Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Vezirët dhe pashallarët me origjinë shqiptare nuk kanë asnjë vlerë për kombin tonë

| E shtune, 26.10.2024, 06:58 PM |


Vezirët dhe pashallarët me origjinë shqiptare nuk kanë asnjë vlerë për kombin tonë,  ata ishin shërbëtor të Perandorisë Otomane

Nga Gjon Keka

Është poshtëruese të krenohesh me vezirët dhe pashallarët shqiptarë që i shërbyen Perandorisë otomane e cila ishte në fakt armike e arbërorëve të Gjergj Kastriotit.

Të gjithë vezirët apo pashallarët me origjinë shqiptare që i shërbyen Perandorisë otomane nuk i kanë sjellë asnjë dobi kombit tonë dardano-arbëror, por ka raste kur pikërisht nga këta vezirë e pashallarë është bërë trysni ndaj shqiptarëve të krishterë, madje ka pas edhe masakra e dhunë barbare me urdhër të tyre.

Në fakt të gjithë këta vezirë e pashallarë u bënë „masha e sulltanit" për të sunduar bashkatdhetarët e vetë dardano-arbëror, pra ata i shërbyen sulltanit dhe Perandorisë otomane dhe jo kombit tonë. Ata nuk kanë asnjë vlerë për historinë dhe për kombin tonë dardano-arbëror, sepse ishin shërbëtor të armikut dhe veten e quanin osmanlinj(turq), pra ata nuk kishin asgjë të përbashkët me gjakun dardano-arbëror,  gjakun e Gjergj Kastriotit.

Madje këta vezirë e pashallarë bënin presione të mëdha ndaj dardano-arbërorëve katolikë për islamizimin e tyre. Perandoria otomane me vezirët dhe pashallarët me origjinë shqiptare që i shërbenin synonte ta çrrënjoste krejtësisht fenë e krishtere katolike nga trojet dardano-arbërore, pra ajo donte që edhe ato pak ura që kishin mbetë me familjen Europiane të cilës i takonte kombi ynë t'i shkatërronte tërësisht, ashtu sikur po tentohet edhe sot të bëhet njësojë me anë të renegatëve e mbetjeve otomane të ditëve të sotme.

Perandoria otomane donte që duke i islamizuar të gjithë dardano-arbërorët të ndalte lëvizjen kombëtare për çlirimin e vendit nga pushtuesi otoman,  sepse duke realizuar planin e saj të islamizimit shqiptarët do të hiqnin dorë nga lufta antiotomane dhe kështu të lidheshin me Perandorinë otomane me anë të ideologjise fetare të tyre.

Kështu edhe ndodhi, pas procesit të islamizimit kryengritjet antiotomane për çlirimin e vendit pothuajse u shuan tërësisht, vetëm aty këtu kishte përpjekje të atyre që nuk donin robërinë otomane, ndërsa në anën tjetër për ata që ishin islamizuar nuk bëhej fjalë më për çlirmin e vendit, sepse ata tashmë kishin përqafuar gjysmëhënën.

Nga kjo shihet se „islamizimi i shqiptarëve nuk ua solli „xhehnetin" në këtë botë atyre, por i mbajti të lidhur më pushtuesin"e tyre dhe i largojë nga Europa duke i mbajtë me shekuj të ndarë e në mjerim.

Me pak fjalë,  islamizimi i popullit dardano-arbëror ia largojë nga gjoksi i tyre frymën e epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit dhe në vend të saj mbolli ideologjinë e saj e cila ishte në kundërshtim me frymën e Gjergj Kastriotit i cili e çlirojë Dardano-Arbërinë nga zingjirët e robërisë otomane.

Edhe një gjë duhet nënvizuar, as vezirët e pashallarët me origjinë shqiptare që i shërbyen Perandorisë otomane, as perandorët që i shërbyen Perandorisë romake si dhe as shërbëtorët që i shërbyen së fundi jugosllavisë nuk i kanë sjellë ndonjë të mirë kombit tonë, por të gjithë ishin shërbëtor të politikave të perandorive e mbretërive që i shërbyen.