| E diele, 20.10.2024, 06:53 PM |
Vllasova
Musta e Albert Habazaj, Vlorë, 04.10.2024
VLLASOVA MUSTA - DINJITETI NJERËZOR DHE LETRAR SI MODEL
Nga
MSc. Albert HABAZAJ - Përgjegjës i
Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”
Vlorë
“Një
grusht diell” - vëllimi me poezi të zgjedhura i autores së njohur shqiptare
Vllasova Musta, një botim i merituar në formë dhe në përmbajtje jo vetëm për
poeten, që na nderon Vlorën me pjesëmarrjen e saj, por sepse libri është një
vlerë e nevojshme për letërsinë femërore dhe për mbarë letërsinë shqipe, na
mblodhi më 3 Tetor 2024 në një festë letrare, organizuar nga Biblioteka
shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe
Qendra e Kulturës dhe Artit Bashkia Vlorë në mjediset e Bibliotekës
universitare të qytetit bregdetar. Poetja dhe skenaristja e njohur ka bërë shumë veprimtari në Tiranë e
gjektë, por zgjodhi Vlorës, sepse qyteti i Flamurit është vendlindja e nënës së
saj dhe pikërisht më 3 tetor, sepse 60 vjet më parë, më 3 Tetor 1964 Vllasova
Musta ka botuar dy poezitë e para “Mendime”
dhe “Fishekzjarre” në gazetën
“Drita”, kur Sova ishte vetëm 15 vjeçe. Erdhi të festojë kulturalisht me dajot
ditën e botimit të dy poezive parë…
Sova shfaqet në poezi ajo që është në
fakt, në realitet, në jetën e përditshme, por, domosdoshmërisht, thurur me art,
me filigran shpirti, ndjenje e mendimi.
Vllasova Musta është Poete e Vërtetë e
Dashurisë Njerëzore, sepse tek “Një
grusht diell” kemi poezi për babain e për nënën, për vëllain e për miqtë,
për Gjirokastrën e gurtë e për Vlorën detare, për të parët e për At-Mëmëdheun,
për pulëbardhat e për xixëllonjën, për zogjtë e për lulet, mall për fëmijërinë
e elegji për dashurinë, nderim për dëshmorët e lirisë dhe mesazh historik
arbëror, për gruan me butësinë engjëllore dhe për lahutarin si lumë i hidhur,
për lirikat në shi dhe vetminë e trishtë dhe lamtumirën epike…. Kemi shumë
motive të bukura, me strukturë e gjetje poetike, me trajtesë artistike të admirueshme. Tek “Një
grusht diell” Sova ka derdhur shpirtin e saj të bukur me vargjet për Anin,
vajzën e saj si drita dhe për nipin kapedan me emrin simbolik, kuptim plotë e
gjithëjetësor Timin - në kujtim të gjyshit të ndritshëm Kujtim Spahivogli.
Vllasova Musta është Poete e Vërtetë e
Dashurisë Njerëzore, veçanërisht për trininë e shenjtë: Besnikërinë, dhembjen
dhe krenarinë deri në kufijtë e tejskajshëm të sublimes ndaj ATIJ - gjigandit
tragjik - Kujtim Spahivogli.
Ky libër është mushti poetik i 60
vjetëve krijimtari letrare të botuar të autores. 60 vjet në krahët e vargjeve
lirike, 60 vjet lundërtare në anijen e bardhë me vela të poezisë identitare
nëpër detin e egër me dallgë të papritura dhe të tërbuara gjatë jetës, që i
përballoi si në timoniere e sprovuar, me dinjitet dhe integritet, e qartë dhe e
kthjellët, gjakftohte dhe me tejshikim, e matur dhe e qetë, e palëkundshme dhe
pa e humbur toruan kurrë. Kurrë. As në vitet e liga 1972-’73...
Në këtë vëllim gjejmë bulëza kujtimesh
të përmallshem nga poezitë e fillimeve romantike të autores, qysh kur ishte
gjimnaziste në Gjirokastër, siç janë: “Kujtimi”
(f. 151, botuar në vitin 1966), “Kur
shkruan zemra” (f. 150, bot. në vitin 1967), “Alternativë” (f. 152-153, bot. në vitin 1969) apo “Pa kopertinë”
(f. 90, bot. në vitin 1967), e cila për kohën dhe moshën është e guximshme,
moderne, shprehur nëpërmjet kontrastit me lakonizëm, si një zhbiruese e hollë e
realitetit njerëzor. Po e citoj, sepse më pëlqen, ngaqë vihet përballë
hipokrizia e lustruar me thjeshtësinë e ndershme, ndërkohë që është dhe e
shkurtër: “E urrej atë botë të vockël,/
Lustrën e syve,/ Mimikën xhentile/ Në zemër,/ Si zambak/ Kam mbjellë
theshtësinë/ E, mes vargjesh,/ Para jush,/ Vij/ Pa kopertinë”. Dhe, të mos
harrojmë që ishte vetëm aty tek mosha e ëndrrave të kaltra fluturake, vetëm 17
vjeçe, kur është botuar kjo poezi, që pati jehonë në Gjirokastër dhe në botën
letrare. Me këtë titull “Pa kopertinë
është botuar edhe libërthi i parë poetik i autores në vitin 1970, kur ishte
studente në Tiranë.
Vllasova Musta i përket brezit letrar
të viteve 1970, atij brezi ëndërrimtarësh, të pastër e të pasur shpirtërisht,
përtej ideologjisë së kohës dhe izolimit. Sova me penartët e kohës kishin
modelet e tyre. Sot Vllasova Musta është një model njerëzor, letrar, qytetar,
që në çdo frymëmarrje të saj shpërndan nga një grusht me diell për të ngrohur
botën njerëzore.
Në librin me poezi “Një grusht diell” ndjejmë, prekim dhe
motivohemi nga identiteti gjenetik dhe kulturor i Vllasova Mustës, e cila, për
mendimin tim, në qiejt letrarë është një shqiponjë mali, edhe në rrafshin e
antropologjisë kulturore, patjetër edhe në rrafshin e antropologjisë fizike.
Fjala vjen, poezia “Autoportret” (f. 156) është mishërim i kësaj që shpreha.
Po qetësohem pak
tek poezia “Autoportret”. Unë e
vështroj “Autoportretin” në disa
plane: edhe pse ardhur në strukturë poetike, ne, lexuesit, njihemi me një
autoportret të autores, shkruar jo me gërma, por me rreze të ngrohta dielli.
Them kështu, sepse shohim një autoportret në vargje të autores, sa fisnik, aq
elegant, me eshtër vërtetësie, me frymë mirësie, si të ishte një ambasadore e
virtytshme e paqes njerëzore.
Si në legjenda,
Sova u lidh aq e re me Princin e regjisurës shqiptare, Kujtim Spahivoglin, 55
vjeçarin e përhershëm, përjetësisht të
pavdekshëm elbasanlliun bujar, lindur në Lushnjë më 30 qershor 1932 dhe
mbyllur synë në Tiranë më 7 Korrikun e
zi 1987, por që jo, asnjë herë nuk e
humbi emrin e famën. Ai la gjurmë në përjetësi si aktor dhe regjisor i famshëm,
ndër regjisorët më të njohur shqiptar, dramaturg e poet, eseist dhe gazetar e autor, por së
pari njeri me botë të madhe, kolos si artist, shumë njerëzor në përditshmërinë
e tij, të falte gëzim e të dhuronte krenari. Ai ishte burrë, i zoti, i drejtë,
i ndershëm, që nuk dinte të bënte keq e nuk mund të hante pas krahëve kënd.
Çfarë kishte ta thoshte në sy dhe jo dy herë. Me besim vijonte udhën e lartë,
por e hëngrën të pabesët. Madhështori si njeri, si pedagog, si drejtues, si
artist, si familjar, i përbuzte deri në neveri të poshtrit. Po përse po i
përmend, do të thoni ju e ndoshta dhe Sova mund të ligështohet, por jo, nuk
trishtohet Kapedania jonë, se ka përballuar vërtet suferina në jetë dhe ja tek
është në krahun tonë me dritë të bukur, ballëlartë, hijerëndë, me vështrimin
përpara tej, tutje. I përmend këto cilësi dhe virtyte të Gjigandit tragjik të
skenës, sepse edhe Sova ka marrë shumë nga AI. Vllasova Musta është Kujtim
Spahivogli i gjinisë femërore, falë edhe edukatës së saj familjare, edukimit
universitar, formimit qytetar, karakterit të fortë, personalitetit optimist dhe
qëndrestarisë së saj stoike në jetë.
Vërtet Sova ka
marrë shumë nga Ai, sikur ta kishte vëlla binjak. Po i thonë një fjale këtyre
hënave: “Ngjan miqësia, pra bëhet”, edhe pse barbarët e prenë në mes dashurinë
e shëndetshme, të ëmbël e besnike.
Poezia e Sovës “7 Korrik” është lakonike, ka ndjenjë,
besë, art e përçon mesazhe tek ne dhe tek brezat që vijnë. Ajo është
mbresëlënëse, nuk mund të harrohet se na është gdhendur në kujtesë, edhe pse ia
thotë Anit, në ditëmortin e të paharruarit Kujtim Spahivogli: “Është e kotë/ Të të them:/ Në këtë datë,/
Ndize një qiri, / Në dritë ktheje!/ U bë një jetë,/ Qiriri i përflakur/ Digjet
/ Brenda teje” (f.195), apo tek këshillohet me shoqen e saj të ngushtë,
motrën, bijën, Anin - dritën e syrit ku merr në çdo frymëmarrje një grusht me
diell: “Ti mos më pyet ç’më ka ndodhur/
Pse jam mërzitur, pse nuk qesh/ Ndër qindra ditë që ka viti,/ Ndosh dhe
mërzitje që të kesh”. Kaq. Komentet nuk vlejnë.
Sikurse në jetë,
edhe në vargjet e saj Sova aq sa di të falë, aq edhe shpërfill deri në neveri.
Duke shijuar vlerat njohëse, artistike dhe estetike të kësaj poezie me ngjyra
të arta vjeshte, në ekranin e kujtesës më shfaqen disa visare të moçme, fjalë
të urta popullore, si “Fisi do vejë në fis, rigoni nuk bëhet lis” apo “Nuk
malen shqiponjat e malit me zhabat e moçalit” etj.
Bota poetike e Sovës
shfaqet në Trininë e vargut guximtar, si : Poete qyetare, poete universale dhe
poete atdhetare, e cila e ka zanafillën tek dashuria për familjen, vendlindjen,
atmëmëdheun, historinë e tij, të rënët dhe të dinjitetshmit e udhëtimit
jetësor. Shprehem kështu, sepse, Sova, sikurse në jetë, edhe në vargje, me
poezinë e saj ka arritur dinjitetin artistik të thurjes dhe mesazheve me dritë
që përçon.
Që të njohësh poezinë e Sovës, duhet të njohësh jetën e
saj, sepse vjershërimi i poetes aristokrate Vllasova Musta është jeta e saj
shkruar me art në diell e në furtunë, sidomos në tramundanat e saj tronditëse
që në themel, por që nuk ia shkatërruan dot shtrenjtërinë dhe shenjtërinë e
familjes. Vllasova Musta mbeti një shqiponjë një furtunë dhe kam besim se e
tillë do të jetë deri në fluturimin e fundit, mbas 75 vjetësh të tjerë...
Vlorë, 03 Tetor 2024