Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Zjarr i Shenjtë

| E merkure, 28.01.2009, 07:59 PM |


Baki Ymeri

Albano/Vllahia

(Fragment nga vëllimi Zjarr i Shenjtë)

 

GRA TË BUKURA

ME FOSHNJE TË PËRGJUMURA

Dymijë vjet kanë kaluar

Përmbi qepallat tuaja,

Duke u lutur për këta

Fëmijë të përgjumur.

Shumëkush prej nesh

Ende nuk e dimë

Dhe ndoshta

S' do ta dimë asnjëherë

Se drita e fjalës

Që e ka burimin

Në fontanat shqiptaro/vllahe

Është dhurata më e shënjtë

Nga buzët e Zotit.

Ngase Zoti pat pyetur atëherë,

Ca kohë para muzgut:

Ç'po doni prej meje:

Perandori, detra me anije,

Femra kalimtare

Apo fjalën e Qiellit?

Dhe ne, të gjorët ne,

Morrëm guxim

T'i kërkojmë një qiell me fjalë.

Atëherë Zoti i mbylli

Qepallat e grave

Përmbi këto foshnje të përgjumura.

KËNGË E LASHTË

Budallenjtë e Tiranës

Krijojnë minoritete inekzistente

Dhe i harrojnë vllehët

Që derdhën gjak

Për Shqipërinë prezente.

Ç’e përzjen politikën

Me këngët e dashurisë

Më thot një zanë Sharri

Në zemër të Dardanisë.

Vlerësimi i lidhjeve

Mes engjëjve në veri

Dhe në jug të Danubit

Fshihet në folenë

E një kënge të lashtë:

"Bli pamuk all bre dilber,

Bukurosh e bojatesh,

Mo tët rrin kokoanat

Tët lan' n'Bukuresht!"

VLLAHINKA

Si puhizë je e lehtë,

Porsi shije e përkundur

Në krahëror të një zonjushe.

Je përherë si asnjëherë,

Asnjëherë s'e din se kurrë

Porsi zoçkë e vjedhur je

Nga erërat përmbi dhe.

Dhe je flatra që në qiej

Lë pas gjurmave nje fron

Për poemin që flatron.

FJALOR I PËRBASHKËT

Bukuria mbi buzë -

Një gushë e fryrë nga fyelli.

Një brez dhe një kësulë.

Një sorrë me një kokëzë çukë.

Një nëpërkë, shapini mal.

Një gjon dhe një fëmijë katund.

Një vatër, një mëz dhe një vjedhull..

Një murg mbi një magulë.

Një mugull mbi një gjemb.

Një shkardhë e lidhur për gardhi.

Pranë breut një përrua

Dhe një gropë me avull e shkrumb.

Këto janë fjalë

Apo flatra pa zogun e vet -

Do bukureza që në rumanishten

Dhe shqipen

Shpërthejnë duke shndritur

Që nga prafullimat e yjeve.

FJALOR I PËRBASHKËT (II)

Mirremi vesh fare mirë mes nesh,

Madje edhe pa përkthyes, atëherë

Kur vjen fjala për moshën:

Fëmijë, gjysh, i moshuar;

Kur shikojmë teshat:

Brezi dhe kësula;

K ur hamë për drekë te stanet:

Brundzë, urdhë dhe dhallë;

Kur përmendim prej nga vijmë:

Rrëgallë, katund dhe vatër;

Kur flasim mes nesh për çifligje:

Sukë, gropë, ujanë, magullë, mal

Apo për drurët që gjenden mbi to:

Bung, kopac, bredh apo dru...

Që të dy shijojmë po ato perime e fryte:

Modhulle dhe maraq,

Sumbull dhe musht;

Që të dyve po na shpon

Po i njëjti gjëmb;

Që të dy presim mugullën e parë;

Që të dy njohim këto fryte të hidhura:

Brushtull, hudhër dhe shpendër...

E sheh se çfarë misteri të admirueshëm

Përmban fjalori rumuno/shqiptar

Që e fsheh përrallën

E një lidhjeje të lashtë prej gjaku

Kur edhe zogjtë kuptonin ç'po flasim:

Edhe bardha, edhe sorra, edhe gjoni, edhe pupëza,

Kur turmat ngjiteshin drejt stanit

Dhe ne kur flisnim për:

Bashkë dhe bac, shkardhë dhe fyell,

Thep dhe shtrungë, tharrët dhe thark

Dhe çupiseshim apo çupisnim nga një tel

Dhe bukuroheshim kur ylli i dritës

Shkrepte në lartësi.

OHTUL ARBINESHILOR*

Ishte një stuhi arumune

Që kalonte nëpër shpirtin tim

Si një ikje nga sëmurjet.

Sytë e tu, e dashur,

Më fshikullonin me stuhi

Kurse unë s'e dija

Se faktikisht

Ishte një dimër për të gjithë.

Hapi sytë në stuhi, grua

Dhe thuamë

Po qe se e njeh

Dimrin e vitit të shkuar

Apo dimrat

Që do të vinë

Për të na zbardhëlluar

Deri në eshtra?

---------

* Ohtul Arbineshilor (Shpati i Shqiptarëve) - emërtim i lashtë,

i një lagje në Krushevë.

ALBANO/VLLAHIA

A po dëgjoni

Si këndojnë turmat e Çamërisë!

Na ka kapluar frika e mëshira

Dhe malli ndaj shtëpisë.

Jepna Zot qetësinë

Të na përfshijë dhe pastaj

Vetminë tonë të shenjtë

Lëre të shkojë përsëri

Me turmat e Pindit

Për t’u kthyer

Në trishtimin e tyre të gjatë

Ngase vjen vjeshta

Dhe na kaplon acari

Nga Pindi i Çamërisë

Dhe dëshira për t’u kthyer

Pranë zjarrit të shtëpisë.

GJETH DIMRI

Derisa isha fëmijë

Nëna shpesh më fliste

Për dimrin e krojeve të mia.

Atëherë rrënjët

Mezi mësonin të flasin.

Vëllezërit e mi

I njihja nga trokitja

Në portë

Dhe nga turmat

Që nëpër dëborë i prisnin

Bjeshkët e malet

Dhe orteqet thela/thela.

Ku jeni ju

Pind, Krushevë,

Voskopojë?

Ju keni mbetur të lëvarura

Nëpër pyjet e fëmijërisë

Ndërsa gjuha e vëllezërve të mi

Është degdisur nëpër dëborë.

Një popull që është përgjakur

Dhe ndritur nëpër Ballkan

E të cilit dita që kalon

Nuk i mbetet mirënjohëse.

FERRI I RRUGËS PËR NË PARAJSË

Po vajtojmë

Për shembjen e dheut në humnerë,

Për ferrin e njerëzve,

Për hapat e tij

Dhe për hulumtimet e tij

Pa u trembur prej Zotit.

Çfarë mallkimi është ai që bie

Mbi ty kur i ofron

Pikë për pikë

Hijeshinë tënde të hidhur

Kujtdoqoftë, kurdoqoftë,

Kudoqoftë?

Ç'po të pyes

E ç'po më përgjigjesh

Ndaj atij që është poshtë

Dhe ndaj Atij që është lart?

Çfarë ironie është ajo

Qe ta mund shpirtin kur vajton

Se s'ke edhepse ke,

Se s'di edhepse di,

Se ua ndan të gjallëve

Atë qe të vdekurit s' e kishin.

Madje edhe mendimi yt

Duket se s'është tjetër

Veçse një shije që të shet.

MBRET I BESNIKËRISË

Të jetosh një jetë të tërë

Duke shkruar brigjeve të gazetës

Mijëra vargje

Pa e ditur se je poet!

Të jetosh një jetë të tërë

Duke dashur njëqind femra

Dhe vetëm njërën

Duke e zgjedhur për grua

Pa e ditur se je

Mbret i Besnikërisë!

Të sakrifikosh një jetë të tërë

Duke rendur, duke u përpjekur,

Duke grumbulluar  e humbur pasuri,

Duke u shkrirë për kombin tënd

Pa e ditur se je patriot!

Ç'janë të gjitha këto?

Mos është vallë Poezia

Një gjendje e vuajtjes së përjetshme

Apo flatra e engjëllit

Që të çik nganjëherë?

Dashuria apo Fuqia

Mos janë vallë

Ato qe të bëjnë fitimtar?

DO TA GJUASH BUKURINË

Hidhe trishtimin hyjneshë!

Merre përsëri trajstën, shigjetat

Dhe nisu gjurmave të gjahut -

Do ta gjuash bukurinë.

Hidhërimin

Zhyte në burimin e lumtur

Që shikon kah ti!

Merri sërish: trajstën, shigjetat

Dhe nisu gjurmave të gjahut

Për ta gjuajtur bukurinë

Që na e turbullon mendjen!

E larë në qumshtin e agimeve

Përjetë do të jesh e re

Kurse ne:

Pleq e më pleq!

EPITAF

E kam dashur një grua dikurë

Porsi rrezen e agut.

E kruspulluar në shtrat -

Kur gjinjtë e saj

Ma prisnin frymëmarrjen -

Trupi im lulëzonte.