Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Shpëtimtare është poezia
E merkure, 06.11.2024, 06:55 PM
SHPËTIMTARE ËSHTË POEZIA…
EDHE
KUR NJERIU TRADHTOHET
NGA
NJERIU…
Nga
Visar Zhiti
Poezia
është shpëtimtare… - shkruan dhe thotë gazetaria italiane Marzia Borzi, ajo
lexon poezi sidomos kur ndjehet e stresuar nga koha, - poezia m’i bën mirë
shpirtit, - shpjegon, - më duhet dhe kur përfshihem nga misteret e vdekjes… - dhe rendit librat me poezi që ka lexuar së
fundmi, madje nga secili libër lexon një poezi, me pasion të thjeshtë dhe ia
këshillon lexuesit miqësisht t’i lexojë gjatë këtij nëntori…
Ajo,
pa bërë kritikun akademik, kompetentin e kompleksuar, eruditin e shtirur, që na
ka ndodhur të njohim përreth, që pasi ka dështuar në krijimtarinë e tij të
mirëfilltë apo letërsia e Realizmit Socialist që i ishte përkushtuar, i mbetur
në masë me ushtën e urrejtjes, sulmon kuturu si një don Kishot modern, kështu i
duket, apo si ca të tjerë që u kujtuan të lexojnë tani për militantizëm
ideologjik a llapaqenër të vënë, të përndjekur nga marrëzia e tyre e pistë e që
janë në shërbim ende dhe s’durojnë dot lirinë e tjetrit, pa le arritjet dhe
çmaskohen dhe nga dashamirësia e shtirur dhe vreri u nxin buzëve ashtu si në
shkrime…
Por
më mirë le të dëgjoj gazetaren italiane, poezitë që lexon që të shpëtoj dhe unë
nga s’e di çfarë, nga ca gjendje të së kaluarës që duan të bëhen dhe të së
tashmes, i përsërisin shqiptarët dhe në metropole, janë praktika dhe bëma të
mbartura, mendësi dhe shije neveritëse që i sollën kontrabandë këtej, për t’i
përzjerë me përfitimet kapitaliste, por kjo është çështje tjetër, madje e
tyrja, etj, etj.
Unë
po ndal te gazetarja italiane Marzia Borzi, po dêgjoj poezinë e radhës… e pesta,
e gjashta.. më befason aty nga pasminuta
e 7-të, kur merr librin tim, që ka dalë këtë vit në Itali, “Rrugë që rrjedhin
nga duart e mia/ Strade che scorrono dalle mie mani” dhe lexon me zërin kumbues
në italisht poezinë:
VAZHDIMISHT
TRADHTOHET NJERIU
-
nga Visar Zhiti -
Vazhdimisht
tradhtohet njeriu,
nuk
e kam fjalën për ditën e tij
që
befas bëhet mbrëmje,
as
për mbrëmjen e flokëve të tij
që
zbardhet e bëhet ditë e heshtur
pleqërie.
Tradhtohet
njeriu
S’e
kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet
në barë të kalbur
harrese.
Por
njeriu tradhtohet vazhdimisht
nga
njeriu.
Dhe
kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet
më e tëra,
Më
tha një plak që u plak burgjeve.
Faleminderit
gazetares italiane! - them me vete. Dhe të mendosh që këtë poezi e kam shkruar
në burg, dikur, fshehurazi, pa besuar se do të lirohej ndonjëherë, poezia
kështu, që do të dilte nga telat me gjëmba, pa le të përkthehej e të botohej në
një vend tjetër, aq poetik si Italia dhe që një gazetare do ta lexonte si
terapi shpirtërore dhe unë do ta dëgjoja sot.
Dhe
askush nuk është ngritur deri më tani kundër saj, të shkruajë a të komentojë
siç mund të ndodhte ndër ne, se ku i gjeti ata emra e ata libra, që s’i kemi
lexuar, kur ne kemi vlerësuar të tjerë, ou, paske dhe një shqiptar, pse na i kundërvë këta etj, etj, kur ajo
vazhdon të lexojë poezi.
Po
si kështu, u dashkan ende dhe poezitë e burgut? - pyes veten. Ndoshta janë si
përgjigje ndaj atyre që kanë burg brenda kokave të tyre, pa qenë në burg dhe që
e donin aq shumë për të tjerët, por edhe s’ja u durojnë dot sot, se shquhen siç
nuk duan ata, etj, etj.
Por bota di ta lexojë poezinë. Edhe kur nuk është e shkruar, - shtoj. Dhe sa shumë duhet ajo.