Kulturë
Viron Kona: Emine S. Hoti dhe libri i saj “Mos hidhni 'gurë' mbi femrat!”
E hene, 11.11.2024, 06:55 PM
Emine S. HOTI dhe libri i saj “Mos hidhni “gurë” mbi femrat!”
Nga
Viron KONA
Emine S. Hoti, shqiptare nga Drenica, me banim që nga viti 1989 në
Norvegji, tashmë është bërë e njohur në letërsinë shqipe. Krahas librave në
prozë, ajo ka botuar edhe shumë vëllime poetike, për të cilat janë shkruar
dhjetëra artikuj letrarë e studimorë. Janë vlerësuar nga kritika veçanërisht
vëllimet poetike: “Hija e heshtjes”, “Poezitë e nënës”, “Lulet
e vendit tim”, ”Pyesni zemrën!” “Feniks”, “Simfonitë e jetës”, “Të gjithë
fëmijët janë engjëj”, ”Të parin kemi atdheun”, “Ecë dhe mos ndalo!” Kohët e
fundit Emine S. Hoti del përpara lexuesit me vëllimin më të ri poetik “Mos
hidhni “gurë” mbi femrat!”, i cili pasuron më tej krijimtarinë e
saj poetike.
Tema aktuale dhe tërheqëse
Libri është i ndarë në disa pjesë dhe përcjell te lexuesi
llojshmëri temash aktuale dhe tërheqëse. Janë tema që kanë në qendër atdhedashurinë, një motiv
ky i lëvruar disa herë nga poetesha Hoti, ndërkohë që vijnë radhë tema që
trajtojnë artistikisht emancipimin e mëtejshëm të femrës shqiptare, mbrojtjen e
dinjitetit dhe të personalitetit të saj; tema që kanë të bëjnë me natyrën dhe
mirërritjen e fëmijëve; tema që rrokin marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve;
tema që kanë në qendër humanizmin apo që portretizojnë njerëz të thjeshtë,
dëshmorë, heronj dhe personalitete të fushave të artit, kulturës, arsimit, humanizmit...
Në shumë nga poezitë e këtij vëllimi mbizotëron tema e lirisë, e pavarësisë dhe e mbrojtjes së
atdheut, veçanërisht Dardanisë sonë heroike. Emine S. Hoti shkruan kurdoherë
thjesht, me sinqeritet e pasion, duke shprehur ndjenja, ide, mendime që i
burojnë nga shpirti dhe nga zemra e saj e madhe e humane. Nëpërmjet poezive,
Emineja shpreh ndjenjat e saj të zjarrta që vlojnë në shpirtin e saj si një
mërgimtare zemër copëtuar, që u detyrua të lërë atdheun në vitin 1989 për shkak
të përndjekjeve serbe. Ajo vuan shpirtërisht nga malli për atdheun, për
vendlindjen e saj, Drenicën heroike, të cilën poetesha e ka larg fizikisht, por
të njësuar me shpirtin dhe me zemrën, me
gjakun, ëndrrat, shpresat dhe besimin për një të ardhme më të ndritur.
Thuajse të gjitha poezitë e pjesës së parë të këtij
vëllimi përcjellin te lexuesi emocione dhe ndjenja të zjarrta atdhedashurie, ku
atdheu, flamuri dhe shqipja janë të pandarë, siç ndodh edhe te poezia
“Shqipja në flamur pareshtur na thërret!”. Poetesha shkruan: “Në orët
e vona të natës s`kam gjumë,/për atdheun tim Arbërinë rri e
mendoj,/ s`gjej dot qetësi shpirtërore asnjë çast,/derisa Arbëria trojet e
saj të bashkojë.”
I mirënjohuri Fatmir Terziu (Mjeshtër i Madh), duke
studiuar poezitë e Emine S. Hotit midis
të tjerash, ka shkruar: “Emineja me poezinë e saj, me përkushtimin e saj
dhe me artin e kulturën e veçantë jep një botë paralele, e cila është më
simpatike dhe joshëse se bota reale në të cilën jetojmë...” Në këtë kontekst lexuesit i tërheqin vëmendjen poezi
të tilla si “Asgjë s` më hynë më shumë në sy”, “Si Evropa edhe ne!”, “Atje
ndihem shqiptare”, “Toka jonë arbërore s`ka heshtur”, “Nuk i harroj dot”, “S`kemi
qetësi!”, “Ura”,
“Diellin e kanë zënë retë e zeza”, “Martirët, bijtë e mi!”, “Kombi ynë i shtrenjtë” etj. Në poezinë e titulluar “Popull shqiponjash”,
poetesha shkruan me patos atdhetar: “Jemi popull shqiponjash,/një “fis” kemi
qenë qyshkur,/shqiponjat fluturojnë në male,/zemrat tona në flamur”, kurse
në vijim: “Malet janë jeta dhe foleja e tyre,/atje lindin e vigjilojnë si
trimëresha,/i përshkojnë pareshtur majat e maleve,/nga Tomori, Korabi, Sharri
dhe Jezerca...” Emine S. Hoti unifikon artistikisht shqiponjat me atdheun
tonë të shtrenjtë, duke identifikuar e shkrirë në artin e saj vlerat morale
atdhetare me vlerat fizike të atdheut, e më
së shumti me ndjenjat që vlojnë te zemra e shqiptarit, i cili për atë
atdhe e flamur ka sakrifikuar në shekuj dhe vijon edhe sot të sakrifikojë,
sepse është një popull që e do lirinë më shumë se çdo gjë tjetër dhe se tek kjo
liri, ky popull shikon jetën dhe të ardhmen, liria projekton udhën e vlerave të
tija më të mira, më të bukura dhe më humane. Kurse në poezinë “Asgjë
s` më hynë më shumë në sy”, me daltën e një poeteshe të sprovuar, Emineja përfytyron e krahason nga njëra anë
vlerat e mëdha shpirtërore karakteristike për popullin e shumëvuajtur shqiptar
dhe, nga ana tjetër zhvillimet që ajo ka parë në vendet ku ka shkuar. Emineja
ka kulturë dhe qytetarinë e nevojshme
që t`i vlerësoj arritjet e popujve të
botës, ajo respekton vlerat e tyre intelektuale e shkencore, teknikat dhe dijet
e tyre, por, gjithsesi ajo e ka bërë me kohë zgjedhjen e saj, që atëherë kur
hapi sytë dhe shqiptoi fjalët e para nënë, baba, atdhe, flamur...Ja ç farë
shkruan ajo: “Kam mbresa për vendet që kam parë,/për zhvillimet e historinë
e njerëzimit,/s`kam ndjerë askund qetësi shpirtërore,/si në Dardaninë time e të
Is` Buletinit”, kurse në strofën e fundit të poezisë ajo shkruan: “E di
që bota është shumë e zhvilluar,/kudo e kam parë me sy këtë zhvillim,/por s` më
ka hyrë më shumë në sy,/se sa vendlindja ime, e atdheu im!” Ka një theks dhe stili interesant e tërheqës
që të mbetet në mendje poezia ”Shkruaj
dhe meditoj”. Në strofën e dytë dhe të tretë, Hoti, duke shkruar për
ndjenjat poetike që i burojnë nga zemra shkruan: “Ato burojnë nga shpirti/vijnë pa kuptuar tek ti,/vijoj e vijoj të
shkruaj,/ato s`ndalin, kush e di?/Dhe kur s`dua të shkruaj,/ zemra më thotë,
vazhdo!/ Do që të hedh në letër,/ato që ajo do!” Nëpërmjet kësaj poezie poetesha sikur do që të na thotë se, janë poezi të
vërteta vetëm ato që kanë burim zemrën, sepse
poezitë e zemrës janë të ndjeshme dhe të besueshme, ato shprehin të
vërtetat humane, që nisin nga zemra e njeriut dhe duke u shkrirë artistikisht,
përhapen në të gjithë qenien e tij. Në
vazhdim, duke shprehur
pakënaqësinë dhe urrejtjen ndaj armiqve grabitqarë, që e copëtuan kombin
tonë, poetja shkruan: “Na ndanë dikur, siç ata vetë deshën,/me thika të
mprehta kasapësh na ndanë,/fqinjët grabitqarë lehnin dhëmbë jashtë,/donin copën
e “tyre” kush e kush më parë”. Dhe siç ka ndodhur historikisht, të huajt
pushtues që të na sundonin më lehtë, kanë ndarë jo vetëm “copat” e mëmëdheut
tonë, por e deri edhe familjet i kanë ndarë, kanë ndarë nënat nga fëmijët, motrat
nga vëllezërit, vëllezërit nga njëri-tjetri. Por populli shqiptar as
gjunjëzohet dhe as përulet përpara të huajve që kanë qëllime dashakeqe, ai nuk e ka duruar robërinë, ndaj në strofën e fundit të kësaj poezie, poetesha shkruan: “Thirrje çlirimtare jehojnë sot nëpër
atdhe,/Arbërinë vet zoti ynë na e ka lënë amanet,/ jemi bij edhe gjak i tokës
sonë të shenjtë,/shqipja në flamur pareshtur na thërret!”
Shpirti i bukur i poeteshës njësohet artistikisht
me bukuritë e natyrës
Në pjesën e dytë të libri Emineja na befason me dashurinë e saj
për bimët dhe lulet, për kopshtin e saj të begatë, që me dorën dhe mendjen e saj
si një grua e emancipuar, i ka mbjellë me shumë dashuri e kujdes me duart e
saj, sepse ato janë lule që mbillen dhe mbijnë edhe në Drenicë. Autorja ka
marrë farat e tyre në vendlindje dhe i ka sjellë për t`i mbjellë aty në qytezën
Ski të Norvegjisë, ku ndonëse koha është e ftohtë akull dhe bie shumë dëborë,
përsëri disa nga lulet dhe bimët e Drenicës, nën kujdesin e Eminesë rriten dhe
lulëzojnë, duke përhapur nëpër ajër aromat e tyre tërheqëse e, siç i quan në
mënyrë poetike autorja, lule me aromë Drenice.
Nisur nga dashuria për lulet dhe, si për
të vlerësuar sesa e shtrenjtë është dashuria, poetesha Hoti shkruan poezi të
tilla, si “Dashurinë dhe
lulet mos i dëmtoni?”, “Lulja arbërore”, “Kopshti i shtëpisë sime”, “Peizazh”, “Meditoj”, “Merr shembull prej tyre dhe ti, o njeri!” Janë poezi që dallohen për ndjenja të holla lirike, ku
natyra ka vendin e saj me begatinë, me
klimën, me rrezet e diellit, me ajrin e pastër e të freskët, me aromat e
luleve... Poetesha Hoti shkruan:” Lulet
janë pjesë reale e jetës sonë,/ kanë ngjyrat e bukura të gjithësisë,/përhapin
në ajër aromat më t’ mira,/të jetës, t ‘lirisë, paqes e dashurisë./Lulet i
kultivoj këtu dhe ku mundem,/nxjerr një
gur nga gropa e lule mbjell,/më qetësohet shpirti kur ajo zë e çel,/ngjyrën dhe
bukurinë tek unë përcjell./ I dua të gjitha llojet e luleve pa dallim,/lulet që
rriten kudo në çdo cep të globit,/ato janë simbol i paqes, dashuria, jeta,/
lutem, dashurinë e lulet mos i dëmtoni?” Dhe, më
tej, te poezia e titulluar:
“Kopshti i shtëpisë sime”, duke krijuar përfytyrime që e çojnë në vendlindjen e saj,
në Drenicë, ajo shkruan: ”Kopshtin e shtëpisë e stolis,/mbjell atje pemë dhe
lule,/ndihej aromat, shoh ngjyrat,/kujtoj Drenicën time”. Dhe këtë poezi e
ajo e mbyll me strofën: “Kopshti ngjason me Drenicën,/Drenicën e fëmijërisë
e rinisë,/Drenicën e bijve edhe bijave,/Drenicën time të Dardanisë”.
Poetesha Hoti ngre zërin e saj poetic kundër
shtypjes dhe nënshtrimit të femrës shqiptare
Pjesa e tretë e librit “Mos hidhni “gurë” mbi femrat!” është
edhe boshti kryesor poetik i këtij libri
të ri të poeteshës Hoti. Poezitë kanë fuqinë e erërave të fuqishme pranverore,
por ato edhe e ngrenë moralin e lartë të
femrës shqiptare, sikurse duket se i japin zjarr të ri protestave të femrave
për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre të shkelura e nëpërkëmbura nga
disa burra fanatikë, me koncepte feudale
e mesjetare, që kërkojnë ta mbajnë
femrën gjithnjë të shtypur e të nënshtruar. Poezitë rrjedhin varg njëra pas
tjetrës, njëra më mbresëlënëse se tjetra dhe na vënë ne si lexues në mendime të
thella, përcjellin tek ne mesazhe plot vlera humane, por edhe na çelin
horizonte, duke na kujtuar se të mbrosh lirinë e femrës shqiptare, është si të
mbrosh lirinë dhe të drejtën e nënës tënde, të bashkëshortes tënde, të
vajzës dhe të mbesës tënde.
Teksa zgjedh si ilustrim një fotografi nga
protestat e grave në Prishtinë për mbrojtjen e femrave, poetesha Hoti mes të
tjerash shkruan: “Mos hidhni “gurin”
mbi femrat,/mbani fort mendjen dhe dorën,/mos goditni vajzat dhe motrat,/ gratë
e nënat që ju bën kokën!” Dhe vijon:
“Janë ato luftëtare të lirisë,/besnike që ju mbrojnë me jetë,/janë ato që për
hir t ‘dashurisë,/në rrezik flijohen të parat vetë”. Në përfundim, autorja
dëshiron që t`i kujtojë cilitdo që lexon poezinë e saj, se janë femrat ato që
sigurojnë vazhdimësinë e jetës, se vlerat e tyre përcillen në shekuj, se janë
ato që gjithë botën njerëzore gjallërojnë. Vargjet e fundit të kësaj poezie
jehojnë si një kambanë e fuqishme, që zbon errësirën dhe prapambetjen mendore
të burrave fanatikë, por dhe lartësojnë figurën e femrave: “Mos hidhni ju
gurë mbi femrat,/që vazhdimin e jetës sigurojnë,/vlerat e tyre përcillen n’
shekuj,/janë ato që botën gjallërojnë!”
Në vazhdim të drithëron poezia “Pse?”, e cila është
një akuzë e drejtpërdrejtë poetike e autores kundër kriminelëve që ngritën
dorën dhe i morën jetën një gruaja shqiptare, një nëne dhe një vajze të
emancipuar e me dhunti të rralla femërore e njerëzore. Ndaj një krimi të atillë
të dhunshëm, zonja Hoti demaskon me forcën
e zjarrit të saj të brendshëm,
mentalitetin e atij burri thellësisht të prapambetur e kriminel, që arrin deri
atje, sa të vrasë edhe nënën e fëmijës së tij, vret një bijë të shenjtë të një
familje të shenjtë, teksa mbi vrasësin doemos duhet të bjerë ndëshkimi më i
rëndë. Kush ngre dorën mbi femrën, ka ngritur dorën mbi të ardhmen e shoqërisë
njerëzore. Poetesha Hoti, shkruan: “Pse ajo dorë
kriminale,/e vrau atë grua të ngratë,/pse ajo vetëtimë djallëzore,/goditi të
pafajshmen atë natë?/Pse ai bashkëshort mizor,/vrau nënën e fëmijëve,/pse s`u
tha ajo dorë,/dorë e pabesive?”
Kurse në strofën e fundit të kësaj poezie
demaskuese zonja Hoti, duke iu drejtuar shoqërisë njerëzore, shkruan: “Pse,
o njerëz bëni sehir,/dhe lejoni këto ligësi,/pse shpirti i disa burrave,/është
brenda kaq i zi?“ Teksa u drejtohet, po me atë emocion edhe vet femrave, që
ato të mbrohen nga njerëzit e poshtër dhe ligësitë që mund të bëjnë ata:
“Ngrihuni, o gra, ngrihuni,/ mos duroni
këto poshtërsi,/mos u përulni para
barbarëve,/mbrohuni me fakte e dituri!/Mos lejoni t`ju nëpërkëmbin,/mos lejoni
që t`ju shkelin,/zboni errësirën nga
vetja,/që në jetë veç diell të keni!”
Vijojnë më pas poezitë e librit: “Dëgjo zemrën!
”Yjet e shtëpisë”, “Mos lakmo!”, “Mbaj veten! ”Plagë e pashëruar”, ”Lëndim”,
“Sekretet e zemrës”, “Brenda meje gjithmonë”...Po ndalem te poezia “Po fole, fol sot, o burrneshë!”, një poezi
kjo e shoqëruar me një pankartë, ku shkruhet “Siguri për gratë!” dhe ku
autorja ndërmjet të tjerash, shkruan: ”Po
fole, fol sot, o burrneshë,/thuaje atë që ke në mendje,/koha ikën e s`kthehet
pas,/ndaj tregoje veten tënde!/Qëndro ndaj mentaliteteve,/që jetën tënde shkatërrojnë,/lufto
për të drejtën me kurajë,/mos lejo të të poshtërojnë!/Jetën tënde duhet ta
mbrosh,/armë ke guximin për drejtësi,/jo të përulesh kur të godasin,/por të
ngrihemi, unë dhe ti.”.
Përcjellin mesazhe të tilla edhe
poezitë: “Jeta është sfidë”, “Mos i humb
shpresat!”, “Vonë”, “Jeta më mësoi”, “Dashuria e vërtetë”, “Jeta duhet përballuar”, “Rinia dhe Dashuria”. Po aq interesante është edhe poezia “Të mbrojmë njëra-tjetrën!” ku
autorja, pasi i drejtohet shoqërisë, shtetit, ligjeve të drejtësisë, opinionit
të gjerë shoqëror etj. kërkon që për jetën dhe interesat e grave të ngrihen
edhe vetë gratë, ato të mos qëndrojnë indiferente ndaj fatit dhe fatkeqësisë së
tjetrës, por të jenë pjesëmarrëse dhe aktive për t`i sjellë vajzat dhe gratë në
kurse, në shkolla, në universitete, në shoqatat humane, kudo ku mund të bëhet i
mundur dëgjimi i zërit të femrave, që mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre të
çmuara. Dëshiroj ta mbyll këtë kapitull kushtuar mbrojtjes së femrave, me disa
vargje nga poezia “Ndal, dhunës barbare!”, poezi, e cila shoqërohet me
një fotografi ku tregohen Azemi dhe Shote Galica, e ku duket se ata duan të
vënë në dukje harmoninë dhe dashurinë mes tyre, një dashuri që lindi dhe u
zhvillua në luftë e në male, por edhe trashëgimin e pati në male, pasi, pas
rënies në betejë të Azem Galicës, drejtimin e çetës së tij për mbrojtjen e
trojeve shqiptare nga fqinjët grabitqarë, e mori bashkëshortja e tij, heroina e
popullit, Shota Galica. Ja disa nga vargjet e kësaj poezie: “Historia na sjell shembuj të panumërt, /për Dora
d`Istrën e Shotën legjendare, /tregon për Teutën ilire e Shën Terezën, / për
Bubulinën edhe Tringën luftëtare. /Në trojet shqiptare ato janë me dhjetëra,
/janë të famshme në shumë fusha të nderit, /janë të mençura, arsimdashëse,
trimëresha, /si Xheva, Miro, Ganimet e Nora e Kelmendit... Pasi evokon vlerat e femrave shqiptare në shekuj, pasi
shprehet me fakte për aktet e tyre të trimërisë, të dashurisë dhe të besnikërisë,
poetesha Hoti duke qenë rezidente prej afro 40 vitesh në Norvegji, ndër shtetet
më demokratike të botës e ku femrat gëzojnë liri e të drejta të plota, zonja Hoti, shkruan:
“Femrat janë të afta, po aq sa edhe burrat,/kudo shquhen për shkathtësi dhe mençuri,/t`i
duam, t`i respektojmë e t`i nderojmë,/t`i mbrojmë kudo nga çdo shpifje e
mizori.” Dhe, në fund poetesha u drejtohet njerëzve të civilizuar e të
qytetëruar, shoqërisë moderne të kohës,
me thirrjen poetike: “Të urtët, të
mirët, duhet ta thonë fjalën e tyre,/të ndalin në viset tona poshtërimin e
femrave,/ të ndalin dhunën barbare, që
vijon t`u bëhet,/disa nënave, grave, vajzave apo mbesave!”
Shenjtëria e dy prindërve të poeteshës Hoti
Po aq tërheqëse janë edhe poezitë e pjesës së librit, që Emineja u
kushton dy prindërve të saj, nënës dhe babait, dy prindër model të atdhetarisë,
të lidhur me vatanin dhe që mendjen dhe zemrën e kishin atje, te shtëpia në
Drenicë, te kopshti dhe te gjëja e gjallë, te njerëzit dhe historia luftarake e asaj
treve aq atdhetare dhe me ndjeshmëri të lartë kombëtare. Këtu do të
veçoja sidomos poezitë “Nëna ime ishte e bukur”, “Me
lulet e bardha të mollës mbuluar”, ”Babai im”, “Mendja më shkon”, “Aroma e luleve të Drenicës”.
Te poezia “Nëna ime ishte e bukur”,
poetesha i thur himn dashurisë për nënën dhe shkruan vargjet që na prekin
thellësisht, duke na kujtuar edhe ne si lexues, nënat tona të dashura, të
dhembshura, që na kanë lindur, rritur,
edukuar e që kanë ndikuar të bëhemi njerëz të mirë dhe të vlefshëm në
jetë. Po citoj strofën e fundit të poezisë: “Nëna ime ishte trime dhe guximtare,/trime e
guximtare, por edhe plot nur,/ nëna ime ishte më e bukura në botë,/ ishte si çdo
nënë që s`harrohet kurrë!” Shumë prekëse dhe
emocionuese ajo poezi ku autorja shkruan për ndarjen nga jeta të nënës së saj
të shtrenjtë, një ndarje krejt e papritur, që la dhembje të madhe në zemrën e
poeteshës Hoti. Kjo poezi është e ndjerë e plot figuracion artistik:
“Shiheshim në sy edhe buzëqeshnim,/unë e
nëna ime e mirë, plot dashuri,/ca lule të bardha molle binin mbi ne,/molla
lidhte qetësisht frutë të ri./...Gjithnjë e mbaj përpara syve nënën,/ashtu të
qeshur edhe duke biseduar,/e shenjta nënë, tashmë e paharruar,/me lulet e
bardha të mollës mbuluar...” Kurse
babanë, zonja Hoti e përshkruan artistikisht dhe realisht një burrë Drenice me
karakter të fortë, atdhetar dhe të vendosur: “S`e harroj kurrë babanë
tim,/babanë tim të mençur e krenar,/fisnikëria ndriti gjithë jetën e tij,/mbi
të gjitha ishte mëmëdhetar./Babai më edukoi si burrneshë,/të mbroj flamurin,
pavarësinë,/ të mos i nënshtrohem robërisë,/më la trashëgim jetën e lirinë.”.
Vazhdimësia na mbush me
krenari
Në pjesën e pestë të librit renditen
një sërë poezish që autorja ua kushton mbesës dhe nipave të saj të dashur dhe
të shtrenjtë. Ajo thuajse në çdo libër të saj me poezi u kushton atyre vargje
të bukur, të ndjerë dhe të freskët, duke shprehur kështu edhe dashurinë ndaj
tyre. Dallojnë poezitë: “Unë me
mbesën dhe nipat”, “Mirësia e fëmijës”, “Kur shkruan për fëmijët”,
“Thesari më i çmuar”, “Fëmijët dhe
natyra”, “Gjuhën shqipe t`ua mësojmë”, “Prindër shqiptarë”, “Stinët”.
Shkolla që vëllazëron dhe u jep dije fëmijëve
shqiptarë
Në pjesën e gjashtë që e titullon “Përvojë”, zonja
Hoti na befason me disa poezi që përcjellin mesazhe poetike e që shprehin
emocione dhe vlera rreth miqësisë, që portretizojnë artistikisht tipa dhe
karaktere, apo dhe poezi ku Hoti shprehet për mendimin e lirë. Në këtë pjesë tërheqin vëmendjen e
lexuesit poezitë: ”Dëgjo fjalët,
shiko veprimet!”, ”Merita Prenga”, “Gjithkush në vendin e tij”, “Debat i lirë”,
por në këtë artikull do të ndalesha më shumë te poezia, që zonja Hoti i kushton
drejtoreshës Merita Prenga, e cila
drejton prej shumë vitesh me sukses shkollën 9-vjeçare “Vëllazërimi” në Tiranë.
Hoti mban miqësi të veçantë me këtë shkollë, që kur shkoi përpara disa viteve
me një grup shkrimtaresh suedeze dhe zhvilluan atje një bisedë letrare me
mësues e nxënës të asaj shkolle. Ndërkaq,
Emine Hoti i ka dhuruar kësaj shkolle mbi dhjetë kostume tradicionale
shqiptare, të stiluara e qepura nga ajo vetë, që nxënësit e shkollës të
kërcejnë veshur me ato kostume në koncerte, shfaqje kulturore dhe artistike që
zhvillojnë në shkollë. Poetesha jonë shkruan se ndihet e gëzuar dhe mirënjohëse
kur shikon në video nxënësit e talentuar të shkollës “Vëllazërimi”, që kërcejnë
e hedhin valle të veshur me ato kostume,
ndërkohë që ata lexojnë me dëshirë edhe shumë libra të dhuruara prej saj. Nga
poezia kushtuar drejtoreshës Merita Prenga, zgjodha vargjet: “Një
drejtoreshë dhe grua fisnike, /me shpirt e me zemër si askush, /një nënë që i
do shumë fëmijët, /që e nderojnë prindër e mësues. /Një shqiptare e mençur, e
dashur, /që i do aq shumë librat edhe lulet, /grua moderne edhe e emancipuar,
/që mbron të vërtetat e s’përkulet. /Nëse e viziton pak çaste shkollën, /me një
bibliotekë do ta krahasosh, /librat nëpër rafte të radhitur bukur, /të bëjnë të
ndalësh e t`i shfletosh. /Të mbeten sytë te lulet e llojllojshme, /që pranë
dritareve harlisen, lulëzojnë, /nxënësit bubërrojnë rreth e qark tyre, /duket
se botanistin Linne` kërkojnë.”
Vargje poetike për disa figura të shquara të kombit
shqiptar
Autorja i bën këtij vëllimi një mbyllje
origjinale. Ajo ka përzgjedhur disa nga figurat më të mëdha të kombit tonë dhe
u kushton secilit prej tyre vargje të bukura dhe mbresëlënëse. Vargje ajo i
kushton Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ismail
Qemalit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, Ibrahim
Rugovës dhe Ismail Kadaresë. Për Gjergj Kastriotin ajo shkruan edhe vargjet: ”Sa ishte gjallë s`u mposht Skënderbeu,/triumfues mbi
sulltanët uzurpatorë,/ i shërbeu kurdoherë lirisë e mëmëdheut,/sot i lavdishëm
dhe madhështor”. Ismail Qemalin, Hoti e
portretizon kështu: “Ismail Qemali, Ismail bej Vlora,/udhëheqës i pavarësisë
e lirisë,/më 28 nëntor të vitit 1912-tës,/ngriti flamurin e Shqipërisë”. Nënë Terezës, i kushton edhe vargjet: ”Sot
një emër i shenjtë,/ me bukuri shpirtërore,/Nënë Tereza shqiptare,/Nënë Tereza shenjtore!” Ibrahim Rugovës, i dedikon edhe vargjet: ”Sot
në panteonin e nderit të shqiptarëve,/Rugova prehet i qetë, i nderuar, i
ndritur,/për betejat e tij dhe të heronjve dardanë,/gjithnjë i duartrokitur dhe
i brohoritur”. Kurse për heroin, Adem Jashari, Emine Hoti shkruan: ”Brezat do thërrasim, prina flamurtar,/eja Adem Jashari, eja o
legjendar!” Në poezinë kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare, shkruan: “Me Kadarenë kujtojmë Barletin, / Budin, Naimin, De
Radën, Nolin, /Migjenin, Fishtën dhe Poradecin, /Podrimjen, Arapin edhe
Agollin”.
Librin e saj ”Mos hidhni “gurë” mbi femrat!”, poetesha
Hoti e mbyll me poezinë “Atdheu po na thërret”, ku tërheqin vëmendjen e
lexuesit edhe vargjet: ”Në Norvegji jetoj prej
vitesh,/ bëj jetë normale, jetoj mirë,/ edhe respektin këtu e kam,/ndihem mirë,
ndihem e lirë./Por ama jam
mërgimtare,/ky është atdheu im i dytë,/të parën kam Dardaninë,/për atë mendoj
çdo ditë./Një peng më sëmbon,/ në shpirt e në zemër e kam,/e dashura ime,
Dardania ime,/na thërret t`i shkojmë pranë..”
Emine S. Hoti, kjo grua e emancipuar dhe
e talentuar, me formim social - kulturor bashkëkohor, i shërben me përkushtim
të plotë kombit duke shkruar vepra me vlera të dukshme letrare. Ajo dhe
krijimtaria e saj e begatë janë kurdoherë të përfshira në valët e
atdhedashurisë dhe në vlerat e historiografisë shqiptare, duke u udhëhequr nga motivi
i lirisë dhe i demokracisë. Shumë nga veprat e saj letrare tashmë janë bërë dhe
po bëhen të njohura jo vetëm në Shqipëri, Dardani e trojet shqiptare, por edhe
në mërgatë, veçanërisht në mërgatën
shqiptare në Norvegji e Suedi. Mesazhet e saj poetike e atdhetare, ashtu si dhe
te ky libër që kemi në dorë, i drejtohen jo vetëm bashkëkombësve të saj kudo ku
janë, por edhe popujve të tjerë, sepse vlerat e këtyre mesazheve kanë në qendër
lirinë, paqen dhe demokracinë. Do dëshiroja që këtë artikull kushtuar poeteshës
Emine S. Hoti ta mbyllja me fjalët e Nënës Terezë, shenjtores së famshme
shqiptare, e cila, si për të shprehur energjitë e pashterura të krijuesve
atdhetarë shqiptarë, ka shkruar: “E djeshmja iku. E
nesërmja ende nuk ka ardhur. Kemi vetëm të sotmen. Mos ta lëmë të ikë!”