Kulturë
Kadri Tarelli: Përjetime në filmin ‘Dje dhe sot’
E shtune, 09.11.2024, 06:56 PM
Kadri Tarelli, shkruan:
NXËNËSIT
E SHKOLLËS 9-VJEÇARE “BAJRAM CURRI”, DURRËS,
Përjetime
në filmin “Dje dhe sot”.
Muaji
nëntor, muaji i festave të mëdha, “14 Nëntori”, 1944, çlirimi i Durrësit, “Kongresi
i shkronjave shqipe në Manastir”, 22. Nëntor, 1908, Shpallja e Mëvetësisë, më:
28, të vjeshtës së tretë, 1912, dhe 29 Nëntori, 1944, festa e Çlirimit në
80-vjetorin e saj, përjetohet në çdo shkollë në Durrës, por edhe në mbarë
vendin me veprimtari festive, ku përfshihen mësues, prindër dhe nxënës.
Guxim
i tepruar do ta quaja: - Një projekt festiv kushtuar festave të Nëntorit. Premiera
e filmit me metrazh të shkurtër "Dje dhe Sot", me interpretimin e
fëmijëve të klasës 5-c, të Shkollës
9-vjeçare “Bajram Curri”, Plazh, Durrës, me pjesëmarrjen e artistit
durrsak Xhelal Tafaj dhe reperit Noizy, në regjinë e Elios Ibro,
skenari dhe produksioni Marsida Keçi
Mezja, filmimi dhe montazhi Griseld Hoxha,
u shfaq sot në mbrëmje në sallën e Teatrit
“A. Moisiu”. Durrës.
Ky
film “Dje dhe sot”, është rezultat i një pune të jashtëzakonshme krijuese, duke
pasur parasysh moshën e nxënësve. Nuk është e lehtë një sipërmarrje e tillë, ku
gërshetohet historia me artin, e shkuara me të tashmen, dëshira me mundësinë, e
njohura me të panjohurën, pengesat dhe guximi për të guxuar, se vetëm kështu
mund të arrijmë suksesin dhe t’i themi vetes, bashkëmoshatarëve, kolegëve
mësues, prindërve dhe shoqërisë, se jemi edhe ne, që dimë të bëjmë gjëra të
bukura e të dobishme.
Mësuese
Marsida Mezja, ideatore dhe realizuese e këtij projekti madhor, për fuqinë e
një shkolle apo të një klase mësimore, e cila i ka frymëzuar të besojnë në vlerat
dhe aftësitë e tyre. Si fillim askush nuk e besonte se do të arrinin deri këtu,
por ja ku janë për të festuar së bashku në këtë ngjarje të bukur festive, për
shkollën dhe qytetin tonë të bukur tremijë-vjeçar. Është mësuese Marsida që ka
mbështetur në çdo hap të realizimit të
këtij filmi, duke nxitur nxënësit e saj të shprehin shpirtin e tyre
krijues, të mos thyhen nga vështirësitë e të mos të heqin dorë nga përmbushja e
premtimit ndaj vetes, ndaj mësuesve, prindërve, klasës dhe shkollës.
Nxënësit
janë, njëri më i bukur se tjetri: Aberton Toska,
Ajan Hoti, Albiona Balla, Alesio Kastrati, Amelia Hoxha, Argentina Duraj, Arlis
Jaupaj, Aurora Idrizaj, Donald Guçe, Eri Hysa, Ester Sefaj, Fabian Shatro,
Herdi Hoxha, Irisilda Murrja, Jesmina Merja, Jorgita Valteri, Kejsi Shkina,
Klea Çela, Korab Dumani, Kristel Bundo, Liam Gjoshi, Mariela Çollaku, Nikol
Shkira, Perla Zere, Roen Toçila, Rosela Ferati, Roseld Dalipaj, Shpresa Dosku.
Artistët e vegjël realizuan një ëndërr të bukur, duke përjetuar të shkuarën, të
tashmen dhe duke projektuar të ardhmen.
Nuk
po them gjë të re: Përvoja e gjatë si mësues dhe drejtues shkolle, na rrëfen se
fëmijët janë të jashtëzakonshëm, mjafton t’i vesh në punë dhe t’i drejtosh. Ata
bëjnë mrekulli. Marsida e di mirë këtë sekret, si mësuese me përvojë, ndaj pa u
lodhur është ndodhur kurdoherë aty mes tyre, me prindër dhe nxënës bashkë, për
të udhëzuar e ndihmuar të realizojnë këtë projekt të vështirë, por besoj të pa
harruar. Të gjithë fiksuan kohën dhe moshën, si një kartolinë urimi, që do t’i
shoqërojë në udhët e jetës, me kujtesë dhe ndjesi të papërsëritshme!
Spektakli
mori përmasa të fuqishme skenike dhe artistike, nga recitimi i poezive me
përmbajtje atdhetarie, si “Bagëti e bujqësi” e N. Frashërit, recitoi Roseld Dalipaj,
“Flamuri” e Fan S. Nolit, interpretoi Rosela Ferati, “Jemi një dhe Shpresë”, e
Ali Asllanit, recituar nga Kristel Bundo, “Baladë Çame”, e Bilal Xhaferrit, përcjellë
plot ndjesi atdhetarie nga Nikol Shkira. Dhe, në mbyllje “Poema Kosovare”, e
Mitrush Kutelit, interpretuar mjeshtërisht nga dy vajzat, Kejsi Shkina dhe Mariela
Çollaku.
Të
gjitha recitimet u shoqëruan me duartrokitje të zgjatura, nga publiku, mësues e
drejtorë shkollash, prindër, nxënës dhe qytetarë, që kishin mbushur plot e
përplot sallën e madhe.
Nuk
munguan edhe vallet nga krahina të ndryshme të vendit, të interpretuar plot energji
dhe hijeshi nga këta artistë të vegjël, përgatitur nga koreografe Xhulia Kodra.
Duhet të ndodhesh në sallë, që të ndjesh nga afër magjinë e artit dhe shpirtin
e valltarëve të vegjël.
Këtë
festë magjike, apo ngjarje të madhe për jetën arsimore të qytetit të Durrësit e
përshëndeti, drejtore e Shkollës znj. Matilda Leka, më pas z. Veli Myftari,
sekretar i Komitetit Kombëtar, të Organizatës së veteranëve e pasardhësve të
LANÇ. “Nderi i Kombit”. Ndërkohë nga shoqata e veteranëve të Durrësit,
përshëndetën Kristaq Prifti, Besim Shahini dhe veterani durrsak Servet Agalliu.
E
ndezën sallën tingujt e këngës magjike “Shqipëri. o nëna ime”, interpretuar me
një zë të veçantë, sa burrëror, aq edhe të ngrohtë e madhështor, nga këngëtari
Endrik Beba.
Nuk
besoj se gaboj, kur po shkruaj, se ajo që mbajti të ndezur mjedisin festiv,
ishte e pagabuara, prezantuesja Jorgita Valteri, që pavarësisht moshës dhe
përgjegjësisë, me sigurinë dhe qetësinë e admirueshme, e zotëroi skenën në çdo
çast, si një artiste e vërtetë e fjalës dhe peshës së saj.
Në
këtë udhë mendimi, mund të shprehem, se askush më mirë se mësuesi nuk e di, se
nga veprimtari të tilla, të vogla në pamje, dalin dhe shpërthejnë talentet, që
i duhen skenës, artit dhe kulturës së kombit. Nxënësit provojnë dhe shpërfaqin
vetveten, një mundësi më shumë që mund të zgjedhin për të ardhmen e tyre.
Urime
mësuese Marsida, si “Misionare e dijes”! Një përvojë më shumë në krijimtari dhe
veprimtari artistike-edukative-mësimore. Suksese në veprimtari të tjera të
dobishme, në edukimin atdhetar të nxënësve sot, nesër qytetarë të nderuar të
vendit. Shembulli juaj le t’u shërbejë kolegëve.
Urime
drejtore Matilda, që së bashku me kolektivin mësimor, krijon lidhje dhe
bashkëpunim të ngushtë me komunitetin dhe prindërit, dhe kështu së bashku ndihmoni
dhe mbështesni të tilla veprimtari me vlerë të patjetërsueshme edukative.
Përshëndetje
ju prindër të nderuar, që mbështetët fëmijët tuaj, nxënës të shkollës “Bajram
Curri”. Pa ndihmën dhe përkrahjen tuaj veprimtari të tilla nuk mund të
realizohen. Është një investim i bukur për të ardhmen e brezit më të ri.
Urime!
Koha do të vlerësojë mundin dhe përkushtimin tuaj!
Kadri
Tarelli
Durrës.
Vjeshta e tretë. 2024.