Kulturë
Arsim Halili: Zhbirimet e së kaluarës përmes nje vepre letrare
E marte, 12.11.2024, 06:52 PM
ZHBIRIMET E SË KALUARËS PËRMES NJË VEPRE LETRARE
“Nga
perceptimet e ndjeshmërisë lind aftësia e kujtesës”,
thotë Aristoteli.
Nga
Arsim HALILI
Letërsia shqipe ka qenë dhe është një
histori e tërë e ndërlikuar dhe e mbingarkuar gjakimesh për të ruajtur gjuhën,
njësinë kombëtare, njeriun shqiptar, për të medituar mbi realitetin, për t’i
shërbyer ideologjive, por edhe për të ndërtuar gjuhën në bazë të konvecave që
ia ka atribuuar koha. E nisa këtë analizë kështu, duke qenë se edhe vet autori Mehmetali
Rexhepi, që sot përurojmë njërën nga veprat e tij, në peshën e kohës ka bartur
këtë gjakim, pa dyshim konvergon me atë hapësirë ku pretendohet të zhbirohet psikologjia
sa faktike, po aq abstrakte e personazheve sizifian, që koha i trajtoi si rrjedhë
e ndërlikuar e ideologjisë utopiste.
SI TA LEXOJMË ROMANIN “ LËKURA E GURIT “ TË MEHMETALI
REXHEPIT?
Kur lexojmë vepra letrare narrative të periudhave
të ndryshme, shohim që struktura e veprës letrare nuk është gjithmonë e njëjtë.
Ajo ka një zhvillim për gjatë gjithë kohës. Duhet thënë se romancierët e
hershëm e kanë ruajtur një strukturë të gjatë në veprat e tyre, respektivisht strukturën
epike. Mbi leximin e romanit “Lëkura e gurit“ të Mehmetali Rexhepit, do të mbështesësh
tri parime të njohura retorike-stilistike: Euresis, Taksis dhe Lexis. Natyrisht
do të shihet a ka pikë takime apo shmangie të këtyre parimeve? Secila vepër
narrative mbështet në dy koncepte themelore teorike storje (përshkrimi) dhe diskursi.
Duhet thënë që në krye të herës, kjo vepër pjesën më të madhe është e mbështetur
në konceptin e parë, në storie, me ose pa qëllim autori targeton përshkrimin e
situatave në vetën e parë më shumë se sa dialogun, më shumë se konfliktin mes
personazheve, ndonëse përjashtohet si i tillë. Nuk bënë zhvendosje të narratorit
në vetën e tretë, e as nuk e bartë zërin e tij përmes narratorit aktor-personazh.
Romani i Mehmetali Rexhepit ka unitet të brendshëm për faktin se përdor teknikë
të shkrimit, që në këtë rast, këtë teknikë e bënë ligjërimi modern i konfiguruar
me imazhe surrealiste. Ajo që karakterizohet në romanin “Lëkura e gurit” pa dyshim
është edhe çmitizimi i realiteteve të gënjeshtra, që ndërtoi sistemi i kaluar
në dëm të shqiptarëve e, që për fat të keq edhe vet shkrimtari e jetoi dhe e përjetoi, madje e pagoi me çmim penalizues, sepse nuk e pranoi të ndihet
komod në këtë realitet të gënjeshtërt. Një gjë duhet pranuar se gjatë leximit të romanit
pa dyshim se ndodhemi para dilemave apo
alternimit të ndërlikuar kronotopik, si kategori estetike të zhvendosjeve
në kohë dhe hapësirë.
Le t’i referohemi për pak çaste parimit
retorik Taksisit brenda romanit në fjalë. Bota narrative në romanin “ Lëkura e gurit
“ përbëhet në pjesën më të madhe nga ngjarje reale, le t’i quajmë më shumë ideologjike
se sa politikë. Si të tilla personazhet herë të kamufluar me emra tjerë e, herë
me emra të vërtetë janë prototipa të një rëndësie të veçantë. Rrëfimi kontrollohet
nga narratori intradigjetik, kryen një funksion sa narrativ edhe bartë peshën e
një personazhi aktiv brenda vetë stories. Gjatë leximit të romanit mund të konstatohet
edhe fakti në shumicën e veprave letrare, respektivisht të prozës së gjatë
ruhet ekuivalenca zinxhirore, në këtë rast, te ky roman mbase nuk ruhet kjo
ekuivalencë hallkash zinxhirorë.
Në romanin “Lëkura e gurit“ funksioni
retorik i Leksisit gjen zbatim thuajse fund e krye, me që ky parim estetik-retorik
ka për objektiv zbukurimin me figuracione stilistike, duket se autori
Mehmetali Rexhepi ia mbarështron
vetës këtë detyrë në procesin e zbukurimit të tekstit. Këtë gjë më së miri e vërejmë
në disa paragrafë ku është ndërfutur bukur mirë elementi filozofik, si dhe
prania më e madhe e vet zbukurimit të tekstit poetik. Me një organizim funksional
në vepër, autori Rexhepi ndjek me kompetencë diskursin e Derridës mbi
teoritë e brikolazhit, ku në tekst
ndërfut me qëllim elemente citatesh
apo brikolazhi, si: “Çorba e lirë t’i djegë buzët,” fjalë e urtë popullore ose parulla e njohur: “Republikë, Kushtetutë, ja
me hatër ja me luftë “; mandej kemi edhe poezinë e Naim Frashërit: “Jak o dritë e
uruar,/ që lind nga perëndon /Atë anë e
ke ndritur / e ne pse na harron.“
Duke ditur mirëfilli nga teoritë narrative se dallojmë disa lloje personazhesh, më saktësisht: tre
tipa të tillë: personazhet pasive, personazhet
dinamike dhe personazhet stereotipe,
konsideroj se në romanin “Lëkura e gurit” të Mehemetali
Rexhepit, mbase ky përqendron në lojë
kryesisht personazhet e llojit të dytë, respektivisht personazhet
dinamike, në këtë rast vërehet edhe
dinamika e vet autorit personazh në
roman. Personazhi nga fillimi dhe
në rrjedha të ngjarjeve vjen duke u plotësuar, duke ndryshuar karakter dhe duke krijuar botëkuptime të
reja, në këtë rast jo
vetëm ai, si mbartës protagonist edhe i
rrëfimit, por edhe dinamikës së
përshkrimit, por edhe te personazhet
tjerë kemi një lloj të tillë dinamike. Këtu nuk përjashtohen edhe personazhet
e llojit apo tipi i personazheve stereotipe, personazhe që në karakterin e tyre
kanë reprezentim bardhë e zi, thjesht pa dinamikë, mund të jenë kriminelë ose policë. Te romani në fjalë kemi kryesisht
policë, por edhe hetuesit, prokurorë etj.
Krejt në fund, duhet thënë se si shumë shkrimtarë tjerë edhe Mehmetali Rexhepi, shkruan për ndjesinë e së kaluarës, mbase shkrimtarët pozicionohen ose në të kaluarën më të largët, madje në distancë kohore shekullore. Sigurisht se autori zgjodhi një kohë dhe hapësirë veprimi tjetër, atë të së kaluarës së afërt, madje deri në ditët e sotme.
*Fjalë e lexuar në përurimin e
romanit të Mehmetali Rexhepit “LËKURA E GURIT,” në veprimtarinë kulturore “VJESHTA
LETRARE E GJILANIT”
Gjilan, më 26 tetor 2024