| E diele, 13.10.2024, 06:50 PM |
MBI FRYMËZIMIN (ose "teoria e tri akteve”)
Nga
Agron Tufa
Akti I
Ah,
ç'ia kam luejt Zotin sot frymëzimit...! I qe tekë me u futë, pa pyet, në vargjet
e mia. Por qëlloi syçelë mërzia: "Pa thyeje qafën, sarhosh!", i tha.
E atij, aq keq i qe tekë me hy në vargje, sa tan ditën e lume m'u ngjit si
rrodhe. "Hiqmu bre, zgjebe!", i thosha. "Termu more sysh!".
"Shko, gjej ndoj çupëlinë t'përvlueme dashnijet, a ndoj poet
brengaxhi...".
Por,
pushti, a e dini se ç'bani?
M'i
giciloi keq do kujtime t'kahershme në kohën e trishtë të djelmënisë; kalldrëmet
i shtroi me muzikë për me kalue çapebutë Fytyrë-engjëllorja. "Jo", -
i thashë, - s'të shkojnë me mue kësi filmash!".
Zbrita
në lokal, xuna vend në banak, ia qepa sytë ekranit dhe, për fat, u rrëqetha
kënaqësiet: në fushën e blertë po zbrisnin "Barcelona" dhe
"Reali". Porosita një krrikëll birrë dhe fërkova pëllambët. Mandej iu
gërmusha mënjanë frymëzimit: "hajt, tash, mbathja kolopuç! Tash sak nuk ta
kam ngenë...!"
Akti II
Në
këtë fletë, do t’duhej të shkruhej një poezi... Por, mungon frymëzimi (pa
frymëzim, thonë, nuk ka poezi!). Me shpresën se frymëzimi s’rrin pa e nxjerrë
kryet në nja prej këso vargjesh, na le t’vazhdojmë me e shkrue k’te poezi, së
cilës i mungon frymëzimi.
Eh,
frymëzimi...! Sikur të vinte ai... Po ç'ka me ba? Unë kam dëshirë me e shkruejt
njik’te poezi me apo pa frymëzim. E sikur frymëzimi të ishte? ku ka ma mirë...!
Po ai mund mos me ardhë fare, andaj, ju lutem, m’lejoni me vazhdue pa té.
Ndoshta, kushedi... piqemi gjatë udhës? Ndoshta ka zanë me u ba i padukshëm
dhe, me kohë, ka zanë me frymue në këto rreshta? Dorën në zjarr s’mundem me
vnue, e mëgjithatë, ndjej se endet diku, këtu, për-rrotull. Atëherë, si thoni,
a nuk do t’kishte qenë ma e mira me hjek dorë sa ma parë prej kësaj poezie e me
pritë?
Akti III
Frymëzimi
erdhi! (Ndalohet rrahja e shuplakave!). Nuk ua shpjegoj dot si erdhi, por ndjej
praninë e padëshmueshme të tij. Kjo nuk asht krejt poezi, por thjesht, një
paralajmërim i randsishëm, se frymëzimi erdhi. Ku kishte me ikë xhanëm...!? E
solli prapë kryet, si djali plangprishës dhe unë, pa i ba asfarë qortimi, e
pres, e trajtoj si hernat e tjera. Falja nuk ban me u recitue me patetikë. Dhe
duhet me u mësue ma në fund, se frymëzim asht: siç ka ardhë, ashtu ka me ikë...