Kulturë
Ndue Dedaj: 'Tungjatjeta' Pjetër Budi
E hene, 04.11.2024, 06:55 PM
“TUNGJATJETA” PJETËR BUDI
- Në Gurë të Bardhë të Matit -
NGA
NDUE DEDAJ
Me
Rrugën e re të Arbërit, vendlemja i Pjetër Budit na ka “ardhur” më afër, vetëm
4 kilometra nga asfalti, por që turizmi shpresohet ta sjellë dhe më afër.
Guri
i Bardhë është si të thuash kryet e vendit të Kryemates, nga Klosi që shtrihet
në luginën e bukur të Matit deri lart në kodrat e Xibrit, që kufizohet me
Tiranën.
E
kishim lënë me kohë me dy miqtë tanë, Alfredin e Bardhokun për të ardhur te
Budi dhe ja ku jemi tashmë mes banorëve të këtij fshati të veçantë, që dikur ka
qenë një qytezë e rëndësishme arbërore matjane: me kala, kulla, zejen e punimit
të barutit, ndërtimtari të zhvilluar kullash dhe njëherësh rrugëkalim i
rëndësishëm për në Europën Lindore, Shkup, Sofje etj. Ura e Vashës është
kryemonumenti i llojit, por dhe një varg urash të tjera më të vogla veneciane.
Guri
i Bardhë, 30 kilometra nga Tirana, ka qenë një fshat i madh me 300 shtëpi e
1500 banorë, me disa lagje e “fise”, kurse sot del tym vetëm në një të tretën e
banesave, pasi shumica e banorëve janë larguar.
Por
ne nuk kemi ardhur për të djeshmen, aq më pak për historinë - thjeshtë për një
tungjatjeta nga afër më Budin e madh dhe për t’u parë me të sotmen. Takojmë
fillimisht “fqinjët” e poetit, Hysen e Musa Boda (dikur: Budi), nënë e bir,
Rime dhe Fatmir Rexhepi etj., ndërkohë që përpiqemi të kuptojmë a ka krijuar
një lëvizje të re Rruga e Arbërit. Po, përderisa është ngritur një bujtinë e re
e hijshme, dykatshe afër një mulliri të vjetër uji, në lartësinë 920 metra. I
zoti i saj, Avni Hysa është një njeri me përvojë në jetë, ka punuar disa vite
në Londër, ku dhe është diplomuar dhe tash krahas punës si pedagog informatike
në universitetin e Durrësit, menaxhon resortin e tij turistik, ku vogëlushja e
tij nuk kishte ndonjë telefon në dorë, por vegla pune, njëlloj si punëtorët e
ndërtimit, që punonin aty...
Hyseni
na thotë se punon me shumë me të huajtë, të cilët preferojnë natyrën e bukur,
lartësitë malore, gjelbërimin etj.
Qendruam
disa orë në Gurë të Bardhë (Petralbë), qytezën e Gjergj Kastriotit –
Skënderbeut, në “mikpritjen” e Pjetër Budit, kur sapo kishim marrë pjesë në
fshatin Suç, në ceremoninë e përcjelljes për në amshim të një misionari të
mirënjohur italian, Don Gianfranco Cadenelli, që shërbeu për më shumë se njëzet
vjet mes matjanëve. Erdhën për ta nderuar klerikët, besimtarët, por dhe mjaft
njerëz jo të besimit të tij, me të cilët ai kishte jetuar si mes vëllezërish.
Guri
i Bardhë, një ftesë për më shumë investime, turizëm e turistë.