Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Çdo nënë është një shenjtore dhe çdo shenjtëri na shpërblen me vullnet prej nëne!
E premte, 01.11.2024, 06:54 PM
Çdo nënë është një shenjtore dhe çdo shenjtëri na shpërblen me vullnet prej nëne!
Nga
Albert Vataj
Ajo
është “La Charité” (Mëshira), e piktorit William Adolphe Bouguereau (30 nëntor
1825 - 19 gusht 1905 ). Eshtë realizuar në vaj, kanavacë në vitin 1878.
Përmasat: 196 x 117 cm (77,17 " x 46,06 "). I përket një koleksioni
privat.
“La
Charité” është një nga punët që sinjifikon krejt galerinë krijuese të William
Bouguereau, i cili megjithëse u anatemua si askush tjetër, u mohua dhe u dëbua
bashkë me stilin e tij akademik, sot e gjejmë në podin e famës, larg nga e
shkuara fyese, pluhuri i harresës dhe dangat e poshtërimit.
“La
Charité” (Mëshira) aktualisht mban rekordin botëror si piktura më e shtrenjtë e
shitur e galerisë së Bouguereau. Ajo u shit në një ankand në vitin 2000 kundrejt
vlerës 3.600.000 dollarë. Për një piktor të mbetur pas portave të mbyllura, kjo
është një befasi.
“La
Charité” (Mëshira) përshkruan një grua të bukur, shëmbëllimi i përsosmërisë
femërore, dlirësisë së kulluar, hireve rrezatuese dhe forcës amësore. Ajo
kridhet në këtë tablo jo vetëm si elementi dominues por edhe dëshmimi më
universal dhe i vetvetishëm i rolit të një nëne, i rolit të vazhdimsisë së
jetës. Ajo shpreh kujdeseni dhe mbrojtjen e pesë fëmijë të vegjël, duke u dhënë
atyre edukatë, ushqim dhe dije. Mirërritja është përfaqësuar nga gjinjtë e saj
të kolmë që tregon synimin për të lejuar fëmijët të gjejnë aty përkujdesje në
të ushqyer. Prarimi i syve, drejtqëndimi dhe rrethqarkimi i krahëve që zapton
tre nga vogëlushët, shëmbëllen atë kumt gruaje dhe nëne që jetësohet në
botkuptimin e të pazevendësueshmes, që nga Hyjlindësja e këndej.
Eshtë
ngadhnjimi emblematik i një nëne, njimendja dhe vullnesa e saj e hovshme për të
dhënë për ta gjithçka nga vetja përkundër gjithë përpjekjeve dhe sakrificave vetmohuese.
Nën
këmbën e saj të majtë qëndron një enë përmbys me monedha ari dhe argjendi, të
cilat qëllimisht janë derdhur. Ky simbol tregon se nuk ka kosto për lumturinë e
tyre, që e tejkalon atë për të cilën ajo, nëna, është e gatshme t’ua japë me
mish e me shpirtë. Pratë kësisoj nuk trajtohen si përparësi, ata nuk zotërojnë
atë forcë, atë energji që u duhet atyre për t’u rritur të shëndetshëm të
edukuar dhe të ditur. Burimi i vetëm prej nga ata e marrin atë që u duhet në
jetë është ëma e tyre, është e perëndishmja, që piktori e ka trajtuar si një
shenjtore, si një amanet që ka marrë mbi vete në përjetësi një grua, një nënë.
Një tjetër detaj është edhe tematika e dijes, e shtjelluar nëpërmjet elementit
të fëmijës, i cili është mbështetur mbi disa libra dhe diç lexon në një fletë
të shkëputur dhe të vendosur në shkallare. Fëmija i ndrojtur që struket në të
djathtë nën petkat solemne që derdhen përposhtë prej shtatit të gruas, dëshmon
dhe denoncon realitetin, ashpërsinë dhe egërsinë, me të cilën ai do të qaset.
Por nëna është aty, e vetmja dhe më e vetvetishmja mburoje dhe edukuese e
fëmijëve, të cilët mbartin misionin trashëgimisë. Ajo rend në përjetësi me
dashurinë dhe detyrimin, për fëmijët e saj, për jetën, për gjeneratat. Një nënë
është themeli i një brezi!