| E marte, 22.10.2024, 06:56 PM |
TRE POETËT E NJË DITE,
“NËN
SHENJËN E DJALLIT”…
– Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli –
Nga
Visar Zhiti
TETORI I GJETHEVE DHE I
LETRAVE…
- hyrje -
13
tetor. Risjell këtë shkrim, që përkujton 3 datëlindje poetësh, nën shenjën e
djallit, - kam thënë në mënyrë metaforike.
Tetori,
kur nisin dhe bien gjethet, në traditën tonë të re ishte dhe Muaji i Letërsisë,
nga që lidhet me jetët e vdekjet e disa prej shkrimtarëve të mëdhenj të letrave
shqipe, kështu duam të themi.
Në
20 tetor ndërroi jetë poeti kombëtar Naim Frashëri, kurse në 23 tetor lindi
poeti tjetër kombëtar Gjergj Fishta.
Tetori
solli dhe Mbretin e Shqiptarëve, Zogu I, por dhe sundimtarin tjetër, diktatorin
më gjakatar të Shqipërisë, Enver Hoxhën, i pari lindi në 8, i dyti në 16, të
cilët kanë lidhje me letërsinë, jo si autorë a thjesht si personazhë veprash,
por që kanë ndikuar dhe në realitetet letrare, vitet ‘20 e ‘30 të shekullit të
kaluar, në kohën e mbretërisë njohën një lulëzim të paparë, ndërsa gjatë
diktaturës enveriste komuniste sundoi dhe Realizmit Socialist…
Në
18 tetor ka lindur zv/diktatori dhe vazhduesi i diktaturës Ramiz Alia, ndërsa
në 15 tetor feston datëlindjen dhe sfiduesi i tij, Sali Berisha, president dhe
kryeministër në Shqipërinë demokratike…
Pikërisht
sot, në 13 tetor,
kanë
datëlindjet dhe 3 poetë:
Migjeni,
Pano
Taçi,
Dritëro
Agolli.
Ndërkaq
tetori është dhe muaji i “Sindromës Down”, i vendosur nga Shoqata Kombëtare
Amerikanë, që mban po këtë emër, për të senbilizuar dhe ndërgjegjësuar
shoqëritë, nismat e së cilës njihen si ajo “Buddy Walk”– “Trupi Ecën” Po kështu
është dhe muaji i Kancerit të Gjirit, i përballjes me të…
Trallisëse.
Edhe është muaji i dhjetë i vitit dhe emri i tij do të thotë tetë, vjen nga
latinishtja (octo), sepse romakët në kalendarin e tyre gregorian e kishin
muajin e tetë, është vjeshta e tyre në hemisferën boreale dhe pranverë në
hemisferën australe.
Tetori
letrar sikur i mbart të gjitha këto, gjethe dhe letra, ar vjeshte nëpër poezi
dhe gjëndjen “down” me një diell të ftohtë, që ngjan dhe me gjirin e murosur i
Rozafës.
ATA TË TRE:
Dua
t’i kthehem ditës së sotme të tre poetëve tanë aq të ndryshëm nga njëri-tjetri,
që kujtohen në mënyra të ndryshme, ndoshta harrohen njëlloj nga njëra palë ose
tjetra e adhuruesve. Tre poetë që duhej të na bashkonin tre herë por nuk ndodh
gjithmonë kështu.
Tre
poetë që s’janë më. I përkasin shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI. Të
Shqipërisë.
Migjeni
dhe Dritëro Agolli. Që përkujtohen dhe zyrtarisht. Janë në tekstet shkollore
dhe mediat flasin për ta.
Migjeni
jetoi nën mbretërinë shqiptare dhe solli copëza tronditëse të atij realiteti si
poet i ri, Dritëroi në socializmin real dhe i këndoi atij realiteti, Migjeni
mësues fshati, Dritëroi shkrimtar profesionist, deputet, komunist, Migjeni nga
diktatura u konsiderua si paraprirës i Realizmit Socialist, Dritëroi poet i
shquar i tij, që përjetoi dhe postdiktaturën, ndryshimet demokratike, kur
Migjeni sikur u zbeh paksa dhe Dritëroi u lartësua edhe më duke iu shtuar
kritikat. Si për njërin dhe për tjetrin, ka që mendojnë se po sillen me të
padrejtë ndaj tyre dhe ka që shtojnë se edhe ata ishin të padrejtë.
Midis
tyre, jo vetëm si vitlindjeje, por dhe si fat, është poeti tjetër, Pano Taçi,
që erdhi nga ferri i burgjeve, ku e kishin hedhur, që kujtohet gjithnjë e më
pak.
Një
treshe poetësh jona, tre jetë, tre dukuri shqetësimesh, emblematike, kisha shkruar, por edhe
diabolike, shtoj..
Migjeni
i ri nxitoi të vdesë dhe i ri nga tuberkulozi e s’dihet nga ç’parandjenja të
zymta për të ardhmen, por vepra e tij jetonte, nuk u ndalua nga censura, nga
ajo mbretërore jo e jo, siç u tha më pas nga ajo kohë që do të ndalonte mjaft
autorë të tjerë, do të burgoste e vriste, që Migjeni, për fat, nuk e arriti
diktaturën, ai u studiua, u vlerësua dhe u keqkuptua duke shkëlqyer mynxyrshëm.
Kurse
Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë të njëkohshëm, me jetën nën diktaturë, i pari
poet zyrtar, i dyti në burg, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë
partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u vendos regjimi
më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u përzgjat
dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI.
DEMONI I KRIJIMIT
13
Tetori i tre poetëve si nën shenjën zodiake të djallit metaforik. Jo pse në
këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar rreptë
Shqipërinë.
Pani
Plak, por dhe engjëlli plak, - e quanim ne Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe
vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej
të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie fshetanake, të leckosur si rrobat
e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e
varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij
janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet
tani, që ka ikur në qiell.
Dritëro
Agolli, patriarku i socialistëve, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode
letrare vrastare, siç e sulmojnë, me botime të shumta e luksoze, poema e prozë,
me lavdira e përvjetorë e statuja.
Migjeni
mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, e solli në
kohën europiane të viteve ’30, mund të themi, klasik ndërkohë, novator në
prozën e shkurtër, me shtëpi muze atëhere dhe me një teatër në qyetin e tij të
lindjes, që ende mban emrin e tij.
Tre
poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo
dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta
koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime vulnerabile të
letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të
qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të klasifikohej në
shkollat tona, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrave shqipe nga
romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur
parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e
mëvonshëm, prijës në socrealizmin banal shqiptar, tregimtar spartan do e quanin
në Francë, kur e përkthyen, romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe
kulti i individit, i diktatorit ishin dhe normë letrare, sa entuziast në
socializmin real, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga
djajtë thënë më mirë, i trishtë dhe i zhgënjyer në posdiktaturën demokratike,
edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj,
mund të shtohet, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata,
ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë.
I burgosur dhe internuar gjatë gjithë
gjysmë shekullit të diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur
mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62
vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional në trajtim, risi në
tema, i përqendruar në dhimbjet e
persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e
gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më e hidhët, edhe e rëndomtë prej lodhjes,
besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet
një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të
parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të
allasojshëm shqiptar.
Tre
poetë – me horoskopin e shenjës së djallit, ngulmoj.
ELIPSET E TRE JETËVE
Duke
lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister horoskopik deshi që të
lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka
përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi. Elipset e jetëve kanë dhe pika
takimi, ndonjëherë dhe këputje të njënjëshme.
Kur
u shua Migjeni fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7
vjeç, pra, bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, pak vite ajër të përbashkët
përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me
poezinë e Migjenit.
Po
risjell diçka nga kronologjia e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, sepse
sintetizon kohë dhe histori të re tonën, por dhe absurd e krim…
-1911:
Kur
Shqipëria e rropatur ende s’e kishte fituar mëvetësinë, aq e dëshiruar dhe po
aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimimin fillor e mori në vendlindje
në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit,
Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në
vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.
-1917:
Në
Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte historinë e botës,
fatalisht dhe të Shqipërisë së vogël.
Lind
Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare, desidentja e parë
grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të
burgosej e më pas do të vdiste në internim.
-1928:
Parlamenti
shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri.
Lind
Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta
vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj,
patrioti i dënuar me vdekje, por që do të ikte si emigrant politik…
-1931:
Ndërsa
vazhdonte të ndërtohej kryeqyteti i ri, Tirana, pas bulevardit të madh u
ngritën 6 pallatet e 6 ministrive, shteti po institucionalizohej ndërkaq, në
Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro
Agolli. (I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago).
-1933:
Migjeni
emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër
dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”.
Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime ndaj tuberkulozit, por
kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, burokraci djajsh dhe ikën në
Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.
-1936:
M.
shpërngulet në Pukë.
“VARGJET E LIRA”
Shtypshkronja
“Gutenberg” bën gati 1000 copë të librit
”Vargjet e lira”, por nuk u shpërndanë,
jo shkaqe censure, nuk u ndalua qarkullimi i tyre, siç do të propagandohej për
keq më pas. Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon këtë. Ndërkaq M.
po çmohej dhe botohej në shtypin e kohës.
Bllokimi
i “Vargjeve të lira” priste shlyerjen e
pagesave të faturave financiare, pra çështje të pamëshurshme të ekonomisë së
tregut - do të thoshim.
Në
fund të vitit M. përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”.
Në
Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të sundonte letrat shqipe
gjatë periudhës socialiste dhe do të arrinte njohje botërore.
-1937:
Mbreti
Zog, i besimit mysliman, martohet me konteshën e bukur katolike hungareze,
Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta bën botimin përfundimtar të eposit
të tij “Lahuta e Malcis” dhe në Pukë Migjeni me rastin e festes kombëtare, 28
Nëntorin, mban një fjalim para popullit. (Sot mbase nuk duket me aq rëndësi,
hollësi e tepërt, se mbahen dëndshëm fjalime nga pushtetarët…)
-1938:
Migjeni
niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës
së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të
tij.
-1939:
Nis
Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë
heroike e atyre luftëtarëve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e
rezistencës me armë në Europë kundër djallit nazi-fashist.
-1941:
Themelohet
në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy
demonë serbë…
-1942:
Pano
Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në organizatën
“Debatik” dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në
“Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.
-1943:
Dritëro
Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar),
bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan.
-1944:
Del
libri “Vargjet e Lira” i Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të
historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…).
-1945:
Mbaron
Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimorë me Bashkimin Sovjetik kundër
Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë. Edhe
shqiptarë…
-1946:
Shqipëria
e drejtuar nga komunistët nuk do të ecte në rrugën e drejtë të historisë…
Pasi
u vendos diktarura, shërbimi i detyruar ushtarak, etj, vazhdojnë arrestimet,
sidomos kunder klerit katolik. Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd,
kurse Pano Taçi, i përjashtuar nga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, (i
magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm
të Republikës në posdiktaturë), tundohet të arratiset në Greqi, që më pas të
ikte në SHBA tek gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit
njeh mes të dënuarve shkrimtarët Mitrush Kuteli, Arshi Pipa, etj. Pas dy
vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.
-1947:
I
kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver
Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe
Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.
-1951:
Bomba
në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh,
pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha
Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se
nuk kishte dashur të votonte.
-1952:
Hapet
Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës,
“akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Leningrad,
Sant Petërsburgu i dikurshëm dhe i mëpastajmë.
-1953:
Shqipëria
e kuqe në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat
për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar të
Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën
“Kambanari” si reaksionare që nxit kryengritje.
-1955:
Shqipëria
e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga
Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës.
Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova,
kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por më i zbutur dhe i
rafinuar. Pano Taçi mbetet në internim, me kontroll të rreptë policor.
-1956:
Sillen
me ceremoni eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në
Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në
Kinë. Djajtë ndërrojnë kah.
-
1957:
Hapet
universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në gazetën e Partisë
“Zëri i Popullit”. Ribotohet i zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe
dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.
-1960:
Mbledhja
e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga
internimi.
-1961:
Ndëpriten
marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog në Francë, diku afër
Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i
jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.
-1962:
Fronti
Demokratik në Shqipëri, siç ishte paracaktuar i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%,
me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për
botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa
frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për
agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh.
-1964:
Vjen
për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse
e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi
martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me
përkushtim e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli, deri në fund të
jetës. -1967:
Nis
fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha
kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në
Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në
vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shtetit për vizitë në Kinë.
-1970:
Vendi
shpallet i gjithë i elektrifikuar, por siç kishte shkruar Imzot Fan Noli, ai mbetej “Pranë dritës – i pa
parë”. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punëra nga më të rëndat e më të vështirat
ashtu si në burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe të
Prishtinës.
-1971:
Dritëroin
e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të
tij satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga një vizitë në
Paris…
-1972:
Pleniumi
IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku, të frymëzuar nga fjala prej djalli e
Enver Hoxhës, dënohen autorë dhe libra, festivali i 11-të dhe artistë. Dritëroi
emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do
ta vazhdojë karrierën paralamentare si socialist dhe më pas, për 30 vjet
rresht.
-1976:
Enver
Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika
Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet
të vogël, nuk shkruheshin dot në hartë gjithe këto fjalë), kurse Pano Taçin e
arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten, me bishtin e lugës
pret damarët si Esenini, por ia shpëtojnë jetën me zor. Në burg kafe dhe cigare
do t’i dërgonte “poeti qiellor” Lasgush Poradeci…
-1979:
Dënimet
vazhdonin gjithandej, si më parë. (Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për
poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte
bërë 27 vjeç, në moshën që vdiq Migjeni.)
-1980:
Dritëronë
e dërgojnë në Turqi. Në Kosovë, kur ajo bënte pjesë si krahinë autonome në
Jugosllavi, botohet “Vepra e Migjenit” në katër volume luksoze dhe monografia
për të.
-1985:
Vdes
diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe
përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në rrethina të Peshkopisë.
Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të
cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një
“armiku të shpallur”.
-1987:
Vendosen
marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë,
një grup shkrimtarësh, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Androkli
Kostallari, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në
Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për
nacionalitetet.
-1989:
Shëmbet
Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një
“luftë të ftohtë” e të gjatë mes tyre.
-1990:
Rënia
e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000
numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë,
kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës I dhe II Botërore.
Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se në kohë lufte. Nisin protestat
antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë.
Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia (edhe ai ka lindur
në tetor, në datën 18…), viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në
Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani për “shokun
Zylo” i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në dimër
Partia Demokratike, opozitare. -1991:
Dritëroi
bën një vizitë në Rusi, shkon në Shën Petërsburg, ku kishte studiuar. Në
Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën e partisë-shtet dhe
kultin e Enver Hoxhës, për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet.
-1992:
Dritëroi
me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit
të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të
tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.
-1994:
Pano
Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë
poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i
hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA: “Të
paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me
Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”… -1996:
Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale
finaciare dhe në të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e
rikthimeve, edhe politike. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do
paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament
qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave
studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.
-2000:
Pano
Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të
nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë
socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës.
-2001:
Bashkia e Pukës i jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.
-2009:
Shqipëria
futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale
poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne,
edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave
qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas
botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me
pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse
“Pata” bashkon dy rrokjet e para të emrit dhe mbiemrit të vet: Pa-no Ta-çi, por
dhe flatrat e bardha te fluturimit). Do të marrë çmime letrare, teksa priste
dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishnin befas shtëpinë për t’u ngritur një
pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin… Pa shtëpi
muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj.
-2011:
Dritëro
Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i
Tiranës…
-2012:
Pano
Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor,
në moshën 84 vjeçare. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar,
ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë. Kryeministri i
vendit, Sali Berisha, do të dërgonte një telegram.
-2014:
Botohet
në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit, Fatos Arapit, poetit
që lëvroi një poezi qytetare, më evropianen në vitet e mbylljes të diktaturës
komuniste.
-2017:
Në
3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare.
Do të përcillej me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e
kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij.
.
. .
Pritet
që dhe apartamenti i Dritëroit të bëhet muze ashtu si i Kadaresë, siç janë bërë
dhe “Shtëpia me gjethe”, “BunkArt1, 2”, etj.
TRE ÇËSHTJE DHE NJË
DËSHIRË
SI PËRFUNDIM ATËHERE.
Tre
poetë të një datëlindje. Të dashur të tre nga të ndryshëm me mënyra të
ndryshme. Deri dhe me urrejtje… Sipas meje mund të ngrihen dhe tre çështje, ku
ngërthehen keqas konsolidime të mbartura si atavizmë dhe një ardhje e vështirë:
1-
Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo
u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të
“luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë,
gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u
përsëdytur ndryshe ky mëkat, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk
shikohej si pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i
shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit. Gjë që duket se vazhdon…
2-
Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e
bëri të sajën, realizëm socialist, i dha kushte begatimi, duke e vënë në
shërbimin të vetes, të propagandës himnizuese dhe “trushplarëse”, ndërsa pjesën
tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke
ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që
nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë. Pasojat e së cilës i
vuajmë dhe tani… Sado absurde dhe e papranueshme të duket, është e habitëshme,
por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një
intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë:
“Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën.
Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë
mbarë”. Ai “hosten” për shumëkënd në fakt shndërrohej në pranga dhe pushkë. 3-
Dalja e një “letërsisë tjetër” nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre, që
sollën realitete të munguara, duke pasuruar letrat shqipe të pas ‘90-ës e duke
i dhënë një fytyrë të re… Po sa janë përfshirë ato në jetën zyrtare kulturore
të vendit? A janë futur në tekstet shkollore? Në një farë mënyre Letërsia
Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë,
“Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre. Të
dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj
sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra, që u
përdorën dhe u keqpërdorën. Tre çështjet që përçika, duan studime serioze,
profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë,institucionet përkatëse, etj,
teksa duket se ecet në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te
tre autorët e sotshëm. Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të krijimeve të
tyre, që vazhdon. Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në
shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me
elegancë, me borsalinë, dhe një stilograf mbi tryezë, që s’dihej ç’do të
shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq
të ri. Mes miqsh bisedohej se, po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte
bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të
përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta
vrisnin. Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme,
me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe
dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra
e atij. Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në
Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet… Një vepër që dëshmon
entuziazmin e një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimet e mëpastajmë,
kur, sipas meje ai është më poet, por është e ardhmja që do të gjykojë e do të
vendosë. E kam takuar Dritëroin me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene në
Tiranë, në parlament, në shtëpinë e tij, në panaire librash, në Mal të Zi, deri
edhe në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…
Dëgjoj
fyellin e drunjtë, elegjiak të Panit
plak, të Panos tonë… shkoja andej nga ishte Kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë
të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po
sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e
papaguar e 24 viteve burg, e internimeve, mbase do të kishte dhe ai një kafene
të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në
diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar
një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një
vegim që kam patur për një portret të Pano Taçit në Kafe “Europa”, pikturë ose
skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e
zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një
poezi e tij, unë zgjedh këtë që ende më mrekullon me thjeshtësinë dhe kumtin,
me frymën dhe universalizmin, e di përmëndësh, e denjë për çdo antologji në
botë, thosha:
Diçka
i mungon tokës,
nga
qielli t’i zbresë.
Diçka
edhe qiellit,
nga
toka t’i ngjitet
ka
shpresë.
Më
bëhet i gjej te vetja
ç’mungon
te gjithësia:
Qiellit:
urrejtja,
tokës:
dashuria.
E
përsëris prej vitesh, mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e
vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e
sheshe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë
Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit
e me radhë deri më tani. Ato do të sillnin më shumë art dhe kulturë urbane,
energji pozitive, siç themi shpesh, estetikë, do t’i shërbenin mjedisit si
pemët, ajrit të përbashkët si mendimet e bukura. Do të forconin identitetin me
më shumë shpirt.