| E diele, 03.11.2024, 07:26 PM |
‘’DO TA BËJMË SERBINË E MADHE...’’
(Vuk
Drashkoviq: ‘’MURGU HOKAJ’’, roman historik, botoi KOLIQI, 2024)
Nga
Adil FETAHU
Vuk
Drashkoviqi është shkrimtari më i madh në mesin e shkrimtarëve të gjallë serbë.
Në
romanin e tij të fundit, ‘’Monah Hokaj’’
(shq.Murgu Hokaj), ka shtjelluar në mënyrë letrare tematikën e rrethimit
katërvjeçar të Sarajevës nga ushtria jugosllave dhe bandat kriminale serbe.
Brenda
romanit të tij Drashkoviqi trajton disa tema të mëdha të politikës agresive të
Serbisë, në dekadën së fundit të shekullit të kaluar, duke filluar nga rrethimi
i Sarajevës, rolin e Kishës Ortodokse, të Akademisë Serbe të Shkencave dhe
Arteve, të UDB-ës dhe të mediave, në
përhapjen e miteve e gënjeshtrave, në
nxitjen e urrejtjes dhe përkrahjen e krimeve, fshehjen e kriminelëve, planet
për krijimin e Serbisë së Madhe, me të cilat
vazhdohet edhe sot në formë të përshtatur rrethanave të kohës, e deri
te agresioni rus në Ukrainë.
Personazhi
kryesor i romanit është një burrë hercegovas (Simon Ollujiq), i cili ka mbaruar fakultetin filozofik –
grupi i historisë dhe deshi t’i kushtohej shkencës. Rastësisht njihet me një arkeologe (Amra
Fejzoviq) me të cilën e kalon një natë, dhe kurrë më nuk takohen. Ai ishte i
punësuar në gazetën ‘’Osllobogjenje’’ të Sarajevës, dhe kishte marrë një ftesë
nga një universitet amerikan për t’u pranuar në cilësi të asistentit. Daja i
tij (Bozho), një oficer i UDB-ës, përpiqet ta bindë nipin të mos e trathtojë
vendin e vet e të shkojë në shtetin armik. Për synimet e Ollujiqit daja e
lajmëron UDB-ën, e cila e thërret në ‘’bisedë informative’’, i ofron të
nënshkruajë një letër, me përmbajtje ofenduese si përgjigje letrës së
profesorit amerikan (Valter Scot). Nga
biseda me inspektorët e UDB-ës, Simoni dëgjon gjithëfarë marrinash
nacional-shoviniste serbe, për krijimin e Serbisë së Madhe dhe shfarosjen e Boshnjakëve
muslimanë, të Shqiptarëve dhe të Kroatëve ustashë, madje edhe të Malazezëve.
Sepse, ‘’pa krime e gjenocid nuk mund të formohet Serbia e Madhe’’. Meqë
e refuzoi nënshkrimin, e fusin në burg, ku e mbajnë 49 ditë, derisa me
intervenimin e dajës Bozho e liruan, por e rekrutuan në njësitin e snajperistëve.
Në atë njësit Ollujiqi shquhet për precizitet, merr nofkën Hokaj – syri i skyfterit
(serb), dhe gradën e togerit.
Me
rrethimin e Sarajevës, njësiti i snajperistëveve, prej 32-34 veta, ishte
vendosur në Hotelin ‘’Holidey Inn’’, prej pullazit të të cilit vrisnin
qytetarët e Sarajevës, të cilët në intervale të pushimit të granatimeve nga
artileria, dilnin për t’u furnizuar me bukë, ujë e gjëra tjera. Hokaj dhe
snajperistët tjerë vrisnin njerëz pa i ditur as njohur kush ishin; burra, gra,
fëmijë, pleq. Në dhjetor të vitit 1993, në Shtëpinë e Gjuetarëve, afër fshatit
Pale, të shpallur kryeqytet i Republika Srpska-s, u organizua një festë e madhe
për krerët e luftës, peshkopët, akademikët dhe personalitete tjera të larta nga
Beogradi. Radio Sarajeva në lajmet e mbrëmjes raportoi për vrasjen e 28 qytetarëve
të Sarajevës, në mesin e të cilëve përmendet Amra Fejzoviq dhe djali i saj
6-vjeçar, të cilët ishin vrarë duke marrë ujë te çesma Sebila. Me të dëgjuar
lajmin, një peshkop thotë:: ‘’Pak,
fare pak, do t’i shfarosim të gjithë balijtë’’. Ollujiqi me të dëgjuar
emrin e Amrës dhe djalit të saj (të tij), e di se te ajo çesme ky e kishte
vrarë një grua dhe një fëmi, dhe ata ishin gruaja e pamartuar dhe fëmiu i tij.
Në atë moment çmendet, çohet nga tavolina, bërtet me sa zë kishte:
-
‘’I mallkuar qofsha, i mallkuar qoftë
edhe Ai që më krijoi dhe të gjithë ju, UDB-a juaj, edhe shteti juaj bandit,
edhe shenjtëria juaj peshkopët’’!
-
‘’Toger, ti je i dehur, por dehja nuk të shpëton nga gjykimi’’, më tha
gjenerali i cili na kishte urdhëruar të shtinim nga pullazi i Hotelit.
U
hodha mbi gjeneralin, ia shtrëngova fytin dhe ia kafshova njenin vesh, dhe do
ta kisha mbytur sikur të mos intervenonin tre ushtarë roje të tij. Më lidhën
këmbë e duar. Më çuan një magazinë të patateve, me synim që më vonë të më
pushkatonin. Daja Bozho gjeti një psikiatër, i cili rekomandoi trajtim në
spitalin e çrregullimit mendor. Më dërguan të lidhur në Beograd, ku qëndrova në
çmendinë deri me fillimin e luftës në
Kosovë. Duke u frikësuar se do të më çonin në Kosovë, piva një shishe tableta
për gjumë, me dëshirë që të mos zgjohem kurrë. Kur më zgjuan, u thosha mjekëve:
kur të dal nga spitali do t’iu tregoja prokurorëve, gjykatësve, diplomatëve,
gazetarëve për krimet që kemi bërë, duke i përmendur emrat e atyre që na kishin
urdhëruar. Ndërkohë, Tribunali i Hagës kishte ngritur aktakuzë kundër meje, për
shkak të disa dhjetra civilëve të vrarë në Sarajevë, mes të cilëve kishte edhe
fëmijë. Më akuzonin për krime kundër njerëzimit. UDB-a në bashkëpunim me kishën
i fshihnin kriminelët të cilët i kërkonte Tribunali. Mua më dërguan në një
manastir në Mal të Zi, më veshën si prift, më dhanë emrin Murgu Serafim
(Skender) Gjedoviq, gjoja si serb i rrethit të Shkodrës. Në atë manastir ishin
fshehur edhe shumë kriminelë tjerë, të veshur si murgjë, edhepse nuk dinim as
të bënim kryq. Gjithnjë në bashkëpunim midis
UDB-ës dhe kishës, inskenuan ceremoninë e vorrimit tim (tetor 2007),
gjoja se më paskan gjetur të vdekur diku në një pyll. Unë mora pjesë në
vorrimin tim, në uniformën e murgut, dhe ndeza qiririn mbi vorrin ‘’tim’’! Peshkopët,
me lot në sy, më kënduan e lavdëruan për ‘’heroizmin tim’’: ‘’Perëndia ta
faltë edhe mëkatin më të vogël, e ti nuk pate asnjë mëkat. Për shkak të
flijimit tënd për fenë tonë, besimin e Shën Savës, ti je pranuar në parajsë, ndërkaq
keqbërësit e Hagës, që të fajsonin ty për krimet që kurrë s’i pate bërë, do të
digjen në zjarrin e ferrit’’! Pastaj (më 2014) më dërguan në Ukrainë, gjoja
për të hulumtuar vendbanimin e serbëve të dalur atje, në Donbas para 200
vjetëve. Në Ukrainë nuk gjeta shenja të serbëve të vjetër, por pashë gjendjen e njëjtë të urrejtjes dhe
vëllavrasjes midis rusëve e ukrainasve, dhe mësova se shumë serbë të rinj po
luftonin në anën e rusëve e kundër ukrainasve.
Pas
gjithë atyre që kishte bërë, kishte parë e dëgjuar dhe përjetuar, Ollujiqi ishte kthyer në shtëpinë e tij në
fshatin Jellenovë, ku nuk kishte mbetur asnjë njeri. I kishte shkruar
‘’aktgjykimin’’ vetvetes, duke i numëruar të gjitha krimet që kishte kryer ndaj
njerëzve të pafajshëm. Nuk gjeti asnjë rrethanë lehtësuese. Ia shqiptoi vetes
dënimin më të rëndë...
***
Në
këtë roman të shkurtër, autori ka kondensuar shumë ngjarje reale dhe aso të
trilluara, përmes të cilave dhe
personazheve të përmendura, ka dëshmuar bashkëpunimin e ngushtë midis Kishës
Ortodokse Serbe, të cilën e konsideron si degë e Kishës ruse, dhe UDB-ës, të
cilën poashtu e konsideron si degë e KGB-së ruse. Kisha dhe UDB-a kanë rekrutuar, ushtruar, nxitur, fshehur, mbrojtur e lavdëruar kriminelët e luftës, gjë
që po bëjnë edhe sot.
Me
këtë roman dhe me paraqitjet e tij publike, autori lë përshtypjen se ka bërë një katarsis edhe vetes, për veprën e tij si kryetar i Lëvizjes së
Përtëritjes Serbe, dhe retorikës së tij
luftënxitëse, rehabilitimit të çetnikëve të Ravnagores etj. Drashkoviqi prej
një përkrahësi të regjimit të Millosheviqit, kur ishte edhe në pozitën e
ministrit të jashtëm, u shndërrua në një nga kundërshtarët më të zëshëm të atij
regjimi, si udhëheqës i opozitës me organizimin e protestave të cilat e rrëzuan
Millosheviqin nga pozita e kryetarit të Federatës Serbi-Mali Zi, por në pushtet
erdhën njerëzit e atij regjimi, të cilët vazhdojnë me idenë e krijimit të
Serbisë së Madhe.
Temat
që i shtjellon Drashkoviqi përmes këtij romani: projektet për Serbinë e Madhe
(Moleviqi, etj.); krimet dhe gjenocidi për të arritur atë qëllim; bashkëpunimi
midis kishës dhe shtetit për fshehjen dhe mbrojtjen e kriminelëve të luftës;
urrejtja e krijuar kundër Boshnjakëve, Shqiptarëve dhe Kroatëve; mohimi i
krimeve dhe i gjenocidit që ka bërë Serbia; bashkëpunimi i kishës serbe me atë
ruse dhe i UDB-ës me KGB-në: ngjajshmëria e agresionit serb në BH, Kroaci e
Kosovë, me agresionin rus në Ukrainë,- janë çështje e tema të mëdha, të rënda dhe
aktuale edhe sot.
Ka
një dozë përpjekje moralizuese të pendimit për krimet e kryera, përmes
personazhit të Murgut Hokaj, respektivisht snajperistit Simon Ollujiqi, por kjo
kurrësesi nuk e abolon kombin dhe shtetin serb nga krimet, të cilat i mohojnë,
nuk i pranojnë as nuk ia thonë popullit të vërtetën për atë që ka ndodhur.
‘’Peshkopi
nuk ia pranonte as nuk e lejonte Ollujiqin të pendohet, sepse pendimi nuk është
i lejueshëm as në interes të kombit’’!