| E enjte, 24.10.2024, 06:57 PM |
Pianistja Patricia Rosca, ku talenti dhe pasioni nuk njeh kufi!
Nga
Entela Binjaku
Ditën
e hënë, 21 tetor 2024, në orën:19.00 në Sallën e Koncerteve “Tonin Harapi” në
Tiranë u mbajt koncerti recital i pianistes rumune Patriçia
Roshka (Patricia Rosca). Të pranishëm në sallë ishin adhurues të
muzikës, pedagogë të Universitetit të Arteve, studentë që ndjekin studimet
muzikore, fëmijë që sapo kanë vendosur duart mbi tastierë, të shoqëruar nga prindër e gjyshër. Programi
i koncertit përmbante vepra lapidare të epokave të ndryshme muzikore si dhe
vepra bashkëkohore nga: Listi, Enesku,
Kraja, Çajkovski dhe Raveli të cilat u ndoqën më shumë kërshëri dhe emocion nga
të pranishmit. Në fjalën e hapjes ndër të tjera, moderatorja ju drejtua të
pranishmëve se ky recital është organizuar në një frymë miqësore me kulturën dhe popullin rumun dhe se shërben
edhe si mesazh për forcën e artit si dhe domosdoshmërinë e nxitjes së talenteve
të rinj në rrugën e gjatë dhe të vështirë të artit. Në programin e përgatitur për këtë mbrëmje
pianistja rumune dëshmoi siguri, maturi në skenë të ndërthurura me talentin e
saj të shkëlqyer dhe mbresëlënës. Nga njëra vepër tek tjetra ajo vijonte të
befasonte me forcën e talentit të saj të pamatë. Të nesërmen e 22 tetorit
pianistja Roshka zhvilloi një bisedë me
studentë të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve ku ajo ndau
përvojën e saj në pjesëmarrjet e
ndryshme të konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë takim të ngrohtë
dhe shumë miqësor siç edhe ajo vetë u shpreh ajo ndau pasionin e madh për
muzikën, entuziazmin për këto pjesëmarrje, rutinën e saj studimore, përgatitjet
për garat muzikore etj. Aktualisht
studion në Kolegjin Kombëtar të Muzikës “Xhorxhe Enesku” të Bukureshtit në
klasën e profesoreshës Mihaela Zamfiresku,
mundësi të cilën e siguroi pas suksesesh dhe rezultatesh të shkëlqyera.
Ka marrë pjesë në shumë konkurse si në Rumani ashtu edhe jashtë si në: Francë,
Gjermani, Austri, Itali, Hungari, Serbi etj., dhe ka ndjekur Masterklase me
profesorë dhe pianistë të shquar. Disa ditë përpara koncertit të
Tiranës Patriçia kishte interpretuar në Bukuresht në Shtëpinë Memoriale
“Dinu Lipati” në recitalin e organizuar nga Muzeu i Bukureshtit dhe Fondacioni
Kulturor "Remember Enescu". Në këtë
koncert ku interpretuan të rinjtë e Kolegjit Kombëtar të Arteve
"Dinu Lipati", të Kolegjit Kombëtar të Muzikës "Xhorxhe
Enesku" dhe të Universitetit Kombëtar të Muzikës në Bukuresht Patriçia
luajti dy vepra të autorit shqiptar Nestor Kraja. Kjo mbrëmje jubilare
organizohej në kuadër të 25 vjetorit të Fondacionit Kulturor "Remember
Enescu" në mbështetje të promovimit të talenteve të reja dhe ruajtjes së
trashëgimisë kulturore rumune. Ndërkohë
në muajin gusht të këtij viti ishte në Republikën Çeke si finaliste dhe fituese
e Konkursit “Elevato” në Konservatorin e Pragës ku dhe debutoi me orkestrën e
Karlovi Varit. Ditën e djeshme nga
Tirana pianistja e re fluturoi drejt Konstancës ku pritet të interpretojë të
premten e 25 tetorit me Orkestrën e
Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit "Oleg Danovski”.