Mendime
Enver Bytyçi: Terror psikologjik mediatik për të pranuar fatalisht ndarjen e Kosovës!
E premte, 15.11.2024, 06:58 PM
Terror psikologjik mediatik për të pranuar fatalisht ndarjen e Kosovës!
Nga
Enver Bytyçi
Ne
qarqet mediatike, sidomos në Serbi, por edhe në Shqipëri, Kosovë e qytetet
shqiptare të Maqedonisë së Veriut e gjetkë, ka nis të elaborohet narrativa,
sipas së cilës „Me ardhjen e Donald Trump kërcënohet sovraniteti dhe shtetësia
e Kosovës“! Çfarë do të bëjë Presidenti Trump me Kosovën? Cili do të jetë
qëndrimi i tij? Çfarë zgjidhje do t’i jape? A do të bëjë lëshime ndaj Serbisë?!
Plot nga këto pyetje shtrohen prej kohës së para dhe sidomos pas zgjedhjes së
zotit Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Asnjëri nuk
kujtohet se Kosova e Ballkani nuk janë qendra e botës dhe e vëmendjes së
presidentit të SHBA.
Disa
janë të shqetësuar, sepse gjatë administrates së pare të Trump pati një
mbështetje për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis të dy
vendeve, Kosovës dhe Serbisë. Asnjë “terrorist” propagande nuk përmend faktin
se ishin vetë dy (tre) liderët e vendeve në konflikt që e propozuan këtë
opsion. Ndërkaq marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në zyrën ovale midis tij dhe dy
liderëve respektivë, Abdullah Hotit dhe Aleksandër Vuçiq, ishte jashtë skemës
së ndarjes së Kosovës, sidoqë me një menaxhim të Trepçes dhe Ujmanit të
dyshimtë. Ndërkohë që njohja e vetme prej gati 7-8 vitesh, ajo e Izraelit, për
shtetin e Kosovës ishte një lloj mesazhi se “Kosova do të ekzistojë si shtet”!
Ndryshe nga Obama dhe Biden, ish-presidenti Trump i asaj kohe siguroi një
njohje të rëndësishme.
Një
grup “analistësh”, “opinionistësh” dhe demagogësh kanë rifilluar të përdorin
një lloj agresioni psikologjik në popullatën shqiptare me narrativën se
“”patriotët” dështuan me kundërshtitë e tyre për ndarjen e Kosovës! Trump do ta
ndajë atë dhe kësisoj do t’i japë fund konfliktit në Ballkanin Perendimor”! Për
këta agresorë propagandistikë rëndësi ka paqja me Serbinë, ndërkohë që kufijtë
dhe territoret janë krejt të parëndësishme! Kjo ide fixe është ngjizur që në
vitin 1941, kur thuhej se “Pa Jugosllavinë dhe shokun Tito, Shqipëria nuk do të
ekzistonte”! Në fakt është një qëndrim pro - pushtetit dhe jo pro – shtetit, si
i tillë edhe pro-serb dhe jo pro-shqiptar! Kategoria e këtyre taborreve
agresive mediatike jo vetëm kanë marrë detyrë të bëjnë agresion kundër mendimit
ndryshe sa i përket epilogut të dialogut, por edhe duan “kupën e fitores”! Për
ta nuk është fitore shtetësia e Kosovës në kufijtë ekzistues, përkundrazi ata
konsiderojnë fitore të provojnë se “ishin parashikues të aftë”!
Gara
për të provuar se “unë kisha të drejtë”, provokon qëndrime që shkojnë në
interes të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Sepse ndarja e Kosovës prodhon
zhbërjen e shtetit të saj. Kosova mbetet pa Ujmanin dhe Trepçën, dy arterie të
ngrurta e të lengshme pa të cilat nuk jeton dot shteti i Kosovës dhe popullsia
e saj gati dy milionëshe. Mirëpo shanset janë thuajse zero që provokuesit e psikologjisë
së shqiptarëve me synimin që ata t’I nënshtrohen fatit, të mund të arrijnë
paralizën tonë kombëtare. Metodat e terrorit psikologjik të tilla, çfarë
përmendëm më lart, janë shumë agresive e të dëmshme për shëndetin mendor të një
populli e të një kombi. Ato synojnë ta zhveshin individin shqiptar nga “e
drejta e vet mbi territorin” dhe t’i nënshtrohet fatit të vendimmarrjes së të
mëdhenjve. Njësoj si në vitin 1878, 1913, 1919 qpo në vitin 1945 në Jaltë.
Pikërisht këtë bën media pro-serbe, e manipuluar prej Aleksandër Vuçiq dhe Edi
Ramës në favor të ndarjes së Kosovës.
Mjerisht
për ta, ndryshimi i kufijve, pra ndarja e Kosovës, nuk do të ndodhë. Nuk do të
ndodhë, sepse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa
Osmani kanë vendosur të mos firmosin asnjë dokument, marrëveshje apo dakordësi
që cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Kundërshtarët e
tyre nuk do të guxojnë ta bëjnë këtë, nëse do vinin në pushtet më 9 shkurt
2025, çka është krejt e pamundur! Nuk do të ndodh për arsyen kryesore, se
Donald Trump duket se nuk ka ndërmend të përdorë territoret e t’i ndryshojë ato
në Ballkanin Perendimor, sigurisht i bindur se ky lloj operacioni shkakton
konflikte dhe nuk mbyll plagë.
Kjo
duket gjithashtu nga emërimet e fundit të presidentit të ri amerikan. U tha se
Grennell do të jetë sekretar shteti, por në këtë pozicion u përzgjodh një
personalitet tjetër anti-soros e kundër perversitetit, Marco Rubio. Duke
pranuar faktin se ishte fondacioni Soros në Beograd që hartoi projektin për
ndarjen e Kosovës, atëherë automatikisht kjo e bën të pamundur këtë opsion.
Donald Trump emëroi një person serioz, që nuk luan me kufij, si këshilltar të
Sigurisë Kombëtare dhe njëkohësisht
drejtor të CIA-s, John Ratcliffe, një mik i dëshmuar i Kosovës dhe i
shqiptarëve. Këta tre personalitete, bëjnë projektet politike për krizat dhe
konfliktet në botë. Asnjë prej këtyre nuk përkrah ndarjen e Kosovës. Ata që
ëndërrojnë ndarjen e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe, qofshin këta
serbë apo shqiptarë pro-serbë, kanë filluar tashmë të zhgënjehen.
Ndërkohë
zhvillimet e ardhshme në zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës do të
favorizojnë njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës. E di se dikush këtë që po
them do ta quajë optimizëm të pabazuar. Por pritet që presidenti Trump çeshtjen
e Kosovës nuk do ta zgjidhë më me liderët e Serbisë e të Kosovës. Pakti për
Kosovën do të ndodhë në kuadër të zgjidhjes për Ukrainën. Kam bindjen se
Vladimir Putin e filloi luftën kundër Ukrainës për Krimenë, pra që ta detyrojë
SHBA-në dhe BE-në të pranojnë legjitimitetin e aneksimit të saj. Ndryshe kjo
luftë nuk do të kufizohej në lindje të Ukrainës dhe Putin nuk do të kishte
toleruar sulmet ukrainase ndaj objektivave brenda territorit rus. Dhe dihen
tashmë deklarimet e Putin e Lavrov për paralelizmin midis Krimesë dhe Kosovës,
të cilin mund ta lexojmë si formulë të dhënies fund të luftës.
Ka
edhe shumë arsye të tjera pse euforikët për sukses në ndarjen e Kosovës nuk do
të lumturohen për atë që predikojnë. Por besoj se këto që përmenda më lart,
mjaftojnë për të thënë se administrata Trump edhe për Kosovën, sipas të gjitha
gjasave, do të jetë më produktive dhe pozitive për Kosovën, sesa administrata
Biden e shumë më tepër sesa administrata e Barak Obamës.