Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ku ha ferra fshatin
E marte, 05.11.2024, 06:55 PM
Ku ha ferra fshatin
Nga
Edison Ypi
Nisu
në Sojnikun e braktisur para se ta ketë ngrënë ferra.
Nisu
nga 6 e gjysëm e mëngjezit. Të mos kesh probleme me trafikun dhe të kthehesh
para se të zërë nata, më herët do ishte më mirë.
Nëse
duke ik drejt Elbasanit, do t'i ibyri sytë dielli i sapo lindur mbi Dajt, do të
shqetsojë trafiku mëngjezor me zhurma dhe piskama, dhe do të bezdisi smogu, të
kanë lenë ndjesitë, je lodhur, je matufjepsur, po pret të vdesëah, s'je për
këtë udhëtim. Kthehu në Sauk, a te TEG-u, a në Mullet, shko te kafeneja e
preferuar e mëhallës a dikund tjetër, rri nja 3 a 4 orë atje deri sa të vijë
dreka të bëhen groshët, dhe mos e përsërit më gabimin për të vajtur diku te
Shqipëria e vërtetë që për ty o ngordhalaq është më e largët se infiniti.
Ama
nëse sfidën mëngjezore me diell, smog, piskama, jo vetëm e duron, por e ke dhe
qef, je njeriu i duhur për të vajtur në
kohën e duhur në vendin e duhur, vazhdo.
Vazhdo
për të vazhduar, ama sakën se, duke parë nga dritarja, nis e lëshon klithma; ua
sa e bukur kjo ullishte, au sa e mahnitshme kjo vreshta. Po nise nga këto, nuk
arrin dot kurrë për ku je nisur, në Sojnik të Gramshit, ku po ha ferra fshatin.
Në
Gramsh, një polic rrugor i sjellshëm dhe i gatshëm do të thotë se zor të gjesh
në qytet kallauz për në Sojnik.
Në
Kodovjat, dikush pik e helm se i është prishur makina në mes të rrugës, do të
thotë me përtesë se nuk bëhet fjalë për kallauz në Kodovjat, ku, me gra e
burra, të rriturr e kalamaj i ke të gjithë duke mbledhurr ullinjtë.
Mos
u dorzo. Kallauzët nuk gjinden kollaj. Hyr te kjo kafeneja matanë rrugës.
Kafexhiu me musteqe po llafoset me gruan. Dy goca të vogla lozin me
njëratjetrën. Një mesoburrë te tavolina në qoshe të njeh. Donaldi, mbreti i
botës në Hebraisht, kështu quhet mesoburri, krejt në jerm, disi i tronditur nga
befasia e këndëshme, nis e ti numuron me tituj e me data çfarë ke shkruar
dhjetë vjet e tëhu. Qaja hallin mbretit të botës së Kodovjatit. Pyete Donaldin
nëse vjen për kallauz në Sojnik. Do pranojë menjëherë. Por me një kusht: Ta
presësh sa të vejë të pijë kafen në një ceremoni mortore në Bulçar. Mos e
kundërshto mbretin. Ke kohë. Prandaj u nise herët. Donaldi para me makinën e
vet, ti pas me tënden, shko shihe ceremoninë mortore. Bulçari është afër. As
tre kilometra nga ku hyn te kthesa për Lenie.
Rrugës
për Bulçar, do merni një zonjë dhe një zotëri që edhe ata shkojnë te xhenazja
në Bulçar. Kanë 7 fëmijë. Të gjithë në Greqi. Mbi 300 rrënjë ullinj, tokë,
bagëti. Dhe ankohen për shtetin që nuk i ndihmon.
Në
Bulçar ka vdekur një Zonjë e nderuar. Gjithë jetën mësuese matematike,
drejtoreshë shkolle, me nam të mirë në krejt krahinën.
Kanë
ardhur nga an' e anës gra e burra, zotërinj e zonja, të gjithë me të zeza.
Secili makinën e vet. Jo makina dosido. Vetëm Benza, Toyota, Nissana, Opela, me
të ik menia. Ca ikin, ca vinë. Kafeneja e fshatit, plot.
Duke
pritur të kthehet Donaldi, të afrohet një çun. Kërkon ta marrësh në Kodovjat ku
do takojë një mjek. Shtatlartë, 21 vjeç, pak bjond, buzë të trasha, lëkurë e
rreshkur, çalon pak, pamje prej të urti, prej shenjtori. Ka emër hebrè. Quhet
Emanuel, "Zoti është me ne". Emanueli llafoset shtruar. Ka plagosur
këmbën. I tthanë shërohet për një muaj. Por kanë kaluar dy. Emanuelit i kanë
vdekur në një ditë, mami dhe tezja. Pinë nga një shishe me lëng frutash të skaduar
nga ato që bëhen ilegalisht nëpër bodrume, dhe vdiqën. Babain e ka të sëmurë,
ulok, nuk luan nga vendi. I bën hyzmet vëllai, xhaxhai i Emanuelit. Emanueli
nga Kodovjati ka të dashur shkodrane. E ka gjetur në Internet. Nuk e ka takuar
kurrë. Do e takojë së shpejti. Do fejohet dhe do martohet, do bëjë një tufë me
fëmijë. Vëllai i Emanuelit ka gjetur gjithashtu nuse në Internet. Jeton bashkë
me nusen në Shkup ku punon si pllakaxhi.
Vjen
Donaldi. Do niseni për Kodovjat, ku Donaldi do lerë Nissanin, do vi te makina
jote, do ikni për Sojnik.
Në
Kodovjat Donaldit që i del një punë. Në pamundësi për të ardhur vetë, të gjen
një kallauz tjetër që quhet Musa, edhe ky profet.
Nisu
me Musain për Sojnik.
Te
kthesa për Sojnik, tabela rrugore me emrat e 12 katundeve dhe kilometrat
renditur vertikalisht, duket si menu turistike mbretërore me emrat e
specialiteteve dhe çmimet:
Shelcan
3
Zamsh
6
Lilenj
12
Snosem
13
Grazhdan
14
Vreshtan
14
Gribë
16
Sojnik
17
Kukur
17
Ermath
19
Rashtan
23
Rovje
27
Përgjatë
përroit që vjen nga që lart, nga Rovja, profeti Musa do të tregojë për majën më
të lartë të atyre anëve, Majën e Lisecit, lart mbi Kukur, ku sot e kësaj dite
janë 9 krushq të ngrirë bashkë me mushkat, dhe krejt karvanin.
Kishta,
ç'emër i çuditshëm për një fshat, nuk arrihet prej këtej. Në Kishtë shkohet nga
rrugë tjerër.
Mos
u habit, thotë profeti, që mbi rrjedhën e përroit që vjen nga Rovja nuk ka
hidrocentrale. Përrenjtë nuk rrjedhin këtej. Rrjedhin nga Mokra. Të rridhnin
këtej nuk do i kishin lënë pa i ngritur hidrocentralet dhe pa i tharë përrenjtë
ata të pagopur. Madje edhe këtej dhe andej, nëse unjat do rridhnin në të dy
anët.
Te
kthesa për Gribë, pak më tutje, një djalosh me kalë nga Poroçani, vendi më i
keq për të jetuar, po i çon mish gjyshit në Sojnik, vendi ku dielli lind për së
pari. E quajnë Ibrahim, babai i të gjithëve. Mos u ndal gjatë me Ibrahimin, atë
Nip madhështor se mbetesh pa vajtur në Sojnik ku po hanë ferrat fshatin.
Në
të hyrë të Sojnikut rruga hyn në ca si tunele ferrash që të paralajmërojnë për
çfarë do shohësh pas pak në fshat.
Ja
dhe Sojniku.
Në
mes të Sojnikut malor bie në sy një atmosferë fushore, pata rosa, biba rrethuar me tela si një herë e një
kohë Shqipëria.
Një
zotni me mustaqe të jep spjegime për një lokal që e ka ndërtuar pothuaj
tërësisht me mjete rrethanore. E dije se peshku bëhet në det në ujra të ngrohta
dhe të kripura. Por u bëka edhe këtu në mal me ujë të ëmbël dhe të ftohtë.
Pranë
një lëndine të blertë, ish spitali i Sojnikut me nam në kohën i Diktaturës ku
vinin e shëroheshin nga an' e anës.
Ish
Qëndra e Kulturës është shndrruar në, kati i parë kafene, kati i dytë depo.
Askush
nuk është bërë mukajet të marrë një dorë gëlqere ta mbullojë emrin e ish Diktatorit
mbi murin e ish spitalit.
Pak
mbi qëndrën e fshatit, shkolla pothuajse bosh.
Shkolla
ka emër dëshmori dhe mbiemër motoçiklete, Guzi. Dëshmori nga Sojniku ka rënë në
dibër. S'është çudi që, për ti bërë të pa verifikueshme dëshmitë, ndonjë
dibran, emrin e të cilit në Dibër një shkollë e mban, të ketë rënë dëshmor në
Sojnik, a dikund tjetër këtej rrotull.
Është
ora e Pushimit të Madh.
Në
kafene, mësues dhe mësuese.
Mësuesi,
Sulua, një djalë i ri diku nga ku ndahet Skrapari me Gramshin nga një fshat ku
ha pula strallin...Sulua spjegon rrjedhshëm por mysafirët e trashë nuk kuptojnë
qartë.
Mësuesja,
ah mësuesja, mësuesja e Sojnikut, një Zonjë në moshë, një Elisabeth Taylor
version gramshak, spjegon ngadalë me zë mozartian për çfarë e pyet në Shqipe
korrekte me theks lokal, me të ikë truri i kokës, me një përqëndrim dhe
vetpërmbajtje shembullore që u mungon zonjave meteopolitane.
Sojniku
është plot me ujra që rrjedhin përposhtë.
Po
s'ke zemër të fortë, mbi dhe nën fshat, mos hyr. Pamje e tmerrshme për syrin
dhe mendjen. Ferrat janë harlisur brenda e jashtë shtëpive të braktisura si
merimangat në filmat e horrorit.
Ferrat
po e kullufisin Sojnikun si anakonda përpin dalngadalë një viç të tërë.
Largohu
prej aty se çmendesh.
Merr
Sulon dhe Elisabeth Taylor-in, dhe ik teposhtë.
Sulon
çoje në Gramsh.
Zonjën
madhështore deri aty afër ku banon, ku gdhihet e ngryset në Fatin e vet
monumental.
Musain
lëre afër Kodovjatit, ku ka shtëpinë.
Duke
zbritur nga Sovjani që po e hante ferra, pamje kadareane: Pasi kanë ardhur nga
ceremonia mortore në Bulçar përmes një shortcut-i që e dinë vetëm vendalinjtë,
katër mësuese fshati anës udhës. Pa "Shoku Jani", pa "Komitet e
ministri", pa "nxjerrin dorën nga makinat", se pas pak vjen i
merr makina e vet.
Sa
me fat je mor qen. Ishe ku halabakët kanë ikur, kanë mbetur vetëm shenjtorët,
dhe ferrat që po hanë fshatin.
Drejt
Tiranës, vreshtat, ullishtat, nuk do të duken aq të bukura si kur u nise, dhe
do mërzitesh pak. S'mund të ndodhë ndryshe kur kthehesh nga vendi i profetëve
te vendi i hajdutëve.