Kulturë
Prenda Sejdia: Virtytet e mëdha në veprën e tij poetike
E hene, 11.11.2024, 06:52 PM
VIRTYTET
E MËDHA NË VEPRËN E TIJ POETIKE
-Frymëzimet
filozofike, figura reale e imagjinare, ku e përcepton botën në shumë dimensione
Recension
për librin poetik, „THIKAT E MLLEFIT“, nga autori Brahim Ibish Avdyli
Nga
Prenda Sejdia
Kam lexuar e rilexuar vëllimin e ri poetik që më solli për recensentë
poeti Brahim Avdyli dhe e prita me kënaqësi, dhe pashë që autori dëshiron
rrugëtim me horizont gjithpërfshirës dhe me motivin duke hapur shumë dyer,
dritare, shtigje, ndaj shihet dashuria e tij e zjarrtë për fjalën e vargun, por
dhe flet për zhbërjet, helmet e dashurisë që tashmë duken sheshazi,
fatkeqësisht kudo, hijet, pushtetin e vdekjes, për pranverat, flukamat, thikat
e mllefit, shpenzimet, trinitë, parantezat, alergjinë, metaforikën,
tragjikomedinë, apokaliptikat, meloditë e trishta, antitezat, konglomeratet,
shpresat etj.
Ndaj, gjithçka që gjeta dhe solla deri tani për temat e përzgjedhura, e
bëjnë autorin poliglot të fjalës ku jeta, merr frymë me frymën e poetit Brahim
Avdyli, i cili gjendet në rrafshin e vet brenda poetikës por dhe letersisë
shqipe pasi zbulon visare duke ndezur drita të veçanta për ta soditur e sjellë
botën në poezi.
Kjo do të thotë, „je i thjeshtë në
madhështi“ ndaj zotëron filigramin e artit poetik. Fisnikëria dhe dinjiteti
njerëzor, janë ndër të paktat virtyte që koha nuk mund ti zhdukin as'sesi.
Thuhet se filozofitë zbehen, besimet ndjekin njëri- tjetrin ose dhe
ndryshojnë por ajo që është e bukur e tillë do të mbetet, por është dhe posedim
për gjithë përjetësinë.
Ndaj kjo që u shkrua më lart besoj se i përshtatet mjaft mirë Brahimit
pasi në krijimtarinë e tij gjen vlerat më të larta të letersisë bashkëkohore
shqiptare e sidomos të artit poetik në gjithë hapësirat shqipfolëse, ku ka
lëvruar këtë zhanër letrar që në rininë e tij të hershme.
Brahimi është poet e shkrimtar, por shkon përmes shembullit personal në
gjithë krijimtarinë e tij të hershme apo të vonë të cilën e lëvron përmes
vlerash duke u kthyer burim frymëzimi për brezat e së ardhmes.
Pa dyshim se ai i ka vënë detyrë vetes dhe e zbaton me përpikmëri
përsosjen mjeshtërore, e vjen si frymëzim për lexuesit shqiptarë, dhe i gjej te
çdo fjalë a varg të krijimeve të tij duke u shprehur përmes thellësisë së
mendimit, fuqisë filozofike e fjalës së mirë menduar, dytësisë së mendimit e
finesave të kuptimit dhe i shpreh fuqishëm përmes metaforave pikante ku lidhen
ngushtë me njëra- tjetrën.
Brahim Avdyli vjen si rrjedhë e letersisë shqiptare, e citoj kështu pasi
në rrjedhën e tij krijuese përfshin fjalën e artin si arsyetimin e thjeshtë se „poezia është art i atij që di ta lexojë
poezinë“.
Do sjell disa nga temat mjaft interesante që pë-rmban ky vëllim poetik: „Helmet e bukurisë“; „Pranvera e shkrumbuar“; „Thikat e mllefit“; „Trinitë e qënies“; „Parantezat e gjykimeve“; „Alergjia e shkatërrimit“; „Tragjikomedia e ferrit“; „Apokali-ptika e fjalëve“; „Antiteza e dijes“; „Nuk më braktisë shpresa“; etj. Këtu, po e marr një pjesë të poezisë:
„ 3.
Zotin e thërras
por ma sjellin të veshur jevgjit,
njëmijë vrima ndjenjash shtazarake
i paska prej ballit të çështjes
e deri pas vetes,
më dukej
se isha i dërguar nga Zot-Mërkuri
në tragji-komedinë jetike e të përkohshme
e asgjë të ligë nuk guxoj që ta bëj
që të më thërrasin
legjendar përjetimesh!...“
( Poezia "JAM MËSUAR ME ZHBËRJE" )
Fuqia e fjalës zë vend në çdo varg të kësaj poezie, krahas asaj shpirtërore
dhe ngre krye mes shigjetave të kohërave duke u kthyer në qëndresë poetike e
formësuar në kështjellën letrare atë çfarë i ligjëron e kaluara shumë
shekullore e të sotmes, pra çka përfaqëson poeti dhe e vë në dilemë me botën
dhe veten.
Çfarë kërkon poeti dhe çfarë gjen, me varg transparent krahason dy botë
të qenësishme në një të vetme, sa vështirë bëhet dallimin mes botës kafshë dhe
njeri e shtjelluar, e tëra hipokrizi. Ndaj fjala e vargu janë lidhur
pazgjidhshmërisht me shpirtin e poetit, duke kaluar furtuna, por i duruar.
Lumturitë e munguara, bota vetmitare e poetit, nuancat e emocioneve të cilat
nuk përtypen assesi nga një lexim pa analizë.
Brahimi, është kritik letrar, ndaj është mësuar me skanerin dhe
energjinë purifikuese dhe shpesh ndryshon frekuencat e ajrit me argumente
ilustruese.
Kështu që poeti shprehet se është mësuar me zhbërjet, duket haptazi se,
ai është përballur me forcën e natyrës e cila i ka dhënë poetit nga forca e saj
ndaj, jo më kot thuhet se prej forcës merr forcë edhe kur të fusin në burgjet e
paqena, të paqena kur ndodh e liga, e nga pësimet shuhet vorbulla e shpirtit.
Mbushur imazhe e tema të shumta që duket aq e vështirë të veçosh ndonjë,
pasi brendia e tyre lë të nënkuptosh se ka arritur univerzalizimin me vlera të
veçanta ku ekziston padyshim ajo lidhja e ngushtë e hermetizmit mbi fenomenet e
shumta të ndodhura në harkun kohor të jetëgjatësisë së autorit.
Për poetin padrejtësitë janë llava ku harbon dhe përfshin honet e
shpirtit dhe përcëllon botën ku gjendesh, aty mes flakërimave e shpresat e
pritura, si kundër edhe poezinë e vendos po në të njëjtën drejtëz a baraspeshë "Në vend të Zotit qenka kryemadhi i
zoti i djajve", vendos gjithashtu mirësinë e zotit me dëmin e madh të
pësimeve në vorbullën e shpirtit, në formën më filozofike të mundshme ku
gjithçka thotë Brahimi vjen nga pika e mendimit.
„ 4.
Gjak pabesie
rrugëve të botës
edhe për gjëra të liga
që kurrë nuk i kam bërë
prapë po i laj,
shprehimisht e kam pranuar
fuqinë kozmike
e fëmijët e vegjël
i kam mbajtur mbi vetull
prore kam ruajtur
për bardhëzimin e vargjeve
me ngjyrën boreane të maleve
e askujt borxh
nuk i mbetem
frymimeve për të nesërmen…“
( Poezia „THIKAT E MLLEFIT“ )
Kjo poezi mban dhe titullin e librit.
E fuqishme në tërësinë e saj dhe thellësisht tronditëse dhe bartëse e dhembjeve
të jetuara e pa të jetuara jo vetëm të autorit, por një pjese të madhe të
shoqërisë dhe shoqërive dhe ndjehet si përfaqësuese e kohërave të vështira.
Ama, duket se në këtë libër shkruhen tmerri a konvergjencat që bien
njëra pas tjetrës si p.sh, pabesia si ligësi e egër apo shpifjet mbi qenien
njeri. Duket se poeti është besimtar te natyra e gjithësia ndaj përkushtohet me
mish e shpirt pasi fëmijët i mban mbi vetull me tërë forcën dhe energjitë duke
ndjerë përgjegjësi njerëzore.
Shpirti i tij i badhë, thotë fjala e vargu se ngjan me ngjyrën boreane
të maleve, duket se gjoksin e tij, fuqishëm ia kthen erës.
Kur të krijuarit a të shkruarit bëhet nga pena e stërvitur dhe e
talentuar, bën t'i përzgjedhësh kaloritë që kthen si vlerë për një jetë të
shëndetshme, pos që zbukuron artin e fjalës me fjalët e shpirtit, ndonëse
rëndesa është e dukshme. „Lum kush di ta
ushqejë shpirtin se ju bëhet vend edhe të tjerëve“, kjo thënje biblike
sikur gjen vend në poezitë e këtij vëllimi poetik, dhe natyrshëm lind ky binom
mes poetit dhe lexuesit, ndaj ky libër është shkruar me gjakun e shpirtit dhe
do të ju shërbejë kryekëput shpirtërave njerëzor.
Poeti, ashtu e ka përballuar mes sfidave një jetë si në varg apo një shumicë e shoqërisë duke ndjekë shtegëtimin e tij pasi sillet si kujtesë dhe përkujdesje, që ta kemi përparësi zhvillimin mendor, dhe ngjan sikur një njeri vjen para nesh i lindur mes valëve dhe shqetësimeve të mëdha, dhe vetëm për t'u sprovuar ndërkohë sjell imazhe të fuqishme që mposht ligësitë e pabesitë dhe përcjell ndjenja kolektive që rrjedh nga përvoja e ekzistencës dhe i përcjell njëkohësisht mesazhe popullit të vet të shumë vuajtur ku ndërlidhet pikëllimi si binom i poetit me lexuesin.
„ 1.
Vargu qarkullon
nëpër lugje e kodra të djallëzisë,
aty lodron
oligarkia e krijesave
të përçudshme
fishkëllon me të madhe
fundosjen e mileniumeve,
digjem nga dhembja
në pamundësinë e kuptimit.
2.
Më del tymi
nëpër kapakun e mendjes-
rrjedhje me mjegullnajë
e njeriu dergjet
nëpër dridhjet e mosbesimit,
me shpërfillje
na zë kudo alergjia e shkatërimit...“
( Poezia „ALERGJIA E SHKATËRRIMIT“ )
Poeti është gjithnjë në kërkim të përsosjes së shprehjes, ndaj dëshmon
fuqi poetike në çdo varg, strofë e poezi ndaj godet me tehun e fjalës peshuar
mirë.
Shpesh e ndeshim filozofinë e goditjes në nivelin e lartë të mendësisë
së intelektit, ku bën të rrebelosh ndjenjat për frontin që hap autori me
nocionet si „nëpër kodra e lugje të
djallëzisë lodron oligarkia e krijesave të çuditshme“.
Dihet që, opsioni më i mundshëm dhe real është goditja për t'i dhënë
vlerë fjalës por dhe ngjyrë e dritë vargut në ndërtimin e veprës por dhe jetën
njerëzore. Sikur të motivon sintonia me hapësirën e të menduarit në gjithë
labirintet me hermetizmin që autori sjell në varg, strofë a poezi.
Autori ka përjetuar brishtësinë e shekullit dhe ka ndërtuar oazën e tij
duke qenë se efekti kohë është edhe ilaçi më i mirë e mësues inspirues, ndaj
është origjinal brenda inividualitetit të tij krijues dhe tërësive universale
në një proces të gjatë përmes psiko- filozofisë.
„Më del tymi nëpër kapakun e mendjes“, kur vorbullohen fjalët e
vargu merr flakë, gjëmon përmes fjalës qan dhe i këndon shpirti njëkohësisht
për brengat dhe përçapjet që rrinë aty strukur, diku skutave të shpirtit pasi
prej hijes, territ verbon dhe qiellin blu, vërshojnë turbulencave të papritura
ku dhe ajri mungon, dhe duket se shëmti e errët i bie horizontit dhe epokat
mbjellin terr mbi dritën.
Autori artikulueshëm vigjilon personalitetin dhe botën që e rrethon.
Autori vjen në perfeksion në pikëpamje të interesave motivuese por dhe
tematike, e kjo bën autorin të ketë fron por impulset e nervit nuk gjejnë dot
qetësi.
Ky vëllim vjen si testament që kërkon „ringjallje a rizgjim“ nga motet e hidhëta të shëmtisë të epokave
dhe imazhet shërbejnë për thellim studimi në këndvështrimin poetik dhe krejt
dimensionet universale dhe eksplorimit nëpërmjet përjetimit, vargut që përbën
të magjishmen duke e hasur kudo në varg, strofë e poezi.
Poezia e Brahimit, është plot frymëzime filozofike, figura reale por dhe imagjinare, përjetime personale, ku përcepton botën në shumë dimensione dhe përcjell porosi e mesazhe por edhe unitet.
„ Asnjëherë nuk më lë
shpresa e mbjellë në shpirt
të mbijetuarit e dhembjes
i sjellë nëpër meditimet e zemrës,
mendja lart e zemra është në mes
pa e pyetur edhe atë
nuk merret vesh çështja e botës,
atje e kam mbjellë kaherë
energjinë magnetike të mbijetesës
AI është Zoti i Madh
i të gjitha materieve dhe imaterieve
që shenjëzojnë gjithësinë
kur i dëgjojmë zërat e trishtueshëm
prej botës paralele
në botën e përkohshme
e prekim zemrën
dhe e dimë mirëfilli
se shpresat kurrë nuk shuhen!“
( Poezia „NUK MË BRAKTISË SHPRESA“ )
Më pëlqen ta citoj sërish bukurinë e vargut dhe thjeshtësinë në dukje ndonëse
mjaft estetike, ku skalitë bukurinë e vlerave, ndaj s'i shuajnë dot vitet as
shekujt. Kaq këndshëm i shijoj këto vargje në tërësinë e këtij libri, pasi
thellësin e mendimit arrin te caku i autorit ku zotëron eklipsi mes gjenive me
drejtësitë dhe absurditetin. Me xhevahirët mund të bësh stoli të bukura, ama
një ditë iu bie shkëlqimi, kurse fjalët e fuqishme që burojnë nga guvat e
shpirtit artistik të Brahim Avdylit, bëhen monumente kulture për të realizuar
ëndërrën në përjetësi.
Lexone këtu mesazhin madhështor që vetë e përcjellë poeti në poezi,
prandaj është aristokrat i fjalës së përzgjedhur me mjeshtri si ilaç i trurit
që ua transmeton brezave.
Vargu ka peshë, ka art dhe vlerë, ka mesazh e përjetim plot ndjenjë dhe
përcjell emocion.
Në vëllimin poetik „THIKAT E MLLEFIT“ gjendet i gjithë universi i
shpirtit krijues, prestigji i shenjëzuar ndër kodet semantike i gjuhës së
ashpër dhe frymës së shpirtit dinjitetshëm njerëzor, aty ku parafytyron portat
e ferrit monstruoz, aty mes demonëve të veshur hijshëm me petkat e
mrekullueshme të mashtrimit, gjen kurajon për të përcjellë mesazhe të bardha
shprese dhe për ta çuar deri në fund misionin e tij të shenjtë brenda gjithë koloriteve.
Ky stil brehtian me ide të qarta, ku të shëmtuarës i vë fytyrën e
mospëlqimit dhe përballet me kundërshtitë përmes mesazheve përçuese.
Brahim Avdyli ka kultivuar shprehje të pastra artistike të mendimit
filozofik në përpjesëtime të përkryera në sensin e artistit poet brenda lëmisë
të letërsisë shqipe. Poeti kërkon përmirësimin e rendit jetik, bën thirrje për
ndërgjegjësim të mendimeve, ndjenjave apo veprave të pastra përballë anti
vlerave.
Autori paraqet karakter e virtyte të larta në raport me zhvillimet
shoqërore.
Ndjenjat dhe kënaqësia estetike e përbërjes shumë dimensionale është
thelbi dhe vizioni poetik tek Brahim Avdyli ku modelon universin në unison me
botën që e rrethon, pasi aq ndjeshëm artikulon emocionet dhe tensionin që
shkakton përmes vargjeve e bën funksionale me konstruktin poetik.
Kështu që, uroj pafund suksese Penës së ndritur të autorit, të ketë sa
më shumë frymëzim për krijime të shumta brilante nga gurra e pashtershme dhe
muza e poetit Brahim Avdyli.
Dritë dhe refleksion në krijime dhe botime të reja plot vizion për një
botë në zhvillime të reja, e sa më lehtë e këndshëm për lexuesin.
Udhë e mbarë plot bardhësi librit.
„Gurrë e pashtershme për ju poet,
është frymëzimi“…
Lezhë, më 27 shkurt 2024