Kulturë
Meti Rexhepi: Shuarjet që lënë hije
E hene, 11.11.2024, 06:55 PM
SHUARJET QË LËNË HIJE
Nga
Meti REXHEPI
Një arrë e mbirë pa e mbjellë sikur më lyp: dua ujë! Një pemë
pa fryte në temperaturë dyzetetetë gradë heshtas i lutet shikimeve të mos ia
kthejnë shpinën... Shkeli mbi barin e korrikut që po thahet në hapësirën e
rrafshët ku kokulur gërvishten shikimet në barin e gjembave. Nuk e dijë: i
këndella apo i përcëllova me aq pak ujë të derdhur rreth trungjeve të atyre drunjve
fisnikë? Mund t`ua spërkatja rrënjët vetëm me djersët e mia. E di se shkelja mbi
barë të gjembosur të jetës sime, që stina e valë po ia humbte ngjyrën, e
murrmja dhe ngjyrë kashta e grurit të fshirë. Mbi lëkurën time të hollë bartja të
veshurën e trashë të palltos së qepur prej rrezeve. Porët e lëkurës si kroje nxirrnin
lëngje të kripura, që i derdhnin si sumbulla kokrrash rrushi që merrnin ngjyrë,
sikur të lëkurës sime, të shtrydhura në të gjitha gjymtyrët. Avullohej
lëngshmëria e trupit dhe, ai avullim dukej se tretej në atmosferë, por nuk e
rroknin pamjet e syve avullin e përpirë nga kaltërsia. Atë materie të gaztë si
i thonë kimistët, porse ar-praruar për alkimistët! Ajo peshë fluide e jetës
mikroskopike shkonte diku, i bashkëngjitej morisë molekulave të së lëngshmes së
vluar apo të akullt? E akullta mund të na kthehej nga reja e mbarsur me kokrrat
e breshërimës. Zbërthehej një gjendje mllefi...
Tashmë edhe truri më ngjan në diçka që
avullohet, ngaqë hullive të mendjes, ku mbillet, mbinë apo piqet ajo, do të rrjedh
ujë ndoshta afër pikës së vlimit? Mendja dhe ndjenja po përputheshin të
nxirrnin vetëm kuptime të nxehta, gjithçka i përkiste sferës së nxehtësisë. Duket
se sfera e zjarrtë e Yllit që na dritëson dhe përcëllon, kishte zbritur më afër
Yll-kaltrës sonë apo Yll-kaltëroshja iu kishte afruar gjirit të Yll-zjarrtit të
përhershëm? Vetëm kur mendoja nganjëherë se Yll-zjarrti ynë mund të shuhet tej
ku nuk arrijnë brezat e frymorëve?!... Se nuk do të jetë Dritësori i
përhershëm?!... Hyja në sferën e shkretëtirës, tejet të kobshme, ndoshta të
çmendur për atë largësi të pamatshme, të asaj përmase me të ndjella krejt kobtare?!
Ç`po më duhej tash ajo përmasë kozmike?!
-Janë ligje të universit...
-Kjo është një logjikë absurde! - Do
të pohonte pragmatisti!
-Çmenduri e marrjes me të pakufishmen,
përderisa e rëndomta ta mbyllë për çdo të bardhën ditë shtegdaljen për ëndjet tua!
Është dhe nuk është për t`u çuditur:
kur imagjinatën na e fali si një dhunti fluturimesh ndër galaktika Enigma e
Përsosjes së Mendjes... Megjithatë, kuptimi i shuarjes së Yll-dritës, deshe s`deshe,
të sjell vrushkullin e përkohshëm të një ftohtësie rrëqethëse, si zhytja e parë
e shtyrjes së beftë, tërësisht i brishtë pas djersësh në dallgët e detit pa notin
e ushtruar! Çfarë rrëqethje për infarkt!
Në monologun tim të korrikut po i thosha
përkohësisë sime:
-Po shkeli mbi regjimin tënd të nxehtë,
natyrshëm po hedh hapat e mi hijeve të mundshme të jetës sime.
Ai po më thoshte:
-Që të dy kemi një mandat. - Vijoi:
-E kam mandatin aq sa të më lejojë afërsia
e globit me Yll-zjarrtin.
-Por, nuk dua të ma prishësh ventilin
e vrimës, zbrazjen e paprerë mbi tualet...
-I madhërishëm je korrik, por të mos m`i
vardiskësh virozat tua shëmtuese!
-Në mandatin tim nuk jam i vetëm, jam me
sivëllain tim gushtin - Pohoi:
-Përderisa je gjithnjë i
papërshtatshëm...
-Përse?
-T`i lash hijet, preve lisat, t`i lash
lumenjtë, liqenet, detet ndote ujërat, ta lash ombrellën e ozonit ta kesh oksigjenin
e pastër, por më kanose me djegie të thëngjillit, me ato bombat e tua atomike,
të hidrogjenit e çfarë jo?!
-Po unë, unë... Ç`faj kam? As frerë në
duar, as kllapa për hiena dykëmbëshe tërësisht të tërbuara!...
Mos e paragjykoja, çka do të më
përgjigjej Enigma e Madhërishme e Përsosjes së Natyrës apo e kataklizmit të
saj?!
Provimi i rëndë dhe i dhimbshëm i
jetës mbase mund të jetë i ngjashëm, qoftë në mandatin e korrik-gushtit apo në
polet e ngrira nën pesëdhjetë gradë të celsiusit. Thellë në brendi, gjithandej ritmeve
të shpirtit, ruhet nxehtësia, që do të dalë vrik si sumbullat në ballë në
çastet e fikjes së jetës. Pastaj ngrirje e përhershme e bukurisë sime të
shndërruar në kërmë! Zhveshje të menjëhershme të masës dhjamore, shkrirje të
venave, e indeve, enëve të gjakut dhe, një mbetje paksa më gjatë të armaturës
skeletore që ishte veshur me mishin, muskujt dhe fijet nervore me qendrën e
përsosur të trurit. Trurin diti ta përsoste, veçse Enigma e Përsosjes së
Natyrës; nga natyrë e vdekur ta ngjallte për të gjallëruar dhe sërish në cikle
për të shuar... Te të gjallët, ndoshta paksa do t`u mbetesha, pos si hije
flladitëse e verës, së paku si dhunti të kujtesës, si vesë e dhimbjes... Mbase?
Kush e di?
Enigma e Përsosjes së Natyrës u kujdes
që me mashtrime dhe lojëra të bukura, ta fsheh çastin e trishtueshëm të
zhbërjes së joshjeve.
Jam në çastet e paragjykimeve të
trishtimit... Pse? Ngaqë më ftohu korriku mu në majën e vet të nxehtësisë së vlimit!
Enigma e Madhërishme e Përsosjes së Natyrës hyri mes njerëzve dhe, aty ndoshta
prej mjedisesh të atilla e hodhi kobin në trajta të shquara. Ca nga miqtë e mi,
sikur i përzgjodhi t`ua jepte ta pinin helmin k-a-n-c-e-r ose si vëllamin
e tij të ngutshëm e të papritur i n f a r k t i n. Më erdhi përsiatja:
si zvarritej Beqa pas shpimit të shigjetave të zeza për hyrje dhe dalje nga “Bukuria
e zezë” e tij?! Mandej si u fik Tekiu pas gjithë asaj ngjitjeje me “Etje dhe
borë” deri te “Bregu i pikëllimit?” Ashtu radhas vargani
i pandalshëm i miqve, atyre që mëtuan të
kultivonin bimët e fisnikërisë në shpirtra, të cilët nuk i shihnim në trajta lule
trëndafilash, gonxhesh, burbuqesh, tulipanësh, karafilash, aloe verash apo të
llojeve që i kultivon vetë dhuntia e natyrës. Secili nga miqtë më la nga
diçka të këndshme madje, duke u sfilitur
lanë margaritarë të urtisë, por nuk u mjaftua shija e topitur e njerëzve për
lule-shkrolat, për ato shije të holla... Erërat e interesit të lehtë i turbulluan
shijet e thella dhe thanë:
-Ato shije të tëholluara i përkasin
një sfere tjetër përtej zonës sonë. Iluzione si të tilla nuk na ngopin ne asnjëherë!
-Tashmë më mungon cakërrimi i gotës me
gotën e Ademit* të romuzeve të buta dhe ndjenjës me gazin e kulluar të qeshjes.
Në kontrastin e ditës diçka e
përhershme vjen tek unë si shuarja e atyre, që i mori amshimi, si akti i fundit
i jetës së tyre. Jeta edhe disa çaste më lënka të pi në gotat e alkimisë së
atyre. Ende nuk e kam provuar atë akt-aktin e mbarimit të ecejakeve të miqve. Jam
duke shkelur hijeve pikëlluese, të cilat shpejt avullohen, sepse nuk ka diell i
përhershëm as hije të përhershme, as pikëllim të pangopshëm. Mes meje dhe këtyre
Enigma e Përsosjes së Natyrës nuk do të më lërë hapësirë të gjerë, derisa t`ua
shpaloj modelet mes enigmash dhe, kërkimin e modelit vetjak të pangjashëm me
ta, por prej një brumi të së njëjtës shkëputje. Është pak për një jetë njeriu
të gjesh një model të pangjashëm!
-Sa pak, sa pak, sa pak jetë për një
model të vërtetë! - Vetëbindej dytëshori para muzgut rrotullues të kësaj dite me
rreze përshkuese deri në fyshta kallami të reumës!
Në meditime të holla e të trasha po
rigonin pika të imëta mallëngjimi, përderisa sytë e njomnin përsiatjen e jetës
kalimtare me gjethnajën e dendur të qershisë tash për tash të pa-zverdhur nga
përcëllima e rrezeve pingule. E tashmja e gjetheve të paepura si duket, donte
të ma fshinte si me një gomë magjike zymtësinë e pelinët të jetës. Kinse po
harroja se isha një fryt përtej mandatit të nisur në sytha. Po piqesha apo do
të digjesha? Jeta ime herë lakuar, herë e drejtë për çdo rrotullim dite, po i
hidhte hapat mbi disa vdekje të mia të vogla. Mbi disa skema labirintesh... Të
gjitha vdekjet e vogla po e gatisnin për çdo ditë atë të madhen. Babai Mujë
ndjesë pastë, e përsëriste:
-Bir deka asht pazar i madh!
*
Poeti shtroi dilema: e shkela apo më
shkeli dita e sotme? Cila dy-mendje e poetit do të peshonte më shumë në
peshoren e tij? Ata që i shkeli dita ngecnin në ferrat e djerrinës së saj dhe,
mallkohej lëndina! Përse e mallkonin lëndinën që u shtrihej gjerë e gjatë
përpara
*Adem Gashi
bjerrakohësve? Bjerrakohësit kishin
pritur, që lëndina vetvetiu t`iu zgjerohej nën këmbë, herrur prej gjembave të
egër dhe mushkonjave thith-gjaku dhe, prisnin t`ua erëzonte parfumerinë e vardisjes
në secilën frymëmarrje prej Enigmës të Përsosjes së Natyrës.
Të njëjtës lëndinë dëshpëruese duke iu
shmangur ferrave të mëdha, vijonin ecejaket mbi mihje karakteresh në kuvendet e
thash e them-najës. Kundruall, andej lëndinës shihnin rebelimin e Poetit, që të
rrallat dalje të tij, u dukeshin si karikatura të një trupi të cullakuar. Ai
kishte bërë emër për ta shënjestruar, por lëvizjet po ia shpallnin edhe si shenja
somnambuli të natës!
Gjilan, korrik 2024