Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Ditë më ditë ta bëjmë më dritë

| E shtune, 19.10.2024, 06:56 PM |


Ditë më ditë ta bëjmë më dritë

Nga Blerim Rrecaj

Kur dikush një ditë, të cilin e takoi duke kujtu e pa prit, pa prit,  me të cilin s'ishte takuar kaherë, edhe pse jetonin jolarg njëri-tjetrit, dhe e lidhnin copëra jete e përjetimesh e pyeti, se si po e kalon një ditë, me pak fjalë iu përgjigj aty për aty se është një ditë e zakonshme, me obligime familjare, me ndonjë punë shtëpie, me çështje të përgjithshme me rrjedha e zhvillime të gjithfarëshme, kolektive e individuale, herë kështu e herë ashtu, duke u përpjekur për të bërë diç, dhe s'e di pse iu kujtua shprehja: "Hëngri fiq e vdiq".

Pos, kësaj që tha e dha, e mori edhe përgjigjen për kalimin e ditës e ditëve të tij, në mënyrë përgjithësuese, duke bërë me gisht kah tranzicioni i përçudmë, a dinamizmi absurd.

Sidoqoftë, plus pyetjeve me përgjigjeve, u endën nëpër ca valë kujtimesh, e në ndërkohë koha e tanishme që ndodheshin pranë njëri-tjetrit, hidhte vallen e saj, edhe në këtë verandë të gjerë kafeneje në Ulpianë, mbushej me fjalë për ndodhitë e shumta e të llojlloshme që mbulonin njëra-tjetrën, si tepsi temëkotësish, që servohen njëra pas tjetrës, e ndonjë dromcë këndshmërie, që nxirrte buzëqeshje si ujët me kovë e çikrikë nga pusi, qoftë për të pirë, qoftë për të larë sytë, ose lule, pemë e bimë për të ujit. Pas një ore vije dhe kohë e përshëndetjes, duhej secili të merrte drejtimin e vet. Kaq, ndejtën këtë copë herë, këtë copë vjeshtë, ku është bërë mjaft e vështirë me folë, po aq me hesht.

Dhe kur u kthye në mbrëmje në shtëpi, pasi në një kënd të saj gjeti ca qetësi, vërtiti edhe njëherë pyetjen që iu bë, dhe seç po i përgjigjej vetes për këtë çështje. Për çështjen e ditës, më saktë të ditëve. Fjalën gur-gur bëhet mur, e mur-mur bëhet kalaja e zëvendësoi me fjalën ditë-ditë ta bëjmë dritë, e dritë më dritë të ecim kah të mirat e mbarësitë. Filloi sikur një fill lëmshi po e tfillonte...

Eh, se si janë ditët. Një ditë është si rrjedhë e zakonshme e një lumi. Ta marrim për shembull Lumin Ibër. A ka vallë ndonjë libër për Urën e Lumit Ibër, lozi pak me fjalë për këtë hall të madh, e kaqvjeçar. Pasi hyri tek lumenjt, iu kujtuan dhe të tjerë si Lumbardhi, Drini, Shkumbini...Iu kujtua edhe poezia me titull "Leni lumejt" e Camajt, "që të derdhen të gjithë në Adrie e në detin Jon"..., dhe i la edhe lumejt. Vazhdoi të vetëpërgjigjet.

Një ditë është e ndadalshme, mezi ec, si breshkë në bjeshkë, si kërmill në Ksamil, si çka tjetër, paj edhe si anije transportuese që rri gjithë ato orë në plazh, edhe pse është kaq afër, ajo tek dikur vonë mbërrijnë në port të Durrësit, si gotën e saj me gotën e tij duke e cakërruar me fjalën: Gëzuar!

Ditëtjetra ikën, shkon, si flutur e si bletë, si anzë a pilivesë, si pëllumb me një letër lidhur për këmbe që do ta dërgoj në filan adresë.

Dita mund të lë gjurmë si motor uji, a si anije me vela,  si helikopter që lë pas atë zhurmë tingëlluese ajrin e tremb, a si fluturake atje lart pa pikë zhurme e vijë-drejtë-bardhë si pe lëmshi i tërhequr, sikur pret duart me kërrabëza për të thurur diç, që na rri mirë e na bë të ndihemi komod e ngrohtë, në një stinë të ftohtë. Por, dita mund të ec nëpër binarët e vet si një tren me sirenë.

Dhe për ta tëholluar pak, si petë piteje me spinaq, ka ditë baticash e zbaticash, nga ditët mund të ndërtojmë një mozaik guri a druri, nga ata të lashtit që janë zbuluar e zbulohen, a nga mozaik të bërë me materiale të ndryshme e disa artistë shqiptarë edhe me çmime të Librit Ginis, janë kurorëzuar e po kurorëzohen.

Ka ditë kur dukshmëria është e lartë, siç ka ditë kur do na duhet busulla. Ka ditë mbushur dëng me kontraste. Emërtimit "Verë në dimër" që mbante një copë e sheshit të Prishtinës, ia paskan shtuar edhe atë "Akull në verë".

Ka ditë e ditë, çdo ditë e re një mundësi tjetër për reflektim, duke kujtuar këtu ditët disi të zbrazëta, të turbullta, boshe, kote, plot makthe e dyshim. Por, ka edhe përpjekje për të tejkaluar gjithë këtë dëshpërim e zhgënjim.

Ja, tek u përhumb nëpër ditë, për ta sjellur kujtesa, tek një titull që kishte shkruar, në kohën e hershme të pasçlirimit, në një detyrë shkollëlarte, pas reduktimeve të ashpra me energji elektrike: "E mundëm tmerrin, ta mundim edhe terrin".

Që nga ajokoha, si elektricisti që lidh telat për përçim drite, u mundua ta lidhte përsiatjen e atëhershme me këtë të tashmen.

Pra, ditë më ditë ta bëjmë dritë, në të gjitha sferat, aty ku dijmë e mundemi, me gjithë vështirësitë, të gjejmë mënyrat e mundësitë...