Kulturë
Hamdi Hysuka: Nderim e mirënjohje për personalitetet matjane
E merkure, 06.11.2024, 06:50 PM
Nderim e mirënjohje për personalitetet matjane
Nga
Hamdi Hysuka*
Në
këtë jetë jemi kalimtarë, por në histori hyjnë figura të njohura. Ka nga ata që
lënë gjurmë në familje e në shoqëri. Edhe Mati ka pasur dhe ka shumë figura të
spikatura, të cilat me aktivitetin e tyre pranohen në altarin e figurave
kombëtare. Kujtoj figura të shquara matjane, që ndër shekuj kanë bërë histori,
qysh nga lashtësia e gjer në ditët tona: Gjergj Kastrioti (1405-1468) Pjetër
Budi (1366-1622), Rexhep pashë Mati. (1842-1908), Ibrahim Temo (1863-1945),
Dervish Hima (1872-1928) Hafiz I. Dalliu (1878-1951), Ahmet Zogu (1895-1961)
Shahin Toçi, (1911-1939), Abdi Mati (1918-1992) etj. Para se këta të ishin
shqiptarë të mëdhenj, janë dhe mbeten matjanë të denjë, mendjendritur, qytetarë
të mirë të luftës, artit, shkencës dhe botës së letrave. Mosha e tyre, më tepër
se jetë, kishte kohë pune.
Tendenca
e botimeve të sotme, sidomos publicistike, është tema e ardhjes së demokracisë,
çeshtja kombëtare shqiptare, "dëshira" e rishkrimit të historisë etj.
Por gazetari i njohur i medias së shkruar dhe vizive, Hasan Pasha, autor i
shumë shkrimeve nëpër gazeta e portale, si dhe i vëllimit publicistik "Të
pathënat e tridhjetë viteve", për botim të ri zgjodhi monografinë
"Fisnikët e Matit", kushtuar njerëzve që kanë kontribuar me mendje,
zemër dhe krah për vendlindjen, atyre që ai ka njohur vetë, specialistë të
fushave të ndryshme, "intelektualët e shekullit të ri", burra e gra
që kanë dhënë më shumë se sa kanë marrë nga Mati.
U
ndjeva i gëzuar kur libri m'u besua për redaktim. Së pari, e lexova me dëshirë
dhe ndjeva kënaqësi, sepse ritakova shumë personalitete të njohura matjane, të
cilët koha nuk i ka anashkaluar. Tashmë kur në dorë të bie një libër i shkruar
mirë, doemos të bën të mendohesh e të nxjerrësh vlera për lexuesin. Ndaj
vlerësimi i tyre duhet bërë sipas thënies së Abraham Lincoln, presidenti i
16-të i Amerikës, sipas të cilit, "S'kanë rëndësi vitet e jetës tënde.
Rëndësi ka jeta në vitet e tua".
Përzgjedhja
dhe renditja e personazheve që përfshihen nëpër faqet e kësaj monografie është
bërë sipas kritereve të moshës e profesioneve. Ata vijnë nga gjithë territori
gjeografik i Matit dhe përtej tij: nga Shëlliu, Macukulli, Derjani, Lami i
Madh, Rremulli, Mirdita, Laç-Bruçi, Burreli, Zenishti, Lisi, Batrra, Kurdaria,
Klosi, Karica, Bazi, Urxalla, Xibri, Gurra, Komsia... nga Martaneshi, Bulqiza,
Belshi i Elbasanit, Erseka e Kolonjës, Gjirokastra, Vlora... Numri 78 i këtyre
personaliteteve nuk është fundor. Ka dhe të tjerë, për të cilët mund të
shkruhet në vazhdim nga autori. apo autorë të tjerë, pa u bazuar në bindje politike,
as paragjykime. Them kështu, ngaqë shoqëria jonë ka nevojë njohjen e vlerave
dhe të traditave për brezat që vijnë, të cilëve u jepet mundësia të njohin e të
mësojnë sa më mirë historinë e të parëve të tyre, brenda e jashtë Matit.
Jo
pa qëllim, gjatë përgatitjes së monografisë, autori shfrytëzoi rrjetin social
facebook, nëpërmjet të cilit "testoi" punën e kryer. Mendimet e
ndjekësve qenë pozitive, shoqëruar me falenderime të sinqerta për çdo
portretizim, që do të thotë se qëllimi i botimit u arrit. Disa prej tyre, më të
zgjedhurat, për secilin portret, autori i shtoi në mbyllje të librit.
Gjatë
leximit të monografisë takojmë personalitete që kanë dhënë kontribute në fusha
të ndryshme ku ata kanë lënë gjurmë, sidomos në letërsi, art, kulturë, arsim, shëndetësi,
bujqësi, ushtri, minierë kromi, shfrytëzim pyjesh, qeverisje vendore e
qëndrore. Sipas renditjes në libër, ata janë: Ymer Minxhozi, Qamil Xhika,
Rexhep Klosi, Agim Cevani, Shaqir Xhoçuka, Dilaver Kurti, Nezir Hasani, Ymer
Nelaj, Feride Kurti, Tahir Tahiraj, Sabri Aliaj, Hysni Xhetani, Mustafa
Gjestila, Ferit Hysa, Petrit Frangu, Ferit Këputa, Simon Kaca, Vangjush
Gambeta, Kolë Ndreka, Shaqir Çela, Shaqir Stana, Abaz Lleshi, Shemsi Sulaj,
Aqif Çupi, Halit Palamani, Sefer Duka, Ramiz Fiçorri, Osman Hoxha, Nikollë
Bushi, Avni Leka, Faik Xhani, Rexhep Dardha, Shefqet Lata, Hanke dhe Ilirjana
Demirlika, Sali Bushi, Sali Kurti, Dali Farruku, Mehmet Rami, Shaban dhe
Elidiana Canaj, Ali Hysnelaj, Tomë Gjergji, Bajram Canameti, Agim Dervishi,
Qemal Cenaj, Luftim dhe Afrim Vani, Shefqet Merra, Halit Zhgjoti, Hamdi Hysuka,
Kasem Muça, Mirjeta Domi, Natasha dhe Haziz Ballabani, Ali Gjoka, Megi Doçi,
Asllan Muharremi, Kolë Rica, Avni Kërtuka, Hysen Rruspi, Ramazan Toçi, Xhavit
dhe Mara Ramiz, Xhevrie Sulaj, Naim Gjoshi, Qemal Lena, Adham Prifti, Engjëll
Mulellari, Xhemal dhe Arben Bici, Selim Demiri, Agron Malaj, Adelina Farrici,
Teki Kurti, Armela Murati, Hasan, Ina dhe Deni Pasha. Shumë prej atyre, që
autori sjell para lexuesit, kanë punuar në të dy sistemet, monizëm e demokraci.
Por ajo që dhe mua më intrigoi, është se këto personazhe janë të mirë,
njerëzorë, të dashur dhe patriotë me vendlindjen.
E
shkruar nga pena e gazetarit Hasan Pasha, nëpërmjet njohjeve vetjake dhe
dokumentave, monografia "Fisnikët e Matit", është vepër e veçantë për
komunitetin tonë matjan, që i shërben lexuesit të interesuar. Karakteristikë e
botimit është publicistika e autorit, e cila për kulturën, traditat, historinë
dhe personalitetet e Matit sjell vlera njerëzish që, siç shprehet autori, kanë
kontribuar me mendje, zemër dhe krah për vendlindjen.
Veçori
e personaliteteve në fjalë është ideali dhe përkushtimi i tyre me devotshmëri
aty ku kanë jetuar e punuar. Disa nga ata, për punë të palodhur, janë vlerësuar
me tituj nderi. Por ka dhe që s'kanë nevojë për tituj, grada shkencore, apo
bujë mediatike. U mjafton ndershmëria, përkushtimi dhe jeta me nderë, sepse
pasvdekjen e siguruan pa vdekje. Vlerësimi për t'u bërë pjesë e monografisë nuk
iu është bërë me komisione, as me votime. Sepse stadi i sotëm i zhvillimit ka e
do të nevojë për personalitete si Ymer Minxhozi, Qamil Xhika, Rexhep Klosi,
Agim Cevani, Dilaver Kurti, Ymer Neli, Feride Kurti, Tahir Tahiraj, Ramiz
Fiçorri, Sefer Duka, Sali Kurti, Nedin Hoxha, Sabri Aliaj... disa prej të
cilëve kanë ndërruar jetë, të tjerët gëzojnë moshën e tretë dhe pjesa tjerër
janë në marrëdhënie pune. Është e rëndësishme që autori ekspozon kontributin e
secilit personalitet matjan, si dhe njohuritë personale për t'i dhënë librit
dinjitet, origjinalitet dhe personalitet. Me jetën e tyre, ndershmërinë dhe
shkallën e lartë të inteligjencës ata mbeten në histori.
* *
*
Me
botimin e këtij libri, autori Hasan Pasha synon të hedhë dritë mbi shumë
figurat intelektuale të Matit, të cilat pak janë njohur nga lexuesi i sotëm dhe
në këtë mënyrë hidhet një hapë drejt zgjerimit të studimeve më të hollësishme
rreth këtyre figurave matjane e më gjërë. Siç ka thënë Heroi i Popullit, Luigj
Gurakuqi, "Një popull që nderon burrat e vet, që pavdekëson kujtimin e
tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai
popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen dhe ka
dëshirë me u sjellë e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të
vet".
*Kryetar i Klubit Letrar "Pjetër Budi", Mat