk po shoh ndonjë
interesim në rritje. Madje mund të them se leximi i librit po zbehet.
Interesimi për libra në shoqërinë shqiptare ka rënë jashtëzakonisht shumë dhe
është për t'u çuditur se çfarë niveli dhe ku ka ardhë libri sot. Shoh një
interesim vetëm gjatë Panairit vjetor që zhvillohet në nëntor ndërsa gjatë
vitit interesimi bie. Leximi duhet gjithëvjetor. Sikur ka lëvizur pak dy vitet
e fundit po sërish është e papërfillshme. Ndoshta ndikon teknologjia.
Ndoshta internet, apo ku di unë. Por libri për mendimin tim nuk zëvëndësohet
nga teknologjia, pasi ka tjetër forcë, tjetër paraqitje, tjetër tundim. Ka fuqi
të madhe libri. Por nuk po gjehet forma, rruga që njerëzit të ofrohen tek
libri. Nuk lexojnë, sepse edhe në familje libri nuk është kthyer në edukatë. Në
shtëpi prindi duhet të ndikojë te fëmija që të mos bëhen të varur tek
interneti, telefoni. Por aktualisht interneti i ka mbledhur të gjithë,
por ne duhet të luftojmë që të mos i humbasim librat, por po i humbim ne.
Në përgjithësi kërkohen romanet e huaj me dashuri, libri historic, por është
rritur interesi i librit për fëmijë.
Por e vërteta duhet thënë: Vitet e fundit thuhet se lexohet
gjithmonë dhe më pak. Madje theksohet se teknologjia e ka zëvëndësuar ndjeshëm
librin. Por kontradita është se për çdo vit rritet numri i shtëpive botuese. Si
jetojnë ato? Edhe shtëpitë botuese të vogla fare botojnë libra. Pra nga ana
tjetër mund të thuhet se çdo libër ka lexuesin e vet.
Përvojat ndërshqiptare
Ky Panair ka të veçantë se po tregon se çdo vit po rritet më
shumë bashkëpunimin ndërshqiptarë. Krijuesit dhe lexuesit e librit shqip nga
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi sjellin përvojat e tyre
duke shkëmbyer mendime, ide, bashkëpunime, shohin arritjet dhe të metat
për të qenë sa më pranë lexuesit të çdo moshe. Thjesht ky Panair i librit bën
bashkë, lexues, krijues, përkhyes, gazetar, kritik letrar në një garë të bukur
mes njëri tjetrit.
Në përfundim
Panairi do të shoqërohet me gjithashtu nga një sërë aktivitetesh
promovuese, ndërsa në 17 nëntor do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të
përzgjedhura nga juria. Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku
dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Për të gjithë
lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishëm dhe një
nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për numrin e
madh të titujve. Libra të zhanreve të ndryshëm kanë zënë vend në 95
stendat e shtëpive botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i
Zi, në pritje të lexuesve pa dallim moshe. Por, ky panair po ofron më shumë se
kaq. Mjaft të ftuar, përkthyes, autorë vendas dhe të huaj do të
bëhen pjesë e tij për të rrëfyer rreth veprave që përfaqësojnë. Dyert e
panairit do të jenë të çelura deri në 17 nëntor, duke iu ofruar kështu lexuesve
besnikë dhe të rinj qindra tituj librash nga autorë shqiptarë dhe të huaj, me
çmime të ulura nga 15 deri në 30%. Motoja e Panairit "Tirana
2023" është Motoja e këtij edicioni, "Të
lexosh do të thotë, të jetosh, të zbulosh, të rritesh," !
Edicioni i 27-të i panairit përveç titujve të rinj për lexuesit sjell edhe
takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi mbi përkthimin, seminare, etj.
Pjesë e aktiviteteve të panairit do të jetë edhe "Sofaja e
Librit", që mirëpret shkrimtarë të ndryshëm.