| E shtune, 12.10.2024, 06:54 PM |
STACIONI TRENIT I TIRANËS
-
Dhe një kujtim udhëtimi me “Kapedanin”-
NGA
NDUE DEDAJ
Stacionet
e autobusëve, trenave, aeroportet, aq sa të “rrëmujshme” e të zhurmshme janë,
duhet thënë se janë dhe po aq intriguese, pasi janë stacione malli, emocionesh
dhe dashurie. Askund tjetër nuk ka më shumë përqafime, përlotje dhe puthje se
në stacionet e udhëtarëve, pasi gjithmonë dikush pret e dikush përcjell. Jeta
askund nuk lëviz më vrullshëm se aty, ku njëri ikën e tjetri vjen. Thuajse
gjithnjë ai që ikën është dhe ai që vjen. Duket se të gjitha urimet e njerëzve
“kulmojnë” aty, sintetizuar në një formulim tejet të bukur “Shkofsh dhe ardhësh
shëndosh”. Stacionet e udhëtarëve, të mëdha apo të vogla, shqiptare apo të
huaja, janë antologji poetike të pashkruara. Udhëtimi është para së gjithash
bekim...
Stacioni
i Trenit i Tiranës, as pesëqind metra nga “Sheshi Skëndebej”, ka mbetur tashmë
vetëm si emër, por dikur ishte porta kryesore hyrëse dhe dalëse e kryeqytetit,
ku secili ka përjetimet e veta, përpos të rinjve që nuk e njohin e as e
përfytyrojnë Shqipërinë me trena. Ruaj ende kujtimin e udhëtimit të parë me
tren, më 1972, nga Laçi në Tiranë e kthim pasdite në të njëjtin stacion, për të
marrë më pas autobusin e linjës për në Rrëshen. Prej atëherë treni, me atë
“muzikën” e tij ritmike, ishte mjeti kryesor i udhëtimit tonë. Treni, në
vrapimin e tij të pandalshëm, na krijonte ndjesinë e një lumi fushor, por që
ecte shumë më shpejt se rrjedha e qetë dhe e ngadalshme lumore, bie fjala, e
Ishmit, Erzenit, Shkumbinit. Soditja nga dritaret, bisedat me shokët e shoqet,
apo të afërmit në kabinën tënde, që shpesh ishte e hapur, të qeshurat rinore,
kontrolli i biletave, leximi i ndonjë libri, takimi i të njohurve, që nuk i
kishe parë prej kohësh ishin “rutina” e udhëtimit në tren. Sot kanë mbetur sa
për be dy trena tejet të lodhur, njëri që shkon nga Durrësi deri në Elbasan te
Metalur-ziu dhe tjetri nga Shkodra deri në Laç tek i Shnandoj. Nëse për
konstruktorët treni është hekurudha, shpejtësia, teknologjia etj., për mua treni është njeriu. Prandaj
kemi dhe kujtesën e trenave të udhëtarëve, apo dhe të mallrave, që mbartnin
minerale dhe naftë drejt qendrave urbane. Pa harruar se të gjithë shqiptarët
qemë ndërtues vullnetarë të hekurudhave, nga Hani i Hotit në Gurin e Kuq dhe se
Ura e Bushtricës mbetet simboli i urave hekurudhore të vendit, që e ka merituar
poemën e poetit të ndjerë, mikut tonë të paharruar Koçi Petriti. Arti, letërsia
ka qenë shirit-prerësi i vërtetë e “ëndrrave industriale” të viteve ’60 dhe
ëndrrat e një populli që sjellin industri, qytetërim, modernitet asnjëherë nuk
janë të gabuara, paçka se kush e merr gërshërën në dorë dhe e pret shiritin
përurues, atëherë e sot!
Kam
qenë për një muaj vullnetar në ndërtimin e stacionit të trenit në Shkodër dhe
disa muaj pas përurimit zbrita aty një mbrëmje së bashku me një personazh të
veçantë të komedisë shqiptare, aktorin e shquar Albert Vërria, me të cilin na
kishte bërë bashkudhëtarë treni, ndonëse kishte pas qëlluar ta takoja dhe vite
më parë, kur isha gjimnazist e ai kishte ardhur njëherë në Mirditë së bashku me
kolegun e tij Agim Shuke. Folëm gjatë gjithë kohës, ishte një burrë aq serioz e
i shtruar, thua se asgjë nuk e lidhte me humorin. E bëmë bashkë në këmbë rrugën
nga stacioni deri te Teatri Migjeni, ku “Kapedanin” e papërsëritshëm të skenës
e përshëndesnin oreçast kalimtarët në të dy anët e rrugës. Ishte i vetmi rast
kur më bëhej se Shkodra po përshëndeste dhe mua studentin e saj, që sigurisht
nuk më njihte, por si “shoqnuesin” e zotnisë, pasi Vërria në atë kohë ishte dhe
deputet i Kuvendit Popullor, një deputet që ecte me tren si gjithë të tjerët...
dhe nuk kishte kurrëfarë pune me SPAK-un.
Krejt
ndryshe do të jetë, kur trenat të jenë sërish në modë. Në marsin e ardhshëm
(2025), sipas drejtuesve të hekurudhave do të përfundojë restaurimi i linjës
hekurudhore Tiranë – Durrës, si dhe ndërtimi nga e para i asaj për Rinas, por
nuk do të ndodhë më si dikur. Njerëzit, përveç makinistit të trenit, të gjithë
do të jenë me sytë ngulur në telefon, duke dhënë e marrë me botën virtuale e
duke e injoruar krejtësisht atë reale, dmth njeriun që ke në krah, i cili nuk
ekziston më për ty as sa për një përshëndetje. Por frika është se do të ketë
nga ata që do të zënë ndonjë bisedë me zë të lartë, me kushëririn e tyre në
Amerikë apo Australi dhe ty do të dëgjosh me zorrët në fyt gjithë tallavanë e
atyre të panjohurve, siç ndodh tashti në autobusa e furgona, që duhet t’i
mbushësh veshët me pambuk.
Kështu,
pra, kur të ndihet sërish sirena e trenit në Tiranë dhe stacioni i tij të
rikthehet, druaj se nuk do ta ketë më atë emocionin e trenave të dikurshëm çek,
ndonëse jo komodë e sigurisht jo
“ekspres”...
Ky
shënim, sa nostalgji për kohën shqiptare me trena, aq është dhe prelud i
trenave të rinj në ardhje.