Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Me pamje kah parku

| E merkure, 30.10.2024, 07:50 PM |


Blerim Rrecaj

Me pamje kah parku

I pashë dy skica që dikur shkrova

Nuk paskam thënë kushedi se çka

Veç dy gjethe paskan rënë prej pishe

Sëbashku e krahpërkrah

Në vend të njejtë pas pesë vjetësh

Sa hap e mbyll sytë pas një titre filmi

Petale lulesh të bagemëve si fluska bore

E zbardhëllonin një copë gjelbërimi

Njëra në ditë tetori e tjera në një ditë maji

T'i bije shkurt e trup se fjalët si ndejat i zgjata

Dy kujtime kohëndryshme seç i bëra bashkë

Të cilëve në një vend (s')po u pret sopata

E shkruar nga një kënd lodrash

Ora i afrohet ngadalë mesditës

Dy fëmijë në këta kuaj druri i vunë çantat

Marrin krahë gati sa s'fluturojnë

Zenë vend e luhaten nëpër kolovajza

Hapësirë mbuluar nga hije shumëkatëshesh

Dy fëmijë tjerë e një gjyshe e një nënë

Përkunden si nëpër djepa nga duart e dashura

Rrëshqitësja ende e lirë si rrjeta merimangë

Po luaj pak me fjalë te ky kënd lodrash

Pasi që bëjë pjesë tek të rriturit e të mëdhenjtë

Timon i mendjes më dërgon atje

Te ai kënd lojrash që ishte dhe s'është më

Buzëqeshje pranë plepave

Me seriozitet shkruava ca vargje

Po më dolën me tone humori

Dhe një buzëqeshje e lehtë misteri

Doli prej meje seriozit

Dhe i lashë këto vargje

Pa i grisur e pa i fshirë

Le të rrinë diku të shkruara

Si një dokument në një arkiv

Qesha unë ulur në stol

Dhe e lashë pas këtë mjedis

Qesha unë e qeshën plepat

I çuditur mbet i biri i tyre filiz

Ë-Ndërrim

Sot pasmesnate po ndryshon ora

Sekush se pyet sa a flemë një orë më shumë

E themi me plot gojën se si arinjve në dimër

Mos është duke na shkuar krejt jeta në gjumë

Ç'themi tjetër ne njerëz të fjalëve

Duam dhe ne të ndryshojmë përsëmbari

Kur këtë e themi veç për veten tonë

Themi e dijmë këngën po s'na shkon zëri

Ç'po ndodh e ç'po bëhet me ne arsyetuesit

Laurën s'ka kush e lëshon kohën që ta ndal

Akrepa ore lëvizim si hapat tanë para e prapa

Si ta çpështjellojmë veten e këtë lëmshnajë

Hera-herës

"Ah mjaft fjalosëm, s'kemi ç'themi prapë!..."-Dritëro Agolli

E thërras heshtjen mysafire

Vjen ajo t'më vizitoj

Rri sa rri e kërkon (v)-izën

Se i duhet që të shkoj

Tash vetëm më ka lënë

Të rrinte me mua edhe pak

Shkoj ajo me trokëllimë heshtime

Mbeta i vetëm e qesharak

Shoh gjurmët që la në ajër

Si përjashtë si në dhomë

Duku heshtje të heshtim sëbashku

Kur të kesh kohë vizitomë