Kulturë
Kadri Tarelli: Mishel de Montenj foli shqip
E diele, 03.11.2024, 06:56 PM
MISHËL DË MINTENJ FOLI SHQIP
Me krijuesit,
shkrimtarë dhe artistë të Lushnjës
Shqipërues
Gëzim Baruti
Nga Kadri
Tarelli
Ditën e shtunë,
fund jave, më: 26, të vjeshtës së dytë, 2024, në mjediset e shkëlqyera të
Bibliotekës Publike të qytetit të Lushnjës, u zhvillua përurimi i tre volumeve
të librit “Esse”, të filozofit francez Mishel dë Montenj, shqipëruar
mjeshtërisht nga Gëzim Isuf Baruti.
Të pranishëm në
këtë kuvend libri, nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Kryetare e Bashkisë, znj. Eriselda Sefa. Tahsin Demiraj, Dine Dine, Teuta Korreshi, Sokol Miraka, Xhovani
Gallani, djali i "Mèsuesit të merituar" Vasil Gallani, Shpetim
Berhama, (mësuesi i frëngjishtes), Luci Pavli Shandro, Xhemal Nexha, poete Shire Caka Kasapi, Llaqi Ndine Toni, Sofokli Kuqeshi, Kristo e Dafina Davidhi, Zenel Qeveri, Niko Ferro, Mikel Basha, Skënder Gega, Asllani e Valentina Haxho, me gjithë zonjat e tjera, Albana Haxhiu, Elizabeta Metushi, vajzat e shkëlqyera të bibliotekës. Të gjithë të afërmve të Gëzimit,
etj. Ndërsa nga Durrësi, morëm pjesë: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli dhe Bajram Sulejmani.
Ajo që duhet
theksuar është falënderimi dhe mirënjohja që u shpreh nga të gjithë të
pranishmit, për autorin Gëzim Isuf Baruti, që solli i pari në shqip, një ndër
kolosët e mendimit filozofik Europian, Mishel Dë Montenj.
Në këtë mjedis
krijuesish, edhe unë pata nderit të them pak fjalë falënderimi, duke kursyer
kohën e diskutimeve që nuk kishin fund. U detyrova të bëj shkurtime për të mos
përsëritur atë që ndodh shpesh, kur ka përurime të tilla. Kështu fjalën time po
e sjell të plotë:
MISHEL DË MONTENJ MË NË FUND FOLI SHQIP
E solli mes nesh Gëzim Baruti
Përshëndetje ju pjesëmarrës dhe krijues në
fushën e letrave, që nderoni këtë kuvend për librin në tre volume të Mishelë dë
Montenj, Esse, të shqipëruar mjeshtërisht nga z. Gëzim Baruti.
Më lejoni që ta falënderoj dy herë mikun ton
Gëzimin:
Së pari: Më
riktheu pas afro 60 vjetësh në jetën publike të qytetit të Lushnjës, mua
mësuesin e hershëm në shkollën e Karbunarës dhe më pas të Kashtëbardhës.
Në vazhdim: Më bëri
pjesë të librit të tij, volumi III-të, duk vendosur në fund, krahas të tjerëve,
shkrimin tim: “GËZIM BARUTI, E BËRI FILOZOFIN FRANCEZ TË FLASË SHQIP”, shkrim
i publikuar në: Revista “Migjeni”, në Suedi,
“Fjala e lire”, Londër dhe “Zemra shqiptare”, në Zvicër, tashmë edhe në
faqet e këtij libri madhor. Shkrimi është një analizë vlerësuese për
punën e madhe të këtij shqipëruesi të veprës monumentale të kulturës botërore,
që sipas studiuesve dhe kritikëve, “Esse”-të e filozofit Mishel dë Montenj,
është një ndër veprat më të mëdha të kulturës Europiane, që hapi një epokë të
re në vorbullën e rrëmujshme të mesjetës. Më korrigjoni nëse gaboj, por Gëzimi
është i pari shqipërues, që më së fundi, e bëri francezin 500-vjeçar, Mishel dë
Montenj, të flasë e të këndohet shqip.
Së dyti, përshëndes
znj. Eriselda Sefa, Kryetare e Bashkisë, që si rrallë kund, merr pjesë në
ngjarje të tilla letrare artistike, që zhvillohen në këtë qytet. Nuk e teproj
të them se vetë pjesëmarrja e saj është sa nderim e vlerësim, aq edhe ndihmesë
e mbështetje, për ecurinë e punës së krijuesve Lushnjar.
Të them të drejtën, nuk më pëlqen fjala “përkthyes”
që përdoret aq shpesh në fjalorin gazetaresk dhe mjedisin shkollor e mediatik.
Kjo fjalë më duket e ftohtë dhe tepër zyrtare, sepse nuk ka ndjenjë, nuk ka
frymëzim, nuk ka dhimbje, dashuri, urrejtje, gëzim e zhgënjim, përplasje dhe
pajtim mendimi dhe dëshirash, aq më tepër kur flitet për një vepër letrare apo
filozofike, siç është Mishel Dë Montenj. Ndaj me kënaqësi po përdor fjalën “shqipërim”,
pasi çdo njëri nga ne krijuesit e di dhe e ndjen që në fjalët e para, punën e
shqipëruesit, për ta bërë atë të këndohet e të kuptohet lehtësisht nga cilido
lexues i çdo niveli arsimi dhe kulture qoftë. Gëzimi mund të na e thotë më
gjerë, sa vuajtje e mundim ka një punë dhe sipërmarrje e tillë, dhe ku qëndron
ndryshimi dhe afrimi mes tyre.
Në këtë udhë vlerësimi, më pëlqen të përsëris
fjalët e studiuesit dhe kritikut Ali Aliu, që thotë: “Përkthyesi duhet të
lundrojë mes përkthimit besnik të fjalës, pa u menduar si do të kuptohet dhe
shijohet shqip, ashtu edhe mes frymës apo frymëzimit letrar, që mund të duket i
bukur, por vetiu cënon përmbajtjen. I lumtur dhe i fituar është ai që, i lidh
apo i përqafon të dyja këto dashuri”. Intervistë në TV. Shqiptar.
Qershor 2024. Në këtë udhë krijimtarie është edhe përkthyesi ynë Gëzim Isuf
Baruti, që meriton nderim dhe mirënjohje të veçantë.
Kështu, edhe
unë pa mëdyshje, shtoj: - “Ai që niset të përkthejë, është i dënuar dy dhe trefish:
Duhet të njohë mirë gjuhën dhe kulturën e vendit dhe po kaq mirë edhe gjuhën
e kulturën e shkrimtarit, nga vjen. Ai duhet të futet në lëkurën e autorit, të
jetojë, të mendojë e të veprojë si ai. Në vazhdim: - Ai është i dënuar
të dashurohet me autorin, t’i ndjejë frymëmarrjen, rrahjet e zemrës,
buzëqeshjen dhe trishtimin, tekat, veset, dobësitë, botëkuptimin. Kështu
shqipëruesi e rikrijon veprën me të gjitha përmasat: letrare, artistike,
shkencore dhe filozofike”.
I lexoj dhe i rilexoj pjesët e librit, për të
shijuar artin e rrëfimit, forcën e ballafaqimit apo përplasjeve të mendimit mes
të diturve të mëdhenj, duke shprehur një lloj admirimi për kulturën e gjerë,
veçanërisht kujtesën e mbinatyrshme të filozofit Montenj, për të cituar në
ligjëratë të drejtë, mendimtarët, filozofët, perandorët, sundimtarët, feudalët,
ushtarakët, politikanët, artistët, letrarët dhe poetët. Besoj se janë këto
dhunti, për të hartuar një libër të tillë, si përmbledhje e të gjithë volumeve
të marra së bashku. Libër me vlera që i reziston kohës, për t’u lexuar e
shijuar edhe pas 500-vjetësh, si një monument i ngritur në letra, që lëviz me
të gjithë shkëlqimin e tij në të gjithë rruzullin, deri te lexuesi shqiptar i
kohës së sotme.
Më duhet të shtoj vetëm pak fjalë mirënjohje
dhe nderimi për z. Gëzim Isuf Baruti, si
krijues dhe punëtor i zellshëm në fushën e letrave shqipe, i cili një jetë
punoi duke hapur kanale, në sektorin e fermës, në Savër të Lushnjës. Por me një
vullnet të pa përfytyruar, mësoi gjuhën frënge, aq mirë sa të mund të
përkthejë, jo thjesht një vepër letrare, por një vepër filozofike me përmasa
botërore, e vlerësuar nga koha 500-vjeçare, si nismëtare e kulturës moderne në
shekujt e ngatërruar të mesjetës së turbulluar. Gjuhëtarët e dinë mirë, ç’do të
thotë të merresh me gjuhën e përdorur para 500-vjetësh, dhe ta sjellësh në
shqip. Gëzimi e arriti majën e suksesit.
Unë përherë, qëllimisht i shmangem analizës
klasike të veprës, duke gjetur vetëm disa pika kulmore, ku mund të mbështetet,
duke ia lënë lexuesi të vendosë, pasi është ai që bën vlerësimin, mbase edhe
analizën letrare, artistike, shkencore, botëkuptimore, gjuhësore të veprës.
Përherë udhëhiqem nga parimi se, kushdo që
bën analiza të tilla, nuk e mëson dhe nuk ka detyrë ta mësojë lexuesin. Kështu
më mbetet vetëm detyra, ta ftoj atë për të kënduar librin, pasi kështu do të
ndjejë kënaqësi dhe do të pasurojë dijet e tij.
Në fund, po
shpreh një mendim, mbase më bashkoheni edhe ju të nderuar pjesëmarrës, se kjo
vepër e meriton të përurohet në Akademinë e shkencave të Shqipërisë. Është nder
i tyre, ta bëjë pjesë të fondit të saj.
Si mësues i hershëm, që nuk më ndahet shpirti
nga shkolla dhe arsimi, nuk e teproj të shprehem, se: “Nëse duhen gjetur shembuj
model edukimi për të vegjlit dhe të rinjtë, se si mund të ngadhënjesh dhe të
kapërcesh pengesat që t’i sjell koha me prapësitë e saj, një i tillë është edhe
shkrimtari, poeti dhe përkthyesi Gëzim Isuf Baruti”.
Urime Gëzim! Dhe suksese në përurime të tilla
librash, mes krijuesve të ditur e të ndritur.
Kështu mes krijuesve të zellshëm qofsh
përherë......!
Faleminderit dhe miqësisht!
Kadri Tarelli
Lushnjë, më: 26, të vjeshtës së dytë. 2024.