| E hene, 11.11.2024, 07:50 PM |
“Virgjëresha e mbuluar” e Giovanni Strazza, mrekullia hyjnore që del nga mermeri
Nga
Albert Vataj
Ajo
është e gjallë. Frymëmarrja e saj prej mermeri dëgjohet e heshtur nën cohën e
hollë dhe tejdukshmërinë që rreket të fsheh një hir adhurimi dhe vetë
shenjtësimin e Hyjlindëses Mari. Është e ndrojtur dhe delikate në bardhësinë ku
struken mijëra goditje dalte e vërshojnë lumen djerse, prekje dhe prehje
ledhatare që i zgjojnë asaj pulsin dhe i mëkojnë përulësinë e devocionit.
Ka
zbritur nga mrekullia e idilit biblik kjo Mari, duke marrë trajtë në
idealizimin e shpirtit dhe ëndrrës së artistit, i cili e ç’burgos këtë
virgjëreshë jo vetë nga shkëmbi por nga shpirti.
Dhe...
e mëton në atë çastin e hyjtë si në një shkrepje vetëtime, të vezullimtë në
dritë e brerore.
Virgjëresha
e mbulur është një statujë prej mermeri Carrara e gdhendur në Romë nga
skulptori italian Giovanni Strazza (1818–1875), që përshkruan bustin e një
Virgjëreshe Mari të mbuluar. Data e saktë e përfundimit të statujës nuk dihet,
por ndoshta ishte në fillim të viteve 1850.
Ja
mrekullia që ngjiz pasionin me tharmin e yjeve që zbret nga qielli e vibron në
muskuj e nerva, cyt rrahje zemre dhe shkulime shpirti. Nuk ka asnjë cak, prag
apo prehër, ku nuk mund të mbërrij ai shpirt i lartësuar në art, që duke i qenë
mirënjohës i jetës, krijuesit, zgjon nga thellësitë e universit të njeriut, atë
që e shndërron artistin në Zotmëkues.
E
vështron me ëndje këtë tejdukshmëri të murosur, këtë virgjëreshë, pikëlluese, e
të trishtë, e gjallë dhe e ftohtë, ngjethëse dhe përshkuese. Ëndja dhe fjala i
nderen kësaj gjendje që të përpinë për të të shpërbërë në mijëra grimca
ndjesish që shndrisin tëksa shpërndahen gjithandej si thërrmija të një
eksplodimi fryme të ngurtësuar.
Është
një gjallje në mermer. Është një zjarr shpërbërës që vjen prej këtij shkëmbi të
ftohtë, kësaj mjeshtërie që s'ka shoq, këtij krijimi që të ndalon frymën.
Strazza
ishte një mjeshtër i pabesueshëm i zanatit të tij, ishte ai që si pakkush
arriti të jetësonte në shkëmb gjendje dhe situata, të të shpojë kaq
pamëshirshëm me ushta zjarri dhe akulli. Një pasion që i jep pavdekësinë një
gjendje kapitëse, një dhimbje rrënuese, një pikëllimi gërryes, dhe e bën këtë
përmes një mjeshtërie që vetëm një Zot në qiell dhe një Strazza në tokë munden
ta shndërrojnë në vepër atë që përfytyron një mëndje dhe e kthen në një reale
kaq të gjallë një mjeshtëri hyjnore.