| E premte, 11.10.2024, 06:50 PM |
Ngërç
hakmarrës
-Novelë
Pjesa - 6-
Nga
Vilhelme Vrana Haxhiraj- Vivra
Sa u ktheva nga
Rumania, fjala e kryeministrit u zbatua nga Ministria e Financës. Nga frika se
mos humbisnin apo rrëzoheshin nga kolltuku i partisë-shtet, më dëbuan nga puna
edhe pse më quanin “Profesor Agroni, shkencëtari i palodhur”. I hodhën
pas krahëve dogmat e tyre marksiste bashkë me furçat e servilizmit që nuk ka
ngjyra të tjera veç të errtës dhe më çuan si ekonomist i thjeshtë në
kooperativën bujqësore malore të Dukatit në Vlorë. Aty punova nga viti 1979
deri në vitin 1982. Familja ime për tre vjet jetoi në kushte shumë të vështira
vetëm për të mbijetuar me pagën qesharake me 30 lekë për ditë pune. Veç për një
gjë falenderoj Zotin, bashkëshorten si dhe miqtë e mi që në çdo rast nuk më
harruan. Moralisht dhe fizikisht ata kanë qenë mbështetja ime kryesore.
Për deri sa çdo
qytetar i Shqipërisë diktatoriale, qoftë edhe njeriu i partisë ose kundërshtar
i saj, nëse kalonte kufirin pa vizë apo pa lejë kalimi, në mënyrë klandestine,
në fshehtësi apo vjedhurazi nga rojet kufitare, trajtohej si tradhtar i partisë
-shtet. Si për një njeri që vinte nga
një familje e deklauar, edhe Agroni që, edhe pse xhaxhanë e kishte dëshmorë të
luftës së Vlorës, kurse dajon dëhmorë të luftës çlirimtare, vetëm pse nuk
pranoi të bëhej anëtar partie, u trajtua po aq ashpër si i deklasuar nga lufta
e egër e klasave.
Vështirësitë
ekonomike që pushtuan vendin pas shkëputjes edhe me Kinën, ndërkohë pati dhe
njëfarë “zbutjeje” deri diku e luftës së klasave, në kohën e 80 pëqindshit, kur
ekonomia ishte në asfiksi astme të plotë, i detyruan qeveritarët ta kthenin
shkencëtarin e pazëvendësueshëm në Ministrinë e Financave. Tashmë me titullin
“Profesor” Agroni aty punoi me vetmohim si sekretar shkencor deri në vitin
1990.
Agroni, si njeri
përparimtar dhe pinjoll i një familjeje me ide nacionaliste, përkrahu proceset
demokratike dhe u vendos familjarisht në vijën e parë të luftës për përmbysjen
e diktaturës komuniste. Në vitin 1992 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të
Partisë Demokratike. Nga viti 1992 deri në vitin 1994, ka qenë Drejtor Ekonomik
i Radio Televizionit Shqiptar dhe nga viti 1994 deri në vitin 1996, drejtor
Ekonomik në Qytetin Studenti.
Ai flet me
krenarinë e prindit të dhembshur për
fëmijët e tij:
-Jetën tonë si
çift e kanë plotësuar më së miri dy fëmijët tanë, djali dhe vajza, të cilët
vazhduan arsimin e lartë në ato vështirësi dëbimi dhe përndjekjeje. Ata të dy
shkëlqyen në degën që përzgjodhën. Ndaj shprehem për ta me mburrje, se janë
mirënjohja dhe krenaria jonë si prindër dhe si gjyshër. Me një nip nga djali
dhe një mbesë nga vajza, jam i lumtur që ata jetojnë dhe punojnë në liri të plotë,
larg intrigave, shpifjeve dhe thashethemeve të njerëzve të paditur që kanë
mohuar vlerat e kombit.
Me rënien e Murit
të Berlinit, edhe me ndryshimet politike sociale që ndodhën në vendin tonë, u
nda shapi nga sheqeri. Shqiptarët u ballafaquan me një të vërtetë të madhe.
Fenomenet sociale negative që ishin mbajtur nën dhunën e kërbaçit të diktaturës
hoxhiane, dolën nga strofkat të tkurrur nga frika, si kërpudhat pas shiut.
Kurse servilët e Partisë, ndërruan uniformën, nga e kuqe e bënë blu. Çudia më e
madhe ndodhi tek ata bastard që i zinte gjumi të kuq dhe në mëngjes dilnin të
veshur me manto blu. Kurse ajo “Tjetra” dhe ata “Të Tjerët”, servilët me
puthadorët e partisë së Punës që e kujtonin veten të pathyeshëm, edhe kur ranë
nga pendët dhe humbën pozitat e dikurshme, përsëri nuk e ulnin hundën. Edhe pse nuk pranonte fundin e hidhur,
“profesoresha” me diplomën e shkollës apo të kursit 6 mujor të partisë priste
dhe priste...
Po çfarë priste
akoma vallë? Tek e fundit pas shumë e shumë të këqijave që kishte kurdisur,
hakmarrja e drejtësisë u dha shpërblimin e merituar, jo vetëm asaj, por gjithë
të tjerëve pa dinjitet që e kishin shitur surratin e tyre të pistë, të ndyrë
dhe të palyrtë për pesë qindarka...
Pavarësisht nga të
këqijat dhe dëmet që u kishin sjellë qytetarëve, jo tani që u ranë pendët, kanë
ngelur si kokoshi i lagur, dhe si peshku pa ujë. Në kohën e tyre, kur, pa u
menduar vrisnin e prisnin kokat e fajtorëve pa faj, hakmarrja e drejtësisë, u
qëndronte mbi kokë si sëpata e Liktorit. Gjëmat e tyre makabre prej xhelatësh
kërkonin shpagim hakmarrjeje.
Unë si Agron, jam
kundër hakmarrjes së njeriut ndaj njeriut.Shpagimin e padrejtësisë së tyre e
bënë dora e drejtësisë e udhëhequr nga Zoti. Asnjëri prej atyre përbindshave të
panumërt, nuk doli para gjyqit të drejtësisë. Por shpagimin e ngërçit të
shkaktuar nga bëmat e vetgjyqësisë prej xhelatësh, e morën papritur dhe pa
kujtuar. Kur Agroni gëzonte sukseset e veta, të djalit apo të vajzës të cilëve
u dhuroi sekretin e dashurisë për teorinë e numrave, ajo “Tjetra”, ai “Tjetri”,
apo ata “Të Tjerët” përjetonin hidhërimin më të madh për veten e tyre apo për
fëmijët. Me paturpësinë më të madhe i ishin kthyer besimit fetar, të cilin e
kishin ndaluar me dhunë dhe me tragjedi makabre. Nuk e kuptoj se si kishin
kurajo dhe i drejtoheshin Zotit, kur ata shkatërruan me dhunë gjithë
institucionet fetare dhe dënuan me burgim të përjetshëm gjithë klerikët të të
dy besimeve. Me sytë drejt qiellit pyesnin mes një dëshpërimi të thellë:“Çfarë
të keqe të paskam bërë, o Zot që më dënove kaq rëndë?!”
Një zë i brendshëm
nga trupat e tyre të kalbësyer që kishte ngelur i pa cënuar nga ligësitë e
secilit prej tyre, klithi aq fort sa i la pa frymë:
-Paskeni harruar,
more të pafè, se çfarë keni bërë? Vetëm një rast po ju kujtoj. Dhunën, ngërçin
e shkaktuar nga përndjekja juaj shkatërrimtare pa asnjë arsye ndaj një gjeniu,
Agronit, shkencëtarit që nderoi vendin e tij me zbatimin e matematikës
lineare...Ky bashkëpuntor i palodhur i botës së kulturuar, në marrëveshje
shkencore me universitetet më në zë të kohës, Oksfordit, Amerikës, Kanadasë,
Francës, Italisë etje... u tregoi juve e të gjithë shqiptarëve se
gjenialitetin, sado që ta ndalosh, ta pengosh me të gjitha mënyrat vrastare,
madje ta fundosësh në fund të detit, ai del mbi sipërfaqe, se besimi në Zot dhe
shkencë, u përket njerëzve të virtytshëm. Tani që po provoni dhembjen në veten
tuaj, duhet të kujtoni ç’ gjëma tragjike keni bërë dhe të besoni se çfarë plage
të pashërueshme u keni hapur njerëzve të pafaj.
Ata “Të Tjerët” fryheshin nga marazi i egos, smirës,
mllefit, urrejtjes dhe hakmarrjes, kur ky matematicien i shquar i vendit, i
pari që në kushtet e vështira të diktaturës aplikoi matematikën lineare,
shkencëtari dhe bashkëpunëtor i katedrave shkencore më në zë të kohës. Ky
shqiptar i vlerësuar nga universiteti Oksfordit, i ShBA-ve, Parisit,
Bukureshtit apo Kanadasë së largët për punën e tij shkencore, shpesh herë binte
ndesh me teoritë e Ajnshtajnit.
Vuajtjet, denigrimi dhe lufta që i bën peshkaqenët e
vegjël, nuk ia zbehën Agronit trashëgiminë kulturore të familjes, as
dëshirën e tij të ethshme për të njohur botën e pafundme të numrave dhe
kalkulimeve. Gjatë viteve të krizës botërore, ai nuk u step as nga shiu e as
nga bora, herë i ngrënë, herë i pangrënë, herë i mbathur e herë i zbathur,
përditë me çantën në sup, duke zgjidhur me mendje ekuacione me shumë të
panjohura, ecte më tepër se një orë në këmbë vetëm për të marrë dituri. Talenti
i tij shpërtheu qysh në shkollën e mesme, ku Agroni shkëlqeu duke qenë fitues i
disa olimpiadave të matematikës në shkallë vendi. Në këtë mënyrë rriti e madhoi
emrin, autoritetin dhe famën e gjimnazit “Ali Demi”, që u rendit një ndër
shkollat e mesme më të shquara të vendit të asaj kohe. Arritjet e tij prej
gjeniu ishin pasojë e studimit sistematik. Ai i ri i papërtuar, me shumë
vullnet, edhe pse i përndjekur nga hibridët e vemjeve të sigurimit të shtetit,
përkthente gjithë arritjet shkencore të kohës, nga rusishtja dhe
anglishtja. Paralel me aplikimet e reja shkencore në fushën e matematikës
dhe statistikës madje edhe jashtë vendit, ai ishte i pari matematicien apo
ekonomist në vendin tonë që përfundoi studimin për aplikimin e matematikës
lineare në prerjen e materialeve për të fituar ndërmarrja apo shteti edhe nga
mbeturinat ose hedhjet që shkonin dëm. Pas kryerjes së studimeve me rezultate
të shkëlqyera, ai meritonte të ishte graduat akademik, pedagog statistike a
matematike në Universitet.
Ndërkohë ai ka qenë bashkautor në shumë libra universitarë
për financimin e ekonomisë dhe futjen e metodave matematikore në ekonomi. Por
lufta e njerëzve të ulët e intrigantë i qëndronte mbi kokë duke e ndjekur hap
pas hapi, ndaj e degdisën në Përmet dhe më pas në Dukat të Vlorës. Edhe pse
larg familjes, ai nuk u tut, por vazhdoi studimet shkencore.
Pas botimit të tri librave për metodat matematikore të
aplikuara në ekonomi, paralelisht punonte me një libër për Krizën Ekonomike
Botërore, ku pikërisht në këtë studim ra ndesh me teoritë e Ajnshtajnit. Me ndarjen
nga jeta në një moshëdhënieje vlerash shkencore, ai la shumë projekte në
mesrrugë. Megjithatë ai baba i palodhur, që punoi në shërbim të së mirës, i
dhuroi së bijës sekretet dhe dashurinë për numrat, vullnetin për të njohur të
fshehtat e botës universale që na rrethon dhe i edukoi dëshirën për të kërkuar
më shumë nga vetja. Ky shqiptar i mirë, fisnik nga rrënjët, e ka merituar
renditjen mes elitave të vendit, madje si gjithë të tjerët, si figurë e shquar
e kulturës kombëtare , ai e ka vendosur veten në panteonin kombëtar. Agroni i
dhà aq shumë kombit të tij, kurse partia- shtet, veç vuajtjes dhe heshtjes
misterioze, nuk i dha asnjë shpërblim. Ndaj shpreh mirënjohjen time për
personalitete të tillë të kombit, me citatin:
“S’është
kombi që nderon njerëzit e shquar, po janë ‘ATA’ që ia rrisin vlerat dhe
nderojnë KOMBIN!”Vivra
Mbyllje... Shpagim
Unë si autore,këtë libër me
titull,“Ngërç hakmarrës” e formulova dhe e strukturova në bazë të kujtimeve të
Agronit, personazhit kryesor, rreth të cilit shtjellohet e gjithë përmbajtja.
Ankthi apo ngërçi hakmarrës që e shoqëroi atë deri në frymën e fundit ishte një
torturë e vërtetë. Ndaj Ai, si personazh bëhet simbol i dijes, përfaqësues i
shkencës dhe i mirësisë për gjithë shqiptarët, jo vetëm të djathtë, por edhe të
majtë që i anatemoi dhe u mohoi vlerat një regjim totalitar. Që nga mijëra
kilometra larg, nga vendet e demokracisë, nga Amerika apo Kanadaja, Ai rrëfen
ngadalë e me dhembje, enigmat, ankthet dhe traumat e jetës.
“Ngërç hakmarrës”është një novelë
përgjithësuese, sepse jo vetëm Agroni, por dhe personazhet e tjerë që janë me
qindra dhe mijëra, si, ajo “Tjetra, ai “Tjetri” dhe ata “Të tjerët”gjenden
kudo, madje me shumicë numerike si simbioza të së keqes dhe ligësisë.
Në personin me emrin “Agron”, kam
shkrirë dy identitete reale. Unë me sytë e mendjes shoh dy intelektualë të
shquar të kombit, thuajse me të njëjtin fat, të cilët me punë studimore, me
vullnet dhe kurajo, mes zjarrit të një lufte personale ndaj tyre, ata të dy me
profesionalizëm,dolën mbi veten dhe krijuan identitetin e tyre intelektual
tejet personal,individualitetin dhe një emër të madh elitar në fondin e artë të
kulturës kombëtare.
Me vullnet, me palodhshmëri përmes
studimeve më të reja të shkencës në botë, e shndërruan veten në Personalitete
të Shquara të Kombit. Ata e kanë ngritur vet Panteonin e tyre, duke qëndruar në
majën e tij, si simbol të kulturës së re përparimtare, sepse botëkuptimi i tyre
mbi jetën, mbi të ardhmen dhe rolin e shkencave, i ka kaluar kufijtë apo caqet
e kalbura të një shoqërie astmatike mesjetare, që ende merr frymë me supa.
Njëri nga këta dy persona të shkrirë në një trup të vetëm, jeton dhe jep vlerat
e tij shkencore të pakundërshtueshme, veçse larg tokës mëmë.
Në këtë novelë rrëfehet një e vërtetë
e hidhur nga Agroni, i cili nuk mbart urrejtje dhe as që kërkon hakmarrje ndaj
keqbërësve, sepse vlerëson se dhe ata “Të Tjerët” megjithëse e kanë shpirtin të zi, janë si ai, të një race, të
një gjaku, flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtat tradita. Edhe pse larg
dhe me një jetë gjithë ankthe dhe shqetësime, atij njeriu të mirë i erdhi keq
kur dëgjoi fundjetën e kundërshtarëve të tij,se dikujt i prenë njërën këmbë,
tjetrit të dy këmbët, njëri prej tyre vdiq pas një agonie të tezhajtur i paralizuar,
dikush vdiq ngaankthi i kancerit, kurse njëri prej tyre, përjetoi dhembjen më
të madhe të prindit, vdekjen aksidentale të fëmijës së tij.
Ky ishte Agroni, që nuk u gëzua për
fatkeqësinë e secilit prej atyre që ia kishin nxirë jetën, po me dhembje u
shpreh:
-Askujt nuk ia kam dashur të keqen,
por koha si gjykatësja më e mirë, mori hak. Ndoshta, ndoshta ishte tepër vonë,
por koha vonon, por nuk harron të marrë hak. Ndaj me të drejtë thuhet: “Hak
pa marrë dhe borxh pa larë nuk ngelet në këtë botë!”
Aspektet e novelës që rrjedhin si uji
i burimeve të ftohta të lugjeve tona, të mbajnë peshë deri sa lexon edhe fjalën
e fundit. Flitet për fatin e njerëzve të veçantë, intelektualë të lindur, idetë
e të cilëve tejshtrihen në tërësinë e jetës sociale apo akademike brenda dhe
jashtë trojeve amëtare, madje edhe në katedrat akademike matanë kufijëve tanë.
Ngjarjet e trishta, që kanë lënë pas shijen e hidhur të dhembjes, sa e sa
trauma psikike, sa vuajtje shpirtërore, sa plagë që ende, edhe pas dhjetëra
vitesh pikojnë gjak dhe vrer, janë mëkt i pashlyeshëm. Të
gjitha pasojat që lanë ditëzinjtë, të fusin
në mendime të thella, nga të cilat dalin pyetje enigmash pa fund dhe ngelen
ende pa përgjigje. Në novelë keqbërësit janë personifikuar me nocionet
abstrakte, ajo “Tjetra”, ai “Tjetri”,ata “Të Tjerët”, të cilët tek të
pafajashmit ka lënë zvargur një laklitar dhe një ngërç frymëmarrës që nuk
shërohet kurrë. Kjo rrëfehet në novelë ngadalë mes gjykimeve
social-psikologjike, mes një monologu apo dialogu filozofik të vetëqenies si
një frymor i mbinatyrshëm, ku ngërthehet jeta, shpirti dhe mendja e helmatisur
nga krimet makabre të atyre “Të Tjerëve”. Mes pabesisë, servilizmit dhe
përndjekjes së tyre të paskrupull, ata “Të Tjerët” kanë vrarë interesat dhe identitetin
shpirtëror, ndërgjegjësor dhe social të fajtorëve të pafaj, sepse i veçuan nga
të tjerët duke u vënë damkën e mohimit dhe të turpit. Në kushte të tilla krimi
moral, mendor, shpirtëror, fizik apo jetik, ngre krye ndaj padrejtësisë
“Mbiuni”,“Mbinjeriu” e “Mbindërgjgjja”.
Vetëm duke e parë veten me një sy tjetër, apo nga një këndvështrim më i
gjerë, atëherë je në gjendje t’i kundërvihesh së keqes me çdo lloj forme.
Agroni para disa vitesh u kthye për
pushime në shtëpinë që kishte blerë në Rivierën e magjishme shqiptare në gjirin
e bukur të Vlorës, përballë tri portave hyrëse të qytetit, Karaburun, Sazan dhe
Triport. Nga ai qytet ku u formua si individualitet, Agroni ishte në kulmin e
punës studimore dhe vlerave shkencore të matematikës lineare, kur u nda nga
jeta e ndërkohë kishte ende shumë për të thënë. Iku shkencëtari përmes heshtjes
së heshtur, u nis pa bujë në udhëtimin e tij të përjetshëm. Paçka se iku si një
i mohuar, por u largua i qetë si një baba i lumtur, pasi të dy fëmijët ndoqën
rrugën e tij. Si një intelektual i formuar, Ai u mësoi atyre të dyve sekretet
dhe lumturinë e numrave, duke u lënë trashëgimi kulturën shkencore. Mbi të
gjitha ai e nisi rrugën e përjetësisë me ndërgjegje të pastër.
Djali i tij ekonomist, jeton dhe
punon si biznesmen në Kanada. Kurse vajza studioi për Fizikë kuantike në
universitetin e Tiranës. Studimet pasuniversitare i kreu në ShBA, pas vitit
1991. Sot ajo është kozmologe dhe pedagoge universiteti në ShBA, ku jep
kozmologjinë dhe identifikon zbulimet e saj shkencore rreth të fshehtave dhe
mundësive jetike të multiversit në shërbim të Agjensisë së Hapësirës Kozmike
-NASA.
Kurse babai i tyre, Agroni erdhi t’i
prehen eshtrat e lënduara në paqe në qytetin e Diellit, në perlën margaritare,
në Rivierën e bukur e të magjishme jonike, aty ku kanë folenë perënditë.
Çudi!
Përse vallë humbjen e jetës së një
dijetari, të një matematicieni të ndritur e shoqëroi heshtja e heshtur?! Kësaj
pyetjeje i përgjigjet antivlera që ka zënë vendin e vlerave reale dhe të
vërteta shkencore.
Eh,bota!
Bota nuk i ka Elitat dhe i nxjerrë
nga dheu njerëzit e famshëm, i ringjallë, i nderon duke i vendosur në Panteonin
e kombit të vetë, pavarësisht se ç’racë janë, ç’ngjyrë kanë apo çfarë gjuhe flasin.
Kurse ne i kemi elitat e kombit dhe i varrosim për së gjalli ose u nxjerrim
eshtrat nga varri që t’i diskriminojmë, edhe pas vdekjes, megjithëse e dimë që
i vdekuri nuk mund të marrë as të japë dhe s’mund të bëjë asgjë.
Pas leximit të librit, secili do të
shprehet: “Në këtë novelë gjej veten edhe unë, edhe ti, edhe ai tjetri,
sepse të gjithë qytetarëve të këtij vendi të lashtë u ka mungur liria, e cila
është shumë dimensionale.”
Ndaj me bindje them: “Njeriut që i
mungon liria vetjake, ngjet me një vend të pushtuar e të skllaëruar nga i
huaji!”.
Vivra
*--* Vlorë,
11 shator, 2024