Mendime
Blerim Rrecaj: Për pengesat e përafrimit
E enjte, 07.11.2024, 06:56 PM
Për pengesat e përafrimit
Nga
Blerim Rrecaj
Ndarjet,
përçarjet, largimi, moskuptimi, keqkuptimi, kleçkat, ndërskamcat, grackat,
grindjet, kundërthëniet, kundërvëniet, ndërsymjet mes njerëzve, e sidomos mes
pjesëtarëve të një kombi, siç janë shqiptarët, janë ato pikat e ndjeshme për të
cilat do të përpiqemi të themi diçka edhe këtë herë. Ndonëse pa qejf e dëshirë,
se disi po jemi në mes të kufirit mëdyshës, se mos po rrëshqasim, kah e
padëshirueshmja, duke bërë "shumë zhurmë për asgjë".
Ndonëse
gjendja në terren për t'i ndërsyer shqiptarët mes vete, duket e pashpresë për
cytësit e mjerë, prapëseprapë po duhet kujdes i shtuar, për mos lënë shtigje
për persona e qarqe të llojllojshme për të mos i lënë për të futur ferra në
këmbë të shëndosha, të cilat sigurisht do pengojnë ecjen tonë të natyrshme. Rilindasit
tanë të mëparshmit e të tanishmit, kanë trajtuar me seriozitet këto çështje,
duke mos i lënë të shndrrohen në sëmundje që do të na shkërmoqnin, për t'u bërë
pastaj pre e lehtë e lodra për hijena e çakallë të mundshëm, që kanë synime
grabitçare e shoveniste.
Dëmet
që janë bërë e po bëhen duke u përpjekur të goditen shqiptarët nga vetë
shqiptarët!, edhe në këtë kohë, të pakësohen e të largohen, si farëra të
këqija, si pemët të kalbura e të krimbura, si zjarre që djegin ara të mbjellura
e pyje, bjeshkë e male, si ndotës e mbeturina që mbulojnë tokën, lundrojnë
lumenjve a detrave, për të lënë pas pasoja e veta, të pakënfshme e jo të lehta.
Për të mos u bërë helaqë, edhe për këto deformime duhet të gjejmë ilaçin
shërimsjellës.
Është
shumë e habitshme e alarmante, kur alamet njeriu, me alamet shkolle e
profesioni, përvoje, a çfardoqoftë ky farë alamet adaleti, kur për interesa të
ngushta e meskine, për ndonjëfarë egoizmi jo të shëndoshë, qoftë nga rruga,
kafeneja, nga rrjetet sociale a mediet, lëshon fjalët sikur lopa bajgat, a
dhitë kakërdhitë, (ndonëse me to plehërohet toka), qoftë në Tiranë, Shkup, Prishtinë, e në
cilëndo pjesë të hapësirës shqiptare se "ne për ta jemi si nata me ditë,
ne jemi larg tyre me kilometra, jemi shumë më përpara", si të fliste për zbulim Amerike a
kushediseçfarë zbulimi epokal, për të lënë pas atë shiijen e hidhur për të
cilën Sami Frashëri, thotë se fjalët e keqdashësit janë si qymyri, ato edhe po
s'të dogjën të nxijnë. E vetëm me rastis me i ndëgju ose has diku seç do na
nxisin të vjellura. Ndonjëherë këta tipa që s'durohen e nxihen ngushtë nga
ndokush që ua përplas fjalët që thonë përfytyre, ata çarten e dalin jashtë
kontrolli, me një fjalë "bërrliven", siç do të thoshin medvegjasit a
preshevarët.
Edhe
tinëzisht, edhe marrëzisht, edhe dhelpërisht, përpiqen të ndjellin çorientim,
për në rrugën e pakuptimtë, të një rrahagjokësie sa të bezdisshme, po aq
qesharake të cilës i ka dalë boja.
Na
bie në mend një copë bisede, kur shumë mure, rrethoja, perde kanë rënë. Shumë
tjera ende me zor mbahen në këmbë. Po ato nuk do t'i lejojmë të lëshojnë
rrënjë. Kur peta i është hequr lakrorit e televizorit. E kjo sikur sqaron se
përgjithësimet nuk na kanë hije, e as mbiçmimi e nënçmimi i vetvetes, as
parcializmi, inferioriteti, defetizmi,
me gjithë të metat e problemet, me gjithë pikat e forta e ato të
ndritura, e me gjithë këtë përparim e përafrim që është arritur me kaq mundim,
sakrificë, djersë e gjak.
-Shqiptarët nuk janë kërkah,-tha dikush, sa për të thënë
diç.
-
Po ti çka je?, - e pyet tjetri që e ka pranë.
-
Shqiptar!, - i thotë.
-A
je i sigurt!?
-Po,
patjetër!
-Ti,
kërkund s'qenke, tash për tash o vëlla!
Të
qeshura e një heshtjeje medituese, pas këtij bashkëbisedimi, me tone filozofie
e ironie.
Më
tej, vazhdon biseda për ndarjen e shapit nga sheqeri, për mos futjen në thes të
një grupi, lagjeje, rajoni, krahine, e të gjithë atdheut, se këtë ndarje duhet
ta marrë vesh edhe më mendjelehti, dhe të cilit i kanë mbetur dy fije mend.
Flitet
për përafruesit e përlarguesit e kombit tonë, që në këtë kohë me dukshmëri të
kënaqshme, e po t'i shohim me thjerëz a mikroskop do të duken mikrobe të zëna
ngushtë.
T'i
largojmë, përlargojmë, ndalojmë e parandalojmë të zezat, mikrobet, ferrat, që
na mbulojnë shtëpitë, e na zënë dritën e diellit.
Të
afrohemi e përafrohemi për të mira, të mbara, vlera, ta afrojmë dinjitetin e
mirëqenien te dyert e portat tona.
Rruga
e drejtë duket e dihet se cila është. Ruajtje e vendit, e vlerave, siguri,
zjvillim, përparim. Ndonëse kjo rrugë nuk është e shtruar me lule, por ende me
plot lakesa e pengesa. E natyrshme që të ketë pajtime e mospajtime për të, për
mënyrën e strategjitë, por jo të shkojë puna deri aty ku të bëhemi pengesë e
pakapërcyeshme për njëri-tjetrin, në rrugëtimin e përbashkët me sa e sa
përpjekjet, betejat, kryengritjet, luftërat, rëniet, ngritjet, humbjet,
fitoret, sukseset, streset, traumat, një rrugëtim parasegjithash i dhembshëm e
krenar.
Përafrimi
mes nesh s'ka alternativë, sa më të bashkuar të jemi, aq më shumë do të
mbledhim energji për të vazhduar kah zhvillimi, përparimi e mirëqenia, kah kjo
rrugë kaq e dëshiruar e që çdo herë lë për të dëshiruar, në përjetësinë e të
rrahurave të zemrës së mëmëdheut...