| E diele, 13.10.2024, 06:56 PM |
Fjala hyrëse
Të nderuar lexues,
Në dhjetor të vitit 2023
botuam të plotë artikujt e Atë Kamilo Libardit të botuara në revistën italiane
“Le Missioni Cattoliche” nga viti 1889 deri në vitin 1893 në gjuhën italiane
nën titullin “La Ricca ed Importante
Attivita di Padre Camillo Libardi O. M.” Lexuesit e interesuar mund ti lexojnë
në versionin origjinal në gjuhën italiane nëse një gjë e tillë ju intereson.
Këto shkrime kanë
informacione për fshatrat e zonës së Shalës, Shoshit, Nikajt dhe Mërturit.
Kemi bërë një përkthim
të këtyre artikujve dhe po ja paraqesim lexuesit shqiptar mbasi sipas mendimit
tonë, paraqesin interes historik, studimor dhe më gjerë.
Në faqet në vijim do të
gjeni një historik të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë së këtij kleriku të
nderuar dhe më tej do të prezantohen të plotë artikujt në mënyrë kronologjike
sipas datave kur janë shkruar.
VEPRIMTARI
E PASUR DHE E RËNDËSISHME E ATË KAMILO
LIBARDIT
Nga
Mark Palnikaj
Në
memorien e shqiptarëve ruhet e gjallë kujtesa për shum misionarë që kontribuan
në vendin tonë duke bërë sakrifica sublime, duke sakrifikuar edhe jetët e tyre
në emër të idealeve që mbronin. E kam të pamundur që të përmend emrat e të
gjithë atyre që ofruan jetët e tyre, duke u vrarë deri edhe të ngulur në hunj
për së gjalli, shumica e tyre françeskan.
Pati
dhe të tjerë që patën fat më të mirë, duke e kaluar të gjithë jetën midis
maleve shqiptare dhe në shërbim të atyre njerëzve, dhe u larguan në mënyrë të
natyrëshme nga kjo botë.
Midis
tyre bie në sy për fuqi shpirti të pathyeshëm figura e një françeskani nga Trento,
Atë Kamilo Libardi, i lindur në Levico me datën 7 dhjetor të vitit 1863, i cili
veshi rrobën e fratit në Arco, në vitin 1880. U shugurua meshtar në vitin 1887
dhe u erdhi në qershor të vitit 1888 në Pult, në Shqipëri. Këtu qëndroi për 45
vite, duke u dalluar për drejtësi, karakter të fortë dhe energji të
jashtëzakonshme.
Shqipëria,
në ato vite të fundshekullit XIX, ishte e sunduar nga Perandoria Osmane. Katolikët e veriut shqiptar ishin të ndarë në
gjashtë dioqeza ipeshkvore, njëra prej të cilave ishte Pulti, me nëntë famulli.
Turqit ishin përpjekur që të vendosnin kudo sundimin e tyre, por një qeverisje
të vërtetë ata e arritën vetëm në qytete. Në fshatrat malorë, ku vepronte Atë
Kamilo, ishte në fuqi e drejta zakonore e njohur si “Ligji i maleve”, një
tërësi zakonesh dhe traditash, që ruheshin të trashëguara midis banorëve të
këtyre maleve. Në atë kohë, Shqipëria ishte në një gjendje shum të prapambetur.
Pasuria kryesore ishin pyjet dhe disa ngastra të vogla toke, ku kultivohej
misri, patatja, disa lloje fruta dhe zarzavate sa për mbijetesë. Gjendja e
rrugëve ishte shum e keqe dhe mjetet mekanike të transportit nuk ekzistonin.
Për të dhënë një ide të kushteve në të cilat gjendej Shqipëria, në fillim të
ardhjes së Atë Kamilos, mund të informohemi nga artikulli i gjatë kushtuar nga
gazeta Avenire të Italisë e vitit 1939 për emërimin e tij me titullin
Cavalliere (Kalorës). “Gjatë vitit të parë ndodhën 43 vrasje; banda të vërteta
vrasësish zbrisnin nga kështjellat e tyre natyrore dhe depërtonin në fushat e
Kosovës, rrethonin fshatrat e vegjël ose shtëpitë e izoluara dhe vrisnin,
digjnin dhe grabisnin”.
Artikujt
e tij, kushtuar fshatrave të varfëra të Dioqezës së Pultit, që ai botoi në
revistën “Le Missione Cattoliche”, janë një dëshmi shumë e qartë për vështirësitë
që kalonin besimtarët e tij në ato vite. Aty përshkruhet gjendja ekonomike,
shëndetësore, kulturore, arsimore, kushtet e jetesës dhe të banimit, doket,
zakonet, ngjarjet e ndryshme si: vrasje dhe ngatërresa, vizitat e tij e të
klerikëve të tjerë, si dhe të vizitorëve nga vendet europiane.
Nga
dokumentet që kemi në dorë deri më sot, ai ishte i pari që bëri një kodifikim
modest për të drejtën zakonore shqiptare me dhjetë kapituj e cila deri më sot
ka mbetur e panjohur për studjuesit shqiptar.
Një
përshkrim shum realist për jetën e këtij kleriku e gjejmë në librin e Antonio
Baldaçit, i botuar nga Shoqëria Gjeografike Italiane (Societa Geografica
Italiana) “Itinerare shqiptare 1892-1902.” Në korrik të vitit 1897 ai shkruan:
“Malet e Shalës. Jemi drejtuar për në famullinë e fshatit Abat (765 metra),
vend kryesor i këtij fisi, i cili është, pa dyshim, ndër më të prapambeturit e
të gjithë Shqipërisë, prandaj nga koha e perëndimit të diellit, mbërrijmë tek
shtëpitë e para të fshatit, ku dallohen disa fusha të pakta, të vogla, të
mbjella me misër e me domate si dhe vihen re disa vija uji për ujitje. Atë
Kamilo nga Levico, famullitar, i ri në moshë, në Abat, na pret me kënaqësi të
dukshme, si të ishim miq të vjetër. Në këto ana kisha përfaqëson një oazë qytetërimi;
disa ditë më pas lexojmë përsëri se Atë Kamilos, meqë i është dashur të niset
këtë mëngjes, na ka lënë këtë letër ... “natën që shkoi janë vrarë tre burra
nga Shala në rrugën që nga Vuthaj zbret në Theth. Më duhet të shkoj të marr
vesh rreth ngjarjes tragjike .... Sidomos erdhi një grua të më thërriste për
një të sëmurë që është në prag të vdekjes në malet e Thethit. Nuk mundem në
asnjë mënyrë të rri me ju”.
Nga
ky aktivitet i jashtëzakonshëm, dhe njohjen nga ai e gjuhës shqipe, i bënë të
mundur Atë Kamilos që të fitonte nderimin dhe respektin e të gjithëve. Nderimi
që ai gëzonte tek besimtarët krenarë të Alpeve shqiptare të Shalës tregohet
edhe nga kërkesa që iu bë atij që të kryesonte mbledhjet për të shpallur ligjet
e shkruara (1890). Në këto vite ai e riparoi
kishën dhe rezidencën e Shalës, ndërtoi një kishë të vogël në Theth dhe
përktheu në gjuhën shqipe disa tekste.
Mbas
ndryshimeve të thella në qeverinë e Perandorisë Otomane në vitin 1908, si
rezultat i revolucionit të Xhonturqve, ata deshën që të përshtatnin reforma në
perandori. Këto reforma në fillim u pritën me shpresë nga kombet e shtypura të
kësajë Perandorie por shum shpejt ata u zhgënjyen. Shqiptarët u rebeluan kundra
qeverisë. Në vitin 1910 Veriu i Shqipërisë, në pjesën më të madhe katolike,
ngriti krye dhe revolta zgjati për gjatë të gjithë viteve 1910, 1911 dhe 1912.
Shtëpitë e të krishterëve u dogjën, kishat u shkatërruan dhe popullsia për të
shpëtuar masakrave të ushtrisë turke, u strehuan përkohësisht në Malin e Zi
fqinj. Atë Kamillo qëndroi në Pult si i deleguar i Ipeshkvit. Në këtë konflikt,
ai pati një rol ndërmjetësues midis popullsisë së rebeluar dhe qeverisë në
Shkodër si njeri i besuar nga të dyja palët. Organizoi takime pajtuese midis
udhëheqësve kryengritës dhe përfaqësuesve të qeverisë në qytezën e Drishtit dhe
vende të tjera. Këto takime ndikuan që palët kundërshtare të merreshin vesh dhe
të zgjidhnin konfliktin midis tyre me diplomaci dhe jo me luftë.
Më
në fund, sulltan Mehmeti V, duke pasur parasysh qëndresën kokëfortë shqiptare,
vendosi që të bënte një takim për marrëveshje armëpushimi. Më 17 korrik 1911 u
firmos në Drisht armëpushimi dhe më 3 gusht u vendos paqja. Atë Kamilos iu
ofrua, nga një përfaqësues i qeverisë turke një titull nderi për aktivitetin e
tij në shërbim të paqes, por ai e refuzoi këtë dekoratë. Për veprën e tij në
shërbim të paqes, ju dha nga Papa Pio X titulli Cavalliere (Kalorës).
Me
formimin e shtetit të ri shqiptar dhe tërheqjen e trupave italiane, mungesa në
vend e një organizate shëndetësore e nxiti Atë Kamilon që të krijonte, në vitin
1926, një qendër të Kryqit të Kuq në Shosh.
Kamile
Libardi përjetoi kryengritjen e Dukagjinit të vitit 1926 ku u dënuan me dënime të ndryshme 552 burra dhe
u dënuen me vdekje 29 prej tyre, shumica të varur në litar. Qeveria e Zogut
vari fratin e ri 34 vjeç, Dom Gjon Gazullin, me datën 5 mars 1927. Ky veprim,
në atë kohë, u dënue nga të gjitha vendet demokratike të Europës. Të dhjetë
mijë mercenarët e Zogut që u angazhuan në shtypjen e kësaj kryengritjeje, ushtruan
një dhunë të pa parë mbi popullsinë e këtyre zonave. Libardi, ashtu si në
kryengritjen antiturke të viteve 1910-1912, ishte dëshmitar okular dhe shkroi
me realizëm për ato ngjarje të tmershme që qeveria shqiptare e kryesuar nga
Zogu ushtroi mbi popullin e vet. Sipas përshkrimeve që ka paraqitur ai në
librin “Si u bë Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve” dhuna e ushtruar mbi këtë
popullsi nga mercenarët e Ahmet Zogut ishte më e rëndë dhe më poshtëruese se
ajo e forcave turke të Shefqet Durgut Pashës të vitit 1910.
Përkatësia
nacionale si italian, ngjalli dyshime në qeverinë shqiptare, duke e bërë të
nevojshëm transferimin e tij në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në
Shkodër, që gjendej në një zonë më të sigurt, edhe pse ishte e banuar
krejtësisht nga myslimanë.
Në
fillim, banorët u treguan të ftohtë, por, me kalimin e kohës, ai përballë
Shenjtores, ia doli të ngrinte një ambulator e kjo bëri që qëndrimi i tyre ndaj
fratit të “Zojës”, sikurse thirrej, të ndryshonte. Madje shumë herë qëndronin
tek pragu i derës së Kishës që të dëgjonin predikimet e tij.
Në
vitin 1932, përkeqësimi i gjendjes së italianëve në Shqipëri e detyroi
Kongregatën e Shenjtë të Propagandës Fide, kundër dëshirës së tij, që misionari
të kthehej në Itali. U caktua në fillim pranë kuvendit të Pergjinës e pastaj në
Cavalese, në Borgo, dhe më vonë do të kthehej në Pergjinë përsëri, ku vazhdoi
të zhvillonte aktivisht veprën e tij si meshtar dhe si historian.
Në
vitet e pranisë së tij në Trento (1933-1942) mbajti disa konferenca rreth Shqipërisë
dhe iu kushtua publikimit të disa veprave, mes të cilave një monografi për
jetën e Imzot Alberto Kraki-t, ipeshkëv i Pultit dhe librat historikë si “Si u
bë Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve” si dhe librin “Lëvizjet e para patriotike
shqiptare”.
Për
këto publikime të tij dhe për materiale të tjera, të përzgjedhura me durim në
bibliotekat e Napolit, të Lukës dhe të Venecias, të dërguara në Romë dhe të
pranuara në “Monumenta Albanie Historica” u emërua Cavalliere (Kalorës) i
Italisë dhe anëtar i Komisionit Adriatik për studimet shqiptare.
Më
4 janar 1942, ditën e diel, duke u kthyer nga një shëtitje afër Fersinës, u
përplas nga një biçikletë dhe u rrëzua për tokë. Në pamje të jashtme kishte
marrë vetëm disa plagë të lehta, në sipërfaqe, por që prej asaj dite ai nuk u
ndje mirë me shëndet, sepse ankohej për dhimbje të forta dhe dobësi që i
shtoheshin. Përkeqësimi vazhdoi të rritej dhe kështu më 22 dhjetor 1942 u
shtrua në qendrën shëndetësore të Kuvendit të Rrugës Belvedere San Francesco në
Trento.
Këtu
ai vdiq më 26 shkurt të vitit 1943 dhe u varros në varrezën e vogël që gjendet
brenda kuvendit.
Disa
njoftime për shkrimet e Libardit para vitit 1900 në shtypin e kohës
Libardi
filloi punë në dioqezën e Pultit në muajin qershor të vitit 1888 pa arritur
akoma moshën 25 vjeç. U caktua famulltar në kishën e fshatit Abat në fisin e
Shalës që sot emërtohet Komuna Dukagjin.
Pa
e arritur akoma moshën 26 vjeç, Padre Kamile Libardi, krahas aktivitetit si
klerik famulltar në kishë, filloi misionin e studimit të dokeve dhe zakoneve të
besimtarëve të tij në zonën më të mbyllur të veriut shqiptar, fshatrave të
Nikajt, Mërturit, Shalës, Shoshit dhe zonave për rreth tyre. Në revistën “Le
Missione Cattoliche”, në vitin XVIII të botimit të sajë, në numrin 3 të datës
18 janar 1889, në faqen 30, është botuar një shkrim i tij i firmosur nën siglën
“Un francescano Trentino( Një françeskan nga Trento)” që nuk lë pikë dyshimi se
mbas kësaj firme është dora e meshtarit të ri të famullisë së Shalës, Kamile
Libardi.
Po
këtu, në numrin 14 të datës 5 prill 1889, ai boton një tjetër shkrim me
informacione me rëndësi për zonën ku punonte. Me datën 28 qershor 1889, në
numrin 26 të kësaj reviste në faqen 306 boton një shkrim informues për ngjarjet
në dioqezën e tij. Në numrin 34 të datës 23 gusht 1899, në faqen 399 është një
kronikë ku përmend Dario Buçarelin, Pal Berishën dhe Alberto Krakin për kontributet
e tyre në këtë dioqezë.
Nga
kjo datë deri me datën 7 korrik të vitit 1891 nuk gjejmë shkrime të tjera në
këtë revistë për ngjarjet në Shqipëri. Jemi të informuar se gjatë kësaj kohe,
ai ka shkruar studime dhe kronika të tjera por ato nuk janë botuar.
Në
numrin 35 të revistës, me datën 28 gusht 1891, në faqen 414 – 415 në rubrikën
njoftime, kemi një artikull të tij të dërguar nga Dioqeza e Pultit për ta
vazhduar punën e tij studimore në numrin 40 të datës 2 tetor, në numrin 41 të
datës 9 tetor, në numrin 44 të datës 30 tetor, në numrin 45 të datës 6 nëntor,
në numrin 46 të datës 13 nëntor, 47 datë 20 nëntor, në numrin 48 të datës 27
nëntor, në numrin 50 të datës 11 dhjetor, në numrin 51 të datës 18 dhjetor, për
të vazhduar në numrin 3 të datës 15 janar 1892,
në numrin 4 të datës 22 janar, në numrin 6 të datës 6 shkurt, në numrin
7 të datës 13 shkurt, në numrin 8 të datës 19 shkurt, në numrin 9 të datës 26
shkurt, në numrin 21 të datës 20 maj 1892 për ta përfunduar ciklin e artikujve
në vitin 1893 në numrin 2 të datës 13 janar 1893. Pas kësaj interviste, për një
kohë të gjatë, bashkpunimi i Libardit me këtë revistë, nga shkaqe për të cilat
ne nuk kemi informata, nuk ka vazhduar.
Në
këtë revistë, ai ka botuar rreth 180 faqe kronika dhe studime, të cilat ne në
këtë libër po i botojmë të përkthyera në
gjuhë shqipe, pa komente dhe pa ndryshime, ashtu si i shkroi ai rreth 130 vjet
më parë.
Cila
është përmbajtja e këtyre artikujve?
Në
këta artikuj, Libardi edhe pse ishte i ri në moshë dhe pa një përvojë të madhe
në shkrime dhe studime, ka bërë një punë mjaft të saktë, pa hollësira të
tepërta, me një besnikëri për tu marrë model në përshkrimin e realitetit të
kohës dhe të problemeve që ai ka trajtuar.
Më
së pari duhet të vlerësojmë shkrimin e të drejtës zakonore shqiptare, të cilën
ai është i pari që e ndan në “Codice Civile dhe Codice Penale.” Është mjaft e
habitëshme që asnjë studiues i të drejtës zakonore shqiptare, deri më sot nuk e
ka përmendur këtë punim mbi kanunin edhe pse është mjaft i detajuar dhe mjaft i
rëndësishëm. Vetëm katër vjet mbas Libardit, studiuesi nga Mali i Zi, Valtazar
Bogishiq, ka botuar një version të Kanunit të Maleve Shqiptare të kodifikuar në
75 nene dhe në asnjë rrjesht të tij nuk e përmend Libardin. Edhe Shtjefën
Gjeçovi në veprën madhore të tij “Kanuni i Lek Dukagjinit”, nuk e përmend asnjëherë kolegun e tij për
kontributin në këtë fushë.
Një
problem tjetër me rëndësi madhore që ai ka trajtuar në këta artikuj janë
besimet pagane, zakonet, doket dhe ritet e malësorëve të Dukagjinit.
Ai
ka përshkruar me hollësi për tu admiruar besimin për kuçedrën dhe dragojt, për
shtrigat dhe ganecët, rrufetë dhe stuhitë, për lugatin, për syrin e keq, për eklipsin e hënës dhe të diellit, për
tërmetet dhe për lloje të tjera të fenomeneve të natyrës dhe të besimeve.
Ai
ka përshkruar edhe veprimet që kryheshin në ritet e martesave, të vdekjeve, të
lindjes së fëmijëve dhe rasteve të tjera.
Ka
përshkruar me hollësi mënyrën e jetesës, banesën, enët dhe veglat e punës,
rrobat dhe pajisjet për fjetje etj. Në këto përshkrime del e qartë si drita e
diellit varfëria dhe prapambjetja e madhe në të cilën gjëndeshin malësorët në
atë kohë. Ai i ka përshkruar me dhëmbshuri por edhe me një realizëm të pashoq.
Duke folur për shtrigat në artikullin e datës 18 dhjetor 1891 ai shkruan:
“Besoj se janë të paktë popujt që jetojnë në faqen e dheut që besojnë tek
shtrigat sa shqiptari. Si stërgjyshërit tanë të gjorë, - Zoti i bekoftë, - ata
shohin tek ato shkakun e çdo të keqeje”.
Një
tjetër kontribut i pamohueshëm i Libardit është kryerja e Misioneve në të
gjitha fshatrat e famullisë së tij dhe publikimi i shkruar i rezultateve të
këtyre misioneve.
Në
revistat e përmendura përshkruhen plot njëzet e nëntë Misione të realizuara në
Pult, Shalë, Okol (Theth), Nik Gjonaj (Theth), Gjelaj (Theth), Gjeçaj (Theth),
Ndreaj (Theth), Grunas (Theth), Ndërlysa, Nike Lekaj, Dostanishtaj, Nikushaj,
Vaçaj, Mar Vataj, Xhaferaj, Camai, Ded Nikaj, Lekaj, Quke, Dakaj, Mëkshaj,
Bobi, Vuksanaj, Pjolla, Mar Nikaj, Lotaj, Pap Nikaj, Nicaj dhe Doçaj.
Kontributi
i tij dyzet e pesëvjeçar në Dioqezën e Pultit meriton të studiohet dhe të
vlerësohet.
Për
këtë, Padre Kamile Libardi, meriton një monografi të gjatë ku të përshkruhen me
detaje të gjitha kontributet e tij.
Presidenca
e Shqipërisë, Komuna e Shalës dhe Bashkia Shkodër këtë hero duhet t’a nderojnë
me tituj nderi dhe t’i vendosin buste në sheshe publike në shenjë nderimi për
kontributin e tij në vendin tonë.
Provinca
Françeskane në Shkodër duhet të gjejë mënyrën për nderimin e këtij kleriku të
nderuar sipas mënyrave dhe rregullave që ata kanë.
Mark Palnikaj, Tiranë më 15 shkurt 2024.