| E hene, 21.10.2024, 06:53 PM |
KU ËSHTË GJYSMË ËNDRRA TJETËR
E
FATOS ARAPIT?
Nga
Visar Zhiti
U
bënë vite që poetin Fatos Arapi nuk e shohin më rrugëve të Tiranës, - kisha
shkruar, - dhe vërtet ndjehet mungesa, por jo e poezisë së tij, ajo është…
Mua
më duket se Fatos Arapin e ndjenin dhe pemët trotuareve, ku ai ecte
shkujdesshëm, me pak nxitim kur ishte vetëm dhe ëndërrimtar, po aq njëlloj,
megjithëse mosha ndryshonte, flokët iu zbardhëllyen krejt e megjithatë, kur
shihte ndonjë të njohur, koleg apo student të tij, ndalte dhe biseda, çdo
bisedë, e gjallëronte dhe e bënte më të vëmendshëm e të përzemërt po aq.
Ai
e kishte kulturën e takimeve, e cila mungon ndjeshëm tek ne apo keqkuptohet dhe
shpërdorohet, - kam shkruar. - Të tjerët, shumicën, i kemi njohur nga kurrizet. Nëse nuk i kishim
kuptuar si kishin ardhur, e dimë pse na kanë ikur…
Mbase
e ka fajin gjysmë ëndrra, siç shkruan Fatos Arapi në një nga poezitë e tij të
pahartieshme. Ai sikur e kërkoi, më saktë sikur e zbuloi gjysmë ëndrrën tjetër
të vetes dhe i mbeti besnik, Fatos i lirë për të qenë më i trishtuar dhe më i
dhembshur se më parë dhe me zhgënjime sa të doje…
Gjithmonë
më ka tërhequr gjysmë ëndrra tjetër, ajo e pazbuluara dot, e pathëna, që shumë
të tjerë nuk e dinin se ishte apo që s’ishte…
Gjysmë
ëndrra e mbetur ishte më e rëndësishme se gjysma tjetër apo më shqetësuese, më
joshëse e qiellndjellëse.
Fatos
Arapin kishte qenë dhe partizan, - thoshim, - që i vogël
kishte
luftuar për lirinë, të cilën e përmendëte shpesh në poezi gjatë sundimit të
socrealizmit, kujtonte dëshmorët, mbase s’thoshte dot aq sa do të donte për
gjysmë ëndrrën misteriose… që na i morën, e di, por s’e dija a do ta ribënim
dot, si mund ta rishpiknim? Prandaj dhe më pëlqenin takimet me poetin Fatos
Arapi. Ai kishte dhe diçka atërore, të mirë. Në atë kohë mallëngjehej shpejt.
Por atit i falet shumëçka… - kështu kisha shkruar…
Dhe
si riosh po nxirrte libër pas libri me poezi. Të hollë si flatrat. I kam dhe me
autografin si fill fjongoje. Shtoheshin dhe shëtitjet me të ndërkohë. Ndodhte
të
kishim
shkuar bashkë dhe në takime poezie, edhe jashtë vendit, në Itali, në Maqedoni,
ku ai mori dhe “Kurorën e artë” në Festivalin botëror të Strugës…
Pastaj
erdhi koha kur ai s’po vinte më në Kafe “Europa”, ku e prisnim, kishte dhe
miqtë e afërm, poetët Xhevo e Pano, etj,
etj. Degjoheshim në telefon, më falenderonte që kujtohesha, nuk ndjehej dhe aq
mirë me shëndet, sytë i ishin dobësuar shumë... dhe më kujtohedhin poezitë e
tij me Homer. Gjysmë ëndrra tjetër kishte ardhur tek ai si poet apo duhej të
shkonte ai te ajo, shtigjeve qiellore? Dhe iku në një ditë tetori si kjo…
vezullueshëm në mugëtirën e letrave shqipe. Dhe zbret mes miqsh si atëhere… ja,
si në atë kujtimin në aparatin e fotografit mik Qerim Vrioni, kështu më duket,
kur e vumë në mes bashkë me Kasëm Trebeshinën, bashkëvuajtësin tim, ndërsa në
anën tjetër është kritiku i njohur dhe studiuesi Behar Gjoka. Më pëlqen që jemi
ashtu krahë për krahë, dëshmues të gjysmë ëndrrës tonë…